Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, dhe më e mira prej salavateve dhe më e plotësuara prej përshëndetjeve qoftë mbi të Dërguarin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij të gjithë.
O vëllezër të nderuar, i Dërguari i Allahut (a.s) e ka paralajmëruar këtë umet për çdo të keqe që mund t’i ndodhë në rrugën e tij. Ai i ka paralajmëruar për çdo sprovë, të dukshme dhe të fshehtë, të madhe dhe të vogël, dhe nuk ka lënë pa përmendur asnjë prej tyre që mund të jetë e dëmshme për umetin, veçse e ka paralajmëruar me mëshirë dhe dhembshuri, në mënyrë që umeti i tij të mos humbasë apo të shkatërrohet.
O vëllezër të dashur, pasi civilizimi materialist prishi Lindjen dhe Perëndimin, ata dëshirojnë të na prishin edhe ne. Ata na sjellin sprova me qëllim që të na dëmtojnë me to, ashtu siç u dëmtuan vetë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata dëshirojnë që ju të mohoni, ashtu siç mohuan ata, që të jeni të njëjtë me ta. Prandaj mos i merrni për miq, derisa të emigrojnë në rrugë të Allahut. E nëse ata shmangen, atëherë kapini dhe vritini kudo që t’i gjeni, dhe mos i merrni as për miq e as për ndihmues.”[1]
Vazhdimisht po dëgjojmë, herë pas here, për sprova të reja që na vijnë nga Lindja apo Perëndimi. Në fillim, njerëzit ndihen të tronditur dhe të neveritur nga to, por me kalimin e kohës fillojnë të mësohen. Më pas vjen një sprovë edhe më e rëndë dhe më e keqe se e mëparshmja. E vërtetë është që i lumtur është ai që ruhet nga sprovat, ashtu siç thuhet në hadithin e transmetuar nga Mikdad ibn Esuedi (r.a), i cili ka thënë: “Pasha Allahun, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: I lumtur është ai që u shmanget sprovave. I lumtur është ai që u shmanget sprovave. I lumtur është ai që u shmanget sprovave. E kush sprovohet dhe bën durim, sa e mirë është ajo (gjendje për të)!”[2]
Në fundin e këtij umeti do të vijë një sprovë e rëndë dhe do të shfaqen dukuri të shëmtuara.
O vëllezër të nderuar: Zoti ynë i Lartësuar është i Dijshmi për të fshehtën dhe të dukshmen; Ai di të tashmen dhe të ardhmen, të dukshmen dhe të fshehtën. Nga mëshira dhe mirësia e Tij është se ia ka zbuluar të Dërguarit tonë (a.s) disa gjëra të padukshme që lidhen me të ardhmen, të cilat ai ia ka treguar umetit të tij. Ndër to janë edhe sprovat që do të ndodhin.
Abdullah ibn Amr ibn As (r.a) tregon se ishte ulur nën hijen e Qabes dhe njerëzit ishin mbledhur rreth tij. Ai tha: Ishim me të Dërguarin e Allahut (a.s) gjatë një udhëtimi. Kur zbritëm për pushim, disa prej nesh nisën të përgatisnin çadrat e tyre, të tjerë ushtroheshin me shigjeta, e disa ishin duke u kujdesur për kafshët e tyre. Papritur u thirr: “Falja është e përgjithshme!”, dhe ne u mblodhëm rreth të Dërguarit të Allahut (a.s), i cili tha: “Nuk ka pasur ndonjë profet para meje, veçse ishte detyrë për të që t’i udhëzonte njerëzit e tij për të mirën që dinte për ta, dhe t’i paralajmëronte për të keqen që dinte për ta. Umeti juaj do ta ketë mirësinë në fillimin e tij, por në fundin e tij do të goditet nga sprova dhe gjëra të shëmtuara që do t’i mohoni. Do të vijnë sprova dhe njëra prej tyre do ta bëjë tjetrën të duket e lehtë. Do të vijë një sprovë dhe besimtari do të thotë: Kjo do të më shkatërrojë! Pastaj ajo do të largohet. Pastaj do të vijë një tjetër dhe ai do të thotë: Kjo është! Kjo do të më shkatërrojë! Kush dëshiron të shpëtojë nga Zjarri dhe të hyjë në Xhenet, le ta arrijë vdekja duke besuar në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe le të sillet me njerëzit ashtu siç do të dëshironte që ata t’i silleshin atij.”[3]
O vëllezër të nderuar: Sikur umeti t’i kishte dëgjuar me kujdes fjalët e të Dërguarit të Allahut (a.s), t’i ishte bindur atij në urdhërat dhe ndalesat e tij, do të kishte qenë një umet i lumtur. Por, kur u shmang, ra nën paralajmërimin hyjnor, siç thotë Allahu: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij (të Pejgamberit), se mos u bie ndonjë sprovë, ose u kap ndonjë dënim i dhembshëm.”[4]
Ky umet e kundërshtoi urdhrin e Profetit të vet dhe harroi paralajmërimin që u dha. Kjo e çoi në një gjendje të tmerrshme përçarjeje dhe humbjeje, në mënyrë që u përmbush në të fjala e të Dërguarit (a.s), e transmetuar nga Ebu Hurejra: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të vijë fundi i botës derisa të vijë një kohë kur vrasësi nuk do ta dijë pse e vrau, dhe i vrari nuk do ta dijë pse u vra!” U pyet: “Si është e mundur kjo?” Ai tha: “Do të ketë përhapje të madhe të dhunës (el-herxh), ku vrasësi dhe i vrari janë në zjarr!”[5]
O vëllezër: Dikur jetonim një kohë të mbushur me begati, madje me shumë të tilla. Njerëzit ishin, të paktën, të lidhur me dijetarët e tyre. Por sprovë pas sprove u shfaqën dhe u përhapën. Çdo jobesimtar e hipokrit filloi të lakmojë ndaj nesh, armiqtë na përqeshën, dhe rendi u përmbys. U ngatërruan drejtuesit, u shfaqën tekat.
Dikur ishim në një anije bashkë me timonierin e saj, me dijetarët e sinqertë, të njohur për devotshmërinë dhe njohjen e Allahut. Pastaj erdhën sprovat, dhe secili nisi të thërrasë: “Unë do t’ju udhëheq drejt shpëtimit!” Ata përçmuan dijetarët e vërtetë, dhe në çështjet e krizës nisën të flasin edhe ata që s’dinë, edhe ata që nuk kuptojnë. E kështu u vërtetua tek ne hadithi i Profetit (a.s): “Do të vijnë mbi njerëzit vite mashtruese: ku gënjeshtari do të besohet, e i sinqerti do të përgënjeshtrohet; tradhtari do t’u besohet, e i besuari do të shpallet tradhtar; dhe do të flasë ruajbida.” U pyet: “Kush janë ruajbida?” Ai tha: “Njerëz të pamatur që flasin për çështjet e përgjithshme.”[6]
O Allah, na kthe me kthim të bukur tek Ty! Amin. Salavatet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i madhërisë nga ajo që ata i përshkruajnë. Paqja qoftë mbi të dërguarit. Dhe lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve.”
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
Top of Form
[1] – Sure Nisa: 89.
[2] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.
[3] – Muslimi.
[4] – Sure Nur: 63.
[5] – Muslimi.
[6] – Ahmedi.