Kur është bërë Ramazani obligim dhe sa Ramazane ka agjëruar Profeti (a.s)?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ai që vështron historinë e legjislacionit islam për obligimin e agjërimit vëren se koha e ligjërimit të tij nuk ishte e zakonshme; përkundrazi, ai erdhi në një moment vendimtar të ndërtimit të umetit islam. Agjërimi është një adhurim i vështirë, i cili ka për qëllim ta edukojë shpirtin, ta përballë atë me epshet dhe ta formësojë ndërgjegjen e myslimanit, në mënyrë që ai të bëhet i aftë për ta mbajtur amanetin dhe për ta kryer adhurimin në mënyrë sa më të përsosur.

Pyetja rreth historikut të obligimit të agjërimit dhe numrit të Ramazaneve që i ka agjëruar Pejgamberi (a.s) nuk është thjesht një luks intelektual apo një kërkim historik; përkundrazi, ajo është një hulumtim mbi metodologjinë e legjislacionit islam dhe ndjekjen e zbatimit profetik të këtij farzi.

Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit?

Ibn Kudama ka thënë: Dijetarët janë unanimë se agjërimi i Ramazanit u bë obligim në vitin e dytë pas Hixhretit; atëherë kur zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç u ishte bërë obligim atyre para jush, që të bëheni të devotshëm. Ditë të numëruara. E kush nga ju është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i plotësojë (ato ditë) më vonë. E ata që kanë mundësi (por me vështirësi) të agjërojnë, kanë detyrë shpagimin, ushqimin e një të varfri. E kush bën vullnetarisht më shumë të mirë, ajo është më e mirë për të. Por të agjëroni është më e mirë për ju, nëse e dini. Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kurani, udhëzim për njerëzit dhe argumente të qarta nga udhëzimi dhe dalluesi (mes së vërtetës dhe të pavërtetës). E kush e përjeton nga ju këtë muaj, le ta agjërojë atë; e kush është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i plotësojë (ditët) më vonë.”

Fazat e ligjërimit të agjërimit

Ibn Kajm el Xheuzije ka thënë: “Obligimi i agjërimit të Ramazanit është bërë në vitin e dytë pas Hixhretit. Fillimisht ai u bë i detyrueshëm me mundësi zgjedhjeje: ndërmjet agjërimit dhe ushqimit të një të varfri për çdo ditë. Pastaj kjo zgjedhje u shfuqizua dhe agjërimi u bë detyrim i prerë, ndërsa ushqimi mbeti për plakun e shtyrë në moshë dhe për gruan e moshuar që nuk mund ta përballojnë agjërimin; ata lejohen të mos agjërojnë dhe të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.

U lejua gjithashtu që i sëmuri dhe udhëtari të mos agjërojnë dhe ta plotësojnë më vonë, po ashtu edhe gruaja shtatzënë dhe ajo që ushqen me gji, nëse frikësohen për veten e tyre. Nëse frikësohen për fëmijën e tyre, atëherë, përveç kompensimit, shtojnë edhe ushqimin e një të varfri për çdo ditë. Sepse ndërprerja e tyre e agjërimit nuk ishte për shkak sëmundjeje, por megjithëse ishin të shëndetshme; prandaj ajo plotësohej me ushqimin e të varfrit, ashtu siç ishte ndërprerja e të shëndoshit në fillimet e Islamit.”

Agjërimi ka kaluar nëpër tri etapa:

1 – Etapa e parë: detyrimi me mundësi zgjedhjeje.

2 – Etapa e dytë: detyrimi i prerë, por në atë kohë, nëse agjëruesi flinte para se të hante, i ndalohej ushqimi dhe pija deri në natën pasuese; kjo u shfuqizua me etapën e tretë.

3 – Etapa e tretë: ajo mbi të cilën u vendos Sheriati deri në Ditën e Kiametit; ku agjërimi në muajin Ramazan është detyrim për çdo të aftë, nga agimi (fexhri) deri në perëndim të diellit.

Urtësia e gradualitetit në ligjërimin e agjërimit

U theksua më parë se agjërimi u bë obligim në tre etapa:

E para: zgjedhja mes agjërimit dhe ushqimit (me përparësi agjërimin),

E dyta: përcaktimi i agjërimit si detyrim pa zgjedhje, por nëse agjëruesi flinte para se të hante, i ndalohej ushqimi dhe pija deri në natën pasuese.

E treta: obligim për atë që është i aftë nga agimi deri në aksham.

Urtësia e Allahut e kërkoi që ligjërimi i agjërimit të vinte me këtë gradualitet, duke marrë parasysh gjendjen e njerëzve. Ibn Kudama ka thënë: “Arsyeja e këtij gradualiteti – Allahu e di më së miri – është që pranimi i tij të jetë më i lehtë.”

Ibn Kajm el Xheuzije ka thënë: “Meqë agjërimi nuk ishte i njohur dhe as i zakonshëm për ta, ndërsa natyra njerëzore e kundërshton atë – sepse ai nënkupton braktisjen e të dashurave dhe zakoneve të saj – dhe ende nuk e kishin shijuar ëmbëlsinë dhe përfundimet e lavdëruara të tij, as dobitë dhe interesat që përmban, atëherë u lanë me zgjedhje ndërmjet tij dhe ushqimit, ndërsa u nxitën drejt agjërimit.

Kur e njohën shkakun e tij – domethënë urtësinë dhe fik’hun e tij – dhe kuptuan dobitë e përfitimet që ai përmban, atëherë ai u bë detyrim i prerë dhe nuk u pranua prej tyre asgjë tjetër përveç tij. Pra, zgjedhja në kohën e vet ishte interes, dhe përcaktimi i agjërimit në kohën e vet ishte interes. Urtësia e përkryer kërkoi që çdo dispozitë të ligjërohej në kohën e saj, sepse interesi qëndronte pikërisht në atë kohë.”

Ai gjithashtu ka thënë: “Meqë shkëputja e nefsit nga zakonet dhe epshet e tyre është prej gjërave më të vështira dhe më të rënda për ta, obligimi i agjërimit u vonua deri në mes të periudhës islame pas Hixhretit, pasi nefsi u stabilizua në teuhid dhe namaz, u mësua me urdhrat e Kuranit, dhe pastaj  kaluan drejt tij në mënyrë graduale.”

Sa Ramazane i agjëroi Pejgamberi (a.s)?

Meqë agjërimi u bë obligim në vitin e dytë pas Hixhretit, i Dërguari i Allahut (a.s) ndërroi jetë pasi kishte agjëruar nëntë Ramazane; sepse ai (a.s) vdiq në muajin Rebiul-Evvel të vitit të njëmbëdhjetë pas Hixhretit.

Urtësia e kohës së obligimit të agjërimit

Agjërimi nuk u bë obligim veçse pas obligimit të namazit në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, si dhe pas obligimit të zekatit në vitin e dytë pas Hixhretit. Kështu, agjërimi erdhi si shtylla pas tyre, për shkak të domethënieve edukative që përmban kjo renditje:

Namazi edukon lidhjen e mirë me Allahun.

Zekati e pastron nefsin dhe e rregullon marrëdhënien e njeriut me të tjerët.

Agjërimi vjen për t’i disiplinuar epshet dhe për ta forcuar autoritetin e besimit në nefsin e njeriut.

Po ashtu, obligimi i agjërimit – sikurse shumica e ligjeve islame – erdhi në Medinë pas Hixhretit. Periudha mekase ishte periudhë e themelimit të besimit, e rrënjosjes së teuhidit dhe e vendosjes së bazave të vlerave imanore e morale në mendje dhe në zemra, si dhe e pastrimit të tyre nga mbeturinat e xhahilijes në besim, mendim, moral dhe sjellje.

Ndërsa pas Hixhretit, myslimanët u bënë një bashkësi me identitet të veçantë, të cilëve u drejtohej thirrja: “O ju që keni besuar!” Në atë kohë u ligjëruan farzet, u vendosën kufijtë (hududet) dhe u sqaruan dispozitat, ndër to edhe agjërimi.

Burimi: mugtama.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *