Në këtë temë, ky togëfjalës do të shpjegohet secila prej fjalëve veç e veç.
1- Kuptimi shkencor i fjalës “Asl-bazë”
Në terminologjinë e shkencave islame, për fjalën “Asl, sh. Usûl” janë formuluar disa interpretime shkencore, prej të cilave veçojmë:
a) Bazë, burim, argument. Pra, me termim “Asl” emërtohet burimi, baza apo argumenti i një çështje”. Ky është edhe termi i synuar në këtë punim. Dijetarët kanë thënë: “Asli i kësaj çështjeje është Kurani”, pra burimi i saj është Kurani. Fjalët “Usûlu`l-Fikh” kanë kuptimin “Bazat e Fikhut”, apo “Burimet bazë të Fikhut”. Kur fjala “asl” i bashkangjitet një shkence, ka kuptimin: “Baza e saj, themelet apo burimet e saj”.([1]) Tahaneviu ka thënë: “Usul janë burimet dhe bazat e diçkaje, pasi në terminologji me këtë fjalë synohet argumenti, apo burimi. Nëse fjala “Asl” i bashkangjitet një shkence, natyrshëm kuptohet si baza e asaj shkence. Fjala nuk del nga kuptimi i saj gjuhësor, pasi “Asl” konsiderohet themeli apo baza, mbi të cilën mbështetet apo ndërtohet diçka. Ndërtimi mbi bazën përfshin si gjërat konkrete, ashtu edhe gjërat logjike. Gjerat konkrete si: ndërtimi i çatisë mbi mur, apo gjëra logjike si ndërtimi i ligjit mbi burimin sheriatik. Bashkangjitja e fjalës “Usul” tek fjala “Fikh” është logjike dhe kuptohet, se ndërtimi mbi të është logjik dhe abstrakt. Usul Fikhu është baza, mbi të cilën ndërtohen dhe bazohen çështjet, pasi një shkencë nuk ka kuptim pa bazat e saj”.([2])sh. burimi për legjitimitetin e tejemumit është Kurani, burimi për legjitimitetin e fshirjes mbi meste është Suneti, etj.([3])
b) Mbizotërues. Fjala “asl” mbart kuptimin mbizotërues dhe dominues. P.sh: Kurani është burimi superior dhe mbizotërues ndaj çdo burimi tjetër. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm është: mbizotërues në ligjërim dhe ligjësim.([4])
c) Stasus quo-ja e natyrshme. Dijetarët e përdorin fjalën “asl” për të shprehur status quo-në e gjërave. P.sh: uji në origjinën e tij është i pastër. Prezumimi i pafajsisë: “Në parim njeriu është i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta. Në origjinën e tyre gjërat janë të lejuara. Status quo-ja sheriatike e muslimanit është ndershmëria dhe besnikëria e jo tradhëtia.([5])
ç) Rregull, parim themelor. Dijetarët e përdorin fjalën “asl” për të shprehur një rregull apo parim juridik. P.sh: në parim, nuk lejohet të shitet malli që nuk e zotëron, ndërsa nga ky rregull përjashtohet tregtia me parapagesë. Në parim, çdo musliman me përgjegjësi sheriatike e ka për detyrë të agjërojë në Ramazan, ndërsa i sëmuri dhe udhëtari përjashtohen nga ky rregull. ([6])
d) Baza së cilës i referohet analogjia e ligjit sheriatik (kijasi). Dijetarët e përdorin fjalën “asl” për të shprehur bazën, së cilës muxhtehidi i referohet për të bërë analogji sheriatike (kijas). P.sh: vrasja a trashëgimlënësit është bazë në procesin e analogjisë së ligjit sheriatik (kijasit), në rastin kur një person vret testamentlënësin.([7])
2- Kuptimi shkencor i fjalës “Fikh”
Si term, fjala “Fikh” ka evoluar, pasi në kohën profetike kjo fjalë ka qenë gjithëpërfshirëse për të gjithë termat fetare, qofshin çështje të besimit, të adhurimit apo dëlirësimit të shpirtit. Kjo kuptohet qartë nga fjalët e të Dërguarit të Allahut (a.s): “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë”.([8]) Pranimi në masë i Islamit nga popuj të ndryshëm solli në Umetin([9]) musliman ide të reja, prandaj u pa e arsyeshme të diferencoheshin dituritë dhe shkencat fetare, duke emërtuar shkenca të reja në përputhje me përmbajtjen e tyre. Fjala “Fikh” filloi të përdorej vetëm për shkencën që merret me anën praktike dhe të zbatueshme të fesë, pra: me “Fikh” nënkuptohet: “E drejta islame e praktikuar”. Nga një fjalë gjithëpëfshirëse, fjala “Fikh” u shndërrua në një term shkencor specifik.([10]) Fikhu është kuptimi i thellë i fesë, nëpërmjet të cilit njihen synimet e fjalëve dhe veprave.([11])
Dijetarët e medhhebit([12]) hanefi e kanë përkufizuar Fikhun me fjalët: “Shkenca që merret me njohjen e të drejtave dhe detyrimeve praktike, që muslimani ka ndaj vetes dhe të tjerëve”.([13])
Shpjegimi i përkufizimit:
– Shkenca që merret me njohjen: Fikhu është një shkencë e mirëfilltë e zbatuar dhe merret me perceptimin e detajeve të një burimi sheriatik, apo të një ligji sheriatik.
– e të drejtave dhe detyrimeve praktike: Objekti i shkencës së Fikhut janë të drejtat dhe detyrimet praktike të muslimanit dhe të jomuslimanit që ka pranuar të jetojë në shtetin islam. Nga ky përkufizim përjashtohen çështjet, që kanë të bëjnë me besimin dhe dëlirësimin e shpirtit.
– që muslimani ka ndaj vetes dhe të tjerëve: d.m.th. çfarë i lejohet dhe çfarë i ndalohet muslimanit në raport me veten dhe të tjerët. Pra këtu përfshihen të gjitha llojet e ligjeve sheriatike: farz, vaxhib, sunet, haram, mekruh, mekruh tahrimen, mubah, etj.
Dijetarët e medhhebit shafi dhe të medhhebeve të tjera e kanë përkufizuar Fikhun: “Njohja e ligjeve sheriatike praktike, të përftuara nga argumentet e shtjelluara dhe të detajizuara apo të përgjithshme”.([14]) Argumentet e shtjelluar dhe të detajizuara janë argumente specifike dhe të pjesshme. P.sh: ajeti: “Fale namazin”([15]) është argument specifik dhe i posaçëm, që ka të bëjë me dispozitën e ligjit sheriatik për faljen e namazit.
Fjalët “ligjet sheriatike praktike” kanë lidhje me veprimet e personave të ngarkuar me përgjegjësi sheriatike, si në adhurime, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore, veprime që mund të jenë: farz, vaxhib, sunet, mekruh, merkhu tahrimen, mubah, etj.([16])
Autor: Rushit Musallari
([1]) – Salah Ebul Haxh, “Sebîlu`l-Vusûli ilâ Ilmi`l-Usûl”, f. 11; Salimi, “Meâlimun fî Usûli`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 32.
([2]) – Tahaneviu, “Keshfu Istilâhâti`l-Funûn”, v. 1, f. 37, botimi i parë i Mektebe Lubnan, Bejrut, 1996;
([3]) – Nemle, “El-Muhedhdheb”, v. 1, f. 13.
([4]) –Salimi, “Meâlimun fî Usûli`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 32.
([5]) –Salimi, “Meâlimun fî Usûli`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 32.
([6]) – Salimi, “Meâlimun fî Usûli`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 32; Zejdani, “El-Vexhîz fî Usûli`l-Fikh”, f. 7-8; Muaved, “El-Vesîtu fî Usûli`l-Fikh”, v. 1, f. 6; Nemle, “El-Muhedhdheb”, v. 1, f. 13-14.
([7]) – Abdullah, “Usûlu`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 18, botimi i parë i Menshuratul Halebi el-Hukukije, Bejrut, 2014.
([8]) – Buhariu (3116); Muslimi (1037).
([9]) – Umeti musliman: Një term i përdorur për kombin, bashkësinë apo popullin musliman. Ai nuk është i ndërtuar mbi baza etnike apo raciale, por baza e tij është përkatësia në Islam. Në umetin musliman futen edhe pakicat jo muslimane, qëndrimi i të cilëve në territorin islam është sanksionuar përmes një traktati të drejtash dhe detyrimesh reciproke të nënshkruara midis tyre dhe shtetit islam.
([10]) – “El-Mevsûatu`l-Fikhijeti`l-Misrije”, v. 1, f. 10, botim i Mexhlisi`l-Ala, Kajro, 1386.
([11]) – Ebu Zehra, “Usûlu`l-Fikh”, f. 8.
([12]) – Medhheb: Shkollë apo akademi juridike islame. Më të njohurat prej tyre janë katër nga Ehlu Suneti dhe katër nga drejtimet e tjera islame: 1. Medhhebi Hanefi, themeluesi i të cilit është imam Ebu Hanife. 2. Medhhebi Maliki, themeluesi i të cilit është imam Malik ibn Enes. 3. Medhhebi Shafi, themeluesi i të cilit është imam Shafiu. 4. Medhhebi Hanbeli, themeluesi i të cilit është imam Ahmed ibn Hanbeli. 5. Medhhebi Dhahiri, themeluesi i të cilit është imam Daud Dhahiriu. 6. Medhhebi Xhaferi (Ithna asheri), themeluesi i të cilit është imam Xhafer Sadiku. 7. Medhhebi Zejdi, themeluesi i të cilit është imam Zejd ibn Aliu. 8. Medhhebi Ibadij, themeluesi i të cilit është imam Abdullah ibn Ibad Temimi.
([13]) – “Mirâtu`l-Usûl”, v. 1, f. 44; Salah Ebul Haxh, “Sebîlu`l-Vusûli ilâ Ilmi`l-Usûl”, f. 11-12.
([14]) – Sadrusheria, “Et-Tenkîhu fî Usûli`l-Fikh”, f. 78-79, botimi i parë i DKI, Bejrut, 2009; Salimi, “Meâlimun fî Usûli`l-Fikhi`l-Islâmî”, f. 33; Xhudeja, “Tejsîru Ilmi Usûli`l-Fikh”, f. 11.
([15]) – Kurani: Bekare, ajeti: 43.
([16]) – Salah Ebul Haxh, “Sebîlu`l-Vusûli ilâ Ilmi`l-Usûl”, f. 12.



















