Filozofia e agjërimit gjatë ditës para natës së Kadrit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Në lidhje me agjërimin për natën e Kadrit, përse duhet të agjërojmë në ditën e 26 – të Ramazanit dhe jo në ditën tjetër, pra në ditën e 27 – të, duke ditur që nata e Kadrit është në natën e 27 – të të Ramazanit?

Përgjigje: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin Muhamed (a.s) dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Si fillim duhet të sqarojmë se muslimani e ka obligim agjërimin e gjithë muajit të Ramazanit, sepse Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë.”[1]

Mirëpo jo të gjithë muslimanët (në Shqipëri) e agjërojnë të gjithë muajin e Ramazanit. Ka prej atyre që agjërojnë pjesën më të madhe të tij, të tjerë gjysmën e tij, të tjerë 10 – të ditët e fundit të tij, të tjerë më pak dhe të tjerë vetëm një ditë, pikërisht në natën e Kadrit. Në këtë kontekst, vlen të përmendim se Allahu i Madhëruar e pranon agjërimin e një dite, apo më shumë ditëve.

Duke u nisur nga fakti se në vendin tonë, një pjesë e madhe e njerëzve dëshirojnë të agjërojnë për natë Kadri (gjë e cila dëshmon për besimin e tyre), imamllarët dhe hoxhallarët e kanë parë si të arsyeshme që t’i orientojnë njerëzit që të agjërojnë në ditën e 26 – të të muajit të Ramazanit dhe jo në ditën e 27 – të të tij. Dhe e gjitha kjo për një arsye shumë të thjeshtë: Muslimani agjëron gjatë ditës së 26 – të deri në aksham, pikërisht në momentin kur fillon nata e 27 – të e Ramazanit, më konkretisht nata e Kadrit[2]. Kjo do të thotë se nata e Kadrit e gjen njeriun dhe ai sapo ka përfunduar një punë të mirë. Dhe si rrjedhojë përfiton nga mirësitë e kësaj nate. Sakaq, nëse muslimani agjëron në ditën e 27 – të të Ramazanit, i bie që nata e Kadrit të ketë kaluar dhe si rrjedhojë ai nuk ka përfituar ndonjë mirësi të kësaj nate. Por kjo nuk do të thotë se agjërimi i ditës së 27 – të nuk pranohet. Padyshim që pranohet, por nuk ka vlerën dhe rëndësinë si të ditës së 26 – të.

            Allahu e di më mirë.

[1] – Sure El Bekare: 185.

[2] – Imamllarët tanë kanë vendosur që nata e Kadrit të jetë më 27, pavarësisht se kjo është një =ështje që ha diskutim.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.