Hajdi (hajzi, cikli menstrual)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “Hajd” do të thotë “rrjedhje”. Fikhu e përkufizon Hajdin me fjalët: “Gjaku që del nga organi gjenital i femrës në një kohë të caktuar, pa pasur lidhje me ndonjë sëmundje apo pa pasur shkak lindjen”.

Ato emërtohen me disa emra, si: menstruacione, cikël mujor apo cikël menstrual.

Umer Ibn Hattabi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Xhibrili më ka treguar, se Allahu e ka dërguar atë tek nëna jonë Havaja, kur i kanë ardhur menstruacionet. Ajo ka thënë: “Më ka dalë gjak, të cilit nuk ia di shkakun”. Xhibrili i ka thënë: “Ti do të kesh menstruacione e bashkë me ty edhe të gjithë pasardhëset. Allahu e ka bërë atë pastrim për ju”[1]

Periudha e menstruacioneve

Shumica e dijetarëve thonë, se periudha e menstruacioneve fillon pak para pubertetit, nga mosha 9 vjeçare e zakonisht vazhdon deri në moshën 45-50 vjeçare. Mirëpo në raste të veçanta menstruacionet mund të zgjasin deri në fund të jetës.

Ngjyra e gjakut të menstruacioneve

Ngjyra e gjakut të menstruacioneve është 4 llojesh:

1- Ngjyra e zezë: Fatime bint Hubejsh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse gjaku është i zi dhe me erë, atëherë lëre namazin e nëse nuk është i zi, merr abdes dhe falu, pasi ai është gjak normal”[2]

2- Ngjyra e kuqe: Kjo është ngjyra normale e gjakut.

3- Ngjyra e verdhë: Është lëngu që del nga gruaja dhe është afërsisht i verdhë.

4- Kedrah: Është lëngu me ngjyrë mes të bardhës dhe të zezës, pra i turbullt.

Merxhani (r.a) tregon: “Gratë gjatë zakoneve i dërgonin Aishes (r.a) një copë pambuku me të verdhë. Ajo thoshte: “Mos u nxitoni, pasi vetëm kur të shikoni se pambuku nuk është ndotur (është i bardhë), ta dini se atëherë kanë mbaruar menstruacionet”[3]

E verdha dhe Kedra konsiderohen pjesë e menstruacioneve vetëm gjatë periudhës së tyre. Nëse pas pastrimit del lëng i verdhë apo lëng i përzier, ai nuk është gjak menstrual.

Umu Atijjeh (r.a) ka thënë: “Ne nuk e konsideronim për gjë lëngun e verdhë dhe të përzier pas pastrimit”[4]

Femra konsiderohet e pastër, pasi të shikojë daljen e lëngut të bardhë ose kur t`i ndërpritet gjaku, mirëpo ajo ka detyrë që të lahet (të bëjë Gusl) menjëherë pasi të pastrohet.

Aishja (r.a) tregon, se Fatime bint Xhahshi (r.a) vuante nga gjakrrjedhja. Ajo e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s), i cili i tha: “Kjo është gjakrrjedhje dhe jo gjak menstrual. Kur të të vijnë menstruacionet, mos u fal dhe kur të mbarojë cikli menstrual, lahu (bëj gusul) dhe pastaj falu[5]

Gjatë larjes nga cikli menstrual, është e pëlqyeshme që femra të zgjidhë gërshetat. Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë asaj gjatë kohës që ishte me menstruacione: “Zgjidhi gërshetat dhe lahu[6]

Sa zgjat cikli menstrual

Nuk ka ndonjë argument të saktë, që përcakton kohëzgjatjen e ciklit menstrual, pasi ai ndryshon nga një femër tek një tjetër. Femrat janë në gjendje të llogarisin dhe të dinë kohëzgjatjen e ciklit normal të tyre. Në një hadith, thuhet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kohëzgjatja më e shkurtër e menstruacioneve për vajzën dhe femrën e madhe është 3 ditë e 3 net, ndërsa periudha më e gjatë e tyre është 10 ditë”[7]

Enesi (r.a) ka thënë: “Kohëzgjatja më e pakët e menstruacioneve është 3 ditë, ndërsa më e shumta është 10 ditë” Ata`u ka thënë: “Periudha më e pakët e menstruacionëve është 1 ditë, kurse më e shumta është 15 ditë”

Nifasi (lehonia)

Nga ana gjuhësore fjala “Nifas” do të thotë: “Lindje”. Fikhu e përkufizon Nifasin me fjalët: “Nifasi është gjaku që del nga organi i femrës për shkak të lindjes së foshnjës.

Sa zgjat nifasi

Koha e Nifasit fillon gjatë kohës kur gruaja po lind foshnjën (apo edhe para) dhe vazhdon edhe pas lindjes, derisa të ndërpritet. Kohëzgjatja e Nifasit ndryshon nga një femër tek një tjetër. Umu Seleme (r.a) thotë, se në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) gratë qëndronin 40 ditë në shtëpi për shkak të lehonisë.[8] Kur gruas i ndërpritet gjaku i lehonisë, ajo konsiderohet e pastër, por ajo duhet të lahet, në mënyrë që të kryejë adhurimet e ndryshme dhe marrëdhëniet intime.

Çfarë i ndalohet gruas me menstruacione dhe lehonës

1- Agjërimi: Ebu Said Khuderi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë faltores së grave dhe u tha: “O ju gra! Jepni lëmoshë (sadaka), pasi shumica e banorëve të zjarrit janë gra”. Ato e pyetën: “Përse o i Dërguar i Allahut”? Ai (a.s) tha: “Ju gjithmonë mallkoni dhe ankoheni (mohoni të mirat që ju sigurojnë bashkëshortët), gjithashtu ju jeni më të dobëta (mangëta) nga mendja dhe nga feja (më mendjelehta) sesa burrat”. Ato thanë: “Kush është e meta e mendjeve tona”? Ai (a.s) tha: “A nuk është dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit”? Ato thanë: “Po”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kjo është e meta e mendjeve tuaja”. Më pas tha: “Kur gruas i vijnë menstruacionet, as nuk falet, as nuk agjëron. A nuk është kështu”? Ato thanë: “Po”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kjo është mangësia juaj në fe”[9]

Umu Seleme (r.a) tregon, se kur ndonjëra nga femrat (të afërmet) e të Dërguarit të Allahut (a.s) ishte lehonë, ajo qëndronte 40 net (pa u falur). I Dërguari i Allahut (a.s) nuk e urdhëronte atë që të shlyente namazet e kaluara (kaza).[10]

2- Namazi: Muadhi (r.a) thotë: “E pyeta Aishen (r.a), se pse gruaja me menstruacione (dhe lehoni) e kompenson agjërimin, por jo namazin”? Ajo më tha: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s), ne që ishim me menstruacione, na urdhëronte që ta kompensonim agjërimin, por jo namazin”[11] Pra, kur gruas i vijnë menstruacionet, ajo nuk falet e as nuk e kompenson namazin. Nëse është Ramazan, ajo nuk agjëron, mirëpo këtë agjërim e kompenson më vonë.

3- Marrëdhëniet intime: Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme”. Prandaj, gjatë kësaj kohe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie), derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu. Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen[12]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur gruaja është me menstruacione, bëni çfarë të doni me të, përveç marrëdhënieve intime”[13]

Imam Neueuiu thotë: “Nëse muslimani ka bindjen, se marrëdhëniet seksuale janë hallall në kohën që gruaja është me menstruacione, bëhet jobesimtar (kafir)”.

Mesruku thotë: “E pyeta Aishen (r.a) se çfarë i lejohet burrit, kur e ka gruan me menstruacione dhe ajo më tha: “Çdo gjë përveç marrëdhënieve intime”[14]

Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka përcaktuar (si ndëshkim) që personi i cili kryen kontakt me bashkëshorten gjatë ciklit menstrual të japë një dinar ari, ose gjysëm dinari”. Në një rivajet të Ahmedit qëndron: “Nëse marrëdhëniet kryhen, kur ajo është me menstruacione, duhet të jepet një dinar dhe nëse marrëdhëniet kryhen, pasi ajo ka mbaruar ciklin mujor, por nuk është larë akoma, duhet të jepet gjysëm dinari (si sadaka)[15]

4- Hyrja në xhami, Tavafi rreth Qabes dhe prekja e Kuranit: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë Aishes (r.a): “Mos e bëj tavafin në xhaminë e Shenjtë, derisa të pastrohesh (nga menstruacionet)”[16]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Askush të mos e prekë Kuranin, përveç atij që është i pastër”[17]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Ibn Tahir. Hadithi është i dobët.

[2] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[3] – Maliku. Hadithi është i saktë.

[4] – Buhariu.

[5] – Buhariu dhe Muslimi.

[6] – Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.

[7] – Tabaraniu. Hadithi është i dobët.

[8] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[9] – Buhariu dhe Muslimi.

[10] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[11] – Buhariu dhe Muslimi.

[12] – Sure Bekare 222.

[13] – Muslimi.

[14] – Buhariu.

[15] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[16] – Buhariu dhe Muslimi.

[17] – Tabareniu. Hadithi është i saktë.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.