Sfera e teuekulit (mbështetjes tek Allahu) është e gjerë, dhe ajo përfshin gjithçka që krijesat kërkojnë dhe për të cilën angazhohen prej çështjeve të dynjasë dhe të fesë. Por shumë njerëz, kur përmendet fjala “tevekul”, nuk u shkon mendja veçse tek “rizku”. Pra, ai mbështetet tek Allahu në çështjen e rizkut që Allahu ua ka garantuar robërve të Tij, ashtu siç ua ka garantuar të gjitha gjallesave në tokë: “Nuk ka asnjë gjallesë mbi tokë, veçse Allahu ia ka caktuar rizkun”[1] “E sa e sa gjallesa ka që nuk e mbajnë dot rizkun e tyre, por Allahu i furnizon ato dhe ju, dhe Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi”[2]
Dhe kur thirret për të shpenzuar në rrugë të Allahut, ai shpenzon i qetë se Allahu do t’i japë më mirë se ajo që shpenzoi, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Çfarëdo që të shpenzoni, Ai (Allahu) do t’ua zëvendësojë, dhe Ai është furnizuesi më i mirë”[3]
Kur Imam Gazali foli në librin e tij “Minhaxhul-Abidin” për “pengesat” që i dalin përpara udhëtarit në rrugën drejt Allahut, ai e vendosi në krye të tyre çështjen e rizkut dhe përmendi si ilaç për të “tevekulin”.
Nuk ka dyshim se çështja e rizkut i ka shqetësuar dhe i ka preokupuar njerëzit, ashtu siç i ka preokupuar çështja e exhelit. Mirëpo ata që mbështeten tek Allahu janë të qetë në lidhje me këto dy çështje, sepse e dinë se rizku është i caktuar dhe exheli është i njohur. Askush nuk mund t’ua pakësojë atyre rizkun as sa një kokërr, dhe askush nuk mund t’ua shpejtojë vdekjen as për një çast. Kjo nuk do të thotë të neglizhohet përpjekja për rizkun, përkundrazi ai angazhohet e lodhet për të, duke qenë i sigurt se askush nuk e ha rizkun e tij, ashtu siç ai nuk mund të hajë rizkun e tjetrit, dhe se ajo që e ka goditur prej pakësimit të rizkut nuk ka ardhur për shkak të fajit të tij.
Arabët e xhahilijetit e injoruan këtë çështje, prandaj ata kryen krimin më të shëmtuar: vranë fëmijët e tyre me duart e tyre, vrasje nga më të shëmtuarat, për motivin më të ulët: ose nga varfëria e tanishme, ose nga frika e një varfërie të pritshme, pra nga frika se fëmijët do të hanin me ta dhe do t’u ngushtonin rizkun, duke mos e ditur se rizku i tyre vjen bashkë me ta. Allahu i Madhëruar thotë, në kontekstin e gjërave që i ndaloi: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga varfëria (aktuale); Ne ju furnizojmë ju dhe ata”[4] Dhe në një sure tjetër thotë: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë; Ne i furnizojmë ata dhe ju. Vrasja e tyre është një mëkat i madh”[5]
Islami e ka shfuqizuar këtë krim të shëmtuar, dhe u mësoi njerëzve se Allahu është Furnizuesi, i Plotfuqishmi, dhe se thesaret e Tij janë plot dhe nuk mbarojnë kurrë, ashtu sikur thotë në një ajet: “Të Allahut janë thesaret e qiejve dhe të tokës, por hipokritët nuk kuptojnë”[6]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Hud: 6.
[2] – Sure Ankebut: 60.
[3] – Sure Sebe: 39.
[4] – Sure En’am: 151.
[5] – Sure Isra: 31.
[6] – Sure Munafikun: 7.



















