Istihada është vazhdim i rrjedhjes së gjakut nga gruaja pas përfundimit të menstruacioneve. Gruaja me istihada quhet Mustehada.
Ky gjak konsiderohet i pastër, prandaj gruaja lahet (bën gusl) dhe falet, agjëron, bën ritet e haxhit, lexon Kuran dhe kryen marrëdhënie me bashkëshortin.
Uthman Ibnul As (r.a) thotë: “Nëse gruaja kalon 10 ditë nga gjendja menstruale, ajo konsiderohet mustehada (pa menstruacione edhe nëse ka gjakderdhje, pasi ai është gjak normal), lahet dhe pastaj mund të falet”[1]
Gjendjet e mustehadas
1- Nëse gruaja e di, se sa i zgjasin menstruacionet dhe pas ciklit i del përsëri gjak, ajo lahet dhe falet: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Le të llogarisë se sa ka qenë periudha e menstruacioneve para kohës që e ka prekur kjo gjendje, të mos falet për aq ditë sa nuk është falur në muajin e kaluar, më pas të lahet, të vendosë një copë dhe të falet”[2]
2- Nëse gruas i rrjedh gjak pa pushim dhe nuk e di se kur i mbarojnë menstruacionet, ajo merr për bazë shtatë ditë: Hamnetu bint Xhahsh (r.a) thotë: “Unë kam qenë nga ato gra, që vuaja shumë nga menstruacionet dhe istihada. U nisa për të pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s). I thashë: “O i Dërguar i Allahut! Unë po vuaj shumë nga kjo (gjaku pas ciklit) dhe ti na ke ndaluar nga namazi dhe agjërimi. Çfarë duhet të bëj”? Ai (a.s) më tha: “Vendos një copë pambuk, që të pengojë gjakun”. Unë i thashë: “Nuk e përballon dot gjakun, sepse ai rrjedh me shumicë”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Do të të urdhëroj me dy gjëra. Nëse i kryen, atëherë do të shpërblehesh. Kjo është nga punët e shejtanit. Llogarite ciklin 6 ose 7 ditë. Më pas kur të bindesh se ka mbaruar cikli, falu dhe agjëro 24 apo 23 ditë gjatë muajit (edhe nëse rrjedh gjak). Kjo të mjafton. Këtë gjë veproje për çdo muaj. Nëse ke mundësi që ta vonosh drekën dhe ta shpejtosh ikindinë, bëje, lahu dha fali namazet e bashkuara, më pas kur të vijë akshami dhe jacia, vonoje akshamin dhe shpejtoje jacinë, lahu dhe falu. Kur të vijë mëngjesi lahu dhe falu. Pra, falu dhe agjëro nëse ke mundësi”[3]
3- Nëse gruaja e ka gjithmonë në natyrën e saj që t`i dalë gjak, ajo lahet dhe falet: Fatime bintu Hubejsh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse gjaku është i zi dhe me erë, atëherë lëre namazin e nëse nuk është i zi, merr abdes dha falu, pasi ai është gjak normal”[4]
Fjala “lahu” në hadithe ka kuptimin e abdesit, mirëpo nëse femra ka mundësi që të marrë gusl për çdo herë, kjo do të ishte edhe më mirë. Mustehada, ai që vuan nga prostata, ai që vuan nga barku, ai që nuk mban dot jashtëqitjen apo gazrat, ai që vuan nga gjakrrjedhja e vazhdueshme e gjakut të hundëve, si dhe ai që ka plagë që i rrjedhin qelb, merr abdesi në kohën e çdo namazi dhe pastaj fal namaz sa të dojë, qoftë namaz farz apo sunet.
Autor: Rushit Musallari
[1] – Darakutni. Hadithi wshtw i saktw.
[2] – Ebu Daudi. Hadithi wshtw i saktw.
[3] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi wshtw i saktw.
[4] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi wshtw i saktw.