Favorizimi i hadithit me më shumë transmetues ndaj hadithit me më pak transmetues

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nëse ndodh që midis dy argumenteve ka përplasje (në aparencë), ku njëri prej argumenteve ka numër më të madh të transmetuesve, kurse argumenti tjetër ka më pak, atëherë në këtë rast, padyshim që i jepet përparësi dhe favorizohet argumenti (hadithi) që ka më shumë transmetues, sepse siguria është më e madhe dhe mundësia për të gabuar është më e vogël.

Shembull:

Hadithi i Parë:

Abdullah ibn Zubejri thotë: “Kur I Dërguari i Allahut (a.s) ulej për në teshehud këmbën e majtë e vendoste midis kofshës dhe pulpës së të djathtës, kurse pjesën e përparme të këmbës së  djathtë e shtrinte, dorën e majtë e vendoste mbi gjurin e këmbës së majtë, kurse dorën e djathtë e vendoste mbi këmbën e djathtë dhe tregonte me gishtin tregues.”[1]

Hadithi i Dytë:

Uail ibn Hixhr El Hadremij  thotë: Kam dëshirë të shikoj se si falet Profeti (a.s).. e pashë atë të ngrinte gishtin e tij tregues, të cilin e lëvizte kur bënte lutje (në teshehud)”[2]

Imam ibn Huzejme, në lidhje me hadithin e transmetuar nga Uaili thotë: [Kjo shtesë (se Profeti e lëvizte gishtin në teshehud) nuk transmetohet vetëm se në këtë transmetim.]

Thelbi i kësaj qëndron se në transmetimin e parë thuhet se Profeti (a.s) kur ishte në teshehud tregonte me gishtin e tij tregues, kurse në transmetimin e dytë thuhet se kur Profeti (a.s) ishte në teshehud e lëvizte gishtin e tij tregues.

Teksa hulumtojmë rreth këtyre dy haditheve, do të vërejmë se numri i transmetuesve që  transmetojnë se  kur Profeti (a.s) ishte në teshehud tregonte me gishtin tregues është i madh, kurse hadithi që tregon se Profeti (a.s)  kur ishte në teshhud e lëvizte gishtin tregues është transmetuar vetëm nga një person dhe ai është Uail ibn Hixhër.

Kështu që duke u bazuar tek rregulli se kur midis dy haditheve që në aparencë ka përplasje, favorizohet dhe i jepet përparësi hadithit që ka më shumë transmetues, në rastin konkret themi se favorizohet hadithi në të cilin transmetohet se kur Profeti (a.s) ishte në teshehud tregonte me gishtin tregues.

Allahu e di më mirë.

[1] – Muslimi (579).

[2] – Nesai (889) Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.