Manifestimi i Sunetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Suneti është tre llojesh:

1- Sunet i shprehur nëpërmjet fjalëve: të tilla janë hadithet që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë në raste të ndryshme, siç është fjala e tij: “Nuk lejohet të cenohet jeta e muslimanit që dëshmon se nuk ka të ardhuruar me të drejtë përveç Allahut, përveç se në tre raste: kur kryen imoralitet pasi është martuar,  kur vret padrejtësisht një njeri dhe kur braktis besimin e tij dhe shkëputet nga xhemati i muslimanëve([1]), apo fjala: “Pastërtia është pjesë (gjysma) e besimit”.([2])

2 – Sunet i shprehur nëpërmjet veprave: të tilla janë veprimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), pa marrë parasysh nëse kanë qenë veprime në namaz apo veprime të tjera, si dhe vendimet që ka marrë në raste gjykimesh me ndëshkime penale. Shembuj për këtë janë: ekzekutimi me gurë i atij që pranoi se kishte bërë imoralitet([3]), prerja e dorës së djathtë të vjedhësit([4]), gjykimi duke u bazuar në dëshminë e një personi([5]), apo në betimin e atij që pretendon diçka.([6])

3 – Sunet i shprehur nëpërmjet miratimeve: të tilla janë veprat apo fjalët e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka miratuar, pa marrë parasysh nëse miratimi ka qenë heshtje prej tij, apo dakordësi, apo mosrefuzim i veprimit të sahabiut, apo shfaqje miratimi për atë që bën sahabiu. Në raste të tilla, veprimet dhe fjalët e sahabiut konsiderohen sikur janë kryer apo thënë nga i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të).

Një shembull që e ilustron këtë është rasti, kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen. Ai (Paqja qoftë mbi të) e pyeti: “Si do të veprosh, nëse përballesh me një çështje”? Muadhi (r.a) tha: “Do të gjykoj me Librin e Allahut”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e pyeti: “Po nëse nuk e gjen në Librin e Allahut”? Muadhi (r.a) tha: “Do të gjykoj me Sunetin e të Dërguarit të Allahut”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e pyeti: “Po nëse nuk e gjen as në Sunetin e të Dërguarit të Allahut”? Muadhi (r.a) tha: “Do të jap maksimumin, për të dhënë mendimin tim të saktë”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i rrahu gjoksin dhe i tha: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili i dha sukses përfaqësuesit të të Dërguarit të Allahut me atë që e kënaq të Dërguarin e Tij”.([7])

Një rast tjetër është ngjarja e sahabëve, të cilët u nisën për tek fisi Benu Kurejdha. Disa prej tyre e falën namazin e Ikindisë në kohën e tij, para se të arrinin tek fisi, ndërsa disa të tjerë e falën namazin e Ikindisë kaza, pasi arritën tek fisi Benu Kurejdha. Kur i treguan të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) për këtë, ai i miratoi veprimet e të dy palëve”.([8]) Ky miratim nga i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) emërtohet nga dijetarët, si: “Sunet i shprehur nëpërmjet miratimit”.

Të gjitha këto vërtetojnë se Suneti është burimi i dytë i Sheriatit, ndërsa Kurani fisnik është burimi i parë i tij.

Dispozitat që burojnë nga Suneti

 Në fushën e ligjit islam, Suneti pasqyrohet në tre forma:

1- Konfirmon dhe përforcon një dispozitë të ligjësuar nga Kurani. Në këtë rast, dispozita ka dy burime ligjore: Kuranin dhe Sunetin, siç është ndalimi i vrasjes së të pafajshmit, ndalimi i dëshmisë së rrjeshme apo ndalimi i vrasjes. Allahu i Madhëruar e ka ndaluar vrasjen e të pafajshmit me fjalët: “Mos ia merrni jetën njeriu, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta”.([9]) I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e konfirmon këtë ndalim të përmendur në Kuran dhe e përforcon me fjalët: “Nuk lejohet të cenohet jeta e muslimanit, që dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, përveçse në tre raste: kur kryen imoralitet pasi është martuar, kur vret padrejtësisht një njeri dhe kur braktis besimin e tij dhe shkëputet nga xhemati i muslimanëve”.([10]) Ky shembull na e qartëson se Suneti ka konfirmuar atë që është thënë më parë nga Kurani, prandaj ndalimi i vrasjes është bërë nga dy burime ligjore. Shembuj të tillë ka shumë.

2- Sqaron një dispozitë të përgjithshme të ligjësuar nga Kurani, apo kufizon një dispozitë të pacaktuar në Kuran, apo specifikon një dispozitë tjetër që buron nga Suneti. Allahu i Madhëruar ia ka lejuar të Dërguarit të Tij (Paqja qoftë mbi të) të bëjë sqarimin e teksteve kuranore: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t`u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur”.([11]) P.sh: Namazi sqarohet nëpërmjet Sunetit. Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin”.([12]) I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur”.([13]) Nga ai (Paqja qoftë mbi të) kemi mësuar se namazi i Sabahut ka dy rekate, namazi i Drekës ka katër rekate..etj. Ai (Paqja qoftë mbi të) na ka mësuar të kryejmë Haxhin: “Mësojini nga unë ritet e Haxhit, pasi unë nuk e di nëse do të bëj haxh tjetër pas këtij haxhi”.([14])

Kështu e ka shpjeguar Suneti edhe çështjen e Zekatit. Pra, në Kuran gjejmë urdhra për adhurime të ndryshme, mirëpo në të nuk sqarohet as mënyra e faljes së namazit, as sasitë për të cilat duhet të jepet Zekati dhe as ritualet e Haxhit. Në tekstet e Kuranit përmendet se lejohet shitblerja dhe ndalohet kamata, ndërsa Suneti ka sqaruar llojet e shitblerjeve dhe të kamatës. Kurani ka ndaluar ngrënien e ngordhësirës dhe konsumimin e gjakut, ndërsa Suneti ka specifikuar llojet e ngordhësirave (karkaleci dhe peshku) dhe gjakut (shpretka dhe mëlçia) që lejohen.([15])

3- Ligjëson një dispozitë, për të cilën Kurani nuk është shprehur. Në këtë rast burimi bazë i dispozitës është Suneti, pasi nuk ka argument nga Kurani. Të tilla janë dispozitat që burojnë nga fjalët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Nuk lejohet të bashkohen nën një kurorë gruaja me hallën e saj apo me tezen e saj([16]); “Mëndafshi dhe ari janë të ndaluar për meshkujt e Umetit tim dhe janë të lejuara për femrat e Umetit tim([17]); “Ndalohet martesa për shkak të gjidhënies, ashtu siç ndalohet për shkak të prejardhjes (afërsisë së gjakut)”.([18]) Shembuj të tillë ka plot.

Autor: Rushit Musallari

([1]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (6878), Muslimi (1676), Ebu Daudi (4352), Tirmidhiu (1402), Nesaiu “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (4027, 4028), Ibn Maxheh (2534), Ahmedi, vëll. I, f. 382, si dhe Daramiu (2344).

([2]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (223), Tirmidhiu (3517), Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ” (2436), Ibn Maxheh (280), Ibn Hibani (844), Ahmedi, vëll, V, f. 342, si dhe Daramiu (679).

([3]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (1695).

([4]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (1688), Ebu Daudi (4374) dhe Nesaiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, (7340).

([5]) – Hadith i vërtetë. Ebu Daudi (3610), Tirmidhiu (1343), Nesaiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, (5969) dhe Ibn Maxheh (2368).

([6]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4552), Muslimi (1711), Ibn Maxheh (2321) dhe Bejhakiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, vëll. X, f. 252.

([7]) – Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Tajalisi (559), Ibn Ebi Shejbeh, vëll. VII, f. 239, Abd ibn Humejdi (124), Daramiu (170), Ebu Daudi (3592, 3593), Tirmidhiu (1327,1328), Bejhakiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, vëll. X, f. 114, si dhe Ahmedi, vëll. V, f. 365, 230, 242.

([8]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4119) dhe Muslimi (1770).

([9]) – Kurani: Isra, ajeti: 33.

([10]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (6878), Muslimi (1676), Ebu Daudi (4352), Tirmidhiu (1402), Nesaiu “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (4027, 4028), Ibn Maxheh (2534), Ahmedi, vëll. I, f. 382, si dhe Daramiu (2344).

([11]) – Kurani: Nahl, ajeti: 44.

([12]) – Kurani: Bekare, ajeti: 43.

([13]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (628), Muslimi (672) Ebu Daudi (589), Tirmidhiu (205), Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (634, 636), Ibn Hibani (1658), Daramiu (1288) dhe Ahmedi, vëll. V, f. 38.

([14]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (1297), Ebu Daudi (1970), Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (3062) e në “Sunenu`l-Kubrâ”, (4054), Ibn Khuzejmeh (2877) dhe Ahmedi, vëll. III, f. 318.

([15]) – Për më shumë detaje shiko: “Hallalli dhe harami në Islam”, kapitullin e dytë dhe kapitullin e katërt.

([16]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (5109), Muslimi (1408), Ebu Daudi (2065), Tirmidhiu (1125), Nesaiu në “Sunenu`l-Muxhtebâ”, (3288), Ibn Maxheh (1929) dhe Ahmedi, vëll. II, f. 432.

([17]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ibn Maxheh (3595) dhe Ahmedi, vëll. I, f. 96.

([18]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (2645), Muslimi (1447), Ibn Maxheh (1938) dhe Ahmedi, vëll. I, f. 275.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.