Forma e faljes së namazit të vitrit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falja e namazit të vitrit me tre rekate dhe dy teshehude ka përparësi ndaj formave të tjera të namazit të Vitrit.

Aishja (r.a) tregon se “I Dërguari i Allahut (a.s) e falte vitrin me tre rekate dhe jepte selam vetëm në rekatin e tretë”[1].Ajo ka thënë gjithashtu: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk jepte selam në dy rekatet e para të vitrit”[2].

Ibn Umeri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi i akshamit është vitri i ditës, mos e lini pa falë vitrin e natës”[3].

Dikush i tha Hasanit, se Ibn Umeri (r.a) jepte selam pas dy rekateve të Vitrit. Ai tha: “Umeri ka qenë më i ditur se ai (Ibn Umeri). Umeri ngrihej për në rekatin e tretë me Tekbir”.[4]

Imam Tahaviu në “Sherhu`l-Meani`l-Athar”, (1701) thotë: “Na ka treguar Ebu Bekrete, i cili ka thënë: na ka treguar Ebu Daudi, i cili ka thënë: “Ebu Khalideh na ka treguar: “E pyeta Ebu Alijen (i cili ka jetuar në kohën profetike por e ka pranuar Islamin pasi i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndërruar jetë): “Si falet namazi i Vitrit”? Ai më tha: “Sahabët e Muhamedit (a.s) na kanë mësuar se namazi i vitrit është njësoj si namazi i akshamit vetëm se në rekatin e tretë (pas Fatihasë) lexojmë (një sure apo pjesë nga Kurani). Ky që falim natën quhet Vitri i natës, ndërsa ai që falim ditën quhet Vitri i ditës”[5].

Abdullah ibn Mesudi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sa herë që të uleni në çdo dy rekate thuani “Et-tehijjatu lil-lah…”[6].

Ibn Rushdi thotë: “Përsa i përket mënyrës së faljes së vitrit, Maliku e ka preferuar faljen e tij me tre rekate, por me dy selame. Ebu Hanife ka thënë: “Vitri është me tre rekate dhe me një selam”. Shafiu ka thënë: “Vitri falet me një rekat”. Të gjitha këto mendime bazohen në fjalët e selefëve: sahabëve dhe tabbinëve”[7].

Ibn Hazmi thotë: Koha më e mirë për të falur namazin e Vitrit është në fund të natës dhe ai shlyhet qoftë me faljen e një rekati. Namazi që falet natën është 13 llojesh, këdo që të bësh, e ke kryer si duhet….. Forma e dymbëdhjetë: E fal namazin e Vitrit me tre rekate; ulet në rekatin e dytë, thotë teshehudin, pastaj ngrihet për rekatin e tretë, e në fund bën teshehudin dhe salavatet, njësoj si namazi i akshamit. Këtë lloj ka përzgjedhur Ebu Hanife. Na ka treguar Abdullah ibn Rabia… nga Sad ibn Hishami se Aishja i ka treguar: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk jepte selam në krye të dy rekateve të Vitrit”[8].

Përsa i përket duasë në namazin e vitrit, ajo është detyrë të bëhet gjatë gjithë vitit dhe bëhet para rënies në ruku.

Dikush e pyeti Abdurrahman ibn Lejlan për duanë e kunutit në namazin e Vitrit. Ai tha: “Kam dëgjuar Bera ibn Azibin (r.a) duke thënë: “Duaja e kunutit në namazin e vitrit është traditë e vazhdueshme profetike”[9].

Ubej ibn Kabi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e falte namazin e Vitrit me tre rekate. Në rekatin e parë lexonte suren El-Ala, në rekatin e dytë lexonte suren Kafirun dhe në rekatin e tretë lexonte suren Ihlas. Ai (a.s) e bënte duanë e Kunutit para rënies në ruku”[10].

Alkame ka thënë: “Ibn Mesudi (r.a) dhe sahabët e tjerë të Profetit (a.s) e bënin duanë e kunutit para rënies në ruku”[11]. Kështu ka vepruar edhe Umer ibn Khatabi, Ibn Abasi, Berra ibn Azibi dhe shumë sahabë të tjerë, pra e kanë bërë duanë para rënies në ruku.

Ibrahim Nekhaiu ka thënë: “Duaja e Kunuti është detyrë si në Ramazan dhe jashtë Ramazanit. Ajo bëhet para rukusë. Para se të bësh duanë e kunutit merr tekbir dhe kur ta mbarosh atë merr përësri tekbir dhe bjer në ruku”[12].

Sipas Ebu Hanifes duart nuk ngrihen në duanë e Kunutit por lidhen si në namaz, sipas Ebu Jusufit duart ngrihen gjatë duasë, ndërsa sipas Muhamed ibn Hasanit ato lëshohen, as nuk lidhen dhe as nuk ngrihen gjatë lutjes. Secili prej tyre e argumenton me transmetime nga sahabët, kështu që çështja është e gjerë.

Ebu Uthmani ka thënë: “Umer ibn Khatabi (r.a) i ngrinte duart kur bënte duanë e kunutit”[13]

Esvedi tregon: “Abdullah ibn Mesudi lexonte në rekatin e fundit të vitrit suren Ihlas. Më pas ngrinte duart dhe bënte duanë e Kunutit”[14].

Imam Kasani thotë: “Përsa i përket mënyrës së bërjes së duasë së kunutit me zë apo në heshtje, kadiu Ebu Nasri në shpjegimin e librit “Mukhtesaru`t-Tahavi ka thënë: “Nëse namazliu po falet vetëm ai ka të drejtë të përzgjedhë mes leximit me zë apo heshtjes, apo mund të lexojë me zë aq sa e dëgjon veshi i tij. Nëse dëshiron, mund të lexojë në heshjte, ashtu siç e fal edhe namazin e vitrit. Nëse është imam, ai lexon me zë, por jo me të njëjtin volum zëri që lexon në namaz, ndërsa namazlinjtë e ndjekin deri tek fjalët “In-ne adhabeke bi`l-Kufari mulhak”. Nëse imami bën dua më shumë se kaq a duhet ta ndjekin namazlinjtë? Në librin “El-Fetava” përmendet mospajtimi i Ebu Jusufit dhe Muhamedit për këtë çëshjte. Ebu Jusufi është i mendimit se xhemati e ndjek imamin duke përsëritur fjalët, ndërsa Muhamedi është i mendimit se xhemati bën amin pas imamit”[15].

Përsa i përket kohëzgjatjes së duasë, imam Kasani  thotë: “Kerkhiu ka thënë: “Kohëzgjatja e duasë së Kunutit nuk duhet të kalojë gjatësinë e sures “Inshikak”. Transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) lexonte në kunut: “All-llahum-me in-na nesteinuke… All-llahumehdina fimen hedejt”, të dyja janë në gjatësinë e kësaj sure. Trasmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk u zgjaste në duanë e kunutit”[16].

Autor: Abedin Musallari

[1] – Hakimi (1153). Vargu i hadithit është i fortë.

[2] – Nesai (1404) dhe Hakimi (1152) me varg të vërtetë.

[3] – Ahmedi, v:2, fq: 30 me varg të vërtetë.

[4] – Hakimi (1154) me varg të fortë.

[5] – Vargu i këtij hadithi është i vërtetë.

[6] – Nesai (1163) me varg të vërtetë.

[7] -“Bidajetul Muxhtehid” v: 1, fq: 193.

[8] -“El Muhal la” v :11, fq: 253-255, çështja: 290.

[9] – Siraxhi (1333) në musned em varg të pranuar.

[10] – Nesai (1699) me varg të vërtetë.

[11] -“Ibn Ebi Shejbeh” v: 2, fq: 302 me varg të vërtetë.

[12] – Muhamed ibn Hasani në “Athar” fq: 37 me varg të vërtetë.

[13] -“Ibn Ebi Shejbeh” v: 2, fq: 316. Buhariu (162) në  “Rafu’ l Jedejni” me varg të vërtetë.

[14] – Buhariu (163) në “Rafu’l Jedejni” me varg të debatueshëm, megjithëse Buhariu e vlerëson të vërtetë.

[15] -“Bedaius Sanaiu” v: 2, fq: 234.

[16] -“Bedaius Sanaiu” v: 2, fq: 232.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.