Infrastruktura dhe parimet bazë në marrëdhëniet e muslimanit me jomuslimanët

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Dr Xhemal Bedeuij

Gabimi në kuptimin e teksteve kuranore dhe të haditheve profetike mund të lindë edhe nga ndarja e këtyre teksteve nga parimet bazë dhe konceptet që shërbejnë si çelësa që kanë lidhje të pandashme me temën e kërkimit. Këto parime mund t’i përmbledhim në pikat e mëposhtme:

1 – Në origjinë, qëllimi i mesazhit të islamit është mëshira dhe realizimi i mirësisë për të gjithë njerëzimin, bile për të gjithë krijesat. Allahu xh.sh. thotë: «E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat» El Enbija 107.

Profeti a.s. na e ka sqaruar se kjo mëshirë nuk është vetëm për njëri-tjetrin, por për gjithë njerëzimin. Transmetohet se ai ka thënë: “Ai që nuk mëshiron nuk do të mëshirohet”. (Transmetohet nga Buhariu , biblioteka moderne e Rijadit 1982, vëllimi i tetë, hadithi nr. 42, faqe 26-27.)

Ai gjithashtu ka thënë: “Mëshiruesit do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirëshmi. Mëshironi banorët e tokës që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell”. (Transmetohet në sunenet e Ebu Davudit, sipas verifikimit të bërë nga Muhamed Muhjid-din Abdul Hamijd, biblioteka egjyptiane, Bejrut, pa datë, vëllimi i katërt, hadithi me numër 4941, faqe 285.)

Këtu vërejmë se urdhëri për të mëshiruar është i pakufizuar, jo vetëm ndaj muslimanëve sepse nuk janë vetëm ata banorë të tokës.

2 – Një prej fryteve të kësaj mëshire është edhe urimi i të mirës për të gjithë njerëzit dhe ftesa për ta për t’iu përgjigjur Allahut dhe profetit të Tij. Pra, tu përgjigjen për të fitur atë që do tju japë jetë dhe do tu realizojë lumturinë e të dyja botëve.

Dijetari i njohur Fejsal El Meulevi shtron një pyetje duke thënë: “A ka mundësi që ti ta ftosh një njeri në një kohë që ti e urren atë?! Bile thurr plane kundër tij?! A mundesh që në këtë gjendje ta ftosh atë me urtësi dhe këshilla të mira?! (“konceptet bazë të ftesës islame në vendet e perëndimit” Fejsal Meulevi, marrë nga faqja e tij e internetit)

Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë: «Ja, ju (muslimanë) jeni që i doni ata, e ata nuk u duan juve» Ali Imran 119. Në këtë ajet Allahu xh.sh. bën krahasimin mes dashurisë së muslimanit për jomuslimanët dhe mes sjelljes së disa bashkëkohësve jomuslimanë të Profetit a.s. Siç vërehet në këtë ajet Allahu xh.sh. e ka miratuar këtë lloj dashurie të muslimanëve për jo muslimanët sepse përndryshe në fund të ajetit do të ishte thënë diçka që do ta ndalonte në mënyrë të qartë dashurinë ndaj tyre dhe urimin e të mirave dhe udhëzimit në rrugë të drejtë për ta. Por nga ana tjetër dashuria për njerëzit nuk do të thotë dashuri dhe pëlqim i mohimit (kufrit) të tyre dhe as dashuri për të. Po ashtu kjo lloj dashurie nuk është dashuri besimi dhe bindjesh, por do të thotë që atyre që tregohen paqësorë tu duash të mirën dhe të urosh që të udhëzohen në rrugën e drejtë. Nëse dashuria për jomuslimanin do të kishte qenë në vetvete një gjë e ndaluar dhe në kundërshtim me parimin e (el velau vel berau), të duash për hir të Zotit dhe të urresh vetëm për hir të Zotit, atëherë Allahu xh.sh. nuk do ta kishte lejuar që një burrë musliman të martohej me nje grua jomuslimane, ithtare të librave hyjnorë. Kjo për arsye se lidhja mes burrit dhe gruas duhet patjetër që në mes të ketë dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Allahu xh.sh. thotë: «Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë» Er Rrum 21.

Po në këtë kontekst kuptojmë se ndalimi i sjelljes me dashamirësi dhe butësi ndaj jomuslimanit është për ata që luftojnë kundër Allahut xh.sh. dhe profetit të Tij, siç thotë Allahu xh.sh.: «Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.» El Muxhadele 22.

3 – Termi fetar që përdoret për mënyrën e përhapjes së mesazhit të islamit është fjala “da’vetun”, që do të thotë ftesë. Pikërisht për këtë, është e drejta e të ftuarit që ta pranojë ose ta refuzojë këtë ftesë. Pikërisht për këtë Kurani fisnik dhe hadithet e Profetit a.s. e përforcojnë edhe më shumë kundërshtimin ndaj përdorimit të forcës si mjet për përhapjen e mesazhit të islamit. Allahu xh.sh. thotë: «Në fe nuk ka dhunë. Eshtë sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues, i dijshëm» El Bekare 256.

Nëse do të kishte qenë e vërtetë ajo që thuhet se rregulli i përgjithshëm në marrëdhëniet e muslimanit me jomuslimanët është që atyre tu jepet të zgjedhin njërën nga tre mundësi: të pranojnë islamin, të paguajnë xhizjen (taksë), ose të përballen me luftë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, këto dy të fundit do të konsideroheshin si një lloj mënyre detyrimi dhe imponimi që janë të ndaluar. Për këtë ka ajete të shumta dhe me domethënie të prera e të qarta. Ftesa mund të bëhet vetëm se me mënyrën më të mirë, kurse detyrimi dhe imponimi nuk kanë asgjë të përbashkët me urtësinë dhe këshillat e mira dhe dialogun për të cilët jemi të urdhëruar. Allahu xh.sh. thotë: «Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit» En Nahl 125.

4 – Në rast të refuzimit të ftesës në sheriatin islam nuk ka të sanksionuar asnjë lloj ndëshkimi në këtë botë. Allahu xh.sh. thotë: «Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin» Esh Shura 48. Jo vetëm kaq, por Kurani fisnik na e bën të qartë se pluralizmi në shoqëritë njerëzore, duke përfshirë këtu edhe pluralizmin fetar, është një realitet dhe se muslimanët nuk kanë të drejtë, dhe as që është detyrë e tyre, që ta zhdukin këtë lloj pluralizmi. Allahu xh.sh. thotë: «Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete), përveç atij që e mëshiroi Zoti yt. Po për këtë edhe i krijoi ata. Fjala e Zotit tënd: “Gjithsesi do ta mbushë xhehennemin me të gjithë xhinët dhe njerëzit”, ka marrë fund (është plotësuar)» Hud 118-119.

Ai po ashtu thotë: «Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?» Junus 99. Në këtë mënyrë bie poshtë pretendimi se gjoja është e domosdoshme që mbi faqen e tokës të mos mbetet fe tjetër përveç islamit dhe duke e arsyetuar këtë me ajetet ku Allahu xh.sh. thotë: «Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami» Ali Imran 19, dhe ajeti: «E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit» Ali Imran 85.

Këto dy ajete në të vërtetë kanë të bëjnë me pasojat e mohimit të fesë së Allahut në botën tjetër dhe jo me dënimin ose pasojat që ka për refuzimi i islamit në këtë botë. Ai që e pranon besimin është vetëm Allahu xh.sh.

5 – Megjithëse lidhja e besimit dhe vëllazëria e fesë është lidhja më e lartë, megjithatë ekziston edhe edhe një lidhje dhe një lloj vëllazërie tjetër, asaj njerëzore që i përfshin të gjithë njerëzit, muslimanët dhe jomuslimanët. Ne shikojmë se shumë ajete të Kuranit fillojnë me fjalët “O ju njerëz” dhe jo me “O ju që keni besuar”. Këto ajete zakonisht kanë të bëjnë me lidhjet e mëdha njerëzore, pa marrë parasysh anën e besimit. Si shembull për këtë përmendim ajetin ku Allahu xh.sh. thotë: «O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj» En Nisa 1, si dhe ajetin tjetër ku Allahu xh.sh. thotë: «O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete» El Huxhuratë 13, apo edhe ajetin ku Allahu xh.sh. thotë: «O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)» El Bekare 21.

6 – Largimi dhe braktisja e fanatizmit fetar duke vënë theksin në unitetin dhe njësimin e mesazhit të të gjithë profetëve duke pranuar në të njëjtën kohë edhe të gjithë profetët e Zotit, duke besuar tek ata dhe tek shpalljet që u zbritën mbi ta.

Allahu xh.sh. thotë: «I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij» El Bekare 285. Po ashtu Allahu xh.sh. thotë: «Ai ju përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të» Esh Shura 13. Pikërisht për këtë arsye nuk ka asnjë shkak apo arsye për luftëra fetare ku pasuesit e një profeti të luftojnë kundër pasuesve të një profeti tjetër edhe pse muslimanët besojnë se islami është feja përmbyllëse dhe shfuqizuese e të gjitha feve dhe ligjeve që kanë qenë përpara tij. Kurani i fton ithtarët e librave hyjnorë në veçanti për të gjetur gjërat e përbashkëta mes nesh dhe mes tyre. Allahu xh.sh. thotë: «Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut”!» Ali Imran 64. Po nëse ata refuzojnë çfarë duhet të bëjmë? Pjesa tjetër e ajetit nuk thotë as t’i vrisni, as t’i luftoni, as t’i trajtoni me ashpërsi dhe vrazhdësi, por thotë: «E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”!» Ali Imran 64.

7 – Respektimi dhe vlerësimi i njeriut thjesht dhe vetëm se është “njeri”. Allahu xh.sh. thotë: «Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit» El Isra 70. Këtu Allahu xh.sh. na tregon se të respektuar dhe të nderuar janë të gjithë njerëzit, qofshin muslimanë ose jo. Një prej treguesve të këtij nderimi është edhe shenjtërimi i gjakut të njeriut, i nderit, dhe i pasurisë së tij. Allahu xh.sh. thotë: «Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush vret një njeri (pa të drejtë), pa pasë vrarë ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte vrarë gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit» El Maide 32.

Njeriu që përmendet në këtë ajet është çdo njeri në përgjithësi dhe nuk është i kufizuar vetëm për besimtarët. Të njëjtin term ka përdorur edhe Profeti a.s. kur u ngrit në këmbë kur pranë tij kaloi xhenazja e një çifuti, dhe kur i treguan se ajo ishte xhenazja e një çifuti ai u përgjigj duke thënë: “A nuk është edhe ai një shpirt (njeri)?!” (Transmetohet nga Buhariu).

8 – Marrdhëniet e muslimanit me jomuslimanët në bazën e tyre kanë mirësinë dhe drejtësinë për sa kohë ata janë paqësorë ndaj tyre. Kjo gjë tregohet qartë në ajetin e Kuranit ku Allahu xh.sh. thotë: «All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë. All-llahu ua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan në dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes» El Mumtehine 8-9.

Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë ajet është cilësimi i marrëdhënieve mes tyre më fjalën “bir-r”. Ajo jo vetëm që është grada më e lartë e moralit të mirë, por gjithashtu ajo dhe fjalët që rrjedhin prej saj, në Kuranin fisnik dhe në hadithet profetike janë përdorur për të cilësuar marrëdhëniet e muslimanit me prindërit e tij që është një lidhje që përfshin mëshirën, respektin dhe trajtimin e mirë. Përdorimi i fjalës “teber-ruhum” në veçanti e përmban këtë domethënie. Përdorimi i saj nuk është i rastësishëm sepse Allahu xh.sh. mund të kishte përdorur shumë fjalë dhe shprehje të tjera që tregojnë marrëdhënie të mira.

Ky lloj cilësimi është në përputhje të plotë me cilësimin e mesazhit të islamit si “mëshirë për të gjitha botërat”.

Kurse për sa i përket fjalës “kist” që në ajet përdoret “ve tuksitu ilejhim”, imam Kurtubiu thotë për të: “Pra, tu jepni atyre një pjesë të pasurisë tuaj për t’i respektuar dhe për të mbajtur lidhjet. Këtu nuk ka për qëllim drejtësinë sepse drejtësia është një detyrim si ndaj atyre që janë paqësorë ashtu edhe ndaj atyre që tregohen armiqësorë”. (Shiko “Përmbledhje e rregullave të Kuranit” të Kurtubiut, shtëpia botuese ”Rringjallja e trashëgimisë arabe”, Bejrut 1966, vëllimi i 17, faqe 59.)

Kurani i fton muslimanët që të dialogojnë paqësisht me ithtarët e librit në veçanti për të vënë theksin në pikat e përbashkëta mes tyre. Allahu xh.sh. thotë: «Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij» El Ankebut 46.

Kurani është ai që na fton për këtë edhe pse vetë ai na tregon dallime të rëndësishme që kanë lidhje me atë që u ka ndodhur librave hyjnorë të mëparshëm që nga koha kur kanë zbritur mbi profetët e tyre. Po ashtu edhe për disa çështje bazë rreth besimit në Zotin , në emrat dhe në cilësitë e Tij. Kjo gjë tregon qartë se Kurani edhe pse na i tregon këto ndryshime të rëndësishme, megjithatë i nxit muslimanët që t’i zbulojnë dhe t’i kuptojnë gjërat e përbashkëta mes tyre dhe ithtarëve të librit, për të përfituar për mbajtjen e lidhjeve me ta, bile për të bashkëpunuar me ta për mirësi dhe devotshmëri aty ku nuk bie në kundërshtim me rregullat e islamit.

Disa prej këtyre gjërave të përbashkëta janë; besimi në Allahun, në profecitë, në shpalljen, në librat hyjnorë, në ditën e fundit, në vlerat morale, paqja, drejtësia, dashuria për njerëzit, kujdesi për kafshët, mbrojtja e ambjentit, etj.

Kurse për sa i përket asaj që thuhet në hadithin profetik që nuk duhet të fillojmë ne t’i përshëndesim të parët, ose t’i ngushtojmë nëpër rrugë, është e domosdoshme që ky hadith të kuptohet sipas metodologjisë që përmendëm në kapitullin e parë si dhe në dritën e parimeve bazë që sapo i përmendëm në këtë kapitull.

Dijetarët muslimanë, bazuar në Kuran dhe në traditën profetike mendojnë se ky hadith nuk ka të bëjë me të gjithë ithtarët e librit, por me një pjesë të tyre që Allahu xh.sh. i ka cilësuar dukë thënë: «Ata kur vijnë te ti, të përshëndesin me atë që All-llahu nuk të përshëndet» El Muxhadele 8. Për këtë rast transmetohet se ata i ndryshonin fjalët kur përshëndesnin me selam dhe në vend që të thonin: “es-selamu alejkum”, paqja qoftë mbi ju, thonin: “es-samu alejkum”, vdekja qoftë mbi ju. Por meqenëse Profeti a.s. ishte njeriu që kishte edhe gjuhën edhe zemrën më të pastër, i urdhëroi muslimanët që në këtë rast t’ua kthenin atyre vetëm me fjalën “ve alejkum”, edhe mbi ju. Sepse nëse ajo që kanë thënë është vërtet selami, atëherë ju au keni kthyer atë njësoj siç ju përshëndetën. Por nëse qëllimi i tyre ka qenë i ligë, atëherë edhe përgjigja ndaj tyre është ashtu siç e meritojnë.

Por në të njëjtën kohë ngushtimi i tyre nëpër rrugë nuk mund të jetë kurrsesi rregull i përgjithshëm në marrëdhëniet e muslimanit me jomuslimanët sepse kjo bie në kundërshtim me marrëdhënien me “el bir-r”, me mirësi. Më e saktë për këtë rast është që ky veprim të kuptohet si një veprim ose sjellje e përkohëshme, në një vend të caktuar dhe ndaj disa personave të caktuar, ose të ngjashëm me ta, si përgjigje ndaj edukatës dhe sjelljes së tyre të keqe, si dhe për t’i penguar ata që të mos vazhdojnë në këtë rrugë. (Shiko “Sunen Ebi Davud”, vëllimi i katërt, hadithi 5205 dhe 5206, faqe 352-353).

Kurse rregulli i përgjithshëm kuranor na thotë: «E nëse ju përshëndesin me ndonjë përshëndetje, ju kthejeni atë edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu» En Nisa 86.

9 – Drejtësia e plotë me të gjithë duke përfshirë këtu edhe jomuslimanët. Bile Kurani na fton që të tregohemi të drejtë edhe me armiqtë. Allahu xh.sh. thotë: «O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni». El Maide 8. (Po ashtu mund të shikoni edhe ajetet 105-113 si dhe ajetin 135 nga surja En Nisa)

Sjellja jo e mirë ndaj jomuslimanëve nuk është e drejtë, bile as përgjigja ndaj mirësisë së tyre përveç se me të mirë. Allahu xh.sh. thotë: «A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër, përveç të mirës!» Er Rrahman 60.

Në përputhje me metodologjinë e studimit që përmendëm në kapitullin e parë dhe duke u bazuar mbi parimet themelore që i përmendëm në kapitullin e dytë, nën dritën e një programi gjithpërfshirës do të kalojmë në trajtimin dhe sqarimin e tre prej dilemave kryesore rreth të cilave ngrihen pyetjet më të mëdha në mediat perndimore, bile mund të nxiten edhe nga disa muslimanë si rezultat i kuptimit të gabuar të islamit. Por kjo mund të vijë edhe si rezultat i pranimit të disa mendimeve (ixhtihadit) të disa dijetarëve në fushën e fikhut, pa e kuptuar mirë realitetin e kohës dhe kushteve kur janë dhënë ato mendime, por në të njëjtën kohë nuk dimë se ndonjëri prej atyre dijetarëve të ketë pretenduar se është i pagabueshëm. Të gjithë ata mendonin njësoj si imam Shafiiu që thoshte: “Mendimi im është i saktë, por ka mundësi që të jetë edhe i gabuar. Kurse mendimi i të tjerëve është i gabuar por ka mundësi që të jetë edhe i saktë”. Kjo metodologji është në kundërshtim të qartë me metodologjinë e atyre që thonë: “Mendimi im është i saktë dhe nuk ka asnjë mundësi që të jetë i gabuar, kurse mendimi i të tjerëve është i gabuar dhe nuk ka asnjë mundësi që të jetë i saktë”.

Përktheu: Nasuf Hoxha

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.