Fik’hu i ekulibrit dhe prioritetet e përballjes në kohën e sfidave

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në sferën e përmirësimit dhe korrigjimit, nuk mjafton vetëm të identifikohet gabimi apo të zbulohet defekti, por është e domosdoshme të ofrohen alternativa të mençura, që marrin parasysh realitetin dhe minimizojnë të këqijat.

Sa e sa reformatorë me qëllime të mira kanë kontribuar, pa vetëdije, në rrënimin e një realiteti që përmbante ende elementë pozitivë, pa ofruar një alternativë të pjekur dhe të pranueshme. Kjo ka bërë që në vend të përmirësimit të pritur, njeriu të rrëshqasë drejt së keqes, e cila nuk do të kishte gjetur terren. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur për shkak të ç’ekuilbrit në peshore.

Islami, në strukturën e tij njohëse dhe praktike, ka ardhur me një ekuilibër të përpiktë në qëndrimin ndaj armiqve dhe kundërshtarëve. Këtë ekuilibër e zbatoi vetë Profeti (a.s), kur u gëzua për fitoren e bizantinëve, ndonëse ishin jobesimtarë, sepse ishin më afër së vërtetës se sa persët, armiqtë e tyre. Revelata hyjnore e quajti këtë “fitore nga Allahu”, për të vënë në dukje parimin e krahasimit të të këqijave dhe dhënien prioritet ndaj kundështarëve, sipas afërsisë apo largësisë nga e vërteta.

Në sferën e politikës, sheriati bën dallim mes “armikut më të lehtë” dhe “armikut më të rrezikshëm”, dhe nuk lejon angazhimin në përballje të përgjithshme me të gjithë, pa vlerësuar pasojat. Ai (Sheriati) kërkon renditjen e prioriteteve.

Për këtë arsye, Profeti (a.s) nuk u përplas vetë i pari me munafikët në Medine, as nuk e hodhi hapin i pari në konfliktin me hebrenjtë, por u përqendrua së pari në dobësimin e forcave kryesore idhujtare, dhe më pas me mençuri dhe aftësi i bëri ballë sfidave të tjera.

Reformatori që nuk e merr parasysh këtë vlerësim realist dhe merret me çështje të vogla në kohë të rrezikut të madh, mund – pa dashje – t’i shërbejë axhendave të së pavërtetës, edhe nëse ka qëllime të mira.

Po ashtu, të kufizohesh në kritikimin e atyre që mendojnë ndryshe për çështje të ixhtihadit, duke heshtur ndaj atyre që e shkelin haptazi atë çështje për të cilën dijetarët kanë rënë që të gjtihë dakord, tregon një mangësi në balancën shkencore ose devijim në orientimin e qëllimeve.

Duhet bërë dallim mes atij që e krijon të keqen apo e themelon, dhe atij që është i dobët në përballje me të, apo që tregohet i ngadalshëm në përpjekjen për ndryshim. I pari kritikohet për veprimin e tij, ndërsa për të dytin gjykimi varet nga qëllimi dhe rrethanat.

Të merresh me detaje konfliktuale, ndërkohë që themelet e fesë po shkelen dhe shkulen, është një shfrytëzimi i energjive në drejtim të gabuar.

Prandaj Profeti (a.s) e nisi thirrjen e tij me teuhidin dhe bazat e besimit, mbi të cilat më pas ndërtoi rregullat dhe ligjet, derisa mesazhi u bë i qëndrueshëm dhe themeli u forcua.

Madje, mund të jetë më afër së drejtës që mëkatari që afrohet me të mirën, të pritet me butësi dhe inkurajim, edhe nëse ende nuk është përmirësuar plotësisht, ndërsa të kërkohet më shumë nga besimtari që devijon, sepse largimi nga e mira është më i rrezikshëm se ecja e ngadaltë drejt saj.

Marrja në konsideratë e statusit të kundërshtarëve është ndër veçoritë më të bukura të kësaj feje, e cila nënkupton se nuk është e udhës t’i kundërvihesh një pale më të lehtë, ndërkohë që përballë ke një palë më të rrezikshme. Përkundrazi, palës më të lehtë i lihet hapësirë veprimi deri sa të dobësohet kundërshtari më i rrezikshëm, e më pas shqyrtohet edhe pozicioni i saj (më të lehtës) në mënyrë të matur dhe të urtë.”

Bashkimi i radhëve në kohë krizash të mëdha është më prioritar se diskutimi rreth çështjeve dytësore. Ai që nuk e kupton këtë, ose është injorant që nuk e njeh realitetin, ose i nënshtrohet dëshirave, megjithëse shfaqet si mbrojtës i fesë.

Sipas parimeve të peshores së sheriatit, çdo hap që një individ i devijuar ndërmerr drejt udhëzimit vlerësohet dhe pritet me butësi e mirëkuptim. Ndërkohë, pakujdesia apo lëshimi nga ana e një besimtari trajtohet me shqetësim dhe kërkon korrigjim, edhe nëse në dukje të parë duket se i pari sjell më pak përfitim sesa i dyti.

Sa i përket kurtheve dhe intrigave të ithtarëve të së pavërtetës, pavarësisht kompleksitetit apo finesës së tyre, ato janë të destinuara të dështojnë. Kjo përbën një ligj të pandryshueshëm hyjnor, sipas të cilit skemat mashtruese u kthehen kundër vetë autorëve të tyre, edhe nëse zbatimi i këtij ligji vonohet në kohë ose efektet e tij nuk bëhen të dukshme menjëherë.

Autor: Abdullah Xhuajd

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.