Një nënë, gjithmonë i thotë fëmijës së saj më shumë se njëzet here në ditë: “Laji duart!” Sa herë që ai merr një lodër ose prek diçka me dorë, ajo i thotë “Laji duart!” Me kalimin e kohës, fëmija i saj u bë me vesvese në lidhje me pastërtinë, për shkak të fiksimit të tepruar të nënës së tij në lidhje me pastërtinë.
Një tjetër histori është e ajo një babai që vuan nga fiksimi i marrjes së abdesit. Sa herë që ai i thotë djalit të tij të falet, e pyet: “A ke marrë abdes?” Dhe ai e përsërit këtë pyetje njëqind here në ditë, deri sa ky vesves krijoi tek djali ndjesinë e dyshimit. Sa herë që ai fillonte të falte namazin, menjëherë e ndërpriste atë sepse mendonte se nuk kishte abdes.
Një histori tjetër është e ajo e një nëne që kur në shtëpi i vinin miqtë, merrte çdo gjë që ata e kishin përdorur dhe e lante, madje ndonjëherë ajo arrinte deri aty sa e dhuronte atë (gjënë e përdorur). Fëmija i saj që e shihte këtë veprim të sajin u bë me vesvese nga gjërat të cilët i përdornin të tjerët. Puna arriti deri aty sa kur ai shkonte në ndonjë restorant ose shkonte për vizitë në shtëpitë e të tjerëve, nuk përdorte asnjë nga objektet e përdorura prej tyre dhe nuk hante ushqimin e tyre.
Prindërit janë pasqyra e fëmijëve të tyre, dhe ashtu sikurse pasqyra reflekton mbi çdo imazh, po ashtu edhe edukimi reflekton tek fëmijët. Çdo veprim që nëna bën, ajo lë gjurmë tek fëmija e saj. Pyetja që lind në këtë rast është: Si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë nga fiksimet dhe vesveset që mund të ketë njëri prej prindërve? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do të parashtrojmë gjashtë ide që ndihmojnë në kurimin e vesveseve, fiksimit, frikës dhe ankthit të tepruar:
1 – Prindi që ka probleme psikologjike duhet të trajtohet nga specialistët, me qëllim që problemi i tij psikologjik të mos ndikojë tek fëmijët dhe si rrjedhojë ata të mendojnë se kjo është një sjellje normale, siç mund të ndodhë me fiksimin për pastërtinë dhe abdesin.
2 – Prindi duhet të përpiqet të kontrollojë sjelljen e tij duke mos e shfaqur atë përpara fëmijëve të tij, që ata të mos vuajnë nga i njëjti problem që vuan edhe ai vetë.
3 – Nëse fëmija ka një nivel të mjaftueshëm ndërgjegjësimi, mund t’i flitet hapur se njëri prej prindërve vuan nga një problem psikologjik. Atij duhet t’i shpjegohet se nuk duhet ta imitojë prindin kur shfaq këtë sjellje, por përkundrazi ai duhet ta ndihmojë atë në trajtimin e problemit. Në këtë mënyrë, ne e kthejmë problemin në një mundësi për t’i mësuar fëmijës rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor.
Në këtë kontekst, dua të përmend një histori: Një burrë vuante nga epilepsia dhe herë pas here binte përtokë gjatë krizave. Bashkëshortja e tij, dinte si të vepronte në një rast të tillë duke i ofruar atij përkujdesin e duhur. Ajo i foli djalit të saj shtatëvjeçar për sëmundjen e të atit dhe e lejoi ta shihte se si vepronte kur ai kishte një krizë. Një ditë, në mungesë të nënës, babai pësoi një krizë dhe ra përtokë. Për habinë e të gjithëve, fëmija e trajtoi situatën me aftësi dhe veproi në mënyrë të shëndetshme, ashtu siç e kishte parë të ëmën të vepronte në një rast të tillë. Si rezultat i këtij bashkëveprimi me situatën e krijuar ai u bë shkak për shpëtimin e jetës së të atit.
4 – Sigurimi i një mjedisi të sigurtë edukativ për fëmijët, pa tension ose nervozizëm, duke u fokusuar në krijimin e një rutine të qëndrueshme ditore për fëmijën, në mënyrë që ai të ndihet i sigurtë dhe të mos imitojë prindërit që vuajnë nga një problem psikologjik.
5 – Nëse njëri prej prindërve ka nevojë për trajtim psikologjik, mund të mbështetemi tek prindi tjetër ose tek familjarët për të edukuar fëmijët derisa të trajtohet prindi me problem.
6 – Ne duhet t’i japim mundësinë fëmijëve të shprehin ndjenjat e tyre nëse vërejnë ndonjë sjellje të pakëndshme nga njëri prej prindërve dhe t’i mësojmë ata se çfarë është e drejtë. Gjithashtu ajo që duhet të bëjmë është shfrytëzimi i kohës së lirë me aktivitete të dobishme.
Fëmijët janë të prirur për të imituar, sepse i shohin prindërit e tyre si të gjithë botën dhe si modelin e duhur. Pikërisht kjo është arsyeja se përse ata i perceptojnë gabimet e prindërve si diçka të saktë dhe ndikohen prej tyre. Kjo është një çështje e rëndësishme që duhet të merret në konsideratë, në mënyrë që problemet psikologjike të prindërve të mos kalojnë tek fëmijët. Një nga rastet e çuditshme që kam hasur është ai i një fëmije që u ndikua shumë nga nëna e tij, e cila vuante nga obsesioni për pastërtinë. Ai u bë aq i fiksuar pas saj, saqë nëse ushqimi i binte në tokë, fillonte të qante. Kur prindërit u këshilluan me specialistët, u zbulua se ai nuk vuante nga i njëjti obsesion si nëna e tij, por vetëm për shkak se imitonte sjelljet e saja.
Autor: Xhasimi Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi