“Ligji është arsyeja, e liruar nga pasioni.” – Aristoteli
Jurisprudenca nuk është vetëm kujtesa e vendimeve të së shkuarës, por edhe kërkimi i një rendi më të drejtë në të ardhmen. Pra drejtësia është dhe mbetet në frymën e çdo ligji dhe kushtetute njerëzore. Ligji ka vlerë vetëm brenda shtetit etik (Rechtsstaat). Hegeli e quante shtetin “realitetin e idesë morale”, pra vendin ku liria merr formë të plotë përmes institucioneve ligjore. Pra, ligji nuk mund të sundohet nga disa pasione njerëzore, por nga frzma e moralit dhe e drejtësisë.
Në 37 faqe të projektligjit për barazinë gjinore, 21 herë përmendet termi përkatësi e shumëfishtë gjinore dhe 463 herë përmendet termi gjini dhe lakimet e tij të ndryshme sipas rastit, e vënë kjo edhe në korelacion me togfjalëshin barazi gjinore apo pabarazi gjinore, të cilin mund ta gjesh në çdo faqe të tij me një frekuencë të frikshme. Brenda këtij drafti kemi edhe togfjalëshit shprehje gjinore e identitet gjinor, të cilat të para në të gjithë kontekstin e shprehjes së këtij ligji në mënyrë implicite së bashku me togfjalëshin orientim seksual të çojnë drejt shumësisë gjinore. Pra nuk kemi vetëm dy gjinitë klasike mashkull e femër, por kemi edhe gjini të nënkuptuara nga ky ligj të bazuara në orientimin seksual njerëzor, e cila nuk përbën ndonjë të re, pavarësisht se nga mbrojtësit e këtij drafti projektligji po na paraqiten rrethanat e reja të krijuara, të cilat ne duhet t’i përshtatemi edhe legjislacionit që na kërkon Bashkimi Evropian.
“Gjini”, sipas këtij ligji ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore. Ky përkufizim zëvendëson qëllimisht konceptin objektiv të seksit biologjik me konceptin thellësisht subjektiv të identitetit gjinor. Ai e ngre një ndjenjë të brendshme (“identitet”) dhe performancën e jashtme të saj (“shprehje”) në statusin e një kategorie të mbrojtur ligjërisht, duke e barazuar atë me seksin. Pra, krahas dikotomisë objektive mashkull femër pranëvendos edhe orientimin seksual ose më mirë me thënë shprehjen subjektive njerëzore të qejfeve dhe orekseve seksuale, gjëra të cilat nuk është se ju ka munguar liria e shprehjes jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin tonë të trazuar nga problemet e ndryshme.
Një tjetër problematikë nga pikëpamja kuptimore është termi “Përkatësi e shumëfishtë”, i cili përkufizohet si: ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të tjera si mosha, aftësia e kufizuar, prejardhja e imigrantëve, etnia, orientimi seksual ose prejardhja socio-ekonomike. Ky përkufizim në mënyrë eksplicite ngatërron bazat e dallueshme ligjore të seksit/gjinisë dhe orientimit seksual.
Po të hysh më thellë në kategoritë e mësipërme bazuar në moshën, aftësitë e kufizuara, të qenit emigrant apo edhe etnitë, sipas secilës prej tyre dhe nivelit të tyre ndryshojnë orientimet seksuale dhe qejfet njerëzore. Orientimi seksual vjen si pasojë e këtyre kategorive socio-biologjike dhe nuk mund të vendoset, si themel kryesor qysh në emërtimin e këtij projektligji përmes përkufizimesh të dyshimta sociologjike.
Shprehja e lirë e orientimit seksual nuk duket të mungojë në Republikën e Shqipërisë edhe për shkak të disa institucioneve, të cilat e mbrojnë atë dhe i kanë dhënë ndihmën konkrete qysh prej disa vitesh (Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi). Pasoja e drejtpërdrejtë juridike e këtij përkufizimi të gjinisë sipas këtij drafti është krijimi i një të drejte të bazuar në vetëdeklarim, e cila është e paverifikueshme përmes kritereve objektive. Ndërkohë që burokracia shtetërore kërkon një seri dokumentesh ligjore të vulosura nga institucione të ndryshme për të vërtetuar statusin e individit, ky ligj i bazuar në parimin e mosdiskriminimit i jep të drejtën një shtrese të caktuar njerëzish, të cilët nuk kanë ndonjë peshë statistikore të vetëdeklarojnë gjininë e tyre të supozuar dhe të marrin shërbime, që të tjerët duhet të vuajnë që të prodhojnë minimalisht tre deri në katër dokumente të vulosura ligjërisht.
Me një vetëdeklarim mund të hedhësh poshtë fjala vjen statusin e jetimit, të qenit rom apo egjiptian apo çdolloj minoriteti tjetër në favor të një minoriteti të vetëm, atij seksual. Këtu kemi një diskriminim negativ, që hedh poshtë me vite punë të legjislatorit dhe të legjislacionit shqiptar të krijuar në këto 34 vite. Mund të themi që ky projektligj nuk i vlen aspak shqiptarëve dhe nxit pabarazinë ligjore, duke cenuar themelet e së drejtës dhe të një shumice e cila po diskriminohet përmes një fryme, e cila nuk i përket të drejtës zakonore vendase dhe as traditës së mirë juridike të krijuar në këto 34 vite demokraci.
Autor: Roald Hysa