Zejd ibn Thabiti (r.a) u ngrit dhe tha: “Vërtet i Dërguari i Allahut (a.s) ishte nga muhaxhirët, dhe prijësia (imamati) duhet të jetë nga muhaxhirët. Ne jemi ndihmësit e tij, ashtu siç ishim ndihmës të të Dërguarit të Allahut.”
Njerëzit filluan të flasin të gjithë në këtë drejtim, por S’ad ibn Ubade (r.a) ende nuk kishte folur. Pozita e tij ishte shumë e vështirë: vetëm një ose dy orë më parë ai ishte kandidati për kalif, dhe kjo në mendimin e tij dhe të ensarëve ishte pothuajse e sigurt. Tani situata po përmbysej plotësisht, 180 gradë, dhe ai me siguri po mendonte, po mendonte thellë, duke peshuar argumentet dhe duke krahasuar qëndrimet, duke këshilluar mendjen dhe zemrën e tij. Duhet të ketë pasur një përplasje të brendshme psikologjike: a kishin të tjerët vërtet të drejtë kur nxirrnin si përfundim se prijësia duhet të jetë te Kurejshët, apo ishte më i saktë mendimi i mëparshëm i ensarëve?
Mendime të shumta po e pushtonin, ndërsa ai ishte i sëmurë dhe i lodhur. Pa dyshim, brenda tij kishte hutim dhe pasiguri.
Ebu Bekr es-Siddiku (r.a) po e vëzhgonte situatën me zgjuarsi dhe po ndiqte ngjarjet me maturi dhe kujdes. Në këtë moment, kur tashmë ishte bërë e qartë se ensarët kishin filluar të bindeshin mendërisht dhe shpirtërisht se interesi i përgjithshëm i umetit kërkonte që prijësia të ishte te muhaxhirët, veçanërisht te Kurejshët, dhe kur argumentet po forcoheshin dhe po i bindnin të gjithë, Ebu Bekr es-Siddiku (r.a) u ngrit dhe nxori “kartën e fundit” të tij, duke sjellë argumentin vendimtar, të qartë dhe të prerë, që nuk la dyshim në zemrën e askujt, as të ensarëve dhe as të muhaxhirëve.
Ai tha fjalë të pakta, por që peshorojnë më shumë se floriri: “E kam ditur, o S’ad, – duke iu drejtuar S’ad ibn Ubades – se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë kur ti ishe i pranishëm: “Kurejshët janë prijësit e këtij çështjeje; njerëzit e mirë ndjekin të mirët e tyre, dhe njerëzit e këqij ndjekin të këqijtë e tyre.”
Ky ishte një rregull i qartë i vendosur nga Profeti (a.s).
S’ad ibn Ubade (r.a) tha një fjalë të çuditshme, në thjeshtësinë më të madhe: “Ke të drejtë. Ju jeni prijësit, dhe ne jemi ndihmësit.”
Kështu, në mënyrë të thjeshtë, S’ad ibn Ubade (r.a) pranoi epërsinë e Kurejshëve për çështjen e udhëheqjes dhe në Sakife atmosfera u qetësua.
Në lidhje me këtë ngjarje të veçantë kemi disa komente:
Së pari: Hadithi që përmendi Ebu Bekr es-Siddiku (r.a) është një ligj (shpallje normative) i qartë nga i Dërguari i Allahut (a.s). Çdo çështje që ka tekst të qartë sheriatik nuk i nënshtrohet ixhtihadit (mendimit të lirë juridik). Këtu qëndron një dallim i madh midis shuras në Islam dhe demokracisë: demokracia është “pushteti i popullit për popullin”, ku vendimi i shumicës bëhet ligj edhe nëse bie ndesh me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij. Ndërsa shura në Islam kufizohet vetëm në çështje për të cilat nuk ka tekst të qartë ndalimi ose lejimi.
Për shembull: Myslimanët nuk mund të mblidhen për të vendosur nëse do të lejojnë apo ndalojnë alkoolin, kamatën apo imoralitetin. Këto nuk hyjnë në fushën e konsultimit.
Po ashtu, në këtë rast të Sakifes, nuk lejohej zgjedhja e një prijësi jashtë Kurejshëve, edhe nëse të gjithë do të ishin dakord. Çështja kishte dalë nga duart e njerëzve dhe ishte vendosur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij (a.s). Allahu (xh.sh) thotë: “Nuk i takon besimtarit apo besimtareje, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin një çështje, të kenë zgjedhje tjetër…”[1]
Ndonjëherë njerëzit mendojnë se kundërshtimi i sheriatit sjell të mirë në disa raste për arsye të ndryshme, por kjo është mangësi në kuptim dhe dobësi në iman.
Sikur myslimanët të kishin zgjedhur një prijës jashtë Kurejshëve në atë moment, kjo do të kishte qenë devijim i qartë, por Allahu i ruajti nga ky gabim. Më vonë u pa bereqeti i ndjekjes së sheriatit në kohën e hilafetit të Ebu Bekr es-Siddikut (r.a), i cili e konsolidoi çështjen e shtetit dhe të fesë islame.
Ky është fryti i ndjekjes së ligjit hyjnor dhe nënshtrimit ndaj udhëzimit të Profetit Muhamed (a.s).
Allahu nuk kërkon vetëm zbatim në aparencë të ligjeve të sheriatit, por edhe dorëzim të brendshëm dhe kënaqësi të zemrës me atë që ka vendosur Ai. Allahu (xh.sh) thotë: “Ata nuk besojnë derisa të të bëjnë ty gjykues në mosmarrëveshjet e tyre dhe pastaj të mos ndiejnë asnjë ngushtim në zemrat e tyre…”[2]
Kjo është ajo që u pa në Sakife: gjykimi i të Dërguarit të Allahut (a.s), edhe pse ai kishte ndërruar jetë fizikisht, fjala dhe udhëzimi i tij mbetën të gjalla. Dhe u pa mungesa e kundërshtimit në zemrat e sahabëve dhe dorëzimi i plotë ndaj vendimit profetik.
Pra, udhëheqja e Kurejshëve është një ligj sheriatik te myslimanët, dhe kjo është vërtetuar edhe në shumë hadithe të tjera përveç atij që e transmetoi Ebu Bekr es-Siddiku (r.a) në Sakifen e Beni Sa’ides.
Ajo që vërehet në këtë ngjarje është fakti se transmetuesit e këtyre haditheve nuk ishin të pranishëm aty. Këtë hadith e kanë transmetuar Abdulla ibn Omer (r.a), Ebu Hurejra (r.a) dhe Muavije (r.a), por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm. Ka edhe transmetime të tjera me të njëjtin kuptim, të cilat disa sahabë ose nuk ishin të pranishëm për t’i dëgjuar, ose i kishin harruar, ose nuk e kishin kuptuar plotësisht në atë moment për shkak të tronditjes së madhe nga vdekja e të Dërguarit të Allahut (a.s).
Por ajo që është e qartë dhe e pakundërshtueshme është se kur ky hadith u përmend, asnjë sahab nuk e kundërshtoi, nuk e refuzoi dhe nuk e interpretoi ndryshe.
Kjo ka bërë që dijetarët islamë të theksojnë rëndësinë e kushtit që prijësi të jetë nga Kurejshët:
Imam Neveviu ka thënë se është e qartë se hilafeti është i veçantë për Kurejshët dhe nuk lejohet për të tjerët, dhe mbi këtë është formuar konsensusi i sahabëve dhe i brezave pas tyre.
Kadi Ijad ka thënë se kushti që udhëheqësi të jetë kurejsh është mendimi i të gjithë dijetarëve.
Ibn Haxher el-Askalani në Fet’hul Bari e përmend si kusht të pranuar.
El-Kurtubi ka thënë se imami i madh nuk lidhet veçse me Kurejshët.
Por me gjithë sa u tha më sipër, këto hadithe që e vendosin imametin (udhëheqjen) te Kurejshët nuk e bëjnë këtë çështje absolute, por e kushtëzojnë me një kusht të rëndësishëm, siç ka ardhur në transmetimin e Muavije ibn Ebi Sufjanit (r.a), në të cilin thuhet “për sa kohë që ata e mbajnë fenë”[3].
Po ashtu ka ardhur në një transmetim nga Ebu Bekr es-Siddiku (r.a): “për sa kohë që i binden Allahut dhe qëndrojnë në urdhrin e Tij”.
Dhe në një transmetim nga Enes ibn Maliku (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Udhëheqësit janë nga Kurejshët. Ata kanë ndaj jush të drejta dhe ju keni ndaj tyre të drejta: nëse kërkojnë mëshirë, mëshirojnë; nëse bëjnë marrëveshje, e përmbushin; nëse gjykojnë, gjykojnë me drejtësi. Kush nuk vepron kështu, mbi të është mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i të gjithë njerëzve.”[4]
Pra këto janë kushte: nëse Kurejshët nuk gjykojnë me drejtësi, nuk i përmbahen sheriatit dhe devijojnë nga rruga e Allahut, atëherë nuk ka bindje dhe as udhëheqje për ta.
Një çështje e rëndësishme është se Kurejshët në fillimet e Islamit ishin të njohur qartë si fis, por më pas ndodhën pushtimet islame dhe ata u shpërndanë nëpër botë: në Sham, Azi, Afrikën e Veriut, Andaluzí e vende të tjera. Me kalimin e kohës shumë prej tyre humbën lidhjen e qartë fisnore, sidomos ata që jetonin në qytete.
Nga ana tjetër, edhe shumë të tjerë, të cilët nuk i përkasi fisit Kurejsh u shpërngulën dhe u përzien me ta, duke e bërë çështjen e prejardhjes gjithnjë e më të paqartë. Më vonë u shtua edhe problemi i pretendimeve të rreme të përkatësisë ndaj Kurejshëve apo edhe ndaj Ehli Bejtit, për të ngritur statusin shoqëror, duke e bërë verifikimin e prejardhjes edhe më të vështirë.
Në këtë çështje komplekse, a e ka lënë sheriati njerëzimin pa rrugëzgjidhje? Kurrsesi jo.
Një rregull bazë i transmetuar nga Enes ibn Maliku (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dëgjoni dhe binduni, edhe nëse ju udhëheq një rob etiopian me kokë si rrush i thatë, për sa kohë që ai e zbaton Librin e Allahut.”[5]
Ky është parimi mbi të cilin u mbështetën edhe disa shtete islame në histori, si osmanët, të cilët e konsideruan legjitime udhëheqjen e tyre për sa kohë që zbatuan Librin e Allahut dhe bashkuan umetin nën ombrellën e sheriatit.
Pra përfundimi i kësaj pike është: sahabët u pajtuan plotësisht me hadithin e Ebu Bekr es-Siddikut (r.a) dhe arsyeja është, sepse një gjë e tillë ishte ligj dhe si rrjedhojë situate në Sakife u qetësua, mospajtimi u shua dhe njerëzit gjetën prehje në atë se ishin Kurejshët ata të cilët duhet të udhëhiqnin.
Së dyti: Një koment i rëndësishëm mbi dialogun e shkurtër që ndodhi mes Ebu Bekr es-Siddikut (r.a) dhe S’ad ibn Ubade (r.a): E vërteta është se ky është një nga momentet më madhështore në histori. Dhe duket qartë se ne nuk i kemi dhënë këtij rasti vlerën që meriton, nuk i kemi dhënë S’ad ibn Ubades (r.a) hakun e tij, dhe po ashtu edhe ensarëve.
Si mund të neglizhohet një ngjarje e tillë nga myslimanët, kur ata e njohin, por nuk nxjerrin mësim prej saj?
Si mund të mos e përmendin dhe ta transmetojnë, ashtu siç bëjnë me ngjarje të tjera të përjetshme në historinë islame?!
Një njeri që është zotëria i fisit të tij dhe kreu i familjes së tij, qëndron përballë njerëzve të tij, rrethuar nga kalorës, ushtarë dhe mbështetës. Dhe ku qëndron ai? Në Sakifen e tij, Sakifen e Benu Sa’ides.
Ai është S’ad ibn Ubade (r.a) nga ensarët e Medinës. Dhe ku është Sakifa? Në qytetin e tij, Medinën e ndritur.
Populli i tij e kishte propozuar për udhëheqje dhe prijësi, jo për një kompani apo një xhami apo një parti, por për një umet të tërë, për një shtet.
Ai ishte një njeri me mendje të mprehtë, menaxhim të mirë dhe mbështetje reale popullore. Përballë tij qëndron një njeri që ishte si “emigrant politik”, i cili kishte ardhur në qytetin e tyre, kishte ikur nga populli i tij, dhe ata e kishin strehuar, nderuar dhe mbështetur.
Dhe ky emigrant qëndron mes vetëm dy burrave nga i njëjti qytet, në një tubim plot me ensarë. Dhe pastaj ai thotë: “Kurejshët janë udhëheqësit e kësaj çështjeje.”
Dhe ia heq çështjen që dukej se ishte vendosur për të, dhe ia jep dikujt tjetër. Cili është reagimi i prijësit dhe liderit?
Ai thotë me thjeshtësi: “Ke të drejtë. Ju jeni prijësit, dhe ne jemi ndihmësit.”
Pa debat, pa kundërshtim, pa e shtrembëruar kuptimin…
Çfarë shpirti i pastër!
Çfarë zemre e kulluar!
Çfarë njeriu që qëndron mbi Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (a.s)!
Dhe çfarë padrejtësie e madhe është bërë ndaj figurës së tij dhe ndaj ensarëve!
Sa gjak është kursyer dhe mund të kishte rrjedhur lumenj në rrugët e Medinës po të donin.
Sa jetë u ruajtën, ndërkohë që mund të ishin humbur me mijëra.
Sa fitne u shuan!
Dhe sa unitet u arrit!
Këto janë pasojat madhështore të qëndrimit të sahabiut të nderuar S’ad ibn Ubades që këtë qëndrim e mbajti për hir të Allahut.
Dhe ku është dynjaja në sytë e ensarëve?
Siç i kanë akuzuar orientalistët dhe ndjekësit e tyre, ku është kjo “dynja”?
Nëse dynjaja, siç pretendojnë ata, do të ishte motivi që i shtyu ensarët të mblidheshin në Sakifen e Beni Sa’ides pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), a do t’i bindeshin ata këtyre fjalëve? A do të ndaleshin dhe të pranonin një hadith që në atë çast u transmetua nga një njeri i vetëm, i cili më pas do të përfitonte nga rezultatet e tij?
Orientalistët që kanë sulmuar ensarët janë dy llojesh:
Ose një njeri injorant që nuk e kupton domethënien e zemrave besimtare dhe të shpirtrave të sinqertë, dhe i mat ngjarjet me standardet e kohës moderne, ku materializmi ka dominuar njerëzit, dhe ku nuk ka gjë më të ndyrë se politika, dhe nuk ka më shumë se komplote, intriga, kurthe, mashtrim, hipokrizi dhe gënjeshtër. Ky është një njeri injorant nga orientalistët.
Ose është një njeri i mllefosur dhe i mbushur me urrejtje, i cili pa një fe të drejtë, njerëz të ndershëm dhe një histori të pastër e të rrallë, por urrejtja ia verboi zemrën; pa të vërtetën dhe e refuzoi atë, dhe e njohu të saktën por e kundërshtoi.
Këta orientalistë, qofshin injorantë apo të mllefosur, kanë bërë në histori atë që kanë bërë. Dhe ndoshta kanë justifikimet e tyre për veprimet e tyre, por ku janë myslimanët?!
A është drejtësi të lëmë këtë thesar të çmuar të vlerave, moralit dhe shembujve të rrallë, dhe të shkojmë të studiojmë historinë e Evropës, historinë e faraonëve apo historinë e qytetërimeve të Kinës dhe Indisë?!
A është mençuri që t’ua lëmë armiqve tanë të luajnë me historinë tonë, të na marrin nën kontroll dhe ne t’i ndjekim pa pyetje e pa kërkim?!
A është e drejtë që dijetarët myslimanë në këtë kohë të jenë të zënë larg saj, në një kohë kur sulmi i ashpër ndaj fesë sonë dhe vendeve tona është shtuar?!
A nuk është më mirë për ne dhe për njerëzimin që të kënaqemi me studimin e thesareve tona historike dhe burimeve tona fetare?
Cila umet është më e madhe se umeti islam?
Dhe cila histori është më e pastër se kjo histori?
Së treti: Nëse Ebu Bekri (r.a) e njihte këtë hadith vendimtar “udhëheqja është te Kurejshët”, përse nuk e përmendi që në fillim të diskutimit dhe nuk e mbylli menjëherë debatin?
E vërteta është se kjo tregon për urtësinë dhe mprehtësinë e Ebu Bekrit (r.a). Sepse, po ta kishte përmendur hadithin pa i paraprirë me argumente të qarta, me arsye të forta dhe me shpjegim logjik se përse Kurejshët ishin më të përshtatshëm për drejtimin e shtetit islam dhe se arabët do t’i bindeshin më lehtë atyre, atëherë ensarët mund ta refuzonin dhe situata do të përkeqësohej.
Është urtësi që një kërkesë e vështirë t’i paraqitet dikujt vetëm pasi të jetë përgatitur psikologjikisht. Mos u bë ndihmë e shejtanit kundër vëllait tënd. Vlerësoji gjërat sipas masës së tyre. Folu njerëzve sipas mendjeve të tyre dhe merr parasysh gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike.
Ensarët ishin të përgatitur psikologjikisht për të marrë drejtimin, argumentet e tyre logjike dukeshin të forta dhe bindëse, dhe ekzistonte frika se mund të mos i bindeshin urdhrit të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij (a.s). Prandaj ishte e domosdoshme që çështja të trajtohej me urtësi dhe me gradualitet në përcjelljen e gjykimit, derisa kur të paraqitej ai, ta pranonin pa hezitim dhe ta ndiqnin pa dyshim. Kjo është një kuptueshmëri e thellë dhe një urtësi e jashtëzakonshme.
Së katërti: Në lidhje mefjalën e Ebu Bekrit (r.a) : një dyshim i dobët që kanë ngritur disa orientalistë është se ky hadith është i shpikur nga Ebu Bekri (r.a) për të forcuar pozicionin e muhaxhirëve në debatin e Sakifes së Beni Sa’ides. Por është e qartë se këta orientalistë nuk kanë mungesë vetëm në dije dhe fikh, por edhe në etikë.
Është e qartë se ata nuk dinë asgjë për Ebu Bekrin (r.a), për sahabët dhe për drejtësinë e tyre të përgjithshme. A nuk është transmetuar ky hadith nga rrugë të tjera të shumta, jo vetëm nga Ebu Bekri (r.a), por edhe nga disa ensarë? Dhe a nuk gjendet në librat më të saktë të hadithit në disa vende?
Pastaj, a do të heshtnin ensarët nëse do të dyshonin në këtë çështje? A u mungonte atyre argumenti apo fuqia? A do të linin një çështje të tillë për një hadith të dyshimtë?
Nëse thuhet se ensarët u turpëruan nga Ebu Bekri (r.a), atëherë shtrohet një pyetje: A nuk i keni përshkruar më parë si kërkues të pushtetit dhe të dynjasë? A i frikësohet një kërkues pushteti dikujt që po i merr sundimin pa kërkuar dëshmi?!
Në të vërtetë, nënshtrimi i plotë i ensarëve është dëshmi e fisnikërisë së tyre dhe e moralit të lartë, dhe njëkohësisht dëshmi e pozitës së lartë të Ebu Bekrit (r.a) mbi çdo dyshim.
Por çfarë të them? “Në të vërtetë, nuk verbërohen sytë, por verbërohen zemrat që janë në kraharorë”[6] Kështu që nuk më ngelet të them veçse atë që Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk do të pushojë kjo çështje te Kurejshët për sa kohë që dy njerëz mbeten.”
Burimi: islamstory.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ahzab: 36.
[2] – Sure Nisa: 65.
[3] – Buhariu.
[4] – Ahmedi.
[5] – Buhariu.
[6] – Sure Haxh: 46.



















