Frika nga fama

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sinqeriteti ka shumë shenja dhe tregues që shfaqen në jetën e njeriut të sinqertë, në sjelljen e tij dhe në mënyrën se si ai e sheh veten dhe njerëzit. Ndër to është: frika nga fama.

Që do të thotë se njeriu ka frikë nga fama dhe përhapja e emrit të tij, si për veten ashtu edhe për përkushtimin e tij fetar,  veçanërisht nëse është prej atyre që kanë dhunti dhe talente; kur dihet se Allahu pranon të brendshmen dhe jo të jashtmen. Kjo për arsye se, edhe sikur fama e dikujt të përhapet anembanë botës, dhe nijeti i njeriut nuk është i sinqertë, fama nuk do t’i sjellë atij asnjë dobi para Allahut.

Për këtë arsye, të heqësh dorë nga posti, popullariteti, fama dhe të qënurit në qendër të vëmendjes është më e vështirë dhe më e madhe se heqja dorë nga pasuria, nga epshi i barkut dhe i organit seksual. Imam Ibn Shihab ez-Zuhrij thoshte: “Aketizmin më së paku të aplikohet e kemi vënë re në çështjet e administrimit të pushtetit. Ti e sheh njeriun të heqë dorë nga ushqimi, pija dhe pasuria, por kur atij i cenohet pushteti apo karrigia, ai e mbron atë me ngulm dhe armiqësohet për shkak të tij.”

Kjo ka bërë që shumë prej dijetarëve të brezave të parë dhe njerëzve të devotshëm të kishin frikë për zemrat e tyre nga sprova e famës, nga magjia e pozitës dhe e popullaritetit, dhe t’i paralajmëronin nxënësit e tyre për këtë rrezik. Autorët e librave të edukimit shpirtëror kanë përmendur shumë transmetime në këtë drejtim, si Ebul-Kasim el-Kushejri në “Risale”, Ebu Talib el-Mekki në “Kut’l-kulub” dhe Gazaliu në “Ihjau ulumid-din”.

Ndër to është fjala e asketit të njohur Ibrahim ibn Ed’hemit: “Ai që e do famën, nuk është i sinqertë me Allahun.” Ai gjithashtu  ka thënë: “Sytë e mi nuk janë qetësuar asnjëherë në dynja, përveçse një herë: kur e kalova natën në një nga xhamitë e fshatrave të Shamit; isha i sëmurë nga barku. Erdhi muezini dhe më tërhoqi për këmbë derisa më nxori nga xhamia.” Sytë e tij u qetësuan sepse njeriu nuk e njohu, prandaj e trajtoi ashpër dhe e tërhoqi për këmbë sikur të ishte kriminel. Ai ishte i njëjti njeri që kishte braktisur pushtetin dhe pasurinë për hir të Allahut; dhe nuk doli vetë nga xhamia, vetëm sepse ishte i sëmurë.

Asketi i njohur Bishr el-Hafi thoshte: “Nuk e shijon ëmbëlsinë e botës tjetër ai që dëshiron të njihet nga njerëzit.”

Një burrë e shoqëroi Ibn Muhajriz-in në udhëtim. Kur u ndanë, i tha: “Më këshillo.” Ai i tha: “Nëse mundesh të njohësh pa u njohur, të ecësh pa të ardhur të tjerët pas teje, të pyesësh pa të pyetur ty, atëherë bëje.”

Ejub es-Sihtijani thoshte: “Nuk është i sinqertë me Allahun një rob, veçse atij i pëlqen që të mos vihet re vendi i tij.”

Halid ibn Ma‘dan, njeriu i besueshëm dhe adhurues, kur i shtohej rrethi i nxënësve, largohej nga frika e famës.

Selim ibn Handhale tregon: “Ndërsa po ecnim rreth Ubej ibn Ka‘bit pas tij, na pa Omeri dhe e goditi me shkop. Dikush tha: ‘O prijës i besimtarëve, shiko çfarë po bën!’ Omeri tha: ‘Kjo është poshtërim për ndjekësin dhe sprovë për të ndjekurin.’” Kjo ishte një vërejtje psikologjike e Omerit për pasojat e largëta që këto pamje të thjeshta, që në fillim, mund të kenë mbi masat dhe mbi udhëheqësit.

Hasani transmeton: “Ibn Mesudi doli një ditë nga shtëpia dhe disa njerëz e ndoqën. Ai u kthye nga ata dhe tha: ‘Përse po më ndiqni? Pasha Allahun, sikur ta dinit çfarë ka pas derës sime, nuk do të më ndiqnin as dy prej jush!’” Hasani thoshte gjithashtu: “Trokitja e sandaleve pas burrave, rrallëherë i qëndron zemrave të mendjelehtëve!” Një ditë Hasani doli dhe disa njerëz e ndoqën. Ai tha: “A keni ndonjë nevojë? Sepse, përndryshe, çfarë mendoni se mbetet nga zemra e besimtarit pas kësaj?”

Ejub es-Sihtijani doli në udhëtim dhe shumë njerëz e përcollën. Ai tha: “Sikur të mos e dija se Allahu e di sesa zemra ime e urren këtë, do të kisha frikë nga zemërimi i Allahut të Madhëruar.”

Ibn Mesudi thoshte: “Bëhuni burime diturie, llamba udhëzimi, qëndroni në shtëpi, bëhuni pishtarë të natës, përtëritës të zemrave, vishni rroba të thjeshta; të jeni të njohur te banorët e qiellit dhe të fshehur për banorët e tokës.”

Fudajl ibn Ijadi thoshte: “Nëse ke mundësi të mos njihet emri yt, bëje. Çfarë të dëmton që të mos njihet emri yt? Çfarë të dëmton që të mos lavdërohesh? Çfarë të dëmton të jesh i qortuar te njerëzit, nëse je i lavdëruar te Allahu i Lartësuar?”

Nga këto transmetime nuk kuptohet thirrja për izolim apo mbyllje në vetvete; sepse ata për të cilët janë transmetuar këto fjalë ishin imamë, thirrës dhe reformatorë, me ndikim të madh në udhëzimin dhe përmirësimin e shoqërisë.

Ajo që kuptohet nga tërësia e tyre është vigjilenca ndaj epsheve të fshehta të shpirtit dhe kujdesi nga dritaret dhe portat prej nga shejtani depërton në zemrën e njeriut, kur mbi të drejtohen dritat, kur rrethohet nga ndjekës dhe ithtarë dhe kur tregohet me gisht.

Fama në vetvete nuk është e qortueshme; sepse askush nuk ka qenë më i famshëm se profetët, halifët e drejtë dhe imamët muxhtehidë. Ajo që është e qortueshme është kërkimi i famës, i udhëheqjes dhe i prestigjit, si dhe lakmia për to. Sa për famën që vjen por jo me dëshirën për ta patur, nuk ka gjë të keqe në të, edhe pse – siç thotë Gazaliu – ajo mbetet sprovë për të dobëtit, jo për të fortët.

Në këtë kuptim vjen hadithi i Ebu Dherrit (r.a) nga Profeti (a.s), se ai u pyet për njeriun që bën një vepër të mirë për hir të Allahut dhe njerëzit e lavdërojnë për të. Ai tha: “Kjo është përgëzim i shpejtë për besimtarin.” Këtë hdith e transmeton Muslimi; dhe Ibn Maxhe, ku thuhet: “Njeriu bën veprën për Allahun dhe njerëzit e duan për të.” Kështu e kanë shpjeguar këtë hadith edhe Imam Ahmedi, Is’hak  ibn Rahavejhi, Ibn Xherir et-Taberiu dhe të tjerë.

Po ashtu hadithi që e transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe nga Ebu Hurejra (r.a), se një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, njeriu bën një vepër dhe gëzohet me të, por kur njerëzit e shohin, i pëlqen.” Profeti (a.s) tha: “Ai ka dy shpërblime: shpërblimin e fshehtësisë dhe shpërblimin e shfaqjes.”

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *