Hadithi sahih – hadithi i vërtetë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “sahih” ka kuptimin: “i shëndetshëm, i pastër nga të metat” dhe është antonim i fjalës “sakim (i sëmurë)”. Me këtë fjalë përshkruhet gjendja e trupit, por përdoret edhe në shkencën e hadithit si metaforë. Përkthimi më i përshtatshëm për këtë fjalë do të ishte: “i vërtetë, i saktë”.

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith Sahih” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që transmetohet me varg të pandërprerë, nga transmetues të drejtë e të përpiktë nga fillimi i vargut deri në fund të tij, duke qenë varg i ruajtur nga kundërshtitë mes transmetuesve dhe duke mos pasur shkaqe të fshehta dobësie”.

Kushtet e hadithit sahih

Siç vërehet nga përkufizmi, që një hadith të vlerësohet sahih, duhet të plotësojë 5 kushte:

Kushti i parë: Vargu i pandërprerë: çdo transmetues e ka takuar transmetuesin tjetër dhe e ka marrë hadithin sipas mënyrave të transmetimit të tij, nga fillimi deri në fund të vargut.

Kushti i dytë: besueshmëria e transmetuesve: çdo transmetues është musliman, i aftë juridikisht dhe mendërisht, nuk është i shthurur dhe nuk vepron në kundërshtim me normat fetare islame dhe njerëzore.

Kushti i tretë: Përpikmëria maksimale e transmetuesve: aftësia e transmetuesve për ta mbajtur mend siç duhet hadithin dhe për ta transmetuar atë siç e kanë dëgjuar apo shkruar.

Kushti i katërt: Ruajtja e vargut nga kundërshtitë mes transmetuesve: Një shembull hipotetik për këtë kusht: Një transmetues i besueshëm (për shembull Ibn Lehiah) të mos transmetojë nga i njëjti person (për shembull nga Nafi`a) – diçka që është në kundërshtim me atë që transmeton një transmetues tjetër më i besueshëm (për shembull Maliku), i cili e transmeton hadithin nga i njëjti person (në këtë rast nga Nafi`a). Dijetarët e vlerësojnë hadithin e Malikut me termin “Sahih”, ndërsa hadithin e Ibn Lehias e vlerësojnë me termin “Shadh”, për të cilin do të flasim tek llojet e hadithit të dobët.

Kushti i pestë: Ruajtja e vargut nga shkaqet e një dobësie të fshehtë: të mos ketë ndonjë shkak të fshehtë që e hedh poshtë hadithin, megjithëse në pamje të parë vargu i plotëson katër kushtet e mësipërme, siç do të shpjegohet në vijim, kur të flitet për hadithin malul.

Nëse hadithi plotëson këto pesë kushte, atëherë themi se hadithi është Sahih – i vërtetë.

Shembull:

Buhariu shënon: “Na ka treguar Abdullah ibn Jusuf, i cili ka thënë: na ka rrëfyer Maliku, i cili transmeton nga Ibn Shihabi, ndërsa ky transmeton nga Muhamed ibn Xhubejri, i cili tregon se babai i tij – Xhubejr ibn Mut`imi (r.a) – ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke lexuar suren Tur në namazin e Akshamit

Analizë e hadithit

Ky hadith është Sahih i vërtetë”, pasi plotëson këto kushte:

Kushti i parë: dëgjimi i drejtpërdrejtë dhe vargu i pandërprerë: Buhariu e ka dëgjuar hadithin direkt nga Abdullah ibn Jusufi. Abdullah ibn Jusufi e ka dëgjuar hadithin direkt nga Maliku. Maliku ka qenë nxënës i Ibn Shihabit dhe e ka dëgjuar hadithin prej tij. Ibn Shihabi është prej tabi`inëve dhe ka dëgjuar “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke lexuar suren Tur në namazin e Akshamit”.

Muhamed ibn Xhubejr (b) Muhamed ibn Shihab (b) Maliku (b) Abdullah ibn Jusuf (b) Buhariu (b) Xhubejr ibn Mut`im (sahabi). Pra vargu është i pandërprerë dhe kjo vërtetohet nga librat që flasin për jetëshkrimin e transmetuesve.

Kushti i dytë: Besueshmëria e transmetuesve: Ky varg ka katër transmetues

– përveç sahabiut dhe atij që e ka shënuar në libër. Të gjithë pa përjashtim, si transmetuesit ashtu dhe ai që e ka shkruar hadithin, i nënshtrohet kritikës së vlerësimit të transmetuesve të hadithit.

– Muhamed ibn Ismail (Buhariu): imami, hafizi, prijësi i dijetarëve të hadithit, një nga dijetarët më të mëdhenj të Islamit. Të gjithë kritikët e hadithit e vlerësojnë atë të besueshëm.

– Abdullah ibn Jusuf: imami, hafizi, i përpikti, një nga dijetarët e Shamit. Të gjithë kritikët e hadithit si: Ibn Maini, Buhariu, Ebu Hatimi, Ibn Adiu, Ibn Junusi etj e vlerësojnë atë të besueshëm.

– Malik ibn Enesi: imami, hafizi i madh, prijësi i besimtarëve në shkencën e hadithit, imami i xhamisë së të Dërguarit të Allahut (a.s). Të gjithë kritikët e hadithit e vlerësojnë atë të besueshëm.

– Ibn Shihabi: emri i tij është Muhamed ibn Muslim ibn Ubejdullah: imami fisnik, hafizi i madh dhe i përpiktë, një nga tabi`inët dhe transmetuesit e besueshëm të hadithit. Të gjithë kritikët e hadithit e vlerësojnë atë të besueshëm.

– Muhamed ibn Xhubejr ibn Mut`im, është sahabi, por ka qenë shumë i vogël në moshë dhe nuk ka dëgjuar hadithe direkt nga i Dërguari i Allahut (a.s). Ka qenë një nga më të diturit e kohës së tij. Parimisht, sahabët

nuk i nënshtrohen kritikës së shkencës së hadithit, pasi të gjitha ata janë të besueshëm dhe kjo është vërtetuar me tekst kuranor.

Kushti i tretë: Përpikmëria e transmetuesve: të gjithë autorët që kanë shkruar rreth transmetuesve të hadithit, i përshkruajnë këta transmetues si të përpiktë. Ibn Maini thotë për Abdullah ibn Jusufin: “Nuk kam parë më preçiz se ai në hadithet që transmeton nga Maliku”. Maliku është cilësuar “prijësi I besimtarëve në hadith”, Ibn Shihabi është nga më të përpiktët, aq sa thonin për të: “Kur flet për një dije, e përsos atë”.

Kushti i katërt: Ruajtja e vargut nga kundërshtitë mes transmetuesve: Duke qenë se transmetuesit janë të besueshëm dhe nuk është transmetuar që ndonjëri prej tyre të jetë më pak i besueshëm se tjetri – duke i shtuar kësaj edhe faktin, se transmetimi është pothuajse i njëjtë nga të gjithë – , atëherë themi se ky kusht është plotësuar.

Kushti i pestë: Ruajtja e vargut nga shkaqet e një dobësie të fshehtë: Kritikët e hadithit, pasi kanë studiuar vargun dhe tekstin e këtij hadithi, kanë dalë në përfundimin, se hadithi nuk ka shkaqe dobësie të fshehtë. Një shkak dobësie mund të jetë, se transmetuesit janë takuar me njëri tjetrin, por nuk kanë transmetuar ndonjë hadith nga njëri – tjetri, gjë që në këtë hadith nuk ekziston, pasi secili prej transmetuesve ka dëgjuar dhe transmetuar nga tjetri.

Pasi hadithi kalon në këto filtra, ekspertët e hadithit japin vendimin, se ky është hadith sahih (hadith i vërtetë). Ky hadith është “sahih li dhatihi – “hadith i vërtetë në vetvete” pasi plotëson të gjitha kushtet.

Hadithi sahih ligajrihi – hadithi i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese

Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith sahih ligajrihi” përkufizohet me fjalët: “Hadithi hasen, i cili përveç vargut të tij, transmetohet edhe me një varg tjetër të ngjashëm me të, apo edhe më të fortë se ai”.

Shembull:

Tirmidhiu shënon: Na ka treguar Ebu Kurajbi, i cili ka thënë: Na ka treguar Abdeh ibn Sulejmani, i cili transmeton nga Muhamed ibn Amri, ky transmeton nga Ebu Selemeh, ndërsa ky transmeton, se Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse nuk do të ishte e vështirë për Umetin tim, do ta urdhëroja, që të përdorte misvakun para çdo namazi”. Ky hadith nuk i plotëson kushtet e hadithit sahih, pasi njëri prej transmetuesve – Muhamed ibn Amr – është i besueshëm, por nuk është i përpiktë në transmetim, mirëpo hadithi transmetohet me një varg tjetër:

Muslimi shënon: Na ka treguar Kutejbeh ibn Saidi, Amr ibn Nakid dhe Zuhejr ibn Hazbi, të cilët kanë thënë: na ka treguar Sufjani, i cili transmeton nga Ebi Zinadi, ky transmeton nga E`araxhi, ndërsa ky transmeton nga Ebu Hurejra (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse nuk do të ishte e vështirë për Umetin tim, do ta urdhëroja, që të përdorte misvakun para çdo namazi”. Duke u bazuar në këtë, themi se hadithi që transmeton Tirmidhiu, ngrihet në nivelin “sahih ligajrihi – i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese”.

Nuk ka dyshim, se brenda llojit sahih të hadithit, ka vargje hadithesh që janë më të forta dhe më të vërteta se të tjerat. Lind pyetja: “A ka ndonjë varg absolut të vërtetë”? Kjo çështje është e debatueshme mes dijetarëve të hadithit, mirëpo më e drejta do të ishte të thuhet, se vargu më i vërtetë i një hadithi është në varësi të bindjes që ka dijetari për kriteret që përmbushin transmetuesit e hadithit.

Disa nga këto vargje sahih janë:

– Ibn Shihabi transmeton nga Salim ibn Abdullah, i cili transmeton nga Ibn Umeri (r.a).

– Muhamed ibn Sirin transmeton nga Ubejdeh ibn Amr, i cili transmeton nga Ali ibn Ebi Talibi (r.a).

– Ibrahim ibn Nekhai transmeton nga Alkame ibn Kajs, i cili transmeton nga Abdullah ibn Mesudi (r.a).

– Maliku transmeton nga Nafi`a, i cili transmeton nga Ibn Umeri (r.a).

Dallimi mes “sahihul isnad – vargu i këtij hadithi është sahih” dhe “hadith sahih –  hadith i vërtetë”

Kur një dijetar thotë “Vargu i këtij hadithi është sahih”, kjo nënkupton se vetëm vargu i tij në pamje të parë është sahih, por teksti mund të jetë “Shadh” apo “Mualel”. Mirëpo kur një dijetar ekspert i hadithit thotë “Hadith sahih” kjo nënkupton se edhe vargu edhe teksti i hadithit janë të vërtetë.

Këtu mbetet të sqarohet një çështje: Nëse një dijetar i madh dhe ekspert I hadithit thotë, se filan varg është i vërtetë, a mund të thuhet se edhe teksti i hadithit është i vërtetë? Më e drejta është, se nëse dijetari është nga kolosët e hadithit – si Ahmed ibn Hanbeli, Jahja ibn Maini, Buhariu, Ali ibn Medini, Dhehebiu, Bedrul Ajni, Ibn Haxheri etj, atëherë edhe teksti i hadithit gjykohet si i vërtetë. Allahu e di më mirë!

Në shumë libra haset termi “Mutefekun alejhi” dhe shpeshherë përkthehet gabimisht “Transmetim unanim”. Ky term nënkupton se Buhariu dhe Muslimi e transmetojnë hadithin me tekst të njëjtë nga i njëjti sahabi, pa marrrë parasysh nëse vargu është i njëjtë apo i ndryshëm.

Librat e shkruar me hadithe të vërteta

Dijetarët e Islamit janë munduar të mbledhin hadithet e vërteta. Mirëpo librat më të njohur, që kanë përfshirë hadithet e vërteta, janë:

– “Sahihu`l – Bukhari – Sahihu i Buhariut”. Sipas dijetarëve të hadithit, ky është libri më autentik pas Kuranit fisnik. Ky libër ka 7563 hadithe, prej të cilave nëse hiqen ato që janë përsëritur, mbeten rreth 4000 hadithe. Libri ka 97 kapituj. Hadithet e kritikuara të këtij libri janë më pak se 80 hadithe.

– “Sahih Muslim – Sahihu i Muslimit”. Është libri i dytë autentik pas Sahihut të Buhariut”. Shquhet për rradhitje të përsosur dhe vargje të shumta. Ky libër ka rreth 12 mijë hadithe, mirëpo nëse hiqen hadithet e përsëritura mbesin rreth 4000 hadithe. Libri ka 54 kapituj. Hadithet e kritikuara të këtij libri janë rreth 130 hadithe.

– “Sahih Ibn Khuzejmeh – Sahihu i Ibn Khuzejmes”. Autori është kujdesur, që në këtë libër të mbledhë hadithet e vërteta. Metoda e tij është e qartë, pasi në disa raste ai tregon, se hadithi mund të jetë i dobët. Është botuar vetëm një pjesë e librit, ndërsa pjesa tjetër e tij konsiderohet e humbur. Pjesa e botuar ka 7 kapituj dhe 3079 hadithe.

– “Sahih Ibn Hiban – Sahihu i Ibn Hibanit”. Autori është munduar, që të përfshijë në librin e tij vetëm hadithet e vërteta, sipas një metodologjie të mirëpërcaktuar prej tij. Mirëpo në librin e tij gjenden edhe hadithe të dobëta. Sahihu i Ibn Hibanit ka rreth 7491 hadithe dhe është renditur në 61 kapituj.

– “Mustedraku`l – Hakim – Libri me hadithe i Hakimit”. Autori është munduar t`i mbledhë hadithet, duke u referuar tek ata transmetues, prej të cilëve kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi, mirëpo pavarësisht se ka pretenduar, që vargu është sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, ai në shumë raste ka dështuar në këtë gjë, prandaj fjala e tij: “Vargu është i vërtetë sipas Buhariut dhe Muslimit”, apo “sipas Buhariut” apo “sipas Muslimit”, nuk pranohet, derisa një nga dijetarët kritikë të hadithit të japë vlerësim përkatës për hadithin e vlerësuar nga Hakimi. Ky libër ka 51 kapituj dhe 8803 hadithe. Ai përfshin të gjitha llojet e hadithit: sahih (gjysma e tij), hasen, daif, munker dhe meudua.

Janë shkruar edhe libra të tjerë rreth hadithit Sahih, si: “El – Mukhtara” I Dija Makdesit, “Sahih” i Ibn Sekenit, mirëpo këto që përmendëm më lart janë librat më të njohur.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *