Hatixhe bintu Huejlidin (r.a)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Më 10 – të Ramazan, tre vite para hixhretit ka ndërruar jetë nëna e besimtarëve, bashkëshortja e Profetit (a.s), Hatixhe bintu Huejlidin (r.a).

Vdekja e Hatixhes (r.a) shkaktoi mërziti dhe pikëllim në zemrën e Profetit (a.s), sepse ajo e kishte mbështetur dhe përkrahur atë  moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Ajo që ia shtoi më tepër mërzitinë Profetit (a.s) ishte fakti se ajo ndërroi jetë në të njëjtin vit që ndërroi jetë edhe xhaxhai i Profetit (a.s), Ebu Talibi, i cili edhe ai e kishte përkrahur atë  duke e mbrojtur nga lëndimet e kurejshëve.

Po kush është Hatixhe bintu Huejlid?

Hatixhja (r.a)  ka lindur  në Mekë. Babai i saj ishte një prijës shumë i përmendur në fisin e kurejshëve dhe një tregtar mjaft i suksesshëm.  Kjo do të thotë se ajo është rritur në një familje të pasur.

Kur erdhi koha për t’u martuar, ajo u martua me Ebu Halah Malik ibn Nebash. Mirëpo nuk ishte e thënë që ata të jetonin së bashku, sepse Ebu Halah ndërroi jetë.  Me të pati dy fëmijë. Më vonë, Hatixhja (r.a)  u martua me Atik ibn Aith, mirëpo ata të dy kishin mosmarrveshje derisa më në fund u divorcuan. Me Atik-un Haitxhja, pati një fëmijë. Më pas ajo vendosi që të merrej me rritjen e fëmijëve.

Duke qenë se babai i saj kishte qenë tregtar, pas vdekjes së babait (që ishte vrarë në një betejë), ajo filloi të merrej me tregti dhe pasuria e saj sa vinte dhe shtohej.  Biznesin e vet ajo e ushtronte në zonën e Shamit dhe kishte shumë fitime, mirëpo që biznesi të ishte sa më fitimprurës, ajo punësonte njerëz punëtorë e të ndershëm.

Hatixhja (r.a) kishte dëgjuar për sinqeritetin dhe sjelljen e mirë të Profetit (a.s) dhe si rrjedhojë kërkoi prej tij që drejtonte e menaxhonte karvanet e tregtisë së saj. Profeti (a.s) e pranoi me kënaqësi kërkesën e saj dhe u nis për në Sham. Bashkëshoqërues i Profetit ishte edhe Mejsereh, shërbëtori i Hatixhes. Mejsereh ngeli mjaft i mahnitur nga ky udhëtim, i cili kur u kthye në Mekë, i tregoi zonjës së tij (Hatixhes) se Muhamedi ishte njeri punëtor, i ndershëm dhe mbi të gjitha ai ishte profeti i shumë pritur. Këtë lajm, ai e kishte mësuar gjatë rrugës kur ishte takuar me një prift të quajtur Nestor, i cili kur kishte parë se Profeti (a.s) ishte ulur nën hijen e një peme, kishte thënë se në këtë pemë nuk ulet askush tjetër përveç atij  njeriu që është profet.

Hatixhja (r.a) e dëgjoi me vëmendje Mejseren dhe i lindi ideja që të martohej me Profetin (a.s) dhe kështu ata të dy u martuan. Burri me të cilin Hatixhja (r.a) nuk ishte vetëm thjesht një njeri punëtor, besnik e i drejtë, por mbi të gjitha ai ishte I Dërguari i Allahut. Martesa ishte e begatë dhe ata patën gjashtë fëmijë.  Dy djem (Kasimin dhe Abdullahun) dhe katër vajza (Zejnebja, Rukija, Umu Kulthumi dhe Fatimja).

Roli i Hatixhes (r.a) në momentet e shpalljes së revelatës hyjnore:

Roli i Hatixhes në momentet e para të shpalljes së revelatës hyjnore ka qenë mjaft vendimtar dhe shumë frymëzues për Profetin (a.s).

Pak muaj përpara se Profetit (a.s) t’i zbriste revelata hyjnore, Profeti (a.s) e kishte bërë zakon që të shkonte në shpellën Hira. Një ditë, teksa ai (a.s) ishte në shpellë i shfaqet (për herë të parë) engjëlli Xhibril dhe i shpall atij pesë ajetet e para të sures “Alak”. I frikësuar dhe i tronditur  nga ajo që kishte ndodhur Profeti (a.s) kthehet menjëherë në shtëpi dhe i thotë njerëzve të shtëpisë ta mbulojnë. Më vonë, pasi e kishte marrë dis veten ai (a.s) tha: Nga ajo gjë që më ndodhi pata frikë. Në këtë momente të vështira që Profeti (a.s) po kalonte, bashkëshortja që e njihte shumë mirë se kush ishte Profeti (a.s) i thotë: “Jo pasha Allahun. Allahu ty kurrë nuk do të të turpërojë, sepse ti i viziton të afërmit, kujdesesh për të varfërit, kompeson të humburën, gjithmonë i ndihmon të tjerët dhe ndjek të drejtën.

Më pas, ajo shkoi bashkë me Profetin (a.s) tek Uereka ibn Neufel, një i afërmi i saj, i cili ishte këndues i librave të mëparshëm. Nga biseda që Uereka zhvilloi me Profetin (a.s) u mor vesh se krijesa që i ishte shfaqur Profetit (a.s) në shpellë ishte engjëlli Xhibril dhe se Muhamedi ishte i Dërguari i Fundit për mbarë njerëzimin.

E shoh me vend që këtu të ndalemi dhe të bëjmë një analizë të shkurtër të ngjarjeve.

Profeti (a.s) largohet herë pas here nga shtëpia për të shkuar në shpellën Hira duke qëndruar vetëm dhe duke medituar rreth Krijuesit. Dhe kjo gjendje nuk zgjati një ditë apo dy ditë, por zgjati për disa muaj. Padyshim që Profeti (a.s) nuk do të ishte larguar nga shtëpia nëse nuk do të gjente përkrahje nga Hatixhja (r.a)

Në momentin që Profeti (a.s) i thotë asaj se kishte frikë për ç’ka i kishte ndodhur, Hatixhja do ta qetësonte atë duke i treguar se nuk kishte asnjë arsye se përse të kishte frikë.

Momenti i tretë vendimtar ishte ai moment, kur ajo e shpie Profetin (a.s) tek Uereka, ç’ka tregon përkujdesin e madh të saj ndaj Profetit (a.s).

Nga luksi në vështirësi ekonomike:

Kështu pra, Hatixhja (r.a) ishte personi i parë që besoi në profetësinë e Muhamedit (a.s). Ishte ajo që e përkrahu atë nga fillimi deri në fund të jetës së saj. Pasurinë e saj, ajo tashmë e shpenzoi në rrugë të Allahut deri në kohën kur kurejshët vendosën që të bojkotonin fisin e Profetit (a.s) duke shkëputur çdo marrdhënie sociale e ekonomike me të. Padyshim që nga ky bojkot u ndikua edhe Hatixhja (r.a), por ajo ishte e vendosur që do ta mbështeste bashkëshortin e saj deri në fund të jetës dhe ashtu bëri.

Pozita dhe statusi i lartë i Hatixhes (r.a):

Ajo është gruaja më e mirë e këtij Umeti.  Profeti (a.s) ka thënë: “Merjemja, e bija e Imranit ka qenë më e mira e grave të kohës së saj, kurse Hatixhja është më e mira e grave të këtij populli.”[1]

Sa ishte gjallë Hatixhja (r.a), Profeti (a.s) nuk u martua me një grua tjetër. Ai gjithmonë e përmendte Hatixhen dhe madje e ka pasë nderuar atë edhe pas vdekjes së saj. Aishja (r. a) tregon: “Nuk kam qenë xheloze ndaj asnjë gruaje tjetër të Pejgamberit (a.s) aq sa kam qenë ndaj Hatixhes, ndonëse nuk e kisha parë atë, por Pejgamberi (a.s) e përmendte atë shumë shpesh. Sa herë që therte dele, ai do ta priste atë pjesë – pjesë dhe do t’ua shpërndante shoqeve të Hatixhes. Kur i thosha ndonjëherë: Ti vlerëson Hatixhen në atë mënyrë, sikur të mos ketë grua tjetër në dynja veç saj! Ai thoshte: Padyshim që Hatixhja ka qenë kështu e ashtu dhe prej saj unë pata fëmijë.”[2]

Allahu e përshëndet Hatixhen me selam. Ebu Hurejrja (r. a) tregon: “Xhibrili shkoi te Pejgamberi (a. s) dhe i thotë: O I Dërguar i Allahut! Ja kjo është Hatixhja. Po të vjen me një enë me mish. Kur të vijë tek ti, përshëndete atë në emër të Zotit të saj dhe nga unë, si dhe përgëzoje atë me lajmin e mirë për një pallat prej xhevahirësh e perlash në Xhenet, ku nuk do ketë as zhurmë dhe as lodhje e shqetësime.”[3]

Allahu e pastë mëshiruar Hatixhen, nënën e besimtarëve.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (3434).

[2] – Buhariu (3818).

[3] – Buhariu (3820).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.