Të dashur fëmijë!
A e dini se në Kuranin Famëlartë përmenden shumë kafshë? Më poshtë po ju tregoj disa prej tyre dhe arsyet se përse janë përmendur.
Delja dhe dashi: Në Kuran delja dhe dashi përmenden tre herë. Një herë në historinë kur Allahu i Lartësuar i tha Ibrahimit (a.s) të therrte djalin e vet për kurban. Pasi Ibrahimi e kaloi sprovën me sukses, Allahu i tha të therrte një dash të madh. Po ashtu, ato përmenden edhe kur dy njerëz shkuan tek Davudi (a.s) dhe kërkuan që ai të gjykonte për një mosmarrëveshje: njëri kishte 99 dele dhe tjetri vetëm një. Këto kafshë bëjnë pjesë tek bagëtitë e imëta, të cilat përmenden në Kuran. Madje një sure e tërë titullohet En’am – bagëtitë.
Lopa: Lopa përmendet vetëm njëherë në Kuran, pasi një sure e tërë mban emrin e saj: El-Bekare – Lopa.
Viçi: Viçi përmendet dy herë. Njëherë, kur tek shtëpia e Ibrahimit (a.s) hynë mysafirë të veçantë – engjëj – dhe ai i therri një viç të majmë për të respektuar mysafirët. Një tjetër herë kur Beni Israilët adhuruan viçin që bëri Samiriu, në vend që të adhuronin Allahun.
Deveja: Deveja përmendet shumë herë në Kuran. Popullit të Themudit i dërgoi një deve si mrekulli. Ajo është një shenjë e madhe e krijimit të Allahut. Allahu thotë se mosbesimtarët nuk do të hyjnë kurrë në Xhenet, ashtu si një deve nuk mund të kalojë në vrimën e gjilpërës! Në historinë e vëllezërve të Jusufit (a.s), devetë u përmendën kur ata kërkonin kupën e mbretit tek devetë e tyre. Deveja përmendet edhe tek disa rregulla të Haxhit dhe tek shembujt për zjarrin e Xhehenemit.
Kali: Kali përmendet tre herë. Allahu i Lartësuar thotë se i ka krijuar kuajt për t’u kalëruar dhe për zbukurim. Ai gjithashtu thotë se besimtari duhet të përgatisë kuaj për t’u mbrojtur nga armiqtë.
Gomari: Gomari përmendet pesë herë. Ai përdoret si shembull për ata që kanë dituri, por nuk e zbatojnë. Po ashtu, si shembull i zërit të shëmtuar, si kafshë që njerëzit e përdorin, si argument për ringjalljen në historinë e Uzejrit (a.s) dhe në rastin ku mosbesimtarët i largohen këshillës së Kuranit, ashtu sikur largohen gomerët e egër.
Qeni: Qeni përmendet tre herë në historinë e banorëve të shpellës. Ai qëndronte besnik jashtë shpellës, duke mbrojtur shokët e tij.
Elefanti: Elefanti përmendet vetëm një herë, në suren El-Fil, e cila mban emrin e tij.
Ujku: Ujku përmendet tre herë në historinë e Jusufit (a.s), kur vëllezërit e tij pretenduan se ujku e kishte ngrënë atë.
Derri: Në fakt ajo që është përmendur është mishi i derrit, të cilin Allahu i Lartësuar e ka ndaluar për ta ngrënë.
Përgatiti: Elton Harxhi



















