Kurani i magjepsi arabët qysh në momentin e parë, pa marrë parasysh a ishin ata që Allahu ua hapi zemrat për të pranuar Islamin, apo që në zemrat e tyre vuri perde. Nëse e lëmë anash grupin e vogël në fillim të prezantimit të fesë, tek të cilët arsyeja e besimit të tyre ishte vetë personaliteti i Profetit (a.s), si bashkëshortja e tij Hatixhja, shoku i tij Ebu Bekri, djali i xhaxhait të tij Aliu, shërbëtori i tij Zejdi e të tjerë të ngjashëm me këta, do të vërejmë se Kurani është faktori vendimtar ose njëri prej faktorëve vendimtarë për pranimin e besimit të atyre që besuan në ditët e para të ftesës në Islam, në ato ditë kur Muhamedi (a.s) nuk kishte as krah, as pozitë, kurse Islami nuk kishte pushtet e as aleatë.
Tregimi për besimin e Omer Hatabit (r.a) dhe tregimi për refuzimin e Uelid ibn Mugires, janë dy shembuj nga shumë tregime për besimin dhe refuzimin. Që të dy e shfaqën këtë magjepsje kuranore e cila i përfshiu arabët qysh në momentin e parë dhe dëshmojnë për peshën e kësaj magjepseje të pakrahasueshme të cilët e konfirmojnë në të njëjtën kohë si besimtarët ashtu edhe jobesimtarët.
Njëri prej tyre është transmetimi në të cilin Omeri (r.a) ka thënë: [Kam qenë shumë larg Islamit. Në periudhën e “xhahilijes” kam qenë alkolist, e kam dashur dhe kam pirë shumë. Asokohe kishim një kuvend ku mblidheshin disa burra nga kurejshët. Unë dola që ta takoj dikënd prej tyre, por nuk gjeta askënd. Me vete thashë: Do të shkoj tek filan person që njihej si alkolist. U nisa për tek ai dhe kur mbërrita nuk e gjeta. Me vete thashë: do të shkoj në Qabe dhe do të bëj shtatë rrotullime (tavaf) rreth saj, madje edhe shtatëdhjetë rrotullime. Kur mbërrita në Qabe dhe tentova që të bëj tavaf, pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) që po falej. Ai (a.s) e kishte zakon që kur falej drejtohej me drejtim nga zona e Shamit. Midis tij dhe Shamit ishte Qabja. E përsa i përket vendit ku ai (a.s) falej ishte midis dy këndeve, atij të zi dhe atij jemenas. Kur e pashë, thashë me vete: Pasha Allahun! Sot do ishte gjë e mirë që unë ta dëgjoja Muhamedin dhe të dëgjoja se çfarë thotë. Mendova se nëse i afrohem për ta dëgjuar do të frikësohet, prandaj vendosa që të qëndroja aty ku isha. U afrova andej nga është guri i zi dhe u futa nën mbulojën e Qabes. Tashmë midis meje dhe tij qëndronte mbuloja e Qabes. Kur fillova të dëgjoj Kuran, zemra mu rrënqeth dhe sytë më rridhnin rrëke. Kjo më shtyu që ta pranoj Islamin.]
Në një transmetim tjetër thuhet se Omeri (r.a) doli nga shtëpia me tërbim duke patur në dorë shpatën dhe u drejtua për tek Profeti (a.s) i cili bashkë me shokët e tij ishte në një shtëpi në Safa. Ata ishin pothuajse 40 – të persona. Gjatë rrugës, ai u takua me Naim ibn Abdullahun, i cili e pyeti se për ku ishte nisur. E ai i tregoi se për ku ishte nisur. Sakaq ai (Naimi) kërkoi prej tij që të bënte kujdes nga Benu Abdu Menafët, sepse dhëndri i tij, Seid ibn Zejdi dhe bashkëshortja e tij Fatimja që ishte motra e Omerit (r.a) kishin braktisur fenë e të parëve. Kur Omeri (r.a) e dëgjoi këtë, ndryshoi drejtim dhe shkoi për tek ata të dy. Kur mbërriti atje, dëgjoi Hababin që po lexonte Kuran. E përplasi derën e shtëpisë, dhëndrit i dha një shuplakë të fortë, kurse motrën e rrahu keq derisa i nxorri gjak. Pasi situata u qetësua, ai mori në dorë fletushkën në të cilën ishin shkruar ajetet e para të sures Taha dhe pasi i lexoi tha: “Sa fjalë e bukur dhe bujare qenka kjo. Më pas shkoi te Profeti (a.s) dhe deklaroi Islamin.
Profeti (a.s) brohoriti me tekbir aq sa zëri i tij arriti deri te shtëpitë e shokëve të tij dhe ata e kuptuan se Omeri (r.a) e kishte pranuar Islamin.
Ka edhe transmetime të tjera – që nuk është nevoja t’i cekim – që tregojnë se Omeri (r.a) lexoi diçka nga Kurani dhe ato ishin shkak i pranimit të Islamit nga ana e tij.
Ky është tregimi për besimin e Omer ibn Hatabit, ndërsa tregimi për refuzimin e Uelid ibn Mugires është sa më poshtë:
Uelid ibn Mugire dëgjoi diçka nga Kurani dhe sikur ajetet e tij ia zbutën zemrën. Kurejshët thanë: Pasha Allahun, Uelidi ndërroi fenë, dhe po ashtu edhe të gjithë kurejshët kanë për ta ndërruar fenë. Menjëherë ata dërguan Ebu Xhehlin tek Uelidi me qëllim që ai të nxisë tek Uelidi ndjenjën e prejardhjes dhe pasurisë që kishte, e të kërkojë pastaj prej tij që ta shprehë me fjalë urrejtjen ndaj Kuranit. Uelidi tha: Çfarë të them për të? Pasha Allahun, askush prej jush nuk ka njohuri më shumë për mua se poezia dhe llojet e saj, madje edhe për poezinë që thurrin xhindet. Pasha Allahun, ajo që ai e thotë, nuk përngjan fare me poezinë, fjala e tij ka ëmbëlsi, në të ka mrekulli, nuk ka bukuri më të mirë se ajo, afër tij çdo fjalë sfumohet. Kështu që nuk ka fjalë më të lartë dhe asgjë nuk mund t’ia kalojë asaj. Ebu Xhehli tha: Njerëzit nuk do të qetësohen derisa të thuash fjalë të tjera. Uelidi tha: Më lër të mendohem. Pasi u menduar gjatë tha: Kjo nuk është gjë tjetër përveçse një magji që përcillet tek të tjerët. A nuk e keni parë se si e ndan njeriun nga fëmija dhe miqtë e tij?!
Për këtë ngjarje ka folur Kurani Fisnik duke thënë: “Ai ka paramenduar dhe ka kurdisur (fjalë kundra Kuranit). Qoftë i shkatërruar, po si e ka kurdisur. Përsëri qoftë i shkatërruar, po si i ka kurdisur. Ai sërish u thellua në mendime. Pastaj u mrrol dhe u bë i vrazhdë. Pastaj ktheu shpinën me mëndjemadhësi. E tha: Ky (Kurani) nuk është tjetër, vetëm se magji që përcillet prej të tjerëve.”[1]
Magji trashëguese e cila ndan njeriun nga familja dhe miqtë e tij. Këto janë fjalët e një njeriu që me mëndjemadhësi refuzon t’i dorëzohet Muhamedit (a.s) dhe mburret me prejardhjen, pasurinë dhe fëmijët që ka. Megjithëse këto janë fjalët të thëna nga një njeri jobesimtar, ai e lidh çështjen e besimit me magjinë që nuk mposhtet. Ky është argumenti më i fortë për “Magjepsjen e Kuranit” te arabët, më shumë se çdo fjalë e besimtarëve që e thonin.
Këtu ka një pikë të përbashkët që është ajo midis pranimit të besimit dhe refuzimit të tij. Kjo pikë e përbashkët ka të bëjë të bëjë me faktin se dy personalitete të Mekës e miratojnë me gojët e tyre se Kurani është magjepsës. Midis Omerit dhe Uelidit ekziston një distancë dhe kundërshti e madhe. Arsyeja e kësaj është se sinqeriteti është shkak që Omerit t’i hapet zemra për ta pranuar Islamin, kurse arroganca e pengon Uelidin t’i përulet të Vërtetës. E si rrjedhojë, secili prej tyre vazhdon rrugën e tij të ndarë nga njëri-tjetri, pasi janë takuar në një pikë të përbashkët, në atë se Kurani është magjepsës.
Të njëjtën peshë të këtyre dy tregimeve që flasin për magjepsjen e Kuranit janë edhe fjalët e disa jobesimtarëve, të cilat Kurani na i tregon kur thotë: “Ata që nuk besuan thanë: Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe kur (të lexohet) bëni zhurmë që të ndërpreni leximin e tij.”[2] Ky citat dëshmon qartë frikën që i kishte kapluar ata dhe ithtarët e tyre nga impakti që kishte Kurani. Ata e shihnin me sytë e tyre se si ithtarët e tyre magjepseshin në mëngjes dhe mbrëmje nga ndikimi i një apo dy ajeteve, një apo dy sureve të cilat i lexonte Muhamedi apo ndonjëri prej pasuesve të tij.
Ata reaguan ndaj Kuranit duke e mohuar atë, me forcë. Në lidhje me këtë Kurani thonë: “Ata thonë: Këto janë legjenda të popujve të lashtë, të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.”[3] Ata gjithashtu thanë: “Ne i kemi dëgjuar, po të duam, po të duam, edhe ne do të thoshim diçka të ngjashme. Këto nuk janë kurrgjë, përveçse legjenda të të lashtëve.”[4] Pastaj thanë: “Këto janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai i ka trilluar ato. Madje ai është poet.”[5] Mirëpo Kurani i sfidoi duke thënë: “Sillni dhjetë sure të ngjashme, ashtu të trilluara (siç ju pretendoni)!”[6] Nëse nuk mundeni: “Atëherë sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.”[7] Mirëpo ata nuk sollën dhjetë sure, madje edhe asnjë të vetme. E vërteta është se ata as që u përpoqën me e bë një gjë të tillë, përveç disa personave që u përpoqën pas vdekjes së Profetit (a.s)
Ndoshta me vend do të ishte që në këtë kontekst të vëmë theksin tek disa ilustrime, të cilat janë cekur në Kuran për shkak të ndikimit të tij tek ata persona që ju ishte dhënë dituria më parë, nëpërmjet librave qiellorë, zemrat e të cilëve u tërhoqën prej tij.
Allahu i Madhëruar thotë: “Me siguri do të vëresh se armiqtë më ashpër të besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët dhe se miqtë më të afërt të tyre janë ata që thonë: Ne jemi të krishterë. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë pas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj të vërtetës. Kur e dëgjojnë për atë që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të vërtetës që kuptuan. Ata thonë: O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu.”[8]
Ky është një shembull prej shembujve të ndikimit emocional gjatë dëgjimit të Kuranit, prandaj edhe sytë e tyre mbushen me lotë prej të vërtetës që e kuptuan. Nuk ka dyshim se metodologjia e cila përdoret për ta prezantuar këtë të vërtetë, ka impakt të fuqishëm. Një fakt të tillë e fakton ajeti tjetër kuranor: “Atyre që u është dhënë dijenia para (shpalljes së) tij, bien në sexhde me fytyrat përtokë, kur ai lexohet. Dhe thonë: Qoftë i lavdëruar Zoti ynë! Me të vërtetë, premtimi i Zotit është plotësuar. Ata bien me fytyrë përtokë, duke qarë dhe ai (leximi i Kuranit) ua rrit përuljen.”[9] Apo ajeti tjetër kuranor: “Allahu ka shpallur fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre, e mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu.”[10]
Ky pra është ndikimi i cili ngacmon ndjenjat, emocionet dhe si rrjedhojë të shpërthejnë lotët. Atë (Kuranin) e dëgjojnë ata që janë të gatshëm për të pranuar besimin, ndaj edhe rendnin drejt tij duke qenë të përulur. Po ashtu atë e dëgjojnë edhe ata të cilët mahniten prej tij, por që nuk e pranojnë. Prandaj edhe thonë: “Kjo nuk është vetëm se një magji e qartë”[11] Në këtë mënyrë ata vetëm miratojnë mrekullinë e pamposhtur dhe triumfuese me apo pa vetëdije.
Sejjid Kutbi
[1] – Sure Mudethir: 18-24.
[2] – Sure Fusilet: 26.
[3] – Sure Furkan: 5.
[4] – Sure Enfal: 31.
[5] – Sure Enbija: 5.
[6] – Sure Hud: 13.
[7] – Sure Junus: 38.
[8] – Sure Maide: 82-83.
[9] – Sure Isra: 107-109.
[10] – Sure Zumer: 23.
[11] – Sure Hud: 7.