Materializmi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Është fjala për shkaqet e animit nga materializmi. Në fillim duhet të përcaktojmë këndvështrimin e tanishëm terminologjik dhe kufizimet e tij e pastaj të nisim diskutimin. Termi “materializëm” ka përdorime të ndryshme, prej të cilëve jo të gjithë lidhen me diskutimin tonë. Për shembull, thuhet materializëm e nënkuptohet doktrina mbi prejardhjen e materies, në atë që materia është diçka e rrënjësishme dhe e vërtetësishme në sferën e të qenit e jo diçka e përfytyruar nga mendja – një shfaqje dhe sajim i saj, përkundrejt idealizmit që mohon realitetin e materies dhe e konsideron të krijuar në mendjen e njeriut.

Nëse materializmin e vështrojmë kështu, atëherë të gjithë besimtarët, qofshin myslimanë apo jo, janë “materialistë”, sepse të gjithë ata pohojnë se materia – si një realitet në hapësirë dhe kohë, e cila i nënshtrohet ndryshimit, shndërrimit dhe zhvillimit, duke qenë gjithashtu që ndjehet dhe preket, diçka e dallueshme, metafizike dhe efikase – është realitet objektiv me ekzistencë të dukshme e të pavarur nga mendja, që ka vetitë e saj të vrojtueshme. Të qenit materialist në këtë mënyrë nuk është në kundërshtim me Zotin dhe monoteizmin. Përkundrazi, kozmosi dhe natyra, si një tërësi funksionale dhe e harmonizuar, duke qenë produkte të krijimit, janë dëshmia më e mirë për njohjen e Zotit. Gjatë këtyre ndryshimeve materiale zbulohet vendosmëria kuptimplotë e Zotit. Dukuritë materiale përmenden në Kuran si shenja Hyjnore.

Ndërsa nganjëherë kjo fjalë përdoret për mohimin e ekzistencës së mbimateries, si një shkollë ekskluzive mendimi, e cila e sheh ekzistencën dhe sferën e të qenësishmes si të ndryrë tek materia, duke i vënë cak të qenit tek e ndryshueshmja dhe duke e kufizuar atë te hapësira dhe koha. Kurse atë që ndodhet përtej caqeve të shqisave dhe ndjenjave njerëzore, si dhe jashtë ndryshimeve, e mohon dhe e konsideron të paqenë. Tani pra, bëhet fjalë për arsyet e animit nga kjo doktrinë dhe si ka mundësi, që disa njerëz janë bërë përkrahës të kësaj teorie përjashtuese dhe negative, duke mohuar Zotin dhe duke e pandehur atë që ndodhet jashtë sferës së materies të paqenë.

A është njeriu në thelb materialist, apo besnik ndaj Zotit? E parë kështu, cilat janë arsyet e prirjes materialiste?

Natyrisht, del sikur ne pohojmë, që për nga natyra njeriu s’duhet të kishte prirje [të anonte] nga materializmi; materializmi është diçka e kundërt me karakterin dhe natyrën e tij, e meqenëse është i kundërt me thelbin, duhet kërkuar arsyeja e kësaj prirjeje. E thënë më thjeshtë, të besuarit në Zot është si shëndeti, ndërsa animi nga materializmi – sëmundje. Të fshehtat e shëndetit s’duhen hetuar kurrë, sepse shëndeti ecën në harmoni me rrjedhën dhe procesin e sistemit të Krijimit, por nëse vëmë re që një person, apo shoqëri janë të sëmurë, atëherë lind pyetja, përse janë sëmurur gjithë këta njerëz dhe cili është shkaku i sëmundjes së tyre.

Ky mendim yni është pikërisht e kundërta e asaj, që është shkruar zakonisht në historinë e fesë. Autorët e librave të tillë bëjnë kërkime, pse njeriu ka prirje ndaj fesë. Sipas mendimit tonë, çështja nuk qëndron në prirjen nga të besuarit, kjo është prirje e natyrshme; por përkundrazi, duhet kërkuar pse njeriu ka arritur animin nga ateizmi. Tani nuk do shtjellojmë diskutimin nëse të besuarit është diçka e natyrshme e ateizmi jo, apo anasjelltas, pasi nga pikëpamja e diskutimit kryesor nuk shohim arsye për këtë. Natyrisht, duhet pasur parasysh, që nuk pohojmë se ngaqë prirja ndaj monoteizmit është një prirje natyrore dhe e lindur (fitrah), nuk dalin kurrfarë pyetjesh kur bëhet trajtimi në nivelin e njohjes shkencore dhe filozofike. Jo, nuk është ashtu. Kjo çështje, si çdo tjetër, sado që mund të pranohet dhe njihet si instinkt i lindur, kur shtrohet në nivelin e të menduarit, për fillestarët dhe jobesimtarët natyrisht krijon dyshime dhe vështirësi, duke shkaktuar pyetje dhe vërejtje e në këtë nivel ka zgjidhje të kënaqshme për ta. Prandaj, nuk do shpërfillim dyshimet, që shfaqen tek disa njerëz, ose të pohojmë se ato rrjedhin nga qëllimet e tyre të liga apo karakteri i keq. Jo, nuk është aspak ashtu.

Shfaqja e dyshimit në këtë sferë, kur njeriu kërkon të zgjidhë të gjitha pyetjet e lidhura me këtë çështje, është diçka e natyrshme dhe e zakonshme dhe këto mëdyshje janë shtytje për kërkime të mëtejshme. Prandaj, të tilla dyshime, që çojnë drejt hulumtimit të mëtejshëm, ne i konsiderojmë të shenjta, sepse shpien drejt së sigurtës, saktësisë dhe mirëbesimit. Dyshimi është i keq, atëherë kur bëhet obsesion dhe preokupim, si tek disa njerëz të cilët i shohim të kënaqen me faktin, se janë në gjendje të dyshojnë dhe që e mbajnë dyshimin dhe pasigurinë si kulmin e arritjes së tyre intelektuale.

Një gjendje e tillë, në kundërshtim me të parën që përbën hyrje në përsosje, është tepër e rrezikshme. Prandaj, siç kemi përsëritur shumë herë, dyshimi është rrugë e mirë dhe e domosdoshme, por destinacion i keq dhe ndalesë e papërshtatshme. Diskutimi ynë pra, ka të bëjë me njerëzit, apo grupet, tek të cilët dyshimi është drejtim dhe stacion i fundit. Sipas mendimit tonë, materializmi, megjithëse e paraqet veten si një doktrinë dogmatike, është pjesë e skepticizmit.  Logjika e Kuranit është e njëjtë me këtë. Aty shkruhet, se s’ka më keq se kur njerëzit janë të infektuar me dyshime dhe mosbesim, por në praktikë i valëvisin me kapardisje duke bërë dogma nga to, shkencë dhe padiskutueshmëri.

Sfondi Historik

Një mënyrë e tillë të menduari nuk përbën diçka të re. S’duhet konsideruar, që ai është rezultat i ndryshimeve bashkëkohore shkencore dhe industriale dhe është shfaqur për herë të parë këta dy shekujt e fundit, si shumë mendime shkencore që nuk kanë ekzistuar në kohët e mëparshme e të cilat njeriu i arriti më pas. Jo, me siguri animi i njeriut nga materializmi nuk është dukuri karakterizuese e shekujve të fundit, por është një ndër mënyrat më të vjetra të të menduarit. Lexojmë në historinë e filozofisë se shumë filozofë të Greqisë së Lashtë, që i paraprinë Socrates-it dhe lëvizjes së tij filozofike, kanë qenë materialistë dhe kanë mohuar ekzistencën e mbimateries. Gjatë periudhës së injorancës (xhahilije) tek arabët, disa njerëz gjithashtu mendonin kësisoj. Kurani fisnik iu kundërvu atyre, duke përmendur dhe kritikuar të folurit e tyre: “E ata thonë: Ekziston vetëm jeta e kësaj bote; (në të) vdesim dhe jetojmë e vetëm (rrjedha e) koha na shkatërron” Këto fjali, që Kurani i Lartësuar përmend nga njerëzit, përfshijnë mohimin e Zotit dhe Ringjalljes.

Materializmi në Periudhën e Islamit

Fjala ‘dehr’ në arabisht do të thotë kohë. Sipas ajetit të mësipërm dhe kësaj fjale aty, njerëzit që mohonin Zotin në periudhën e Islamit quheshin “dehrije” Ne ndeshemi me njerëz të tillë në historinë e Islamit, që ishin dehri dhe maddi [materialistë], sidomos gjatë sundimit të Abbasidëve, kur kultura dhe metoda të ndryshme filozofike depërtuan në botën islame.

Për shkak të lirisë së mendimit, që lindi në atë kohë rreth ideve shkencore, filozofike dhe fetare (natyrisht, në kufijtë që s’binin në kundërshtim me politikën e Abbasidëve), ekzistonte zyrtarisht grupi, që njihej si grupi i materialistëve dhe ateistëve. Ky grup debatonte me muslimanët dhe pjesëtarët e feve të tjera e besimtarët në Zot, predikonte argumentet e tij e kundërshtonte ato të besimtarëve. Së fundi, ky grup dëgjonte, fliste dhe shprehte lirshëm mendimin e vet. Biografia e këtyre njerëzve ndodhet e shkruar në librat islamë. Në kohën e Imam Sadikut, individë të veçantë mblidheshin në Xhaminë e Profetit (a.s), duke shprehur pikëpamje të tilla. Libri al-Tauhid al-Mufaddal është fryt i njërit prej këtyre tubimeve.
Një nga përkrahësit e Imam Sadikut i quajtur al-Mufaddal ibn ‘Umar, tregon: “U fala në Xhaminë e Profetit (a.s) dhe po thellohesha në mendime për Profetin (s) dhe madhështinë e tij. Në këtë kohë, ‘Abd al-Karim ibn Abi al ‘Auja, i cili ishte ateist (zindik) erdhi e u ul pranë meje e pas tij edhe një ateist tjetër. Këta të dy filluan të blasfemojnë. Ata mohonin Zotin, ndërsa për Profetin (a.s) flisnin si një mendimtar dhe gjeni e jo si të Dërguarin e Zotit, të emëruar nga ana e Tij dhe si njeri që merr frymëzim nga një burim i Padukshëm. Ata thoshin, se ai ishte gjeni që mendimet e tij i paraqiste si shpallje të Fjalës së Zotit për të ndikuar tek njerëzit. Por në fakt, nuk ka as Zot, as zbulesë hyjnore, as ditë Gjykimi”, Mufaddali u shqetësua shumë nga fjalët e tyre dhe i kërcënoi, pastaj erdhi tek Imam Sadiku dhe i tregoi ç`kishte ndodhur. Imami e qetësoi, duke i thënë se do ta mësonte si të flasë me ta dhe se do ta pajiste me argumente, me të cilat do i kundërvihej dhe rrëzonte pikëpamjet e tyre. Që andej e tutje Imam Sadiku (‘a) e udhëzoi Mufaddalin përgjatë disa orëve të gjata mësimi dhe Mufaddali i hodhi në shkrim mësimet e Imamit. Ja se si lindi libri al-Teuhid al-Mufaddal.

Materializmi i Kohëve Tona

Siç e dimë, në shekujt XVIII dhe XIX materializmi u formua si doktrinë, megjithëse në të kaluarën nuk kish qenë i tillë. Ajo që thuhet në lidhje me disa shkolla të mendimit të Greqisë së Lashtë, është e pabazuar. Zakonisht, historianët e filozofisë nuk e njohin vetë filozofinë dhe sapo shohin fjalët e ndonjë filozofi mbi përjetshmërinë e materies, apo diçka të ngjashme, mendojnë që domosdoshmëria e një mendimi të tillë është mohimi i Zotit dhe metafizikës. Sipas mendimit tonë, nuk është saktësuar se para kohëve të reja ekzistonte doktrina materialiste, por vetëm në Greqi, si dhe jashtë saj, ekzistonin prirje të shkëputura drejt materializmit. Megjithatë, kjo shkaktoi te shumë njerëz hamendjen, që ndoshta shfaqja e materializmit, si një doktrinë e veçantë, ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkencën dhe arritjet e saj. Sigurisht, vetë materialistët përpiqen shumë, që çështjen ta shfaqin në mënyrë të tillë dhe t’u imponojnë të tjerëve qëndrimin, se arsyeja e përparimit dhe mbizotërimit të materializmit në shek. e XVIII dhe XIX ishte zhvillimi dhe përhapja e vrullshme e shkencës, të cilat e shtynë njeriun në atë drejtim. Ky qëndrim është më pranë shakasë se realitetit. Prirja materialiste daton nga kohët e lashta dhe ishte e pranishme si në shtresat shkencore ashtu edhe në masat e paarsimuara. Gjithashtu në epokën moderne, në të gjitha shtresat gjenden materialistë, ashtu sikurse ka në tërë shtresat – sidomos ato shkencore – prirje nga metafizikja, e përshpirtshmja dhe Hyjnorja. Nëse do ishte e saktë ajo që thonë materialistët, atëherë aq sa ç`ka përparuar shkenca dhe ç`është shfaqur një numër i madh shkencëtarësh në botë, po aq më shumë prirje materialiste do kish në shtresën e shkencëtarëve dhe njerëzit më të ditur, të cilët do të ishin materialistët më të mëdhenj. Mirëpo realiteti tregon pikërisht të kundërtën. Sot ne ndeshim nga njëra anë personalitete të mirënjohura siç është Russell, të cilët në një shkallë të lartë e kanë paraqitur veten si materialistë. Ai thotë: “Njeriu është produkt shkaqesh, të cilat nuk kishin asnjëfarë paramendimi në rezultatin që po arrinin. Prejardhja e njeriut, zhvillimi, madje edhe ndjenjat e tij si shpresa, frika, dashuria dhe bindja s’janë asgjë tjetër, veçse pasojë e një kombinimi të rastësishëm atomesh të ndryshëm”

Në këtë mënyrë Russell mohon ekzistencën e një fuqie të vetëdijshme dhe të urtë, që sundon gjithësinë, megjithëse ai në disa pohime e konsideron veten skeptik dhe agnostik.

Nga ana tjetër, vëmë re që Ajnshtajni, shkencëtari gjenial i shek. të XX, ka mendim pikërisht të kundërt me Russellin dhe thotë: “Individi e ndjen vogëlsinë e ndjenjave dhe synimeve njerëzore, dhe madhështinë e rendin mahnitës, që e shpalosin veten si në natyrë ashtu edhe në botën e mendimit. Ekzistenca individuale i bën përshtypje atij si një lloj burgu dhe ai kërkon ta përjetojë gjithësinë si një e tërë kuptimplotë e vetme”.

A mund të thuhet që Russell i njihte konceptet e shkencës bashkëkohore e Ajnshtajn jo? Apo që ai filozofi i shek. të XVIII dhe XIX i njihte konceptet e shkencës së kohës së vet e Pasteur, si teist, s’i njihte e ishte i paditur? Ose, a mund të themi që William James, si njeri i ditur e monoteist, apo Bergson e Alexis Carrel dhe të tjerë si ata, nuk i njihnin konceptet shkencore të kohës së tyre dhe mendonin njëlloj si para njëmijë vjetësh, ndërsa një i ri, që nuk ka as një të dhjetën e dijes së tyre e është ateist – i njeh konceptet shkencore bashkëkohore?

Nganjëherë vihet re, se ndër dy matematikanë njëri beson në Zot dhe fé e tjetri është materialist, apo dy fizikanë, dy biologë, dy astronomë – prej të cilëve njëri mendon në mënyrë materialiste e tjetri në atë fetare. Atëherë çështja s’është dhe aq e thjeshtë, që të themi se të shfaqurit e shkencës e errësoi metafizikën. Një vëzhgim i tillë është i papjekur.

Duhet vënë theksi në diskutimin se çfarë bëri, që materializmi të shfaqej në Evropë si doktrinë më vete e të gjejë shumë përkrahës, ndonëse në shek. e XX – përkundrejt atij të XVIII dhe XIX – zhvillimi i materializmit u ngadalësua dhe gjatë tij materializmi pësoi njëfarë disfate. Ky anim i shkallës së gjerë ka një sërë arsyesh historike dhe sociale, që duhen shqyrtuar. Në kërkimet tona ne u ndeshëm me shkaqet, që po paraqesim këtu. Ndoshta ata që kanë kryer studime më të thella të çështjeve shoqërore, sidomos në fushën e historisë së Evropës, njohin arsye dhe faktorë të tjerë. Këtu po parashtrojmë rezultatet e hulumtimeve tona.

Përktheu: Edin Lohja

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.