Imani dhe devotshmëria

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti (a.s) ka thënë: “Imani është frenues i shkatërrimit; e besimtari nuk shkatërron.”[1]

Shpjegimi i hadithit:[2]

Kjo do të thotë se besimtari, me besimin dhe devotshmërinë e tij, me përkujdesjen ndaj Zotit, nuk mund të tradhtojë, të mashtrojë apo të shkatërrojë të tjerët. Ai nuk ka nevojë për ndonjë dënim që ta frikësojë, për ndonjë mbikëqyrës që ta ndëshkojë ose për ndonjë kontrollues që ta ndalojë; besimi dhe devotshmëria e pengojnë atë që të kryejë këto veprime.

Imani ndalon dhe frenon tendencën për shkatërrim, tradhti dhe agresion sapo ato lindin, ndërsa devotshmëria është përkthim praktik i besimit dhe një pasojë e tij.

Kur devotshmëria bëhet zakon, e ngulitur thellë në zemër, ajo vepron si edukatori, mësuesi, këshilltari, rojtari, polici, gjykatësi dhe sundimtari… por gjithashtu bën atë që asnjë prej tyre nuk mund ta bëjë: kontrollon të brendshmen e njeriut, atë që vetëm Zoti e di. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Njeriu është dëshmitar i vetes së tij.”[3] I njëjtë me sa kemi përmendur më lart është edhe ajeti kuranor: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Musait dhe Harunit Furkanin (Tevratin) dritë dhe kujtesë për të devotshmit, të cilët e kanë frikë Zotin e tyre në fshehtësi, dhe kanë frikë Orën (Ditën e Gjykimit).”[4]

Pra, devotshmëria është kontroll i brendshëm, disiplinë vetjake dhe përmirësim i vetëdijshëm, si në aspektin e jashtëm ashtu edhe atë të brendshëm.

Një burrë i pyeti Ebu Hurejren për kuptimin e devotshmërisë, dhe ai tha: “A ke kaluar ndonjëherë në një rrugë me gjemba?” Ai tha: “Po.” “Si ke vepruar?” “Kur shihja gjembat, kaloja anash, ose i shmangesha.” “Kjo është devotshmëria.” – u përgjigj Ebu Hurejra.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:[5]

1 – Imani frenon sjelljen e keqe.

2 – Devotshmëria është si pasqyrë praktike e besimit.

3 – Kontrolli i brendshëm mbi vetveten.

4 – Devotshmëria krijon vetëdije dhe përgjegjësi.

5 – Devotshmëria është disiplinë dhe edukim i vazhdueshëm.

6 – Veprimi moral nuk ka nevojë për presion të jashtëm.

Këshilla praktike:[6]

1 – Vetëkontroll në sjellje: Përpiqu të mos bësh padrejtësi, të fyesh, apo të ushtrosh dhunë ndaj të tjerëve, edhe kur askush nuk po të vëzhgon. Le të jetë ndërgjegjja dhe besimi yt udhërrëfyesi.

2 – Ji  gjithmonë i devotshëm: Kujto shpesh se Zoti sheh çdo gjë dhe je përgjegjës vetëm para Tij. Kjo do të ndihmojë që të mos veprosh me nxitim ose egoizëm.

3 – Reflekto para veprimeve: Si shembulli me rrugën me gjemba, çdo veprim që bën – p.sh. fjalët që thua apo vendimet që merr – mendohu për pasojat e tij dhe shmang ato që janë të dëmshme.

4 – Mbikëqyrja e brendshme: Bëje zakon të rishikosh veten çdo ditë: Çfarë kam bërë sot që ishte e drejtë? Çfarë mund të përmirësoj nesër? Kjo forcon disiplinën dhe integritetin.

5 – Sjellja e mirë ndaj të tjerëve: Kur besimi dhe devotshmëria janë të pranishme, ato do të reflektohen në sjelljet e përditshme, si: sinqeriteti, drejtësia, durimi dhe ndihma ndaj të tjerëve.

6 – Krijo karakter të fortë pa presion të jashtëm: Mos prit që të tjerët të të gjykojnë ose të të ndëshkojnë për të bërë atë që është e drejtë. Vepro drejt sepse kjo është detyrë morale dhe fetare.

7 – Praktiko durim dhe vetëdisiplinë: Çdo situatë sfiduese është mundësi për të ushtruar devotshmëri dhe kontroll mbi zemrën dhe veprimet e tua.

Autorë: Ahmed Rejsuni dhe Elton Harxhi

[1] – Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[2] – Këtë hadith e ka shpjeguar doktor Ahmed Rejsuni.

[3] – Sure Kijameh: 14.

[4] – Sure Enbija: 48 – 49.

[5] – Mësimet e këtij hadithi janë nxjerrë nga Elton Harxhi.

[6] – Nga Elton Harxhi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *