Fikhu i tekstit sheriatik (1)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në lidhje me fikhun[1] e tekstit sheriatik[2], njerëzit kanë këndvështrime të ndryshme. Këto këndvështrime varen nga kapacitetet e tyre për t`i kuptuar dhe percpetuar këto tekste: sa të përkushtuar janë ata, sa u përmbahen teksteve sheriatike dhe komentimit të tyre, përdorimi i logjikës për të argumentuar tekstet sheriatike, gjurmimi për të gjetur nëse tekstet janë autentike apo jo. Ky është sekreti i dallimeve mes tyre në lidhje me tekstin sheriatik, qofshin këto dallime në çështjet thelbësore të besimit që lidhen me zemrën, apo në ato dytësore që lidhen me gjymtyrët.

Feja na paralajmëron, që të bëjmë kujdes nga risitë. Kjo bëhet për të mbrojtur Sheriatin – në çështjet e besimit dhe dispozitave fetare –  nga konceptetet e gabuara e të devijuara, të cilat reflektojnë negativisht në sjelljet e njerëzve. Ky reflektim negativ nuk ndikon vetëm tek marrëdhëniet e njerëzve me Zotin, por edhe në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin në të gjitha aspektet e jetës.

Umeti musliman – ashtu siç e shikojmë sot – është ndarë në shumë sekte e grupacione. Secili prej tyre ndjek një metodë të caktuar për të kuptuar një tekst sheriatik dhe ka një reagim të caktuar në raport me realitetin e jetës. Sido që të jetë qëndrimi ynë përballë këtij realiteti të shumëllojshëm, ai është prezent dhe ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën tonë, pozitivsht apo negativisht. Në fakt, kjo është sprovë nga Allahu i Lartësuar, për të parë nëse do të udhëzohemi në rrugën e drejtë – në rrugën e atyre që Ai i ka begatuar me mirësi, larg rrugës së atyre me të cilët Ai është zemëruar. Në mënyrë që të udhëzohemi në rrugën e drejtë, ne duhet që ta bëjmë këtë me vullnet të plotë dhe duke u përpjekur që të kuptojmë qëllimin e Ligjvënësit, i Cili ka shpallur tekstin hyjnor.

Pavarësisht gjithë këtyre degëzimeve (sektarizmave) përsa i përkët mënyrës së kuptimit të tekstit sheriatik, kuptimi i vërtetë është vetëm një, megjithëse edhe ai([3]) që nuk e kupton si duhet tekstin – por është përpjekur për të gjetur të vërtetën – merr shpërblim. Është detyrë për çdonjërin prej nesh, që të përpiqet maksimalisht për të kuptuar tekstin sipas rregullave të Sheriatit. Ne duhet ta kuptojmë qëllimin e Ligjvënësit, duke marrë si shembull brezin e sahabëve, veçanërisht në ato çështje ku brezat e mëvonshëm kanë patur mospajtime përgjatë gjithë historisë islame. Ne duhet të marrim për shembull sahabët, sepse teksti është zbritur në kohën e tyre dhe ata kanë kuptuar nga teksti – më mirë se kushdo tjetër –  se çfarë duhet të besojnë dhe çfarë duhet të veprojnë.

Ky është edhe qëllimi i fjalëve të Profetit (a.s) ndaj atij që i tha: “O Muhamed! Sillu drejt, sepse nuk je sjellë drejt!”([4]). Ky reagim negativ i këtij personi erdhi si rezultat i moskuptimit të qëllimit të asaj që bëri Profeti (a.s). Ky lloj reagimi është një e metë e madhe, ndërsa përfundimi do të ketë pasoja të këqija dhe vërtet ashtu ndodhi. Prandaj edhe reagimi([5]) i Profetit (a.s) ishte i rëndësishëm, sepse paqartësia në lidhje me këtë çështje do të rrezikonte sigurinë e Umetit musliman, nëse nuk do ta kupronin siç duhet veprimin e Profetit (a.s).

Reagimi i Profetit (a.s) tregon ndryshimin midis kuptimit sipërfaqësor të tekstit dhe perceptimit të drejtë të tij. Kuptimi sipërfaqësor i tekstit sheriatik vetëm në kufijtë e fjalës, – pa e perceptuar atë – konsiderohet problematik, ashtu siç thotë Profeti (a.s): “E lexojnë Kuranin, por ky lexim nuk e kalon gurmazin e tyre”([6]). Me këto fjalë, Profeti (a.s) dëshiron të na tregojë, se është shumë e domosdoshme, që të ruhemi nga kuptimi jo i saktë i tekstit sheriatik dhe se nuk duhet të mashtrohemi nga ata njerëz, të cilët shfaqen si fetarë të përkushtuar. Ai (a.s) ka thënë gjithashtu: “Namazi juaj nuk ka të krahasuar me namazin e tyre dhe agjërimi juaj nuk ka të krahasuar me agjërimin e tyre. Ata e lexojnë Kuranin, mirëpo ky lexim nuk e kalon gurmazin e tyre. Ata dalin nga feja, ashtu siç del shigjeta nga harku, vrasin muslimanët dhe lënë të lirë idhujtarët…”([7]).

Problematikë

Gjatë leximit të një teksti sheriatik, njeriu has metoda të shumta për ta kuptuar atë, prandaj edhe reagimi i tij ndaj tekstit do të jetë në varësi të metodës që lexon.

Për shembull, në fushën e adhurimit njeriu ndeshet me metodën e atyre njerëzve që e kuptojnë tekstin në mënyrë sipërfaqësore (te njohur edhe si Dhahirij). Këta nuk e lodhin shumë veten për të gjetur qëllimin e Ligjëvënësit nga teksti sheriatik, nuk e lodhin shumë veten për të gjetur shkakun se përse një çështje e caktuar ka një gjykim të caktuar, madje as nuk e lodhin veten për të gjetur dobinë që sjell teksti, dobi që është synimi kryesor i Sheriatit islam.

Në fushën e besimit, njeriu ndeshet me metodën e filozofit, i cili bazohet vetëm tek logjika e mendimit.

Njeriu ndeshet gjithashtu edhe me metodën e apologëve, të cilët kanë si parim bazë interpretimin ndryshe të tekstit – pra tekstit të qartë dhe të drejpërdrejtë, ata i bëjnë një interpretim tjetër që është i papranueshëm. Si pasojë e këtij interpretimi jo të saktë lindin veprime që bien në kundërshtim me tekstin. Këto veprime mund të arrijnë deri në kufër, mëkat, risi, dëmtim fizik apo material.

Një metodë tjetër është ajo që bazohet vetëm tek tekstet me karakter përgëzues, duke anashkaluar krejtësisht tekstet me karakter qortues. Ata që ndjekin këtë metodë, mendojnë se pikërisht kjo është rruga e vërtetë.

Në të kundërt të kësaj është ajo metodë, e cila bazohet vetëm tek ashpërsia dhe vështirësimi i çështjeve fetare.

Nuk ka dyshim, se të gjitha këto (metoda) janë të papranueshme, mirëpo kjo problematikë është konkrete dhe ne nuk mund ta mohojmë e as ta injorojmë. Ajo është shfaqur shumë herët në historinë e mendimit islam. Kjo problematikë ndikon në raportet e njerëzve me njëri-tjetrin, përsa i përket afrimitetit dhe ftohjes, dashurisë dhe urrejtjes, paqes dhe konflikteve, integrimit apo vetëmbylljes.

Autor: Xhelaludin Muhamed Salih

Përktheu: Elton Harxhi

 

 

 

[1] – Në aspektin gjuhësor fjala “fikh” do te thote “kuptim”. Duke qenë se pjesa më e madhe e muslimanëve e njohin këtë fjalë, e shikoj si më të përshtatshme, që ta përdor këtë term për të gjitha materialet që flasin për këto tema.

[2] – Me termin “tekst sheriatik” nënkuptohet Kurani dhe Suneti.

[3] – Bëhet fjalë për muxhtehidin, i cili përpiqet maksimalisht nxjerr dispozita nga tekstet sheriatike – sipas asaj që ai kupton – dhe shpërblehet për përpjekjen e tij, edhe nëse gabon.

[4] – Pas luftës së Hunejnit, Profeti (a.s) filloi të shpërndante plaçkën e luftës. Prej njerëzve të cilëve Profeti (a.s) iu dha plaçkë lufte, ishin edhe disa fisnikë të Mekës. Kur njëri prej tyre e pa këtë, nuk i pëlqeu ky veprim i Profetit (a.s), prandaj nuk nguroi që t’ia thoshte këto fjalë. Mirëpo realisht ky njeri, i cili i tha këto fjalë, nuk e kishte kuptuar se përse Profeti (a.s) iu dha plaçkë lufte disa prej fisnikëve të Mekës; Ai (a.s) dëshironte të fitonte zemrat e këtyre fisnikëve, që ata të pranonin fenë e Allahut.

[5] – Fjala e tij a.s: “E kush tjetër mund të mbajë drejtësi, nëse nuk mban drejtësi Allahu dhe i Dërguari i Tij”?!

[6] – Muslimi (1063)

[7] – Buhariu (3166).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.