Islami fe universale

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Ferid Piku

Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “E Ne ta zbritëm ty (o Muhamed) librin, sqarim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe përgëzim për muslimanët”.

Edhe pse Kurani zbriti në një atmosferë shkretëtire, në një popull shumë të thjeshtë, i cili dinte vetëm të kulloste delet dhe të bënte një tregti të paktë, Islami ishte sfidues. Ai erdhi për të sfiduar arabët, që bënin një jetë shumë modeste, por edhe për të sfiduar të gjithë njerëzit që do të vinin deri në Ditën e Kijametit, për t`u treguar atyre se ka ardhur mesazhi i fundit dhe më i ploti nga Zoti i botëve. Kjo fe erdhi për të gjithë njerëzit, sepse ishte feja e fundit dhe nuk do të kishte profet tjetër pas Muhamedit (a.s). Prandaj në këtë fe do të kishte përgjigje për çdo lloj njeriu, fisi, kombi dhe për çdo gjë tjetër, sepse ajo ishte shpallja e fundit mbi shpinën e tokës. Prandaj Muhamedi (a.s) tha: “Jam dalluar nga profetët e tjerë me disa gjëra”. Njëra prej tyre ishte se profetët e tjerë Zoti i dërgoi tek një komb i caktuar dhe për një kohë të caktuar, kurse profeti (a.s) u dërgua për të gjitha kohërat dhe tek të gjithë njerëzit pa dallim. Kjo është cilësia kryesore e kësaj feje, pra Islami është fe UNIVERSALE, fe e të gjitha kohërave, fe e të gjithë njerëzve.

Le të themi dy – tre fjalë për universalitetin e kësaj feje. Dikush mund të thotë: “A nuk është e madhe fjala UNIVERSALE”? i themi këtij personi, se Islami është fe gjithëpërfshirëse apo e thënë edhe më thjesht: “Islami është fe e madhe”. Lum për ata njerëz, që Zoti i ka zgjedhur për të qenë ithtarë dhe pasues të kësaj feje.

Feja jonë është feja e të gjitha kohërave. Nuk është vetëm 1400 vjet, por ajo është e vjetër sa vetë toka. Islami ka filluar që në momentin kur këmba e Ademit (a.s) ka shkelur mbi shpinën e kësaj toke, sepse të gjithë profetët kanë ftuar që të adhurohet Zoti e të mos i vihet shok Atij e të gjithë janë dorëzuar tek Zoti i gjithësisë. Këto janë bazat e Islamit! Teuhidi i Islamit është të mos i vesh shok Zotit dhe të dorëzohemi tek Zoti i gjithësisë. Kjo është esenca e fesë tonë. Prandaj në origjinë çdo fe që ka ardhur nga Zoti është islame, është dorëzim tek Allahu (xh.sh). prandaj po të lexoni Kuranin, do të gjeni se shumë profetë kanë thënë: “O Zot na bëj prej muslimanëve”. Të gjithë profetët kanë qenë muslimanë dhe të gjithë besimtarët kanë qenë muslimanë. Shikoni se ç`kanë thënë Nuhu (a.s), Ibrahimi (a.s), Musai (a.s), Isai (a.s) dhe shokët e tij: “…dhe unë jam prej muslimanëve”. Prandaj feja jonë është shumë e madhe dhe shumë e vjetër.

Feja jonë është universale, sepse është feja e të gjithë njerëzve. Ajo nuk i dallon njerzit nga racat, nga kombet, nga ngjyrat apo nga zakonet. Islami ishte feja e BIlalit (r.a) nga Etiopia, një rob i zi, ishte feja e Selman Faresiut (r.a), që vinte nga Persia, ishte feja e Suhejbit (r.a) romaku bizantin, ishte feja e Ebu Bekrit (r.a) puro arab, ishte dha vazhdon të jetë feja e të gjithë njerëzve, të bardhë e të zinj, me poste të larta apo njerëz shumë të thjeshtë. Nëse doni të bindeni për diçka të tillë, shikoni haxhin. Ai është argument i gjallë i Allahut (xh.sh), se kjo është feja e të gjithë njerëzve. Askush nuk e ndjen veten besimtar i gradës së dytë, por të gjithë ata që dëshmojnë shehadetin, janë vëllezër me të drejta dhe detyrime të barabarta. Prandaj Islami është feja e çdo njeriu, që e zgjedh atë si fenë e tij.

Islami është feja e shpirtit, feja e mendjes dhe feja e trupit të njeriut. Islami kërkon ta lartësojë shpirtin, kërkon ta ndriçojë mendjen, ndërsa trupit i thotë: “Zbato atë që të thotë shpirti dhe mendja jote”. Të tria këto formojnë njeriun dhe Islami i urdhëron të tria: “Shkoni tek Zoti i gjithësisë”. Në fenë tonë nuk i jepet prioritet shpirtit ndaj trupit apo anasjelltas. Shpirti, mendja dhe trupi përbëjnë njeriun dhe meqë Islami është fe e njeriut, ai është fe e shpirtit, e mendjes dhe e trupit. Nëse do ta studionim pak më imtësisht fenë tonë dhe diçka e tillë duhet bërë, sepse shpesh jemi pjesë e Islamit dhe nuk dimë çfarë është kjo fe, do shohim se Islami i ka dhënë rëndësi njeriut nga momenti kur quhet njeri, deri në momentin kur vdes dhe del nga kjo botë. A e dini që Islami i ka dhënë rëndësi fëmijës, kur është në brakun e nënës?! Islami ka ndaluar abortin! Po pse vallë? Sepse kemi të bëjmë me një krijesë të re, e cila respektohet prej kësaj feje. A e dini se Islami e lejon nënën shtatzënë, që të mos  agjërojë muajin e shenjtë të Ramazanit, në një kohë kur ai që nuk agjëron me qëllim del nga feja. Islami e bën këtë, sepse respekton fëmijën, që është në barkun e kësaj nëne. Feja jon na mëson, që fëmijës që sapo lind, t`i këndohet ezani në veshin e djathtë, t`i vendoset një emër i mirë, t`i qethen flokët, nëse kanë mundësi t`i japin qumësht për dy vjet dhe kjo është më e mirë tek Allahu (xh.sh), sepse Islami e respekton fëmijën. Nëse do të vazhdonim me të gjitha fazat e jetës, nuk do të ndaleshim asnjëherë, por më lejoni të them, se sot ndoshta ngaqë pjesa më e madhe janë të rinj, bisedat janë vetëm për të rinj. Islami është fe edhe e pleqve, feja e atyre krijesave që sot janë harruar. Islami urdhëron që pleqtë të respektohen. Islami thotë, se pas adhurimit të Zotit, puna e dytë më e mirë tek Zoti është respektimi i prindërve. Nëse kënaq prindërit e tu, ke kënaqur Allahun (xh.sh) dhe anasjelltas. Islami është feja e njeriut edhe pasi ai largohet nga kjo botë. Ne e kemi obligim ta lajmë kufomën e njeriut tonë të vdekur, ta qefinosim atë, t`i falim namazin dhe ta fusim në varr në formën më të mirë! Pra edhe pasi njeriu ka ndërruar jetë, kjo fe e respekton njeriun.

Feja jonë është e mahnitshme. Vallahi ajo të shoqëron nga momenti kur ti del nga shtëpia, deri në momentin kur ti vjen në shtëpi, madje është me ty edhe brenda shtëpisë tënde. Del nga shtëpia duke bërë lutje. E vazhdon ditën me punë dhe me adhurim e kthehesh në shtëpi duke hyrë me këmbën e djathtë dhe duke e lutur Allahun (xh.sh), që të të ruajë ty dhe familjen tënde nga shejtani i mallkuar. Ajo të shoqëron në çdo hap të kësaj jete dhe nuk të lë vetëm, sepse ti je rob i Zotit dhe Zoti është me ty kudo dhe në çdo moment me diturinë, me mëshirën dhe përkudesjen e Tij.

Kjo fe flet për marrëdhënie ndërkombëtare, flet për politika popullore, flet për ekonominë, flet për luftën dhe për paqen, flet për edukimin dhe moralin, flet shumë për çështjet familjare. Kjo fe flet edhe për gjërat më intime të njeriut. Flet se si të hash si të pish, si të vishesh, madje tregon edhe sesi të futesh në banjo e si të dalësh prej saj. Islami i bën të gjitha këto, që ti ta ndjesh veten rob të Zotit e Ai që të ka krijuar, të mëson të sillesh në formën më të mirë.

Në një nga betejat e muslimanëve, në momentin e armëpushimit komandanti Halid Ibn Velid takohet me komandantin e ushtrisë tjetër dhe teksa bisedonin me njëri – tjetrin, komandanti jomysliman i thotë Halidit në fund të bisedës: “Ama për diçka ua kam zili ju muslimanëve, sepse më duket se keni fe shumë të madhe, e cila flet për shumë çështje të jetës”. Halildi i thotë: “Po. Madje a e di diçka që është edhe më e habitshme se kaq. A e di ti se profeti (a.s) na ka mësuar edhe se si të hyjmë e si të dalim nga banjoja”?!

Feja jonë është madhështore, gjithëpërfshirëse, është fe e madhe, sepse nuk e kufizoi punën e mirw dhe besimin vetëm në xhami, por edhe jashtë saj. Nëse puna është për hir të Allahut dhe ti e bën atë ashtu siç do Zoti i gjithësisë, ti po bën një adhurim dhe inshallah merr sevap prej Allahut (xh.sh).

Feja jonë thotë, se të ndihmosh nevojtarët është adhurim, ta udhëheqësh popullin tek politikat e shëndosha drejt punëve të mira, është adhurim, të luftosh për të mbrojtur atdheun dhe nderin e kombit tënd është adhurim, të arsimohesh, të fitosh shkencë, ta përmirësosh jetën tënde, ta edukosh mirë fëmijën tënd, të sillesh mirë ndaj bashkëshortes tënde, të gjitha janë adhurim dhe Zoti të shpërblen për çdonjërën prej këtyre punëve të mira. Adhurim është edhe të largosh një mbeturinë nga rruga. A mund ta bësh diçka të tillë? Vallahi kemi mundwsi ta bëjmë, por nuk na shkon mendja, se kjo është punë e mirë tek Zoti i gjithësisë. Thuaje një fjalë të mirë, buzëqeshi dikujt se kjo është punë e mirë dhe adhurim tek Zoti i gjithësisë. Nëse nuk ke mundësi të bësh një punë të mirë, atëherë mos thuaj fjalë të këqija, mos bëj punë të pahijshme, sepse edhe kjo është adhurim dhe merr shpërblim tek Zoti.

Prandaj vëllezër dhe motra dijeni, se jeni muslimanë në xhami dhe jashtë saj. Zoti na e ka dhënë mundësinë ta bëjmë punën e mirë në çdo moment. Asnjëherë mos u ndjej bosh, se në çdo moment ke me vete Allahun (xh.sh) dhe sa herë që bën një punë të mirë, dije se do e marrësh shpërblimin nga Allahu, sepse po bën një adhurim për Allahun (xh.sh).

Zoti na bëftë nga ata që e falenderojnë shumë Atë për të gjitha mirësitë që na ka dhënë.

Duhet të dimë diçka: Zoti i zgjedh besimtarët e Tij dhe ne jemi mysafirë të Allahut (xh.sh). A e ke falënderuar Zotin, që të ka bërë pjesë të kësaj feje madhështore, e cila fillon me hapin e parë që hodhi njeri mbi tokë dhe vazhdon derisa të futesh në xhenetin e Tij. Pra le ta falenderojmë shumë Allahun (xh.sh) që na bëri pjesë të kësaj feje dhe t`i lutemi Atij, që të na mundësojë ta zbatojmë këtë fe kudo që të jemi dhe me sa mundësi të kemi, sepse shpeshherë e ndjejmë veten muslimanë në xhami, ndërsa kur dalim jashtë e ndjejmë veten si të hutuar e nuk dimë se çfarë të bëjmë.

Bëje punën e mirë kudo që të jesh dhe do ta shohësh se është shumë e lehtë të jesh mysliman në çdo aspekt të jetës tënde. Zoti i faltë gabimet tona, na udhëzoftë në fenë e Tij, na bëftë që ta mësojmë e ta zbatojmë mirë fenë tonë.

Desha të tregoj shkurtimisht, që kemi një fe madhështore dhe duhet ta ndjejmë veten krenarë që jemi pjesëtarë të kësaj feje, por kur flasim për këtë pikë, ata që nuk na e duan të mirën thonë: “Për çfarë feje flet ti? Kjo fe ka hyrë në çështjet më intime të njeriut, i ka bërë të gjithë njerëzit njëlloj dhe nuk ka lënë liri për të zgjedhur. E si mund të jetë e mirë një fe e tillë”? Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse Zoti i gjithësisë na ka vendosur kufijtë për të shkuar tek Ai dhe të ka lënë ty shumë hapësira, sipas mentalitetit tënd, zakoneve të tua, vendit dhe rrethanave ku ti jeton. Islami i ka dhënë liri të madhe njeriut, por liria duhet të shprehet me diçka që e kënaq Allahun (xh.sh).

Profeti (a.s) tha: “Hallall është ajo që Zoti e ka bërë hallall, ndërsa haram është ajo që Zoti e ka bërë haram dhe mes këtyre Zoti ka lënë një hapësirë shumë të madhe, jo nga harresa, por nga mëshira ndaj njerëzve”. Brenda këtyre njeriu ka lirinë e tij, ku zhvillon, zbulon e përparon. Islami nuk të thotë se si të hash, si të vishesh, si ta mbash makinën, por të ka mësuar që të thuash “Bismilah” kur të fillosh të hash, të ka mësuar të vishesh me ato rroba, që janë brenda normës së lejuar, të këshillon të bësh kujdes e të mos vrasësh njerëz, pra të ka treguar rrugën për tek Allahu (xh.sh). Shkurt Islami i ka dhënë liri njeriut, liri që shprehet në kënaqësi ndaj Allahut (xh,sh).

Islami nuk është aq naiv sa të thotë, se duhet t`i bësh të gjitha punët e mira, pasi kjo është e pamundur për çdonjërin nga ne, por na ka mësuar që të fillojmë me më të rëndësishmen dhe më e rëndësishme për ne është besimi tek Zoti i gjithësisë dhe rregullimi i vetes tonë, i familjes dhe shoqërisë që na rrethon. Islami na mëson, se nëse duhet të zgjedhim mes dy të mirave, le të bëjmë atë që është më e madhe dhe nëse duhet të zgjedhim mes dy të këqijave, të zgjedhim atë që është më e vogël. Kjo është feja jonë, është fe e gjithanshme, është fe e ekuilibrit, fe e zgjuarsisë.

I lutemi Allahut (xh.sh) që nuk e harron asnjëherë robin e Tij edhe pse shpesh njeriu e harron Zotin, që të na udhëzojë tek punët e mira, t`i bëjë të parët tanë njerëz që kanë frikë Allahun (xh.sh) dhe njerëz që kanë mëshirë për ne, si dhe t`i largojë prej nesh njerëzit e këqij. Zoti na bëftë muslimanë të mirë, besimtarë të devotshëm, ndjekës të sinqertë të profetit (a.s). Zoti e bëftë të sotmen tonë më të mirë se të djeshmen, të nesërmen tonë më të mirë se të sotmen, ahiretin tonë më të mirë se dynjanë. I lutemi Allahut (xh.sh) me cilësitë e Tij më të larta dhe emrat e Tij më të bukur t`i zgjidhë hallet e muslimanëve në të katër anët e botës, të na bëjë muslimanë të mirë që ftojnë tek feja e Zotit me fjalë dhe me vepra. Zoti na faltë neve, prindërit tanë, fëmijët tanë  dhe të gjithë ata që e duan faljen e Allahut.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

PrayerFajrSunriseZuhrAsrMaghribIsha
Begins12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
Iqamah12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

Prayer Begins Iqamah
Fajr12:00 am 12:00 am
Sunrise12:00 am
Zuhr12:00 am 12:00 am
Asr12:00 am 12:00 am
Maghrib12:00 am 12:00 am
Isha12:00 am 12:00 am

Artikujt e fundit