Nga ana gjuhësore, fjala “garib” ka kuptimin: “i rrallë, i larguar nga të afërmit, i huaj”, ndërsa fjala “ferd” nga ana gjuhësore ka kuptimin: “tek, i veçuar, I vetëm” etj.
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith garib/ferd” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që ka vetëm një transmetues në njërën nga hallkat e vargut të transmetimit”
Shembull:
Buhariu thotë: “Na ka treguar Humejdi – Abdullah ibn Zubejr – , i cili ka thënë: “Na ka treguar Sufjani, i cili transmeton nga Jahja ibn Said Ensariu, I cili ka thënë: “Më ka rrëfyer Muhamed ibn Ibrahim Tejmi, se ai e ka dëgjuar Alkame ibn Uekas Lejthin, duke thënë: “E kam dëgjuar Umer ibn Khatabin (r.a), duke thënë nga minberi: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s), duke thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve (nijeteve, motiveve, synimeve) dhe çdo njeri shpërblehet për atë që ka pasur për qëllim. Kush emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi është për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kush emigron për ndonjë fitim të kësaj jete apo për martesë, emigrimi i tij është për atë që ka pasur për qëllim”.(87)
Vetëm Umer ibn Khatabi (r.a) e transmeton këtë hadith nga i Dërguari i Allahut (r.a), nga Umeri (r.a) e transmeton vetëm Alkameh ibn Uekasi, nga Alkameh e transmeton vetëm Muhamed ibn Ibrahimi dhe nga ky e transmeton vetëm Jahja ibn Said Ensari.
Hadithi garib i nënshtrohet rregullave të kritikës së hadithit. Ai mund të jetë i vërtetë (sahih), i pranuar (hasen), i dobët (daif) apo i trilluar (meudua).
Hadithi garib është dy llojesh:
1 – Garib mutlak
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith garib mutlak (absolut)” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që transmetohet vetëm nga një sahabi, i cili është burimi i vetëm i hadithit”
Si shembull kemi hadithin e mësipërm të Umer ibn Khatabit (r.a). Vetëm Umeri (r.a) e transmeton këtë hadith.
2 – Garib nisbi
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith Garib Nisbi (relativ)” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që ka vetëm një transmetues në njërën nga hallkat e vargut – përveç sahabiut”
Shembull:
Buhariu shënon në Sahihun e tij: “Na ka treguar Ebu Uelidi, i cili thotë: na ka treguar Maliku, i cili transmeton nga Zuhriu, ndërsa ky transmeton, se Enesi (r.a) ka thënë: “Kur u çlirua Meka, i Dërguari i Allahut (a.s) hyri në Meke dhe mbi kokë kishte përkrenare”. Ky hadith është garib nisbi, sepse vetëm Maliku e transmeton nga Zuhriu në këtë formë.
Sipas mënyrës së transmetimit, hadithi garib (ferd) ndahet në tre lloje:
1 – Ai që veçohet në transmetim, është transmetues i besueshëm.
Shembull:
Muslimi shënon në Sahihun e tij: “Na ka treguar Jahja ibn Jahja, i cili thotë: “I kam lexuar Malikut këtë varg: transmetohet nga Damra ibn Said Mazini, i cili transmeton nga Ubejdullah ibn Abdullah, se Umer ibn Khatabi (r.a) e ka pyetur Ebu Uakid Lejthin (r.a), se çfarë lexonte i Dërguari i Allahut (a.s) në namazin e Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit. Ebu Uakidi i tha: “Lexonte suren Kaf dhe Kamer”.(91) Vetëm Damra ibn Saidi e transmeton këtë hadith nga Ubejdullah ibn Abdullahu dhe askush tjetër, mirëpo Damra është i besueshëm.
2 – Hadithi transmetohet vetëm nga ata transmetues, që janë nga i njëjti vend, qytet, apo krahinë.
Shembull:
Ebu Daudi shënon: “Na ka treguar Ebu Uelid Tajalisi, i cili ka thënë: Na ka treguar Hemami, i cili transmeton nga Katade, ky transmeton nga Ebu Nadra, ndërsa ky i fundit transmeton, se Ebu Saidi (r.a) ka thënë: “Jemi urdhëruar të lexojmë Fatihanë dhe çfarë të kemi më të lehtë për të lexuar (nga Kurani)”
Transmetuesit e këtij hadithi – nga fillimi i vargut deri në fund të tij, përveç sahabiut – kanë qenë të gjithë banorë të Basras.
3 – Hadithi transmetohet i veçuar dhe në mënyrë të veçantë nga një transmetues tek një tjetër.
Shembull:
Ebu Daudi shënon: “Na ka treguar Hamid ibn Jahja, i cili thotë: Na ka treguar Sufjani, i cili thotë: na ka treguar Uail ibn Daudi, i cili transmeton nga djali i tij Bekr ibn Uaili, ky transmeton nga Zuheri, ndërsa ky i fundit transmeton, se Enes ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) u martua me Safijen, bëri darkë dasme me qull dhe hurma”.
Vetëm Uaili e transmeton këtë hadith nga Bekri, ndërsa nga Uaili hadithin e transmeton vetëm Ibn Ujejneh.
Autor: Rushit Musallari



















