Mesazhet e realizimit të një ëndrre

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Me të vërtetë, atë njeri që Allahu i Madhëruar e ka udhëzuar në rrugë të drejtë nuk ka kush ta humbasë e ai njeri që e ka humbur veten e tij nuk ka kush ta udhëzojë në rrugë të drejtë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahu të Madhëruar, Një të Vetëm e të pashok në sundimin e Tij. Gjithashtu dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, i cili e përçoi mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për profetin Muhamed, familjen, të afërmit, shokët dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Allahu i Madhëruar na tregon në Kuranin Fisnik historinë e Jusufit (a.s), i cili shikon një ëndërr, e cila në fund realizohet. Në lidhje me historinë e Jusufit (a.s) Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani.”[1] Padyshim të gjithë historitë që Allahu i Madhëruar i ka treguar në Kuranin Fisnik janë të bukura, megjithatë historia e Jusufit (a.s) është më e bukura, sepse një fakt të tillë e dëshmon Allahu i Madhëruar në këtë ajet. Thua vallë, historitë e Kuranit dhe ajo e Jusufit (a.s) janë thjesht të bukura dhe të këndshme, apo kanë një qëllim më sublim se thjesht argëtimi dhe kënaqësia? Allahu i Madhëruar thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes.”[2]Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na e tregon shumë qartë se kush është synimi nga tregimi i historive të të dërguarve. Në çdo histori të Kuranit, njeriu i mençur dhe veçanërisht muslimani duhet të nxjerrë mësime dhe përvoja të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin dhe aktualitetin. Sepse thuhet se historia përsërit vetveten dhe vetëm personazhet, vendet dhe koha janë ato që ndryshojnë. Një prej këtyre historive që përmenden në Kuranin Fisnik është edhe historia e Jusufit (a.s) e cila përsëritet edhe në ditët e sotme, pikërisht me atë që ndodh në Palestinë.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Jusufi (a.s) shikon në ëndërr se 11 – të yje, dielli dhe hëna i ranë në sexhde. 11 – të yjet simolizonin 11 – të vëllezërit e tij kurse dielli dhe hëna simbolizonin babën dhe nënën. E kjo ëndërr u realizua pas më shumë se 30 – të apo 40 – të vjetësh. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai tha: O ati im! Kjo është domethënia e ëndrrës time të mëparshme. Zoti im tanimë e bëri realitet.”[3]Padyshim Jusufi (a.s) gjatë jetës së tij ka parë edhe ëndrra të tjera, mirëpo Allahu i Madhëruar na tregon vetëm për këtë ëndërr e cila u realizua.

Ëndrra e çdo fëmije në Palestinë është të luajë dhe Palestina duke qenë e lirë. Ëndrra e çdo të thyeri në moshë është kalojë një pleqëri të mbarë në Palestinën e lirë. Ëndrra e çdo gruaje në Palestinë është të edukojë fëmijët e saj në Palestinën e lirë. Ëndrra e çdo burri në Palestinë është të fitojë riskun hallall në Palestinën e lirë. Ëndrra e çdo muslimani në të të gjithë botën është çlirimi i Palestinës nga pushtuesit sionistë. E nuk ka dyshim se kjo ëndërr do të realizohet me lejen e Allahut të Madhëruar, ashtu sikurse i Madhëruari e bëri realitet ëndrrën e Jusufit (a.s).

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre nuk është i thjeshtë. Ai i cili dëshiron të realizojë ëndrrën e tij do të përballet me shumë vështirësi, sprova e sfida. Nëse ai i bën ballë të gjitha dallgëve  – sado të mëdhaja që të jenë ato – me patjetër, do të dalë në bregun tjetër. Jusufi (a.s) u përball me sprovën e smirës, hedhjes në pus dhe shitblerjes nga vëllezërit e tij. Në Egjipt u shit si skllav. U sprovua me Zulejhanë dhe disa prej grave të qytetit. U sprovua me burgun. U sprovua me menaxhimin e situatës së Egjiptit për 15 – të vite. E të gjitha këto sfida e sprova ai i përballoi dhe i kaloi me sukses. Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti im këtë tanimë e bëri realitet, e mua më dhuroi mirësi kur më nxori prej burgut, e juve u solli nga fshati pasi djalli pat futur përçarje ndërmjet meje dhe vëllezërve të mi.”[4]

Vëllezërit dhe motrat tanë në Palestinë janë sprovuar me pushtuesin sionist prej vitit 1948. E më parë kanë qenë të sprovuar me britanikët. Janë sprovuar me amerikanët dhe perëndimin që mbështet shtetin sionist të Izraelit. Por janë sprovuar edhe me ato qeveri të shteteve arabe, të cilat luajnë rolin e hipokritit dhe të tradhtarit. Pavarësisht këtyre sprovave të njëpasnjëshme, ata i kanë bërë ballë dhe do të vazhdojnë t’i bëjnë ballë derisa e gjithë toka palestineze të çlirohet nga armiqtë e saj qofshin ata pushtues, mbrojtës apo tradhtarë.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre nuk mund arrihet pa dhimbje. Një dhimbje shumë të madhe kaloi Jakubi (a.s) i cili për vite me rradhë nuk e pa djalin e tij, Jusufin (a.s). Dhimbja iu shtua edhe më tepër kur prej tij u ndanë edhe dy djemtë e tjerë. Dhimbje ndjeu kur fëmijët e tij nuk po pendoheshin tek Allahu për mëkatin që kishin bërë. Dhimbje të madhe ndjeu Jusufi i vogël kur u nda nga i jati dhe e jëma. Dhimbje ndjeu kur e hodhën në pus. Dhimbje ndjeu kur e shitën e vëllezërit. Dhimbje ndjeu kur e shitën si skllav në Egjipt. Dhimbje ndjeu kur padrejtësisht e rrasën në burg. Dhimbje ndjeu kur u takua me vëllezërit për herë të parë. Po ashtu dhimbje më të madhe ndjeu kur takimi me të jatin sa vinte dhe afrohej më shumë, megjithëse lotët – kur u takuan – ishin lot gëzimi dhe malli.

Vëllezërit dhe motrat tanë në Palestinë kanë ndjerë dhimbje kur ajo është pushtuar në 1948 nga sionistët. Ata vazhdojnë të ndjejnë dhimbje edhe në ditët e sotme nga gjenocidi i paprecedent i një shteti gjakatar e terrorist. Nëna ndjen dhimbje për humbjen e fëmijëve të saj, ashtu sikurse edhe fëmijët qajnë kur humbasin nënën. Gruaja ndjen dhimbje kur bashkëshorti, vëllai apo i babai i saj, burgoset padrejtësisht në burgjet e pushtuesit sionist për vite me rradhë. Familjarët ndjejnë dhimbje kur pushtuesi ia merr me forcë shtëpinë për t’ia dhënë atë një familje hebreje. I gjithë populli ndjen dhimbje kur është i bllokuar nga të gjithë anët. I gjithë populli ndjen dhimbje kur bombardohen shtëpitë, rrugët, spitalet, shkollat dhe gjithçka tjetër. Por të gjitha këto dhimbje do të harrohen në ditën në të cilën do të çlirohet Palestina.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre arrihet nëpërmjet qëndrueshmërisë dhe durimit. Jakubi (a.s) qëndroi dhe bëri durim kur u nda prej Jusufit (a.s). Qëndrueshmëria dhe durimi i tij nuk zgjati një orë, një ditë, një muaj apo një vit, por vite me rradhë. Jakubi (a.s) është pejgamberi i Zotit i cili tha: “Durimi i mirë.”[5]Sa fjalë domethënëse, fjalë që duhet të skaliten në memorien e secilit prej nesh. Fjalë të cilët duhet të na shoqërojnë në çdo sfidë dhe sprovë sado që të zgjasë ajo. Fjalë e cila jep shpresë për të ardhmen me lejen e Allahut. Prandaj edhe Jakubi (a.s) tha: Është shpresë që Allahu do të m’i sjellë të gjithë. Ai është më i Dijshmi, më i Urti.”[6]Durim bëri Jusufi (a.s) kur vëllezërit e hodhën në pus, durim bëri kur u shit si skllav, durim bëri kur u ftuan për të bërë imoralitet, durim bëri kur e futën në burg, durim bëri edhe kur për vite të tëra menaxhoi dhe administroi çështjet e shtetit. Padyshim që edhe Jusufi (a.s) ka bërë të njëjtin “durim të mirë” si i jati megjithëse nuk u shpreh me fjalë. Më e bukura, në të gjitha këto sprova me të cilat u përballën Jakubi (a.s) dhe djali i tij, Jusufi (a.s), është se ata nuk u ankuan as edhe njëherë të vetme. E ky pra është “Durimi i mirë”.

Pushtuesi sionist padrejtësisht ka pushtuar tokën e Palestinës dhe populli palestinez është treguar i qëndrueshëm dhe durimtar. Pushtuesi sionist i ka detyruar banorët e Palestinës të jetojnë në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, megjithatë ata vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm e të durueshëm. Pushtuesi sionist për vite me rradhë ka ushtruar gjenocid mbi popullatën palestineze duke kërkuar spastrim etnik, megjithatë populli palestinez vazhdon të qëndrojë dhe të durojë sepse e dinë shumë mirë se çlirimi i tokës palestineze vjen nëpërmjet “durimit të mirë.”

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre arrihet nëpërmjet dijes, përpjekjes dhe mundit. Jakubi (a.s) e dinte shumë mirë se djali i tij ishte gjallë, megjithatë ai nuk u mjaftua me kaq, por ai kërkoi prej djemve të tij që hynin në Egjipt dhe të kërkonin e të gjenin Jusufin (a.s), megjithëse prej shumë vitesh ata nuk kishin dëgjuar për të. Kur Jusufi (a.s) mbushi moshën e pjekurisë, Allahu i dha dituri, dituri të cilën e shfrytëzoi për të shpëtuar popullin e Egjipit dhe jo vetëm atë nga zija e bukës.

Populli palestinez e di shumë mirë se Allahu i ka premtuar fitoren ndaj pushtuesit sionist. Të gjithë jetojnë me fjalën e Allahut: “Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.”[7] Ashtu sikurse e dinë mirë kuptimin e këtij ajeti, po ashtu ata e kuptojnë mirë edhe ajetin tjetër, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre, e me të (me përgatitje) të frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët të cilët ju nuk i dini, e Allahu i di ata.”[8]

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre nuk arrihet nëse nuk ke të drejtë dhe nëse nuk je i pafajshëm. Jusufi (a.s) padrejtësisht u fut në burg e ai nuk doli nga burgu vetëm pasi u provua pafajësia e tij. Madje mbreti nuk e përzgjodhi atë vetëm për veten e tij, vetëm pasi e kuptoi se ai ishte njeri i mirë, i drejtë, i pafajshëm dhe i ndershëm.

E gjithë bota e di se e drejta qëndron me Palestinën dhe popullin palestinez, përveç pushtuesit dhe përkrahësve të tyre që janë pjesë e zullumit dhe padrejtësisë. Mjafton që Allahu i Madhëruar e di se e drejta është me popullin palestinez, prandaj edhe triumfi do të vijë. Allahu i Madhëruar thotë: “E ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues. Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë.”[9]

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizimi i një ëndrre nuk arrihet nëse njeriu nuk e kupton mirë edhe ndikimin e faktorit kohë. Midis ëndrrës që pa Jusufi (a.s) deri në realizimin e saj kaluan shumë vite. Tridhjet vite ndoshta dyzet vite, më shumë apo më pak. Nuk është me rëndësi të dimë me saktësi se pas sa vitesh ëndrra u realizuar, sepse po të ishte e rëndësishme Allahu i Madhëruar do të na e tregonte. Ajo që është e rëndësishme të dimë është fakti se që një ëndërr të realizohet duhet kohë.

Kanë kaluar 75 vite qysh kur sionistët kanë pushtuar tokën e Palestinës. Megjithatë çështja e çlirimit të Palestinës është çëshjte kohe. Allahu i Madhëruar ka thënë:“Ky është ligji i Allahut edhe ndër ata që ishin më parë, e në ligjin e Allahut nuk mund të gjesh ndryshim.”[10]

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Realizmi i një ëndrre arrihet me besimin, bindjen dhe lutjet me përgjërim drejtuar vetëm Allahut të Madhëruar. E kjo duhet bërë vazhdimisht ashtu siç bëri Jakubi (a.s) kur i tha djemve të tij: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini.”[11] Kurse Jusufi (a.s) i drejtohet Allahut të Madhëruar: “Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove mua komentin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestari imi në Dynja e në Ahiret, më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët.”[12]

Jo vetëm populli palestinez, por të gjithë muslimanët kudo që janë i drejtohen me lutje Allahut të Madhëruar që ta çlirojnë Palestinën nga pushtuesit sionist. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe thuaj: Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.”[13]

Imam-Hatib: Elton Harxhi

[1] – Sure Jusuf: 3

[2] – Sure Jusuf: 111.

[3] – Sure Jusuf: 100.

[4] – Sure Jusuf: 100.

[5] – Sure Jusuf: 83.

[6] – Sure Jusuf: 83.

[7] – Sure Rum: 47.

[8] – Sure Enfal: 60.

[9] – Sure Kasas: 5 – 6.

[10] – Sure Ahzab: 62.

[11] – Sure Jusuf: 86.

[12] – Sure Jusuf: 101.

[13] – Sure Isra: 81.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.