Mirë se vini në kohën e çrregullimit të ekuilibrave, kur të vërtetat përmbysen ashtu siç përmbysen tavolinat në konferencat e interesave, dhe kur heroizmi rishpiket sipas logjikës së tregut, e jo sipas parimeve. Kështu, tradhtia quhet mençuri, rezistenca klasifikohet si marrëzi, tradhtisë i jepet mbulesë diplomatike, dhe poshtërsia shitet si maturi e zgjuarsi.
Kemi hyrë në një epokë ku ndërgjegjja njerëzore riformësohet sipas interesave të të fuqishmëve, ku vlerat fshihen nga kujtesa e popujve, dhe gënjeshtra riprodhohet si të ishte e vërtetë. Kështu, vrasësi bëhet partner në paqe, ndërsa i shtypuri çohet në bankën e të akuzuarit , vetëm sepse zgjodhi të rezistojë në vend që të përkulet.
Në këtë botë të përmbysur, gjaku i të pafajshmëve bëhet një detaj politik, i vendosur si shënim në fund të raporteve, ndërsa dosjet e kolonizimit, zgjerimit dhe hebraizimit paraqiten si çështje sovrane.
Nënshtrimi shndërrohet në realizëm, okupimi në legjitimitet, ndërsa normalizimi paraqitet si një zhvillim i pashmangshëm civilizues.
Gaza nuk është thjesht një qytet nën rrethim, por një ikonë që përmbledh shëmtinë e kohës dhe bukurinë e rezistencës njëkohësisht.
Ajo nuk është vetëm objektiv për aeroplanët, por edhe cak për çdo zemër që ende rreh me ndjenjën arabe.
Ajo po gjakoset prej dekadash… por sot kjo gjakderdhje nuk vjen vetëm nga raketat, por edhe nga heshtja arabe, hipokrizia ndërkombëtare dhe ndërgjegjet që kanë fjetur mbi mëndafshin e interesave.
Gaza sot nuk është e vetme, por ajo po gjakoset e vetme, lufton e vetme dhe rrethohet e vetme, ndërkohë që bashkë me të po gjakoset edhe ajo çka ka mbetur nga nderi i kësaj ummeti, dhe bashkë me të po gjakoset edhe njerëzimi, që është humbur mes letrave të negociatave dhe nënshkrimeve të turpit, e të drejtave që po vriten çdo ditë mbi tryezat e burokracisë ndërkombëtare.
Palestina po vidhet përpara syve tanë, jo vetëm me armë, por me tradhti, me shtrëngime duarsh të ftohta, me deklarata të “shqetësimit të thellë” dhe me zemra që kanë hequr dorë nga rrahjet e tyre me vullnet të lirë.
Por, përkundër gjithë kësaj errësire, Gaza këmbëngul të na lërë një dritë, të na dëshmojë se qëndresa nuk është thjesht një slogan, por një mënyrë jetese. Se dëshmorët nuk harrohen, por përjetësohen. Dhe se ummeti, edhe nëse fle, nuk vdes.
Prandaj ju që ende keni zemër… rreshtohuni përkrah së drejtës, para se ajo të fshihet. Thoni një fjalë për Allahun, për historinë, për drejtësinë, para se heshtja të bëhet fe, nënshtrimi bindje, dhe tradhtia një pikëpamje.
Burimi: mugtama.com
Përktheu: Elton Harxhi