Kontributi i grave në shkencën e tefsirit përgjatë historisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kuranin te njeriu më i mirë në tokë, Muhamedi (a.s), duke i dhënë atij detyrën e përcjelljes së relevatës hyjnore te të tjerët. Deshi Zoti që personi i parë që i dëgjoi fjalët e Zotit dhe pranoi mesazhin hyjnor nga ymeti i Pejgamberit tonë, të jetë pikërisht një grua. Ishte ajo Hatixheja (r.a), e cila jo vetëm që e pranoi Islamin, por e përkrahu Pejgamberin (a.s), që në momentet e para, kur atë akoma nuk e kishin lëshuar ethet e nuk i kishte pushuar dridhja që e kishte pasur nga shpallja. Në ato momente, kur Pejgamberi (a.s) kishte frikë për veten e tij, ajo i tha: “Jo, për Allahun! Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë e të turpëroj ty!”[1]
Komentimi dhe interpretimi i Librit të Shenjtë ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë pasuri e thellë shkencore dhe fetare. Në këtë fushë thelbësore, ashtu si në të gjitha fushat e tjera, gratë kanë shfaqur një kontribut të jashtëzakonshëm, i cili ka pasur një ndikim të thellë në trajtimin e temave të ndryshme fetare dhe shoqërore, gjithherë duke e vënë në pah nxitjen e Islamit ndaj avancimit të gjinisë femërore dhe rolit kyç që ajo ka në çdo shoqëri. Sami Frashëri ka thënë: “Gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, është shtylla e moralit të përgjithshëm, ajo është lulishtja e njerëzimit. Ai popull që i ka gratë e edukuara, është i edukuar..”[2]
Gratë, si pjesë e shoqërisë myslimane, kanë treguar interesim në mësimin e fesë islame në përgjithësi e Kuranit në veçanti, e sidomos roli dhe kontributi i nënave të besimtarëve është i pamohueshëm. Kush lexon në fushën e tefsirit, është e pamundshme të mos ketë dëgjuar për medresenë e Aishes, e cila dha kontribut të madh edhe në shkencën e tefsirit.
Aisheja (r.a) ishte një personalitet i arsimuar dhe me njohuri të gjerë. Ajo e ka mësuar Kuranin me Pejgamberin (a.s), si dhe e ka njohur hallallin dhe haramin. Poezinë, gjenealogjinë (origjinën e familjes), dhe historinë e arabëve e ka mësuar nga babai i Ebu Bekrit (r.a), i cili ishte nga njerëzit më të ditur edhe para se ta pranonte Islamin. Ajo gjithashtu kishte njohuri të mira edhe në mjekësi. Arsimimi i saj ka filluar shumë herët dhe ka qenë konstant. Imam Dhehebiu e ka cilësuar si gruan më të ditur të ymetit. Nuk ka pasur si ajo në njohuritë e saj në fe dhe dispozitat e fesë, sepse shpeshherë ishte me Pejgamberin (a.s). Ajo e ka kuptuar se myslimania e vërtetë duhet të mësojë rregullisht, andaj ajo gjithë kohën e saj, përveç obligimeve elementare të gruas, ia kushtoi studimit të diturive të ndryshme.[3]
Si gruaja e Pejgamberit (a.s), ajo konsiderohet gjithashtu si mufesirja e parë femër në historinë islame. Kontributet e Aishes nuk kufizohen në çështjet e grave, por përfshijnë gjithashtu aspekte ligjore, sociale, politike dhe të tjera.
Pas vdekjes së Pejgamberit (a.s), rolin e interpretuesit të fjalës së Allahut (xh.sh.) e morën përsipër sahabët më të arsimuar, në pajtim me dijen dhe mundësitë e tyre. Në mesin e tyre shquhej edhe Aisheja (r.a) Shtëpia e saj u shndërrua në një shkollë, medrese, ku njerëzit, burra e gra, të mëdhenj e fëmijë, të pasur e nevojtarë, hynin e dilnin për të mësuar fenë, për ta mësuar Kuranin.
Ishte Aisheja (r.a), ajo që kur pyetej për diçka, i adresonte njerëzit në Kuran. Kur dikush e pyeti për namazin e natës të Pejgamberit (a.s) ajo ia ktheu: “A nuk e ke lexuar suren Muzemil?!”[4]
Pastaj, Aisheja i mësonte njerëzit që Kuranin të komentonin me sunet, e shembujt për këtë janë të shumtë. Shembull për këtë ishte ajeti kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe prej errësirës së natës kur ngryset plotësisht.”[5] Këtu, për një pjesë të njerëzve ishte e paqartë se çka do të thotë fjala “gaasikin idha vekab”, andaj Aisheja nuk hezitoi që këtë t’ua shpjegonte nga suneti i Pejgamberit a.s., duke thënë: “Kur Pejgamberi (a.s) e pa hënën më tha: Oj Aishe, kërko mbrojtjen e Allahut prej saj, ngase kjo është ajo që ngryset plotësisht.”
Shkaku i diturisë së saj të madhe ishte se ajo ishte njohwse edhe gjuhës arabe. Ajo komentonte Kuranin edhe në aspektin gjuhësor, apo “Tefsir el lugavij” siç njihet te mufesirët e mëvonshëm. Ka transmetime se Aisheja dhe Umu Seleme, e kanë shpjeguar fjalën “kuruu’” në ajetin: “E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tre menstruacione…”[6] me pastërti e jo cikël, edhe pse ka mendime të ndryshme të dijetarëve.
Përgjatë historisë islame ka pasur gra që janë marrë me shkencën e tefsirit, ani pse numri i burrave është dominant, prapë kontributi i grave dhe roli i tyre nuk mund të mënjanohet. E përmendëm Aishen (r.a), shkaku i vlerës si nënë e besimtarëve dhe kontributit të madh të saj, por ka pasur edhe gra të tjera që janë marrë me dituri, mësim të Kuranit e transmetime, e që kanë pasur nxënës të shumtë, ndër to janë:
Amrah bin Abdirrahman – lindi në kohën e kalifatit të Othmanit (r.a). Ka mësuar shumë tek Aisheja (r.a) dhe llogaritet bartësja e njohurive të saj, ngase është rritur në shtëpitë e nënave të besimtarëve. Kanë mësuar shumë prej saj, si Ibën Shihab ez Zuhrij, Amër ibën Dinari, Urveh ibën Zubejri etj.. Ka pasur interesim për dije, saqë Aishen e kishte pyetur edhe se si i kishte lënë gishtërinjtë Pejgamberi (a.s) në namaz, të zgjeruar apo të bërë bashkë.
Vlerën e saj e tregon edhe rasti kur Omer ibën Abdulazizi vendosi t’i tubonte transmetimet e Pejgamberit (a.s), pra t’i shkruante ato. Ai i dërgoi letër Ebu Bekër ibën Hazmit, duke i thënë që personi i parë që i thotë që t’i tubonte hadithet nga ai është Amrah bint Abdirrahmani. Kasim ibën Abdullahu i tha Ibën Shihabit: “O djalosh, po të shoh se po ke kujdes ndaj kërkimit të diturisë, a do të të tregoj për një thesar?” “Po si jo!”- i tha. “Atëherë shko e mos iu ndajë Amrës, se ajo është rritur brenda dhomës së Aishes!” – ia ktheu. Dhe njëmend kur shkoi e pa se ajo ishte një det që nuk shterej.
Kur një herë kishte ndodhur në vjedhje në Medine, kishin vendosur t’i prehej dora e vjedhësit, ani pse shuma e vjedhur ishte më e vogël sesa ajo që duhej për të realizuar dënimin. Atëherë shkojnë e pyesin Amrën dhe i thonë se po punojnë me ajetin: “Vjedhësit dhe vjedhëses preuani duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i Fuqishëm, ligjdhënës i urtë.”[7]
Amrah i thotë se ajeti është në të përgjithshmen, por duhet ditur komentin e tij dhe masën që Pejgamberi (a.s) e ka caktuar që t’i pritet dora vjedhësit dhe e sqaron situatën. Ngjarja përmendet në Muvetanë e Imam Malikut.
Nefise bint Hasan ibën Zejd ibën Hasan ibën Alij ibën Ebi Talib – ka vdekur më 208 hixhrij. Edhe kjo përmendet si gratë që ka pasur dije të jashtëzakonshme në shumë fusha e dituri islame, e posaçërisht edhe në tefsir. Emri i saj përmendet te mufesirët e shquar, andaj edhe thuhet për të: “Nga gratë që ka bërë adhurim të vazhdueshëm e punë të mira, e paarritur në asketizëm dhe devotshmëri, dijetare e madhe e tefsirit dhe e hadithit. Ka lindur në Meke, ndërsa ka jetuar në Medine. Ka kryer tridhjetë herë haxhin. E ka mësuar përmendësh tërë Kuranin dhe e ka ditur komentimin e tij.”
Në literaturë gjejmë edhe emrat e këtyre grave, si: Jasmine bint Saad (502 hixhrij), e cila përmendet në librin “El Mu’xhem el mufesirun” si dijetare, këshilluese dhe njohëse e tefsirit, pastaj gjejmë edhe Xhennan Bejkum (1070 hixhrij), vajza e Sulltanit Abdurrahim ibën Bejrum Han, ka arritur dije në shkenca të shumta që as burrat e as gratë e asaj kohe nuk kanë mundur t’i afrohen me dituri. Ka pasur edhe tefsirin e saj.
Pastaj është edhe Zejneb en Nisa, vajza e Sulltanit Muhji Din Ernek Zejb Almekrij, njëri nga mbretërit më të mëdhenj të Hindit. Ka vdekur më 1113 hixhrij. Ka qenë poete, hafëze, këshilluese dhe nga veprat e saj është edhe “Zejb et tefasir”, e që ishte përkthim i tefsirit “El Kebir” të Imam Rrazit nga gjuha arabe në atë perse. Ka mendime se ajo vetë nuk e ka përkthyer atë, por ka urdhëruar përkthimin e tij.
Pastaj kemi edhe emra të ndryshëm të dijetareve bashkëkohore, që kanë kontribuar në shkencën e tefsirit, siç janë:
Zejneb Muhamed el Gazali – babai i saj ishte nga dijetarët e mëdhenj të Universitetit të Ez’herit, kështu që ajo u rrit në një ambient fetar. Ka mësuar te shumë dijetarë, ndër ta edhe te mufesirët, si: Abdulmexhid el Libani, Alij Mahfudhi etj.. Ka lënë shkrime të shumta, libra të ndryshëm, ndër to edhe “Esmaullah el husna”, “Ejam min hajati” dhe në tefsir e ka komentimin e quajtur “Nadheraat fi kitabil-lah”, të cilin e ka kontrolluar dhe redaktuar dijetari i Ez’herit, Abdul Haj el Fermavij. Tefsiri i saj ka dy volume dhe është mjaft i bazuar te Kurtubiu dhe te të tjerët. Ndër përmbajtjet e rëndësishme në punën e saj është mbrojtja e të drejtave të grave duke i shpëtuar nga vlerat negative dhe inkurajimi i tyre që t’u përmbahen rregullave islame.
Feukije Ibrahim esh Sherbinij – është nga Egjipti. Tefsiri i saj është i pari i botuar nga Ez’heri. Tefsiri i saj quhet “Tejsir fi tefsir” dhe në të ka punuar mbi shtatë vjet dhe është në katër volume.
Fatimah Kerimaan Abdulatif Hamza – lindi më 1942 në Kajro. Pas kryerjes së fakultetit ka punuar në fushën mediatike të Ez’herit, andaj dituritë e saj i ka thelluar kur ka bashkëpunuar me dijetarët, si Imam Gazaliun, Shejh Sharavin, dr. Jusuf Kardavin etj.. Ka vepra të shkruara mjaft interesante, por ka edhe tefsirin e saj “El Lu’lu’ vel merxhan fi tefsir el Kuran” në tre volume. Ky tefsir i është botuar nga Ez’heri në vitin 2010.(22) Mufesirët si Maverdiu, Zamahsheriu, e prej më të rinjve, edhe gruaja e parë, e cila e ka shkruar tefsirin Bintu Shati, stilit të Kuranit, i kushtuan kujdes jashtëzakonisht të madh.(23)
Aisha Abdurrahman (1913–1998), e njohur si Bint esh Shati, është ndër gratë e para që ka qenë pioniere e interpretimit kuranor nga një këndvështrim femëror. Ajo aplikoi një qasje kontekstuale dhe më së shumti kritikoi interpretimet ortodokse të teksteve fetare. Ajo njihet gjithashtu si autore e librave të ndryshëm, duke përfshirë libra mbi biografitë e grave të familjeve të pejgamberëve. Libri i saj “Et Tefsir el Bayan li el Kur’an el Hakim” përbëhet nga interpretimi i shtatë kaptinave të xhuzit Amme.
Gra myslimane anekënd botës janë marrë dhe ende merren me shkencën e tefsirit, e që llogaritet ndër dijet më të çmuara, ngase është shpjegimi i fjalës së Zotit dhe prej tij nxirren të gjitha shkencat e tjera. Si përfundim, shohim se në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj feje madhështore kanë rol dhe kontribut të jashtëzakonshëm edhe gratë e këtij ymeti, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Islamit.

Autore: Anisa Hoti

Burimi: mesazhi.net

[1] – Buhariu.

[2] – “Gratw” i Sami Frashwrit, fq: 9.

[3] – “Gratw e Pejgamberit” i EsmirHaliloviq, fq: 60.

[4] – Ahmedi.

[5] – Sure Felek: 3.

[6] – Sure Bekare: 228.

[7] – Sure Maide: 38.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.