Ligji i fluturës na mëson tre rregulla të edukimit të suksesshëm

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të shumtë janë ata prindër, të cilët ankohen se fëmijët nuk i dëgjojnë apo i refuzojnë këshillat, vlerat dhe parimet e besimit e të moralit, të cilat prindërit dëshirojnë t’i ngulisin tek fëmijët e tyre. Nëse dëshirojmë që t’i japim zgjidhje këtij fenomeni, është e nevojshme për ne që të njohim “ligjin e fluturës” që është mjaft edukativ. Nëse arrijmë të vëmë në zbatim “ligjin e fluturës” në tre rregulla që vetë flutura i vepron për të vazhduar jetën normalisht, atëherë ne do të ngulisnim tek fëmijët vlerat dhe parimet e kërkuara dhe ata do t’i përgjigjeshin këshillave dhe porosive tona.

“Ligji i fluturës” bazohet në faktin se flutura – në brendi – ka një busull orientimi përmes të cilës përcakton me saktësi drejtimin e duhur. Flutura vazhdimisht përplas krahët me qëllim që të qëndrojë në ajër dhe të fluturojë. Kurse përsa i përket shpendëve, ato qëndrojnë në qiell pa qenë nevoja që të përplasin krahët e tyre vazhdimisht. Kështu që gjatë fluturimit, ne nuk shohim as edhe një flutur të vetme që të mos i përplasë krahët. Ky është sekreti i vazhdimsisë së qëndrimit dhe fluturimit të saj. Dhe jo vetëm kaq, por kur flutura përplas krahët ajo ka një ndikim pozitik tek ambjenti ku fluturon. E një grumbull fluturash ndikojnë tek ambienti ku fluturojnë megjithëse ndikimi i një future është i vogël. Gjithashtu një flutur e bukur me ngjyrat e saj të larmishme të kënaq syrin. Prandaj edhe njerëzit i shëmbëllejnë vajzat e tyre me fluturën.

Përsa i përket “ligjit të fluturës” në aspektin edukativ, si fillim themi se edukimi i një individi nuk ka sukses pa busullën e orientimit apo vendosjen e një plan-programi edukativ. Ashtu sikur flutura ka një busull që e orienton për nga drejtimi i duhur, po ashtu çdo lloj edukimi pa busull orientimi apo e paplanifikuar konsiderohet edukim kuturu dhe kaotik që prodhon fëmijë të papjekur dhe të paekuilibruar. Së dyti: Përsëritja. Shkaku kryesor i fluturimit të fluturës është përsëritja apo përplasja e krahëve vazhdimisht. Përsëritja është parimi bazë i edukimit dhe arsimit. Prindërit mendojnë se fëmija do t’i përgjigjet thirrjes së tyre qysh me herën e parë. Në përgjithësi një gjë e tillë është e vështirë që të ndodhë qysh me herën e parë. Përsëritja është një mjet edukativ që shërben për të ngulitur një informacion tek fëmija. Ashtu sikurse është një metodë e thjeshtë dhe efikase.

Ka dy forma të përsëritjes, të cilat ne duhet t’i kemi parasysh gjatë procesit të edukimit: edukimi në largësi dhe edukimi në afërsi. Me edukim në largësi kam për qëllim që ne ta përsërisim këshillën me intervale kohore të largëta, si për shembull herë pas here ta këshillojmë fëmijën për të bërë durim, por në intervale kohore të largëta edhe nëse do të na duhen vite për këtë lloj edukimi. Kurse me edukim të afërt kam për qëllim që të njëjtën këshillë ta përsërisim disa herë në ditë. Në varësi të reagimit të fëmijës ne duhet të përcaktojmë se cilën formë të edukimit duhet të përdorim. Megjithëse në shumicën e rasteve fëmija ka nevojë për të dyja këto forma të edukimit, sepse edukimi është një proces akumulativ.

Metoda e përsëritjes -në procesin e edukimit dhe pastrimit të shpirtit- është përdorur në KuraninFisnik . Në disa raste vërejmë se një ajet përsëritet disa herë siç është rasti i ajetit kuranor në suren Murselat : “Atë ditë është mjerim i madh për ata që përgënjeshtruan” i cili është përmendur 10 herë, apo ajeti kuranor në suren Rahman: “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?” i cili është përmendur 31 herë. Në disa raste të tjera vërejmë se një koncept apo një histori përsëritet. Sa herë që në Kuran lexojmë që një ajet, koncept, apo histori përsëritet atëherë nga përsëritja përftohet një koncept i ri. Madje edhe ibadetet si ezani, namazi, leximi i Fatihasë përsëriten disa herë në ditë. Gjithashtu Profeti (a.s) e ka pasë zakon që kur e thonte një fjalë e përsëriste atë tre herë me qëllim që njerëzit ta kuptonin sa më mirë atë ç’ka ai dëshironte të thonte. Tregohet se imam Ahmedi kur i drejtonte ndonjë pyetje mësuesit të tij, Ibrahimit, ai i përgjigjej. E kur mësuesi vërente nga mimika e imam Ahmedit se nuk e kishte kuptuar përgjigjen, atëherë ai e përsëriste përgjigjen disa herë derisa ai ta kuptonte.

Në një proverb arab thuhet: “Përsëritja e gjërave rrit zgjuarsinë” Madje edhe poeti i shquar arab, El Mutenebi ka përsëritur të njëjtën fjalë në vargjet e tij si në rastin e  mëposhtëm:

Sa injorant është ai ndaj meje

Teksa ai është injorant për injorancën e vet

Ai është injorant ndaj dijes time

E ai është injorant ndaj meje.

Kështu pra, unë habitem me disa prindër të cilët nervozohen kur fëmijët nuk i dëgjojnë këshillat e tyre. Nervozizmi gjatë procesit të rrënjosjes së parimeve dhe vlerave nuk vlen. Ajo që vlen gjatë këtij procesi është “ligji i fluturës” me tre rregullat e artë: Rregulli i parë: Përsëritja e gjërave, rregulli i dytë: busulla e orientimit dhe rregulli i tretë: edukimi të bëhet me elegancë dhe art, ashtu sikurse ndodh me fluturën.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.