Hadithi muteuatir

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “muteuatir” vjen nga “teuatur” dhe ka kuptimin: “pasim, ndjekje hap pas hapi, përhapje”

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith teuatur/muteuatir” përkufizohet me fjalët: Hadith që transmetohet nga një grup transmetuesish tek një grup tjetër, ku vargu shkon deri tek sahabiu dhe është e pamundur që pjesëtarët e një hallke transmetimi të kenë rënë në ujdi për të gënjyer, ndërsa mundësia e gabimit gjatë transmetimit është zero

Dijetarët kanë mospajtime rreth numrit të pjesëtarëve të një hallke të vargut të transmetimit. Disa thonë, se në çdo hallkë të vargut duhet të jenë të paktën 4 ose 5 transmetues. Disa të tjerë thonë, se në çdo hallkë të vargut duhet të jenë mbi 10 apo 15 transmetues, ndërsa disa të tjerë shkojnë edhe më larg, duke thënë se në çdo hallkë të vargut duhet të jenë mbi 300 transmetues. Mendimi më i drejtë është, se nuk ka ndonjë numër të caktuar transmetuesish për një hallkë, por mjafton që të plotësohet kriteri i pamundësisë për të gënjyer dhe për të gabuar, apo për të rënë në ujdi për diçka të tillë.

Kushtet e hadithit muteuatir

Që një hadith të jetë muteuatir, duhet të plotësojë këto kushte:

1 – Të ketë një numër të madh transmetuesish. Ky numër duhet të jetë në të gjitha hallkat e vargut të transmetimit, nga fillimi deri në fund të tij.

2 – Të mos ekzistojë mundësia e rënies në ujdi për të gënjyer. Pra nuk ekziston mundësia, që

transmetuesit të jenë takuar të gjithë në të njëjtën kohë dhe të kenë rënë në ujdi për të gënjyer për hadithin.

3 – Mënyra e transmetimit të tyre të jetë e perceptueshme dhe konkrete.

Transmetuesit duhet të thonë gjatë transmetimit: “na ka treguar, kemi dëgjuar, na ka thënë” dhe jo të thotë: “transmetohet nga…”, apo “thuhet se transmetohet…”, etj.

Hadithi muteuatir është dy llojesh:

Muteuatir lafdhi

Teksti i këtij lloj hadithi është muteuatir, pra fjalët e hadithit janë transmetuar siç janë formuluar nga i Dërguari i Allahut (a.s) dhe jo sipas asaj që ka kuptuar apo interpretuar sahabiu. Kjo do të thotë, se të gjithë transmetuesit kanë shprehur dhe pohuar të njëjtin tekst të hadithit.

Shembull:

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush gënjen qëllimisht për mua, le të përgatisë vendqëndrimin e tij në zjarrin e Xhehenemit”.

Ky hadith është transmetuar nga më shumë se 70 sahabë, prej të cilëve kanë transmetuar një grup shumë më i madh tabi`inësh, ndërsa transmetuesit që transmetojnë nga tabi`inët, janë edhe më të shumtë. Kjo formë transmetimi ka vazhduar deri tek dijetarët, që e kanë shënuar hadithin. Disa nga sahabët që e kanë transmetuar këtë hadith, janë: Ali ibn Ebi Talib, Ebu Hurejrah, Enes ibn Malik, Mugira ibn Shube (hadithin prej tyre e shënon Buhariu dhe Muslimi); Zubejr ibn Auam, Seleme ibn Ekua, Ibn Amri (hadithin prej tyre e shënon Buhariu); Ibn Mesudi (hadithin prej tij e shënojnë Tirmidhi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh); Xhabir ibn Abdullah, Ebu Katade, Ebu Said Khuderi (hadithin prej tyre e shënon Ibn Maxheh); Amar ibn Hubejbi (hadithin prej tyre e shënon Hakimi); Ja`la ibn Murra (hadithin prej tij e shënon Daramiu); Umer ibn Khatab, Uthman ibn Afan, Khalid ibn Arfateh, Zejd ibn Erkam, Ibn Umer, Ukbe ibn Amir, Kajs ibn Sad, Muavije, Ebu Said, Ebu Musa El Gafiki (hadithin prej tyre e shënon Ahmedi); Ebu Bekri, Talha ibn Ubejdullah, Eus ibn Eus, Berra ibn Azib, Hudhejfeh, Rrafia ibn Khadixh, Saib ibn Jezid, Sad ibn Med`has, Selman Farisi, Suhejb Ibn Abas, Utbe ibn Gazuan, Ars ibn Umejr, Amar ibn Jasir, Amr ibn Harith, Amr ibn Abese, Amr ibn Murrah, Muadh ibn Xhebel, Nebit ibn Sherit, Ja`la ibn Murrah, Ebu Umameh, Ebu Musa Eshari, Ebu Mejmun Kurdi, Ebu Kursafeh, Tarik ibn Eshimi (hadithin prej tyre e shënon Taberaniu), Said ibn Jezid, Imran ibn Husajn (hadithin prej tyre e shënon Bezari); Selman Farisi, Ibn Zubejr, Jezid ibn Esdi, Ebu Ramtheh, Ebu Rafia, Ummu Ejmen (hadithin prej tyre e shënon Darakutni); Xhabir ibn Abdullah, Xhabir ibn Habis, Selman ibn Khalid, Abdullah ibn Zagab, Mugira ibn Shubeh (hadithin prej tyre e shënon Ebu Nuajmi); Usameh ibn Jezid, Abdullah ibn Ebi Eufa (hadithin prej tyre e shënon Ibn Kania); Burejdeh, Sefineh, Uathile ibn Eska (hadithin prej tyre e shënon Ibn Adij); Sad ibn Ebi Uekas, Hudhejfeh ibn Usejd, Zejd ibn Thabit, Kab ibn Kutbeh, Muauijeh ibn Hajdeh, Munka Temimi, Ebu Kebshe Ensari – babai i Ebu Ashrait, Ebu Dherri, Aishja dhe Abdurrahm ibn Aufi (hadithin prej tyre e shënon Jusuf ibn Khalil)

Muteuatir maneui

Ky lloj hadithi nuk është transmetuar me tekst, por është transmetuar përmbajtja e tij, apo ana praktike e tij.

Shembull: Hadithi që flet për ngritjen e duarve gjatë duasë. Ky hadith është transmetuar nga 100 sahabë si veprim i të Dërguarit të Allahut (a.s) në shumë raste të ndryshme

Tek hadithi muteuatir maneui përfshihen edhe ato hadithe, që kanë tekste të ndryshme, por kanë përmbajtje të njëjtë apo të përafërt. Të tilla janë hadithet, që flasin për ndëshkimin apo mirësinë që përjetohet në varr, hadithet për Dexhalin etj.

Mirëpo nuk duhet të mashtrohemi nga numri i shumtë i vargjeve, pasi kjo nuk është argument se hadithi është muteuatir, për arsye se ky lloj hadithi ka kushtet e tij, që u përmendën më lart.

Hadithet muteuatir janë shumë të pakta në numër. Ato janë rreth 300 hadithe.

Disa nga librat e shkruar në këtë lëmi

El  Ez`haru`l  Mutenathira fi`l  Akhbar el Muteuatira” me autor Sujutin.

“El  Le`ali El  Mutenathira fi`l  Ahadith el  Muteuatira” me autor Muhamed ibn Tulun Dimeshki

Nadhmu`l  Mutenathiri mine`l  Hadithi el  Muteuatir” me autor Muhamed ibn Xhafer Kitani.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *