Një nga faktorët kryesorë që e shqetëson njeriun dhe ia largon qetësinë, sigurinë dhe kënaqësinë e shpirtit është pikëllimi për të kaluarën, pakënaqësia për të tashmen dhe frika për të ardhmen.
Disa njerëz goditen nga fatkeqësitë e jetës dhe qëndrojnë për muaj apo vite duke ndjerë dhimbjet e tyre, duke rikujtuar ngjarjet e së shkuarës, herë të pikëlluar, herë duke ëndërruar diçka tjetër, me moton: “Ah sikur ta kisha bërë… Ah sikur ta kisha lënë… Sikur të kisha vepruar kështu, do të kishte ndodhur ashtu…”
Prandaj, mjekët psikologë, këshilltarët shoqërorë, edukatorët dhe profesionistët këshillojnë që njeriu të harrojë dhimbjet e së kaluarës dhe të jetojë në realitetin e ditës së tij, sepse e kaluara nuk kthehet më.
Një lektor në një universitet amerikan ua portretizoi bukur këtë koncept studentëve të tij kur i pyeti: “Sa prej jush kanë prerë drunj?” Shumë nga studentët ngritën duart. Pastaj ai pyeti: “Sa prej jush kanë prerë tallash?” Asnjëri prej tyre nuk ngriti dorën. Lektori tha: “Sigurisht, askush nuk mund të presë tallash; sepse ai tashmë është i coptuar në grimca.” E njëjta gjë vlen për të kaluarën: kur shqetësoheni për të kaluarën, dijeni se po bëni diçka të kotë, sepse është si të copëtoni diçka që tashmë është copëtuar!
Ky shembull është përmendur nga Dick Carnage në librin e tij “Lër shqetësimin dhe fillo jetën”, ku ai citon fjalët e dikujt: “Kam zbuluar se shqetësimi për të kaluarën nuk sjell asnjë dobi, ashtu siç nuk të ndihmon të bluash miellin ose të grish copat e drurit; gjithçka që shqetësimi bën është të skicojë rrudha në fytyrën tënde ose të shkaktojë ulçer në stomak.”
Megjithatë, dobësia njerëzore bën që shumica e tyre të vazhdojë të “bluajnë miellin” dhe të “copëtojnë tallashin”, duke qarë për të djeshmen që ka kaluar dhe duke u ndjerë keq shpirtërisht për atë që nuk mund të ndryshohet. Më larg nënshtrimit ndaj këtyre ndjenjave dhe mendimeve të dhimbshme është besimtari i fortë, i cili ka forcë të brendshme që buron për shkak të besimit tek Zoti, pranimit në vendimin dhe caktimin e Tij, dhe nuk e lejon veten të bjerë pre e së kaluarës. Ai e di se çdo gjë që ka ndodhur është vullnet i Allahut dhe gjithçka që i ndodh nuk duhet të përballet me gjë tjetër veçse me kënaqësi dhe nënshtrim.
Motoja e besimtarit është gjithmonë: “Ç’ka ka caktuar Allahu, ajo ndodh; dhe çfarë do Ai, Ai e bën; falënderimi i takon Allahut në çdo rrethanë.” Me këtë qëndrim ai nuk dëshpërohet për të kaluarën dhe nuk jeton nën peshën e kujtimeve të dhimbshme. Atij i mjafton të përkujtojë fjalën e Allahut: “Asnjë fatkeqësi nuk i ndodh njeriut përveçse me lejen e Allahut, dhe ai që beson te Allahu, Ai e udhëzon zemrën e tij; dhe Allahu di çdo gjë.”[1]
Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur për Allahun se besimtari i dobët; në të dy ka mirësi. Kujdesu për atë që të sjell dobi dhe kërko ndihmë nga Allahu, dhe mos u bë i paaftë. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj:Po të bëja këtë apo atë do të kishte ndodhur kështu, por thuaj: Ç’ka ka caktuar Allahu, ajo ndodh; dhe çfarë do Ai, Ai e bën. Sepse të thuash ‘po të bëja’ është veprim i djallit.”[2]
Ky hadith urdhëron besimtarin të përqendrohet në atë që i sjell dobi, në çështjet e fesë dhe të jetës së tij, dhe të kërkojë ndihmë nga Allahu, sepse Ai është ai që siguron mjetet dhe heq pengesat nga rruga e tij, siç thuhet: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë.”[3]
Ndër shenjat e paaftësisë së padëshirueshme është: hedhja e përgjegjësisë mbi fatin dhe përdorimi i tij si justifikim për të shmangur detyrën dhe përgjegjësinë. Siç thuhet dikur: një nga treguesit e paaftësisë është shpesh përdorimi i fatit si alibi.
Filozofi dhe poeti Dr. Muhamed Ikbali ka thënë: “Besimtari i dobët përdor fatin dhe caktimin e Allahut si justifikim, ndërsa besimtari i fortë beson se ai është caktimi i Allahut që nuk mund të tejkalohet dhe vendimi i Tij që nuk mund të kundërshtohet.”
Rrëfehet se disa nga shokët e Profetit (a.s) – në periudhën e fitoreve islame –një nga udhëheqësit persianë i pyeti: “Kush jeni ju dhe cili është thelbi juaj?” Ata i përgjigjën: “Ne jemi caktimi i Allahut; Allahu ju ka testuar me ne, dhe na ka testuar me ju. Sikur të ishit në një re në qiell, ne do të ngjiteshim tek ju, ose ju do të zbrisnit tek ne.”
Profeti (a.s) ka urdhëruar besimtarin, kur e prek ndonjë sprovë e botës – dhe sa shumë sprova ka – të mos bie pre e dëshpërimit dhe të ndihet keq për atë që ka humbur, duke thënë: “Po të kisha bërë këtë, do të kishte ndodhur ashtu”. Përkundrazi, ai është urdhëruar që çëshjten t’ia delegojë caktimit të Allahut dhe të dorëzohet ndaj vendimit dhe urdhërit të Tij, duke thënë: “Çka ka caktuar Allahu, ajo ndodh dhe çfarë do Ai, Ai e bën.” Ai e konsideron të mirë atë që Allahu ka zgjedhur për të. Më pas duhet të përqendrohet në të ardhmen, të punojë, të ndërtojë dhe të prodhojë, dhe jo të mërzitet duke thënë: “Po të bëja këtë ose atë…” Sepse këto “po të” i hap rrugë cytjeve të djallit, i cili nuk sjell gjë tjetër veç humbjes dhe dështimit.
Autor: Ali Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Tegabun: 11.
[2] – Muslimi.
[3] – Sure Fatiha: 5.



















