Eh sa ka vuajtur e lënduar në mjedisin e tij fillestar, sa vështirësi ka kaluar por që nuk ia ka rrëfyer dhe nuk do ia rrëfejë kujt. E dini pse? Sepse nuk i mban mënd, nuk i kujtohet asgjë. Madje, nuk i kujtohen as dhimbjet që e kapluan teksa largohej përfundimisht nga barku i nënës së tij!
Ai e kuptonte mirë se ishte vullneti hyjnor ai që e shtynte drejt jetës së re, ku do të njihej dhe takohej me të ngjashmit. “Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes)”[1]
Jeta përbën një shans të bukur, e zakonisht, shanset e bukura janë të rrethuara nga vështirësi dhe sfida të cilat nxisin dhe ndezin vullnetin.
E qara e të porsalindurit nuk është shprehje e pesimizmit nga jeta, por është një alarm se në rrugën e arritjeve i duhet të durojë rreziqet dhe vështirësitë.
Një botë plot shanse ashtu siç është plot njerëz, aty ku ka rivalitet të ndershëm, dialektikë, por edhe xhelozi dhe urrejtje e bazuar në “Sikur Allahu të mos i nxiste dhe stimulonte njerëzit, bota do të ishte shkatërruar.”[2]
Mosmarrëveshjet mes njerëzve lindin konflikte, bëjnë të shpërthejnë luftra me armë por edhe me fjalë. Ndonjëherë sa herë që hedh hapin, shpërthejnë mina dhe ngrihen pusi, edhe pse nuk u dihet burimi. Përse? Prej kujt?
E tillë është jeta, e mbushur me konflikte, e që thelbi nuk u dihet në të shumtën e rasteve. Kur Musai (a.s) i kërkoi Zotit ta ruajë nga ligësia e gjuhës së njerëzve, Ai iu përgjigj se një privilegj të tillë nuk ia kishte mundësuar vetes, e si t’ia mundësojë të tjerëve?!
Lipset që pengesat dhe barrierat përgjatë rrugës, ti shohësh si motive dhe stimuj për të nxjerrë më shumë energji, jetë dhe vepra. Ato bëhen shkak për t’u afruar me të tjerët me të cilët keni emërues të përbashkët, ato mund të aktivizojnë energji të fshehura dhe të ndrydhura. Shijoji sfidat dhe lexo aspektin e tyre pozitiv, të afërt apo të largët.
Nuk ka sfidë më të keqe sesa të lindë robi dhe të rritet me të gjitha të mirat, me çdo kërkesë të plotësuar në çast. Luksi mbyt ambiciet, gropos imagjinatën dhe e lë trupin pa shpirt, duke mos e shijuar kënaqësinë e arritjeve dhe ëmbëlsinë e përmbushjes së ambicieve. Kjo, pasi nuk bëhet krahasimi me hidhësinë e privimit. Ai është rritur pa e ndjerë nevojën për rezistencë, kreativitet, lodhje e mund, të cilat janë pjesë e jetës.
Kur Ebu Velid El-|Baxhi zhvilloi një debat të hapur me Ibn Hazmin, i tha: “Unë jam më ambicioz se ti lidhur me nxënien e dijes. Ti e ke kërkuar dijen dhe ke gëzuar mbështetjen e familjes, të kanë ndriçuar pishtarët e florinjtë. Kurse unë kam lexuar natën nën dritën e kandilit të tregut!”
Nga ana e tij, Ibn Hazmi ia ktheu: “Ky është një argument kundër teje dhe jo në favorin tënd. Ti e ke kërkuar dijen në atë gjendje të rëndë ekonomike, me shpresë për ta përmirësuar dhe të arrish nivelin tim. Kurse unë e kam kërkuar në kushtet e mia pa shpresuar gjë tjetër veç nivelit shkencor të lartë si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.”
Kur shpërthen talenti nga një ambient luksi dhe konsumi të lartë, ai është një talent i rrallë dhe i vështirë të tretet.
Civilizimi që ndërtoi njeriu nuk është gjë tjetër veçse një reagim ndaj sfidave të përshtatshme të aftësive të tij.
Kur një njeri arrin të trasnformojë sfidën aktuale në energji që e motivon nga brenda, sfida përkthehet si një ftesë e hapur për sukses dhe epërsi.
Ndërkohë që kur pengesa buron nga brenda, nuk të bëjnë dobi faktorët e jashtëm që janë në favorin tënd. Një varkë e prishur nuk lundron dot, sado që erërat fryjnë në drejtimin e duhur.
Mungesa e sfidave bëjnë të vdesin aftësitë dhe potencialet, e dobësojnë vullnetin dhe bëjnë të mbijnë plogështia dhe dembelizmi, duke ngritur dyshime se as që ia vlen.
Fëmija e parë është sfidë lidhur me kujdesin dhe edukimin. Sipas raporteve, 70 % e presidentëve të SHBA-ve kanë qenë fëmijë të parë në familje. Po ashtu, fëmijë të parë kanë qenë edhe talentet në ekonomi, media dhe administrim.
Rivaliteti për të zënë prehërin prindëror, është një sfidë e të vegjëlve me format e tyre, si e qara apo shtirja si i sëmurë.
Të qenit femër, është sfidë e cila e motivon vajzën drejt suksesit në shkollë, punë, familje dhe jetë.
Pas suksesit që konstaton tek një djalë apo vajzë, fshihet një sistem i padukshëm përpjekjesh, dështimesh, disfatash dhe përvojash të susksesshme të vogla, të cilat u bënë shkak për të shijuar ëmbëlsinë e suksesit.
Kur misioni është i vështirë, përgatitja fillon më herët dhe ankthi pozitiv lëviz që nga thellësitë. Kurse kur misioni është i lehtë, lihet pasdore dhe zvarritet, derisa të humbë shansi.
Kritika është sfidë. Mendjet e ndryshme kur ndërveprojnë për diçka, një studim, teori, libër, artikull etj… e rishikojnë, korrigjojnë dhe e zhveshin nga të metat për ta paraqitur në formën më të përsosur. Kritika dekonstruktive është edhe ajo sfidë, pasi të bën gozhdohesh më fort pas virtyteve, duke ndjekur rrugën plot durim e besim. Thotë poeti arab:
Nëse yt bir e ka ves ngjitjen e majave
Rruga më e lehtë do jetë ajo e baltave
Sekreti i triumfit ndaj sfidës qëndron në heqjen dorë nga delegimi i përgjegjësive tek të tjerët, justifikimet me kaderin e Zotit, pusitë e shejtanit, hilet e marifetet e kundërshtarëve historikë, kushteve të mjedisit, historisë, rrethanave, xhindëve etj…!
Mbushu thellë me frymë dhe merri përsipër përgjegjësitë dhe pasojat! Mos u streso për përgjegjësitë e tua, e aq më pak, mos ua hidh fajin të tjerëve! Të tjerët ti kanë besuar këto përgjegjësi, bazuar në seriozitetin që të karakterizon dhe faktin se je më i meritueshmi!
Profeti Muhamed (a.s) në një hadith vendos bazat dhe themelet e suksesit në udhën e mbushur plot vështirësi dhe pengesa, ku thotë:
1 – “Ji vigjilent ndaj çdo gjëje të dobishme”
2 – “Kërko ndihmën e Zotit”
3 – “Mos manifesto ligështi” (Mos hiq dorë nga përpjekjet)
4 – “E nëse të godet diçka, mos thuaj:”Sikur ta kisha bërë kështu do kishe ndodhur ashtu! Por thuaj ishte caktim i Zotit dhe Ai cakton ç’të dojë!”[3]
Autor: Selman Aude
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Abese: 20
[2] – Sure Bekare: 251.
[3] – Muslimi.