Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për Profetin Muhamed dhe për të gjithë atë të cilët e pasojnë dhe do ta pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Kijametit.
Duam që qëllimin tonë t’ua themi haptazi të gjithë njerëzve, t’ua shfaqim para syve metodologjinë tonë, t’ua drejtojmë atyre ftesën tonë, larg çdo skepticizmi dhe spekulimi. Kjo ftesë është më ndriçuse se dielli, më e qartë se ylli i agimit dhe më e pastër se dita kur fillon të agojë.
Përligje:
Përveç kësaj duam që populli ynë – dhe të gjithë muslimanët janë populli ynë – ta dinë se misioni ynë është mision i legjitimuar dhe i pastër. Ftesa jonë është aq e pastër saqë i ka kaluar caqet e lakmive personale, i ka nënçmuar përfitimet materiale që kërkohen të bëhen në kurriz të saj, i ka hedhur pas shpine pasionet dhe lakmitë, duke e hedhur hapin në atë rrugë që i Vërteti i Madhërishëm e ka trasuar për ata që i fton: “Thuaj: Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I lavdëruar qoftë Allahu, unë nuk jam prej idhujtarëve.”[1]
Ne nuk u kërkojmë asgjë njerëzve, nuk u kërkojmë as pasuri dhe as shpërblim, ne nuk e ngremë prestigjin tonë në kurriz të njerëzve, nuk duam prej tyre as kompesim dhe as shpërblim, pasi ne kompesimin dhe shpërblimin e kërkojmë vetëm nga Ai, i Cili na ka krijuar.
Dashuri dhe përkujdesje:
Duam të bëjmë me dije popullin tonë, se ata janë më të dashur për ne se vetet tona. Ajo që na ka bërë të dalim në këtë rrugë, është ndjenja e dashurisë për njerëzit. Kjo ndjenjë i ka robëruar dhe i nënshtruar zemrat tona, ka trembur gjumin tonë dhe ka përlotur sytë tanë. Sa e vështirë është për ne që të shikojmë gjendjen e popullit tonë dhe më pas të dorëzohemi para nënçmimit, të pranojmë poshtërimin dhe në zemrat tona të mbizotërojë pesimizmi! Ne punojmë në rrugë të Allahut për njerëzit më shumë se ç’punojmë për vetet tona. Të dashurit e mi! Ne punojmë për ju dhe jo për të tjerët, ne nuk do të jemi kundër jush për asnjë moment.
Mirësia dhe dhuntia i përkasin vetëm Allahut të Madhëruar:
Atë që po e bëjmë nuk e konsiderojmë nder karshi popullit tonë dhe as nuk i atribuojmë vetes tonë ndonjë mirësi. Ne besojmë fort në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë.”[2] Kisha dashur, nëse dëshira ime të sillte dobi, që këto zemra të hapen, me qëllim që populli ynë të shikojë dhe të dëgjojë, Ata do të shikojnë tek ne vetëm zellin për të mirën e tyre, dhemshurinë dhe sakrificën për ta. A nuk përjetojnë njerëzit dhimbje për gjendjen që kemi kaluar dhe gjendjen në të cilën kemi rënë?! Mirëpo ne na mjafton Allahu, i Cili i di të gjitha, vetëm Ai është Garantuesi i mundit tonë dhe vetëm Ai drejton në të vërtetën. Në dorën e Tij janë hallet e zemrave dhe çelësat e zgjidhjeve. Atë që e udhëzon Allahu, s’ka kush ta humbë dhe ai që është i humbur, askush nuk mund ta udhëzojë përveç Tij. Allahu na mjafton dhe sa Mbrojtës i mirë është Ai. A nuk është Allahu mëse i mjaftueshëm për robin e Tij?!
Autor: Hasan El Benna
Përktheu: Rushit Musallari
[1] – Sure Jusuf: 108.
[2] – Sure Huxhurat: 17.