Namazi është detyrë (Farz). Kjo detyrë bazohet në Kuran, në Sunet dhe në Ixhma. Namazi është nga çështjet, që duhen ditur domosdoshmërisht nga të gjithë muslimanët.
Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin…”[1], si dhe: “Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin…”[2]
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit për atë që ka mundësi”[3]
Të gjithë dijetarët dhe muslimanët e thjeshtë janë të mendimit, se falja e pesë namazeve është Farz.
Gjykimi për atë që nuk fal namazin
Namazi është adhurimi më madhështor pas Shehadetit. Nëse një person pohon me vetëdije, se namazi nuk është detyrë apo e mohon me vetëdije namazin, ai është jobesimtar. Këtij personi as nuk i falet namazi i xhenazes dhe as nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Nëse një person nuk e fal namazin, por nuk e mohon si detyrë, ai është mëkatar i madh dhe do të jetë nga banorët e Xhehenemit, mirëpo nuk do të jetë i përhershëm në Xhehenem. Ai është nën vullnetin dhe dëshirën e Allahut të Madhëruar. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të Islamit, si: Ebu Hanife, Shafiu dhe Maliku. Ky mendim bazohet në ajete dhe hadithe. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut, ka bërë gjynah të tmerrshëm”[4]
Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka pjesë (vend) në Islam, për atë që nuk falet dhe nuk ka namaz pa abdes”[5]
Abdullah ibn Amr (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka përmendur namazin dhe ka thënë: “Kush kujdeset për namazin, në ditën e Kijametit ai (namazi) do të jetë dritë, argument dhe shpëtim për të. Kush nuk kujdeset për namazin, në Ditën e Kijametit ai (namazi) nuk do të jetë as dritë, as argument e as shpëtim për të. Ai që nuk falet, do të jetë me Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibn Halefin”[6]
Le ta kenë frikë Allahun e Madhëruar ata persona – kushdo qofshin – dhe të mos zgjasin gjuhët për të nxjerrë nga feja e Allahut të Madhëruar njerëzit me besim të dobët, të cilët nuk e falin namazin. Ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Janë të shkatërruar ekstremistët. Janë të shkatërruar ekstremistët. Janë të shkatërruar ekstremistët”[7]
O Allah! Na ruaj që të mos jemi prej tyre! Sido që të jetë, ata që nuk falen janë në rrezik të madh, ata janë më afër mosbesimit se besimit, ata do të jenë të huaj në këtë botë dhe të huaj në Ahiret. Këta nuk do të kenë dritë, përkundrazi do të jenë në errësirë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi është drita e besimtarit”[8]
Ata që nuk falen, nuk do të kenë dritë në Ditën e Kijametit, nuk do të njihen nga i Dërguari i Allahut (a.s) dhe as nga engjëjt.
Për kë është detyrë namazi
Namazi është detyrë për çdo musliman/e, të aftë mendërisht dhe që ka arritur pjekurinë seksuale. Namazi nuk është detyrë për fëmijët, por ata nxiten për t`u falur. Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Lapsi nuk shkruan për tre persona (tre persona nuk kanë përgjegjësi): për fëmijën derisa të arrijë pjekurinë seksuale, për atë që është në gjumë derisa të zgjohet dhe për të çmendurin derisa të vijë në vete”[9]
Kujdestari ligjor i fëmijës (prindi) e ka për detyrë që t`i mësojë djalit dhe vajzës se si falet namazi. Sebrah ibn Xhuheniu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mësojuni fëmijëve namazin kur ata janë 7 vjeç dhe kur të mbushin 10 vjeç, rrihini ata nga pak (nëse është e nevojshme), që t`i nxisni për t`u falur”
Personi që ka fjetur gjumë dhe nuk e ka falur namazin, duhet ta falë atë, sapo të zgjohet, sepse gjumi arsyeton mosfaljen e namazit në kohë, por namazi mbetet si detyrë që duhet kryer. Ebu Katade (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush nuk e fal namazin për shkak të gjumit, apo për shkak se ka harruar, le ta falë atë sapo të kujtohet”
Femra me menstruacione dhe lehona nuk falen dhe as nuk e komepesojnë namazin.
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Bekare: 43.
[2] – Sure Ibrahim: 31.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Sure Nisa: 48.
[5] – Bezari. Hadithi është i dobët.
[6] – Ibn Hibani, Ahmedi, etj. Hadithi është i saktë.
[7] – Muslimi.
[8] – Ebu Ja’la. Hadithi është i dobët.
[9] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.