Koncepti i ligjeve hyjnore në Kuran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani Famëlartë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë konceptit të ligjeve hyjnore. Koncepti i ligjeve hyjnore nënkupton se universi gjigand është i ujdisur në bazë të ligjeve të vendosura dhe se ai nuk është produkt i rastësisë. Çdo gjë të cilën e ka krijuar Allahu i Madhëruar është krijuar me Vullnetin e Tij dhe me masë të caktuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar”[1] “As dielli nuk mund ta arrijë hënën dhe as nata paraditën, por secili noton në një orbitë.”[2] “Ne nuk e krijuam as qiellin e as tokën dhe ç’ka mes tyre pa qëllim. Ai është mendim i atyre që nuk besuan.”[3]

Kurani Famëlartë ka folur rreth ligjeve hyjnore nëpërmjet dy versioneve themelore, që janë:

Versioni i Parë: Urdhri për të hulumtuar nëpër Tokë që njeriu të njohë universin dhe të dijë rreth tregimeve të të parëve:

Në një sërë ajetesh kuranore, Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit që të ecin nëpër tokë dhe të hulumtojnë që të njohin madhështinë e krijimit të Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk e vërejnë ata se si Allahu e zë fill krijimin, pastaj e ripërsërit atë? Natyrisht kjo është e lehtë për Allahun. Thuaj: Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu, Ai që do të bëjë krijimin e dytë. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”[4]

Po ashtu urdhri për të udhëtuar në Tokë ka si për qëllim njohjen e atyre ngjarjeve që kanë kaluar të parët tanë për të nxënë mësim dhe për të përfituar prej tyre. Shumë popuj kanë arritur majën e suksesit dhe shumë të tjerë kanë pësuar disfatë. Studimi i çelësit të suksesit apo të rënies së tyre na ndihmon shumë për të arritur atë që ata kanë arritur dhe për t’u mbrojtur nga shkatërrimi dhe disfatizmi. Allahu i Madhëruar thotë: “Para jush kanë kaluar shumë shembuj. Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që përgënjeshtruan profetët. Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit. Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”[5]

Udhëtimi nëpër Tokë ngulit tek njeriu konceptin e ligjeve hyjnore të vendosura nga Allahu, ç’ka nënkupton se njeriu reflekton, mediton dhe nxjerr mësimet e duhura prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Në tregimet e tyre ka këshilla për ata që janë me mend”[6]

Versioni i Dytë: Shprehja qartazi e disa prej ligjeve hyjnore:

Një version tjetër i ligjeve hyjnore të përmendura në Kuran është versioni se ato janë përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe qartazi, si për shembull:

Ligji i ndërrimit:

Ky ligj nënkupton se gjendja e një populli nuk është gjithmonë e njëllojtë por ajo mund të ndryshojë me kalimin e vitetve nëse përmbushen kushtet e triumfit dhe të forcës. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ju ka goditur ndonjë plagë edhe popullin armik e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë – fitore dhe humbje – Ne i ndërrojmë midis njerëve që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët.”[7]

Ligji i zmbrapjes:

Ky ligj nënkupton se Allahu i Madhëruar i ka bërë njerëzit dhe popujt që të mbrohen nga e keqja e njëri-tjetrit dhe si rrjedhojë të shmangin gjërat e padëshirueshme që mund të vijnë nga njerëzit apo popujt e ligj. Nëse ky ligj nuk do të ekzistonte atëherë padyshim Toka do të shkatërrohej. Allahu i Madhëruar thotë: “E sikur Allahu të mos i zbrampste disa me disa të tjerë do të rrënoheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.”[8]

Kështu pra duke e lexuar dhe e studjuar me vëmendje Kuranin Famëlartë, do të biem në përfundimin se Allahu i Madhëruar kërkon prej muslimanëve që ta ndërtojnë jetën e tyre duke qenë largpamës dhe vizionarë në përuthje me “programin hyjnor” ose nëpërmjet “historisë së njerëzimit” që mos të zhyten në errësirat e mosbesimit, hutisë, paditurisë e injorancës.

[1] – Sure Kamer: 49.

[2] – Sure Jasin: 40.

[3] – Sure Sad: 27.

[4] – Sure Ankebut: 19-20.

[5] – Sure Ali Imran 137-140.

[6] – Sure Jusuf: 111.

[7] – Sure Ali Imran: 137-141.

[8] – Sure El Haxh: 40.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.