Havarixhët (5/6)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Përçarjet dhe fraksionet e havarixhëve

Havarixhët, ashtu si edhe grupet e tjera islame, megjithëse pajtoheshin në parimet bazë, nuk u shmangën nga mospajtimet në çështjet dytësore dhe juridike. Historia e tyre dëshmon për një sërë ndarjesh, të udhëhequra nga figura dhe imamë të ndryshëm të tyre.

Për një periudhë, havarixhët mbetën të bashkuar dhe nuk u përçanë deri në kohën e imamit të tyre Nafi ibn el-Ezrak (v. 65 h.), ku grupi i tij, i njohur si el-Azariqa, përfaqësoi ndarjen e parë brenda lëvizjes së përgjithshme të havarixhëve.

Pas përhapjes së këtyre ndarjeve dhe mosmarrëveshjeve në çështje të ndryshme, grupet kryesore të havarixhëve u bënë:

1 – El-Azariqa: pasuesit e Nafi ibn el-Ezrakut.

2 – En-Nexhdat: pasuesit e Nexhde ibn Amir el-Hanefit.

3 – El-Ibadijja: pasuesit e Abdulla ibn Ibadit.

4 – Es-Sufrija: të quajtur kështu sipas Zijad el-Asfarit, ose en-Nu’man ibn el-Asfarit, ose Abdulla ibn Safarit (sipas mendimeve të ndryshme).

Këto degë të havarixhëve u zhdukën me kalimin e kohës, dhe sot prej tyre ka mbetur vetëm el-Ibadijja, të cilët ende kanë mbetje në disa pjesë të botës arabe dhe në Afrikën Lindore, veçanërisht në Oman në rajonin e Gjirit Arab, si dhe në disa zona të Magrebit (Tunizi dhe Algjeri), dhe në juglindje të Afrikës, si Zanzibar.

Doktrinat e Havarixhëve

Me kalimin e kohës, u stabilizuan disa pikëpamje dhe besime të veçanta te fraksioni i havarixhëve, të cilat binin ndesh me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (a.s). Prej këtyre besimeve janë:

1 – I bëjnë tekfir atij që kryen një mëkat të madh

Havarixhët e konsiderojnë si mosbesimtar atë që kryen një mëkat të madh dhe gjykojnë se ai do të jetë përgjithmonë në Zjarr. Ata u mbështetën në argumente, ndër to fjala e Allahut: “Po, ai që fiton një vepër të keqe dhe mëkati i tij e rrethon atë, ata janë banorët e Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.”[1] Ata e morën këtë ajet si argument se mëkatarët do të jenë përjetësisht në Zjarr dhe thanë se nuk ka shpresë për mëshirë për atë që vdes në mëkat. Ata pretenduan se mëkati e rrethon njeriun dhe ia zhduk veprat e mira, madje edhe imanin. Por realiteti është krejt ndryshe nga ajo që ata pretenduan. Vetë ajeti i kundërshton, pasi tregon se ata që i rrethon mëkati do të jenë përjetësisht në Zjarr, dhe kjo nuk ndodh për shkak të çdo mëkati, por vetëm për shkak të kufrit dhe shirkut. Kjo mbështetet edhe nga fakti se ajeti ka zbritur për hebrenjtë, të cilët kishin bërë shirk dhe kishin devijuar nga rruga e Allahut.

2 – Azarakët (grup i ekstremistëve të havarixhëve):

Ata konsideronin të gjithë myslimanët që nuk pajtoheshin me ta si idhujtarë. Ata lejonin gjakun e tyre, grave dhe fëmijëve të tyre për shkak të mospajtimit. Madje e kanë quajtur Ali ibn Ebi Talibi (r.a) mosbesimtar dhe vrasësin e tij, Abdurrahman ibn Mulxhim, e konsideronin “dëshmor hero”.

3 – Nexhdatët:

Sipas tyre, nuk ka nevojë për imam nëse njerëzit mund të vendosin drejtësi mes tyre. Por nëse drejtësia nuk mund të realizohet pa imam, atëherë mund të vendoset. Pra, imamati nuk është obligim fetar sipas tyre, por varet nga nevoja dhe dobia.

4 – Kalifati nuk kufizohet në një popull të caktuar:

Havarixhët besonin se kalifati nuk duhet të kufizohet te një fis apo komb i caktuar. Çdo mysliman i drejtë mund të jetë udhëheqës nëse plotëson kushtet e besimit, dijes dhe drejtësisë, pavarësisht nëse është arab, pers, turk apo abisinian. Ata kundërshtonin fort idenë e privilegjit të një race të caktuar për udhëheqje.

5 – Kryengritja kundër sundimtarëve të padrejtë:

Ata ishin unanimë në mendimin se duhet të ngrihen kundër sundimtarëve të padrejtë dhe të mëkatarë. Sipas tyre, kryengritja bëhet e detyrueshme kur numri i kundërshtarëve arrin një kufi të caktuar që ata e quajnë “kufiri i blerjes (shitjes së shpirtit për Xhenet)”. Në disa raste lejohej edhe fshehja e besimit nëse ishin shumë pak. Ata kishin edhe konceptet “gjendja e shfaqjes” dhe “gjendja e mbrojtjes” sipas rrethanave.

6 – Pranimin si imamë vetëm Ebu Bekrin (r.a) dhe Omerin (r.a)

Ata e pranonin imametin e Ebu Bekrit (r.a) dhe Omerit (r.a) si të saktë dhe të drejtë. Por më vonë devijuan dhe mohuan imametin e Othmanit (r.a) në periudhën e kundërshtimeve ndaj tij dhe po ashtu atë të Aliut (r.a) pas çështjes së arbitrimit. Madje disa prej tyre i bënë tekfir Othmanit (r.a), Aliut (r.a) dhe shumë sahabëve të tjerë si Talha, Zubejri, Muaviu, Amr bin el-As, Ebu Musa el-Esh’ari dhe Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.

7 – Zgjedhja dhe betimi si mënyrë e caktimit të imametit:

Ata besonin se imami caktohet vetëm përmes zgjedhjes dhe betimit të njerëzve, duke kundërshtuar shiitët dhe gjithashtu ata që pretendojnë se imamati caktohet me tekst hyjnor. Për ta, imamati është çështje e degëve të fesë dhe jo prej bazave të saj.

8 – Pohimi i drejtësisë së Allahut:

Ata pohonin drejtësinë e Allahut dhe mohonin padrejtësinë ndaj Tij, duke theksuar se njeriu ka liri dhe përgjegjësi të plotë për veprat e tij. Prandaj shpërblimi dhe dënimi janë drejtësi hyjnore, ndryshe nga mendimi i xhebrive që mohojnë vullnetin e njeriut.

9 – Pastrimi i Allahut nga çdo ngjashmëri me krijesat:

Ata e lartësonin Allahun duke e pastruar nga çdo ngjashmëri me krijesat dhe nga çdo cilësi që mund të çojë në ngjashmëri me të krijuarën. Për këtë arsye, ata thanë se Kurani është i krijuar, për të shmangur idenë e ekzistencës së “të përjetshmes së dytë” krahas Allahut.

10 – Vërtetësia e premtimit dhe kërcënimit të Allahut:

Havarixhët besonin se premtimi i Allahut për të bindurit është i vërtetë dhe po ashtu kërcënimi i Tij për mëkatarët është i vërtetë, pa mundësi që të mos realizohet për ndonjë arsye. Ata mendonin se as premtimi (për shpërblim) dhe as kërcënimi (për ndëshkim) nuk mund të ndryshojnë apo të mos ndodhin.

11 – Urdhërimi për të mirën dhe ndalimi nga e keqja:

Qëndrimi i havarixhëve për këtë parim dallonte nga disa prej dijetarëve të Ehli Sunetit dhe hadithit. Ata e lidhën këtë parim ngushtë me mendimin politik dhe me ndryshimin e padrejtësisë dhe tiranisë në shoqëri. Gjithashtu, ata e konsideruan forcën – pra përdorimin e shpatës – si mjet kryesor dhe thelbësor për ndalimin e së keqes dhe për ndryshimin e padrejtësisë dhe korrupsionit.

12 – Karakteristikat e tyre në luftë dhe asketizëm:

Përveç kësaj, havarixhët njiheshin për traditat e tyre në luftë dhe për asketizmin e tyre ndaj pasurisë. Ky asketizëm i çliroi ata nga lidhja me pasurinë dhe grumbullimin e saj, duke i bërë më të gatshëm për t’u përfshirë në kryengritje dhe për të lëvizur shpejt në radhët e ushtrive rebele.

Burimi: islamstory.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

 

[1] – Sure Bekare: 81.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *