Kohët e namazit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Asnjë namaz nuk mund të falet, pa hyrë koha e tij. Kohët e namazit na i ka përcaktuar i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të). Abdullah Ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Koha e namazit të Drekës fillon, atëherë ku dielli anon nga kupa e qiellit dhe vazhdon derisa hija e njeriut të jetë sa gjatësia e tij. Koha e namazit të Ikindisë vazhdon deri në atë kohë, kur dielli nuk është zverdhur akoma. Koha e namazit të Akshamit është pas perëndimit të diellit dhe vazhdon, derisa të zhduket ngjyra e kuqërremtë nga horizonti. Koha e namazit të Jacisë zgjat deri në mes të natës, kurse koha e namazit të Sabahut hyn, atëherë kur fillon të agojë dhe vazhdon deri para lindjes së diellit. Kur të lindë dielli, mos u falni, sepse dielli lind mes dy brirëve të shejtanit[1]

Xhabiri (r.a) përcjell: “Xhibrili (a.s) i erdhi të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Drekën, pasi dielli kishte anuar nga kupa e qiellit. Më pas Xhibrili (a.s) erdhi në kohën e Ikindisë dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Ikindinë, kur çdo gjë e kishte hijen sa vetja. Gjithashtu Xhibrili (a.s) i erdhi të Dërguarit të Allahut (a.s) në kohën e Akshamit dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a,s)e fali Akshamin, kur sapo kishte perënduar dielli. Xhibrili (a.s) erdhi në Jaci dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Jacinë, pasi e kuqja ishte zhdukur nga horizonti. Në mëngjes Xhibrili (a.s) i erdhi të Dërguarit të Allahut (a.s) në kohën kur horizonti kishte filluar të shndriste pak dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit dha fali namazin e Sabahut. Të nesërmen Xhibrili (a.s) i erdhi përsëri të Dërguarit të Allahut (a.s) në Drekë dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Drekën, kur çdo gjë e kishte hijene saj sa vetja. Më pas Xhibrili (a.s) erdhi në kohën e Ikindisë dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Ikindinë, kur çdo gjë e kishte hijen dy herë më të madhe sesa vetja. Gjithashtu Xhibrili (a.s) erdhi në kohën e Akshamit dhe tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Akshamin, atëherë kur dielli sapo kishte perënduar, njësoj si ditën e parë. Xhibrili (a.s) erdhi në Jaci dhe tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) e fali Jacinë në gjysmën e natës apo në një të tretën e saj. Në mëngjes Xhibrili (a.s) i erdhi të Dërguarit të Allahut (a.s) në kohën kur horizonti ishte zverdhur shumë (pak para lindjes së diellit) dhe i tha: “Ngrihu dhe falu”. I Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit dhe fali namazin e Sabahut. Në fund Xhibrili (a.s) tha: “Koha e çdo namazi është mes këtyre kohëve”[2]

Buhariu thotë: “Ky është hadithi më i pranuar, përsa i përket kohës së namazeve”.

Fjalia “Koha e çdo namazi është mes këtyre kohëve” ka kuptimin, se koha e namazit të Drekës fillon kur dielli anon nga kupa e qiellit dhe vazhdon, derisa hija e njeriut (sendit etj) të bëhet e njëjtë me trupin ose sa dyfishi i tij, kurse koha e namazit të Ikindisë fillon, atëherë kur hija e njeriut (sendit  etj) është sa dyfishi i hijes së njeriut dhe vazhdon, derisa hija e tij stërgjatet shumë, pra pak para se të perëndojë dielli. Koha e namazit të Akshamit fillon pas perëndimit të diellit e vazhdon derisa drita e bardhë të zhduket nga horizonti. Ebu Jusufi dhe Muhamedi janë të mendimit, se koha e namazit të Akshamit mbaron me zhdukjen e mugëtirës së bardhë nga horizonti. Koha e namazit të Jacisë fillon, atëherë kur drita zhduket plotësisht nga horizonti e vazhdon deri në mes të natës apo deri para agimit, ndërsa koha namazit të Sabahut fillon në kohën që lind agimi e vazhdon deri pak para lindjes së diellit.

Umeri (r.a) i shkroi Ebu Musa Eshariut (r.a): “Fale namazin e Jacisë në çdo kohë të natës dhe mos e neglizho atë”.(406) Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e vonoi shumë Jacinë, aq sa kaloi një pjesë e madhe e natës, kështu që njerëzit i zuri gjumi. Më pas, ai (a.s) u fal dhe tha: “Kjo është koha e Jacisë[3] Ubejdeh ibn Xhurejxhi thotë: “E pyeta Ebu Hurejran (r.a): “Cila është shkujdesja ndaj namazit të Jacisë”?! Ai m`u përgjigj: “Agimi”.(408)

Vlera e namazit në fillim të kohës

Ibn Mes’udi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u pyet, se cila punë është më e mirë dhe ai u përgjigj: “Falja e namazit në kohën e tij, bamirësia ndaj prindërve dhe lufta për hir të Allahut[4]

Koha ideale për faljen e namazit të sabahut

Është e pëlqyeshme që namazi i Sabahut të falet, atëherë kur ka aguar qartë dhe shikohet dritë në horizont. Rrafia ibn Khadixh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Faleni namazin e sabahut pasi të ketë aguar mirë, sepse ka vlerë më të madhe – ndoshta tha: “…ka sevap shumë të madh[5]

Aishja (r.a) tregon, se pasi i Dërguari i Allahut (a.s) falte namazin e Sabahut, femrat largoheshin. Ato ishin të mbuluara dhe të mbështjella dhe nuk dalloheshin për shkak të errësirës”[6] Imam Tahaui bën një harmonizim mes dy haditheve duke thënë: “Imami e fillon namazin kur është errët dhe e mbaron, pasi të ketë dalë drita”. Mirëpo hadithi i Rrafias (r.a) ka më shumë përparësi, pasi përmendet edhe shpërblimi i madh që shkruhet për ata që e falin namazin, pasi drita ka filluar të dalë. Allahu i Madhëruar e di më mirë!

Koha ideale për faljen e namazit të drekës

Në verë, është e pëlqyeshme që të vonohet sadopak namazi nga koha që falet zakonisht. Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur i nxehti është i madh, vonojeni namazin e drekës, pasi nxehtësia e madhe e diellit (në verë) është nga shfryrja e Xhehenemit[7] Ebu Dherri (r.a) thotë: “Ishim me të Dërguarin (a.s) në një udhëtim. Muezini deshi të bëntes ezanin e drekës, kur ai (a.s) i tha: “Vonoje”. Më pas muezini deshi të bënte ezanin, por i Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Vonoje”. Këtë ia tha dy apo tre herë. Më pas pamë hijen e kodrave. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nxehtësia e diellit është nga shfryrja e Xhehenemit. Kur të jetë shumë nxehtë, vonojeni namazin”[8]

Në dimër, është e pëlqyeshme që namazit të mos vonohet pasi të hyjë koha. Xhabir ibn Semura (r.a) tregon, se Bilali (r.a) e bënte Ezanin, sapo dielli kalonte zenitin.[9] Xhabir ibn Semurah (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e falte namazin e drekës, sapo dielli kalonte zenitin”[10]

Abdullah ibn Mesudi (r.a) thotë: “Namazi i të Dërguarit të Allahut (a.s) në verë falej, kur hija ishte 3-5 këmbë, ndërsa në dimër namazi falej kur hija ishte 5-7 këmbë[11]

Koha ideale për faljen e namazit të ikindisë

Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.”[12] Abdullah ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi i mesëm është namazi i Ikindisë[13]

Enes ibn Maliku (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e falte namazin e ikindisë, ndërkohë që dielli ishte i bardhë, lart në horizont dhe i gjallë (ishte nxehtë, nuk e kishte humbur nxehtësinë). Më pas ai (a.s) shkonte në rrethinat e Medines (në një distancë prej 4 miljesh) dhe dielli ishte akoma lart në horziont[14]

Nuk pëlqehet vonimi i namazit të Ikindisë as në verë dhe as në dimër, madje vonimi i namazit të Ikindisë deri pak para perëndimit të diellit është veprim i gabuar. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi i munafikut është ai namaz, që ai e fal duke vrojtuar diellin, pra falet kur dielli është mes brirëve të shejtanit (pak para perëndimit apo gjatë përëndimit). Në këto momente ai (munafiku) ngrihet dhe çukit katër herë, ndërsa Allahun e përmend shumë pak”[15]

Koha ideale për faljen e namazit të akshamit

Enes ibn Maliku (r.a) tregon: “E falnim namazin e Akshamit me të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe më pas gjuanim shigjeta. Ne e shikonim vendin, ku kishte rënë shigjeta.”[16]

Selemeh ibn El Ekua (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e falte Akshamin, sapo zhdukej disku i diellit nga horizonti[17]

Ukbeh ibn Amir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Umeti im do të jetë në mirësi – apo do të jetë në natyrshmërinë e tij – kur të mos e vonojë namazin (e Akshamit), derisa të dalin yjet”[18]

Koha ideale për faljen e namazit të jacisë

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur të mos ishte e vështirë për Umetin tim, do ta urdhëroja që tavononin namazin e Jacisë deri në 1/3 e natës ose deri në gjysmën e natës”[19]

Ebu Saidi (r.a) tregon: “Një natë e kemi pritur të Dërguarin e Allahut (a.s) për faljen e namazit të Jacisë deri në mesnatë. Ai erdhi dhe u fal me ne. Më pas na tha: “Tani shkoni dhe flini, pasi njerëzit kanë kohë që kanë rënë në gjumë, mirëpo ju keni qenë në namaz, përderisa keni pritur namazin. Sikur të mos ishte dobësia e të dobëtit, sëmundja e të sëmurit dhe nevojat e nevojtarit do ta vonoja faljen e këtij namazi deri në mesnatë”[20]

Koha ideale për faljen e namazit të vitrit

Koha më e mirë për faljen e namazit të vitrit është pjesa e fundit e natës, para se të agojë. Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush ka frikë se nuk do të ngrihet në fund të natës, le ta falë namazin e vitrit në fillim të saj dhe kush lakmon që të ngrihet në fund të natës, le ta falë namazin e vitrit në fund të saj, pasi namazi në këtë kohë është i dëshmuar nga prezenca e engjëjve”[21] Për atë që e di se nuk do të ngrihet, koha më e mirë për faljen e namazit të vitrit është pak para gjumit. Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) më ka urdhëruar, që ta fal namazin e vitrit para se të bie në gjumë.”[22]

Ebu Katadeh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti Ebu Bekrin (r.a): “Kur e fal namazin e vitrit”? Ai iu përgjigj: “E fal vitrin, para se të bie në gjumë”. I Dërguari i Allahut (a.s) pyeti Umerin (r.a): “Kur e fal namazin e vitrit”? Umeri (r.a) i tha: “Fle, pastaj ngrihem dhe fal namazin e vitrit”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha Ebu Bekrit (r.a): “Ke zgjedhur më të sigurtën”, ndërsa Umerit (r.a) i tha: “Ke zgjedhur më të fortën”[23]

Koha ideale për faljen e namazit të xhumasë

Enes ibn Maliku (r.a) thotë: “Kur ishte ftohtë, i Dërguari i Allahut (a.s) e shpejtonte namazin në fillim të kohës, ndërsa kur ishte nxehtë, e vononte namazin”, pra namazin e Xhumasë”[24]

Kohët në të cilat ndalohet falja e namazit

Ukbe Ibn El Xhehnij (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na ndalonte që të falnim namazin apo të varrosnim të vdekurit në disa kohë. Ato kohë janë:

1- Në kohën kur po lind dielli, derisa të ngrihet.

2- Në kohën kur dielli është në kupë të qiellit.

3- Në kohën kur dielli po perëndon”[25]

Pra ndalohet falja e namazit në këto kohë. Janë edhe dy kohë të tjera, në të cilat është e papëlqyeshme të falet namaz. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nuk falet namaz, pasi të jetë falur Ikindia deri në perëndim të diellit dhe nuk falet namaz, pasi të jetë falur farzi i Sabahut, derisa të ketë lindur dielli[26]

Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar që të falet namaz gjatë kohës kur lind dhe perëndon dielli”[27]

Ebu Umame Bahiliu (r.a) tregon, se Amr ibn Abese (r.a) e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “O i Dërguari i Allahut! A ka disa çaste (orë) më me vlerë se disa çaste të tjera? A ka çaste që duhen shfytëzuar?” I Dërguari i Allahut (a.s) iu përgjigj: “Po! Ka! Koha në të cilën robi është më afër Allahut, është pjesa e fundit e natës. Nëse ke mundësi që të jesh nga ata që e përmendin Allahun në këtë kohë, bëje, sepse në këtë namaz marrin pjesë dhe dëshmojnë edhe engjëjt. Kjo kohë vazhdon, derisa të lindë dielli. Dielli lind mes brirëve të shejtanit, prandaj mos u fal gjatë kohës kur lind dielli, derisa ai të ngrihet në lartësinë e një shtize dhe rrezet të fillojnë të marrin forcë, sepse në këtë kohë falen jobesimtarët. Më pas vjen koha e dëshmuar nga engjëjt (namazi i Duhasë), e cila vazhdon deri në mesditë. Në mesditë hapen dyert e Xhehenemit dhe ai ndizet më shumë, prandaj mos u fal pa u larguar vapa e madhe. Më pas vjen koha e namazit të Ikindisë, e cila është e dëshmuar nga engjëjt, kohë e cila vazhdon deri në perëndim të diellit. Kur të perëndojë dielli, mos u fal, sepse ai perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në këtë kohë luten jobesimtarët”[28]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Muslimi.

[2] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[3] – Muslimi.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[6] – Buhariu dhe Muslimi.

[7] – Buhariu dhe Muslimi.

[8] – Buhariu dhe Muslimi.

[9] – Muslimi.

[10] – Muslimi.

[11] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[12] – Sure Bekare: 238.

[13] – Muslimi.

[14] – Buhariu dhe Muslimi.

[15] – Muslimi.

[16] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[17] – Buhariu dhe Muslimi.

[18] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[19] – Tirmidhiu, Ibn Maxheh, etj. Hadithi është i saktë.

[20] – Ebu Daudi, Nesaiu dhe të tjerë. Hadithi është i saktë.

[21] – Muslimi.

[22] – Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.

[23] – Hakimi. Hadithi është i saktë.

[24] – Buhariu.

[25] – Muslimi.

[26] – Ibn Khuzejmeh. Hadithi është i saktë.

[27] – Buhariu dhe Muslimi.

[28] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *