Konotacioni i fjalës “Zekat” në Kuranin Famëlartë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fjala “Zekat” është përmendur në një sërë ajetesh në Kuranin Famëlartë, por me një kuptim më të gjerë se ai që kanë përcaktuar juristët.

Në aspektin juridik fjala “Zekat” përkufizohet me fjalët: “Dhënia e një sasie të përcaktuar nga një pasuri me sasi të përcaktuar për kategori të përcaktuara, që plotësojnë kushte të përcaktuara.”

Kurse në aspektin gjuhësor fjala “Zekat” do të thotë: “Shtim dhe pastrim”. Fjala “zekat” ka këtë kuptim sepse kur muslimani e nxjerr atë dëshiron që pasuria t’i shtohet dhe njëkohësisht edhe të pastrojë pasurinë e tij. Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë (sadaka) që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)”[1] Edhe në aspektin sheriatik fjala: “zekat” nënkupton shtim dhe pastrim.

Një domethënie tjetër kuptimplote e kësaj fjale është se ajo do të thotë mirësi dhe devotshmëri. Ajo merr edhe këtë kuptim ngase tregon për mirësinë dhe devotshmërinë e njeriut, i cili megjithëse ka shumë dëshirë që ta mbajë për vete pasurinë, ai jep nga ajo për hatër të Allahut të Madhëruar.

Arsyeja se përse “Zekati” është quajtur “Lëmoshë”:

1 – Sepse ajo është dëshmi e sinqeritetit të besimit  të njeriut. Imam Ibn Arabij El Malikij ka thënë: “Zekati është quajtur lëmoshë (sadaka) sepse ai tregon për njëtrajtshmërinë e besimit, fjalës dhe veprës.”

2 – Dikush prej dijetarëve ka thënë se fjala “zekat” quhet lëmoshë sepse tregon për sinqeritetin në adhurim.

Kuptimet e fjalës “Zekat” në Kuran:

Ai i cili studion përdorimin e fjalës “Zekat” në Kuranin Famëlartë do të dalë në përfundimin se ajo është përdorur me shumë kuptime.

1 – Është përdorur me kuptimin hallall e të ligjshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Tash, dërgoni njërin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet dhe të gjejë ushqim të pastër e të ligjshëm për t’u ngrënë..”[2]

2 – Është përdorur me kuptimin i pastër dhe i pafajshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?!”[3]

3 – Është përdorur me kuptimin të respektuar dhe të mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe dëshiruam që Zoti i tyre t’u japë në vend të tij një më të mirë se ai dhe më të afërt me respekt dhe në mëshirë (ndaj prindërve).”[4]

4 – Është përdorur me kuptimin pejgamber e profet. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai (Xhibrili) tha: Unë jam vetëm i dërguar i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”[5]

5 – Është përdorur me kuptimin adhurim. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat (të adhurojë) sa të jem gjallë.”[6]

6 – Është përdorur me kuptimin pastrim nga gjynahet. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë prej gjynaheve.”[7]

7 – Është përdorur me kuptimin e angazhimit të njeriut për të bërë punë të mira. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush angazhohet për të pastruar veten e tij, ai e ka bërë atë për të mirën e vet.”[8]

8 – Është përdorur me kuptimin e besimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Të cilët nuk e japin zekatin (nuk besojnë)  dhe mu ata që mohojnë botën tjetër.”[9]

9 – Është përdorur me kuptimin lavdërim. Allahu i Madhëruar thotë: “Pra, mos e lavdëroni veten tuaj, se Ai e di kush është më i ruajtur.”[10]

10 – Është përdorur me kuptimin pastrimin e shpirtit. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet ka shpëtuar ai që e ka pastruar veten.”[11]

11 – Është përdorur me kuptimin pendim. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe thuaji (Faraonit): A ke ndërmed të pendohesh?!”[12]

12 – Është përdorur me kuptimin juridik të saj. Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin dhe jepeni zekatin![13]

Autor: Mes’ud Sabri

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Teube: 103.

[2] – Sure Kehf: 19.

[3] – Sure Kehf: 74.

[4] – Sure Kehf: 81.

[5] – Sure Merjem: 19.

[6] – Sure Merjem: 31.

[7] – Sure Nur: 21.

[8] – Sure Fatir: 18.

[9] – Sure Fussilet: 7.

[10] – Sure Nexhm: 32.

[11] – Sure Shems: 9.

[12] – Sure Naziat: 18.

[13] – Sure Bekare: 43.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *