I mbrojtur nga paudhësitë e kohës së injorancës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Para se të bëhej Profet, Muhamedi (a.s) jetoi një jetë të ndershme dhe fisnike. Ai nuk merrte pjesë në ato vende e mbledhje ku Allahu nuk pëlqente, ku kishte sjellje të këqija apo vepra të shëmtuara.

Ndryshe nga shumë njerëz të asaj kohe, ai kurrë nuk i është përulur ndonjë idhulli dhe nuk ka ngrënë asnjëherë ushqim që përgatitej për ta. Allahu e kishte ruajtur që i vogël, duke mos lejuar që ai të bënte vepra të pahijshme apo të dilte lakuriq.

Një ditë, kur ishte i ri dhe ndihmonte në rindërtimin e Qabes, Profeti (a.s) po mbante gurë bashkë me xhaxhain e tij, Abasin. Gurët e rëndë i lëndonin supet. Abasi i tha:

– Vendose izarin (rrobën) mbi qafë, që të mos të të dëmtojnë gurët!

Ai e bëri siç i tha xhaxhai, por menjëherë ra përmbys në tokë dhe ngriti sytë nga qielli. Kur u përmend, tha:
– Izari, izari!

Ai e uli menjëherë rrobën dhe askush nuk e pa trupin e tij të zhveshur. Allahu e mbrojti nga kjo, siç e kishte ruajtur gjithmonë.

Një ditë tjetër, kur ishte ende bari që ruante dhentë, i tha një shoku të vet:

– Mi ruaj pak dhentë, dua të shkoj në qytet e të dëgjoj pak muzikë, siç bëjnë të rinjtë.

Shoku pranoi dhe ai u nis drejt Mekës. Kur arriti pranë një shtëpie, dëgjoi muzikë dhe pyeti:

– Çfarë po ndodh këtu?

– Po martohet filani me filanen, – iu përgjigjën.

Por para se të afrohej, Profetin (a.s) e zuri gjumi dhe nuk u zgjua veçse nga nxehtësia e diellit. U kthye sërish te dhentë, pa e dëgjuar muzikën fare.

Një natë tjetër, provoi përsëri të shkonte, por ndodhi e njëjta gjë – e zuri gjumi para se të merrte pjesë në ndonjë festë. Pas kësaj, nuk e kërkoi më kurrë diçka të tillë.

Më vonë, Profeti (a.s) do të tregonte: “Pasha Allahun! Pas atyre dy netëve, nuk u përpoqa më kurrë të bëja ndonjë gjë të papëlqyeshme që bënin njerëzit në kohën e injorancës, derisa Allahu më nderoi me profetësinë”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.