Favorizimi i hadithit “muteuatir” ndaj hadithit “ehad”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nëse ndodh që midis dy argumenteve ka përplasje (në aparencë), ku njëri prej argumenteve është “muteuatir”, kurse tjetri është “ehad”, atëherë në këtë rast i jepet përparësi dhe favorizohet argumenti “muteuatir” ndaj atij që është “ehad”, sepse tek ai argument që vjen në formë “muteuatir”, siguria është më e madhe dhe mundësia e gabimit as që mund të mendohet ose e thënë ndryshe është  inekzistente.

Me argument “muteuatir” nënkuptohen të gjitha ajetet kuranore dhe ato hadithe që transmetohen të tilla. Kurse me argument “ehad” nënkuptohet ato hadithe që transmetohen në këtë formë. Përpara se të jap një shembull në lidhje me këtë rregull, e shoh me vend që të paraqes përpara lexuesit se çfarë kuptojmë me hadith “muteuatir” dhe çfarë kuptojmë me hadith “ehad”

Me hadith “muteuatir” nënkuptohet ai hadith që transmetohet nga një grup transmetuesish tek një grup tjetër, ku vargu shkon deri tek sahabiu dhe është e pamundur që pjestarët e një hallke transmetimi të kenë rënë në ujdi për të gënjyer, ndërsa mundësia e gabimit gjatë transmetimit është zero.[1]

Kurse me hadith “ehad” nënkuptohet hadithi që nuk plotëson kushtet e hadithit “muteuatir”[2]

Shembull i favorizimit të hadithit “muteuatir” ndaj hadithit “ehad”:

Hadithi i Parë:

Abdullah ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse lëkura (e kafshës) regjet, ajo konsiderohet e pastër.”[3]

Hadithi i Dytë:

Abdullah ibn Ukejm (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Mos përfitoni nga kafsha e ngordhur edhe nëse e regjni dhe as nga mishi i delltë.”[4]

Midis këtyre dy haditheve vërehet shumë qartë se ka përplasje, pasi në hadithin e parë thuhet se nëse lëkura e kafshës së ngordhur regjet, ajo është e pastër dhe si rrjedhojë, njeriu përfiton prej saj. Kurse në hadithin e dytë thuhet se është e ndaluar përftimi nga kafsha e ngordhur edhe nëse regjet.

Në lidhje me këto dy transmetime, dijetarët kanë dhënë shumë mendime, si për shembull se transmetimi i parë është më i saktë se transmetimi i dytë[5]. Por duke u bazur tek rregulli se hadithi “muteuatir”  favorizohet ndaj hadithit “ehad” dhe duke qenë se hadithi i parë është hadith “muteuatir” kurse i dyti hadith “ehad”, atëherë në këtë rast favorizohet hadithi i parë që nënkupton se lejohet përdorimi i lëkurës së kafshës së ngordhur, pasi ajo është regjur.

Përshtati në shqip: Elton Harxhi

[1] – Për më tepër shih: “Njohuri themelore të shkencës së hadithit” të Rushit Musallarit,fq 51.

[2] – Për më tepër shih: “Njohuri themelore të shkencës së hadithit” të Rushit Musallarit, fq: 54.

[3] – Muslimi (366).

[4] – Ebu Daudi (4128). Hadith Hasen.

[5] – Për më tepër shih “Aunul Ma’bud” i Abadit, fq: 1769.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.