Kuranijunët

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani është libri i Allahut, udhërrëfyes i njerëzve në rrugë të drejtë, të cilin ia shpalli Profetit Muhamed (a.s). Në Kuran, disa çështje janë shpjeguar me detaje kurse shumë të tjera janë të shpjeguara në mënyrë konçize. Allahu i Madhëruar e ka dërguar Profetin Muhamed (a.s) për të sqaruar me detaje atë që është thënë në mënyrë konçize. Allahu i Madhëruar thotë: “Ty (o Muhamed) të zbritën (Përkujtesën), me qëllim që t’u shpjegosh atë që u është shpallur me shpresë se do të mendojnë.”[1] Duke qenë se Kurani ka nevojë të shpjegohet dhe ai që e shpjegon është Profeti (a.s) atëherë padyshim se Suneti i Profetit (a.s) është shpallje nga Allahu e transmetuar nëpërmjet fjalëve, veprave dhe miratimeve të Profetit (a.s). Kështu që Kurani dhe Suneti rrjedhin nga një burim: revelata hyjnore. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.”[2]

Qysh kur Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin Muhamed (a.s) në mesin e njerëzve, ata (njerëzit) shpallën armiqësinë e tyre ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Disa prej tyre e shpallën armiqësinë e tyre haptazi, si idhujtarët, hebrenjtë, të krishterët, mosbesimtarët apo si ateistët, laikët e shumë të tjerë në epokën tonë. Dhe një kategori tjetër nuk e shfaqi armiqësinë e tyre haptazi. Ata veshën rrobën e Islamit kurse në zemër fshehën mosbesimin dhe urrejtjen për fenë e Allahut, për Profetin dhe për muslimanët, siç është rasti i munafikëve. Roli i të dytëve ka qenë dhe është më i rrezikshëm se i të parëve, sepse nëse të parët e shfaqin armiqësinë e tyre haptazi, të dytët ta ngulin thikën prapa shpinës. Historia islame dëshmon akuzat dhe shpifjet e shumta që munafikët hodhën kundrejt Profetit (a.s) dhe muslimanëve. Ky lum akuzash dhe shpifjesh ndodh edhe në ditët e sotme nga ata njerëz të cilët emërtohen si “Kuranijunët” që besojnë se Kurani është i vetmi burim sheriatik dhe hedhin një sërë akuzash dhe shpifjesh ndaj Sunetit të Profetit (a.s).

Zanafilla e “Kuranijunëve”

Profesor Hadim Husejn Ilahi Bahshi thotë: [Thirrja për t’u mbështetur vetëm tek Kurani dhe jo tek Suneti i Profetit (a.s) në legjislacionin islam zë fill në Indi në fund të shekullit të XIX, si rezultat i përhapjes së ideve të anëtarëve të Lëvizjes së Sejjid Ahmed Khanit. Megjithatë kjo ide filloi të përhapej më shumë në provincën e Punjabit në qendër të Indisë së bashkuar. Sa fat i keq për këtë provincë në të cilën janë shfaqur dy lëvizje me qëllim për të shkatërruar Islamin: Kadjanitë dhe Kuranijunët.

Në vitin 1900, në këtë provincë u shfaq Gulam Ahmed Kadjani, i cili pretendoi profetësinë. Dhe dy vjet më pas, në 1902 filloi aktivitetin e tij shkatërrimtar për të mohuar të gjithë Sunetin e Profetit (a.s), Gulam Nebij i njohur si Abdullah Xhekraleuij, themeluesi i lëvizjes së “Kuranijunëve”. Si rezidencë të kësaj lëvizje ai mori xhaminë Xhejnijan Vali në Lahor. Nuk duhet të lëmë pa përmendur këtu edhe sprovën (fitnen) e madhe të Ahmed Rida Berijlit e cila pothuajse përfshiu të gjithë Indinë në atë kohë.

Iniciatorët e lëvizjes së “Kuranijunëve” janë dy persona: Muhibul Hak Adhim Abadi në Bihar, në lindje të Indisë dhe Abdullah Xhekraleuij në Lahor. Ata e filluan lëvizjen e tyre në të njëjtën kohë nga i njëjti burim, veçse i pari nuk i ka kundërshtuar muslimanët në veprimet e dukshme. Përkundrazi ai vepronte njëlloj sikur një musliman duke u bazuar tek Kurani dhe jo Suneti. Megjithatë askush nuk i kushtoi atij ndonjë rëndësi. Prej kundërshtive të tij të qarta dhe të hapura është duaja e bërë: “O Zot! Fshije idhujtarinë e besimit në botën e Berzehut, ashtu sikur i ke fshirë të gjithë idhujt nga Qabja.” Një kundërshtim tjetër i tij ishte se ai mohonte pozicionin e imamit (udhëheqësit të shtetit) në islam, sepse një gjë e tillë nuk është përmendur në Kuran..

Kurse përsa i përsa përket Abdullahut ai doli kundra muslimanëve qysh në momentin e parë. Gjëja e parë me të cilën filloi, ishte se ai kishte kundërshtime me muslimanët në çështjet e shtyllës së dytë të islamit, për të përfunduar me themelimin e një sekti të ri, të cilin e quajti: “Ehludh Dhikri uel Kurani”[3] Sa më shumë kohë që të kalonte, aq më shumë zgjeroheshin kundërshtitë midis “Kuranijunëve” dhe muslimanëve. Kjo ishte rruga të cilën ndoqi Abdullahu për të vendosur rregullat bazë të sektit të “Kuranijunëve” duke marrë për bazë vetëm Librin e Allahut.

Duke studiuar rrethanat në të cilat është themeluar lëvizja e “Kuranijunëve” me bindje themi se ka një sërë shkaqesh, ku ndër më kryesoret mund të veçojmë:

1 – Të gjitha burimet të cilat kanë hulumtuar rreth themelimit të “Kuranijunëve” kanë rënë dakord se ata janë fryti natyral i farës që mbollën anëtarët e lëvizjes së Sejjid Ahmed Khanit…

2 – Kolonializmi me metodat e ndryshme:

a – Menjëherë pas dështimit të kryengritjes për liri në 1857, muslimanët u goditën me një amulli kulturore dhe sociale duke ngelur në vend numëro (prapambetje) me shtetet e tjera fqinje në sferën kulturore dhe politike. Këtë gjendje e shfrytëzuan autoritet britanike, të cilët me qëllim dashakeqës, patën si synim prishjen e imazhit të muslimanëve. Autoritetet britanike i angazhuan muslimanët që t’i kundërviheshin njëri-tjetrit duke bërë që të harronin akuzat që herë pas herë hidheshin kundrejt britanikëve, të cilët bënin shumë abuzime në lidhje me ndërtimin infrastrukturës së vendit. Ato i shtynë muslimanët drejt injorancës në lidhje me shkencat fetare dhe moderne, ç’ka prodhoi humbjen e njohurive të sakta në mesin e muslimanëve.

b – Shteti kolonialist motivoi të gjithë ata të cilët i shtrinë atij dorën e bashkëpunimit si e si që qëndrimi i tij në Indi të kishte jetëgjatësi. Ai u ofroi atyre ide, propozime, para e dekorata të tillë njerëzve, në krye të të cilëve ishte Sejjdi Ahmed Khan.

c – Shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë investoi në formimin e disa individëve muslimanë, duke i brymosur me idetë e tij, qoftë edhe në kurriz të fesë. Në krye të këtyre ishin Gulam Ahmed El Kadjani, Abdullah Xhekraleuij dhe ndjekësit e tyre.

d – Përça dhe sundo ka qenë motoja e e politikës britanike për të shpërqendruar të shtypurit. Për të realizuar këtë moto të fëlliqtë, qeveria, nëpërmjet agjentëve të saj që u hoqën si muslimanë, u përpoq që të fuste disa besime, ide e rryma jo islame brenda islamit. Kjo gjë solli prishjen e unitetit në mesin e muslimanëve.

3 – Disa grupacione të muslimanëve ishin joshur par teorive shkencore të cilat ishin përhapur në Evropë  në fillim të shekullit të XX. Ata u përpoqën që t’i jepnin shpjegim të Vërtetave Islame nën dritën e këtyre teorive për të bërë përputhjen midis tyre dhe Islamit. Në krye të kësaj lëvizjeje ishin ndjekësit e Sejjid Ahmed Khanit. Më pas rrugën e tyre e ndoqën “Kuranijunët” të cilët u përpoqën të gjenin lidhjen shpirtërore midis dy grupeve.

4 – Ndoshta shkaku kryesor i themelimit të lëvizjes së “Kuranijunëve” në mesin e muslimanëve ishte ndjesia e tyre për domosdoshmërinë e unitetit të safit të muslimanëve, për të shpëtuar njëherë e mirë nga shkollat jurikike; Hanefitë, Hanbelitë, Shafi’itë.. dhe për t’i bashkuar muslimanët në një flamur. Mirëpo ata devijuan nga rruga e drejtë për shkak të injorancës së tyre karshi Islamit dhe themeleve të Sunetit. E shteti bëri punën e tij duke i nxitur ata që të përhapnin këtë rrymë ideologjike shkatërruese.

Këto janë disa prej shkaqeve kryesore të shfaqjes së “Kuranijunëve” në mesin e muslimanëve.][4]

Statusi i Sunetit të Profetit (a.s) në sheriatin islam:

Suneti i Profetit (a.s) është burimi i dytë i sheriatit islam. Kjo është një realitet që nuk e kundërshton askush tjetër përveç atyre njerëzve të cilët e urrejnë Islamin dhe muslimanët.

Të gjithë dijetarët kanë rënë dakord se Kurani është burimi i parë i sheriatit islam dhe Suneti i Profetit (a.s) është burimi i dytë i tij. Duke qenë se “Kuranijunët” e hedhin poshtë faktin se Suneti i Profetit (a.s) është burimi i dytë i sheriatit islam, atëherë sa më poshtë po përmend një sërë ajetesh kuranore, disa prej të cilave dëshmojnë se Suneti i Profetit (a.s) është shpallje nga Zoti dhe disa të tjera, të cilat na urdhërojnë që t’i bindemi dhe t’i nënshtrohemi urdhërave të tij:

A – Ajetet kuranore që dëshmojnë se Suneti i Profetit (a.s) është shpallje nga Zoti:

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.”[5]

Ky ajet kuranor tregon shumë qartë dhe vjen në formë të prerë se Profeti (a.s) nuk vjen me asgjë nga vetja e tij dhe se çdo gjë që ai e flet në fushën e legjislacionit është shpallje nga Zoti, qoftë prej Kuranit apo Sunetit.

2 – Allahu i Madhëruar thotë: “Është e vërtetë se Allahu iu dha dhuratë të madhe besimtarëve, ku ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar, që atyre t’ju lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kuranin dhe Urtësinë edhe pse më parë ata ishin  krejtësisht të humbur.”[6]

Ky ajet kuranor flet shumë qartë se Allahu u dha besimtarëve një dhuratë të madhe: Kuranin dhe Urtësinë. Dijetarët kanë thënë se fjala e Allahut “Urtësinë” nënkupton Sunetin e Profetit (a.s). Është e papranueshme që me fjalën “Urtësinë” të nënkuptohet Kurani, sepse fjala që vjen pas lidhëses “ue” që në shqip përkthehet “dhe” nënkupton mospërputhje në kuptim me fjalën që ka përpara. Kjo do të thotë se nga ky ajet është e papranueshme që ne të themi se Allahu u dha besimtarëve: Kuranin dhe Urtësinë (Kuranin), sepse rregullat e gjuhës arabe nuk e lejojnë një gjë të tillë. Kështu që domosdoshëmërisht fjala “Urtësi”nënkupton diçka tjetër përveç Kuranit. E që në rastin konkret është Suneti i Profetit (a.s).

3 – Allahu i Madhëruar thotë:“Sikur të trillonte ai (Muhamedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, e pastaj do t’ia këpusnim atij arterien e zemrës, e askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.”[7]

Këto ajete kuranore tregojnë shumë qartë se atë gjë që Profeti (a.s) e flet rreth fesë nuk e flet përveçse me shpallje nga Allahu. Po kështu edhe atë që e vepron. E nëse Profeti (a.s) flet apo vepron diçka kundër asaj që i shpallet, Allahu do e shkatërrojë  atë dhe askush nuk ka mundësi ta ndalë ndëshkimin e Allahut ndaj tij.

4 – Allahu i Madhëruar thotë: “Që pranojnë të Dërguarin, Pejgamberin që nuk shkruan dhe nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar tek ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo gjë e keqe, ju lejon ushqimet e këndshme dhe ju ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta.”[8]

Ky ajet kuranor flet qartë se Profeti (a.s) urdhëron për mirë, ndalon të keqen, lejon atë që është për t’u lejuar dhe ndalon atë që është për t’u ndaluar. Vlen të theksojmë se kontektsi kuranor është i papërcaktuar, prandaj prej atij nënkuptohet Kurani dhe Suneti.

5 – Allahu i Madhëruar thotë: “Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndalon Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve iu është dhënë libri, derisa të japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur.”[9]

Ky ajet kuranor flet qartë se kush ka të drejtë të ndalojë: Allahu ka të drejtë të ndalojë dhe po ashtu edhe Profeti (a.s) ka të drejtë të ndalojë. Kjo tregon qartë se atë gjë të cilën Profeti (a.s) e ndalon nëpërmjet fjalëve të tij (Sunetit) është shpallje nga Allahu.

B – Ajetet kuranore të cilat na urdhërojnë që t’i bindemi urdhërave të Profetit (a.s):

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i kemi dërguar të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre.”[10]

Ky ajet kuranor flet shumë qartë se qëllimi përse Allahu i Madhëruar i ka dërguar profetët është që njerëzit t’i binden fjalëve dhe urdhërave të tyre. E gjitha kjo ndodh me lejen që Allahu i Madhëruar u ka dhënë profetëve. Padyshim që në këtë kontekst nëkuptohet bindja ndaj fjalëve dhe urdhërave të Profetit Muhamed (a.s), sepse ai është i fundit i tyre.

2 – Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër.”[11]

Ky ajet kuranor i urdhëron besimtarët që të marrin prej Profetit Muhamed (a.s), qoftë nga ato që thotë Kurani apo Suneti i tij. Po ashtu i urdhëron ata që të heqin dorë nga gjërat që Profeti (a.s) i ka ndaluar. Ajeti përfundon me tone kërcënuese për atë që nuk i bindet Profetit (a.s).

3 – Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe mos i çoni dëm veprat tuaja.”[12]

Ky ajet kuranor flet qartë se besimtarët duhet t’i binden fjalëve të Allahut në Kuran dhe fjalëve të Profetit (a.s) në Sunetin e tij.

4 – Allahu i Madhëruar thotë: “Falni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut.”[13]

Edhe ky ajet si ai i lartëpërmenduri flet se besimtarët duhet t’i binden urdhrërave të Profetit (a.s), por ndryshe nga ajeti i mëparshëm në këtë ajet kuranor nuk përmendet shprehja “Bindjuni Allahut” megjithëse nënkuptohet nga konteksti. Pra ai e cili e fal namazin dhe e jep zeqatin i është bindur urdhërit të Allahut.

5 – Allahu i Madhëruar thotë: “Jo për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të marrin ty për gjygjtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”[14]

Ky ajet kuranor flet qartë se ata të cilët nuk e marrin për bazë gjykimin e Profetit (a.s) në ato çështje kur palët nuk pajtohen, të tillë njerëz nuk konsiderohen besimtarë të vërtetë. E nuk ka dyshim se pjesë e gjykimit janë fjalët, porositë, urdhëresat dhe ndalesat e thëna nga Profeti (a.s).

Në Kuran gjenden edhe plot ajete të tjera të cilat vërtetojnë se Suneti i Profetit (a.s) është burim i sheriatit islam. Por në këtë studim, unë do të mjaftohem vetëm me kaq, sepse parashtrimi i këtyre argumenteve nga Kurani është shumë i qartë dhe nuk i kundërshton këto argumente vetëm se ai njeri i cili është i prishur në akide (besim).

Vërejtje: Argumente të tjera që vërtetojnë se Suneti i Profetit (a.s) është burim i dytë i sheriatit janë hadithet e Profetit (a.s), Konsesusi (ixhma) i gjithë dijetarëve të Umetit musliman dhe argumentet logjike. Mirëpo duke qenë se “Kuranijunët” nuk i besojnë këto argumente, jam mjaftuar duke përmendur vetëm ajetet kuranore, të cilat ata i pranojnë si argument.

Autor: Elton Harxhi.

 

[1] – Sure Nahl: 44.

[2] – Sure Nexhm: 3-4.

[3] – Që në shqip përkthehet: “Ithtarët e dhikrit dhe kuranit.”

[4] -“El Kuranijune ue shubuhatuhum haueles Sunneti” i profesor Hadim Husejn Ilahi Bahshit, fq: 17-24, me përshtatje.

[5] – Sure Nexhm: 3-4.

[6] – Sure Ali Imran: 164.

[7] – Sure Hakka: 44 – 47.

[8] – Sure A’araf: 157.

[9] – Sure Teube: 29.

[10] – Sure Nisa: 64.

[11] – Sure Hashr: 7.

[12] – Sure Muhamed: 33.

[13] – Sure Nur: 56.

[14] – Sure Nisa: 65.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.