Kurani është kushtetuta jonë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani është kushtetutë unike, prandaj asnjë kushtetutë tjetër nuk mund ta rivalizojë apo ta konkurrojë atë. Asnjë shteti që zbaton ligjin islam, nuk i lejohet të zbatojë një pjesë të Kuranit dhe të neglizhojë një pjesë tjetër. Nëse vepron kështu, atëherë do ta shkundë qortimi i Allahut të Madhëruar, i Cili thotë: “Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kijametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja”.([1])

Në Islamin tonë dhe në Kuranin madhështor gjen çdo gjë, për të cilën kanë nevojë njerëzit dhe jeta mbi tokë, qofshin orientime, sisteme, ligje apo etika. Prandaj nuk ka asnjë shkak për ta refuzuar Kuranin dhe Islamin, të cilët Allahu i Madhëruar i ka përzgjedhur me dhuntinë e Tij për ne, si Libër dhe si fe.

Harithi transmeton se Ali ibn Ebi Talibi (r.a) ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Do të ketë sprova/trazira të mëdha, të cilat do të jenë si pjesa më e errët e natës”. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Si të dalim prej tyre”? Ai (a.s) tha: “Kapuni pas Librit të Allahut, i cili ju rrëfen për lajmet e popujve para jush dhe do t`ju sjellë mirësi pas jush. Ai është gjykatës mes jush dhe dallues (i të vërtetës nga e pavërteta). Ai është e vërteta. Kush nuk e zbaton Kuranin nga kokëfortësia, Allahu do ta shkatërrojë. Kush do të kërkojë udhëzim jashtë Kuranit, Allahu do ta devijojë. Kurani është litari i fortë i Allahut dhe drita e qartë e Tij. Kurani është përkujtuesi i mençur dhe rruga e drejtë. Kuranin nuk mund ta deformojnë egot, as ta vështirësojnë gjuhët dhe as ta cenojnë mendimet e askujt. Dijetarët nuk ngopen prej tij, të përkushtuarit nuk mërziten prej tij. Ai nuk vjetërohet nga leximet e vazhdueshme dhe çuditë e tij nuk mbarojnë asnjëherë. Kurani është ai libër, të cilin kur e dëgjuan xhindët, nuk u përmbajtën, por thanë: “Kemi dëgjuar një Kuran që të mahnit”.([2]) Kush flet me të, ka thënë të vërtetën, kush gjykon me të, gjykon vetëm drejt, kush punon me të, do të shpërblehet, kush fton për tek ai, orienton për në rrugën e drejtë”.([3]) I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë të vërtetën.

Ky është Libri i Allahut të Madhëruar, i cili është gjithëpërfshirës, universal, i përjetshëm, i përsosur dhe fisnik për ftesën islame dhe ftuesit, si dhe për mbarë njerëzimin.

Autor: Hasan El Benna

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Kurani: Bekare, ajeti: 85.

([2]) – Kurani: Xhin, ajeti: 1.

([3]) – Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Tirmidhiu (2906), Daramiu (3374, 3375), Ahmedi, vëll. I, f. 91, si dhe Ebu Ja`la (367). Vargu i transmetimit të Tirmidhiut është i dobët, ndërsa vargu i transmetimit të Daramiut (3375) është i pranuar.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *