Liria e besimit në Islam

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në Kuranin e Madhërishëm gjejmë një rregull bazë dhe të qartë për lirinë e fesë apo besimit ku Allahu i Madhëruar thotë: “Ska imponim në fe”[1] Pra as Profeti i Allahut dhe as muslimanët me pas nuk kanë detyruar ndokënd që të përqafojë Islamin pa dëshirën e tij apo të shfaqë Islamin për t’iu shmangur diçkaje që i cënonte jetën, pasurinë apo lirinë. Diçka të tillë nuk mund ta vepronin ndërkohë që dihej që në ditët e para të Islamit në tokë se nuk ka vlerë feja dhe besimi i imponuar dhe  se nuk ka kurrëfarë dobie në botën e përjetshme e cila është qëllimi i çdo muslimani.

Shkaku i zbritjes së ajetit të lartëpermendur, siç pohon Ibn Abasi, është se kur një gruaje nuk  i jetonin fëmijët  betohej se po u bëra me fëmijë do ta rriste në fenë judaike dhe kur fisi Benu Nedir u shpërngul në mesin e tyre kishte fëmijë nga ensarët dhe ata thanë se nuk do ti lemë fëmijët tanë  në fenë  e tyre. Sakaq Allahu i Madhëruar zbriti versetin Kuranor: “S’ka imponim ne fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!”[2]

Besimi  dhe vullneti i njeriut

Të pranuarit apo jo i Islamit varet nga vullneti dhe bindja e brendshme e vetë njeriut. Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj kush të dojë, le të besojë e kush të dojë le të mohojë!”[3] Allahu  i tërheq vëmendjen profetit (a.s) për këtë të vërtetë duke ia qartësuar se misioni i tij është vetëm përcjellja e mesazhit dhe jo imponimi i njerëzve në Islam. “Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!”[4] “dhe nuk je i ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë! Nëse ata të kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar (o Muhamed), si roje për ta. Detyra jote është vetëm të kumtosh”[5]

Nga sa më lart kuptohet se kushteta e muslimanëve shpall të drejtën  dhe lirinë e besimit dhe e refuzon prerazi imponimin e njeriut për përqafimin e Islamit.

Pluralizmi fetar në Islam

Pranimi i lirisë fetare ka për qëllim njohjen e ekzistencës së shumë feve dhe kjo është zbatuar praktikisht kur profeti (a.s) njohu lirinë e besimit në kushtetutën e parë të Medinës ku pranoi se hebrenjtë dhe muslimanët përbëjnë një bashkësi të vetme si dhe në çlirimin e Mekës ku nuk u imponua asnjë banor i Mekës që të përqafonte Islamin me gjithë mundësite dhe triumfin që arritën muslimanët. Por profeti (a.s) u tha: “ Ikni se ju jeni te lirë”.

Prijësi i dytë e muslimanëve, Omer ibn Hatabi, në përputhje me shembullin e të dërguarit të Allahut (a.s), u dha të krishterëve të  Kudsit, Jeruzalemit, sigurinë për jetën, kishat e kryqet e tyre dhe se nuk do të dëmtohet apo imponohet kush për shkak të besimit të tij.

Veç sa më sipër Islami garanton të drejtën e debatit objektiv larg çdo sharje apo injorimi të tjetrit. Kurani pohon: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë te bukur dhe diskuto me ta me mënyrën më të mirë!”[6]

Në bazën e këtyre parimeve tolerante ngrihet dialogu mes muslimanëve dhe jo muslimanëve. Kurani i Madhërishëm kur drejton ftesën në dialogun me ithtarët e Librit thotë: “Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të bashkohemi në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do të mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut! Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: Dëshmoj se ne i jemi nënshtruar Allahut!”[7]

E në qoftë se dialogu nuk arrin rezultat ateherë secili ka fenë e tij me të cilën është i bindur dhe këtë shpreh ajeti i fundit i sures Kafirun që mbyllet me: “Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time!”[8]

Autor: . Ragib Serxhani

Përktheu: Mevlad Çollaku

[1] – Sure Bekare: 256.

[2] – Sure Bekare: 256.

[3] – Sure Kehf: 29.

[4] – Sure Junus: 99.

[5] – Sure Gashije: 22-26.

[6] – Sure Nahl: 125.

[7] – Sure Ali Imran: 64.

[8] – Sure Kafirun: 6.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.