Mirësia e udhëzimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në ajetet e agjërimit, Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu që ju ta madhëroni Allahun që ju udhëzoi me qëllim që ta falenderoni.”[1]

Sa mirësi e madhe dhe fe madhështore është Islami që i urdhëron ithtarët e tij të madhërojnë dhe falenderojnë Allahun e Madhëruar që i udhëzoi ata në rrugë të drejtë.

A të ka shkuar ndonjëherë ndërmend të meditosh rreth mirësisë së udhëzimit në Islam? A e ke ndjerë bujarinë e madhe të Allahut ndaj teje që të ka bërë musliman? A e ke ndjerë mirësinë e Allahut ndaj teje që ta bëri të mundur të agjërosh Ramazanin, të falësh namazin e teravisë, të lexosh Kuranin,etj? A e ke falenderuar Allahun për të gjitha këto mirësi?

Mirësia e udhëzimit në Islam dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Madhëruar është një prej mirësive më të mira që Allahu i ka dhënë robit të Tij. Prandaj Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë në lidhje me udhëzimin në rrugë të drejtë thotë: “Që të plotësoj mirësinë Time ndaj jush dhe që ju të shkoni në udhë të drejtë.”[2]

A nuk e ndjen në zemrën tënde kënaqësinë, ëmbëlsinë dhe bukurinë e udhëzimit. A nuk e ndjen mirësinë dhe pozitën e lartë në të cilën ndodhesh kur bie në ruku e në sexhde për Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës, kurse sa e sa njerëz bien në sexhde për gurin, pemën, njeriun, etj?! Vetëm Ty të falenderojmë o Allah për mirësinë e udhëzimit.

Ne jemi të urdhëruar nga Allahu që t’i lutemi Atij që të na udhëzojë dhe forcojë në rrugë të drejtë për çdo ditë në çdo namaz dhe në çdo rekat. “O Zot na udhëzo në rrugë të drejtë!”[3]

I Dërguari i Allahut (a.s) i drejtohej Allahut vazhdimisht që ta udhëzonte. Ai (a.s) lutej me fjalët: “O Zot më udhëzo dhe më drejto (në rrugën e drejtë)!” “O Zot unë të kërkoj udhëzim dhe devotshmëri.” Po ashtu ai (a.s) lutej me fjalët: “Më udhëzo – me lejen Tënde – në të vërtetën në ato çështje që ka mosmarrëveshje. Vërtet, Ti udhëzon kë të duash në rrugën e drejtë.” Fjalia e parë që themi në duan e kunutit është: “O Zot, më udhëzo në rrugë të drejtë ashti siç ke udhëzuar të tjerë.” Madje lutja që më së shumti i Dërguari i Allahut (a.s) i lutej më shumë Allahut është “O Ti që i ndryshon zemrat! Bëje zemrën time të qëndruar në fenë Tënde.”

Mirësia e udhëzimit është vetëm në dorën e Allahut dhe sikur të mos ishte mirësia dhe bujaria e Allahut ndaj nesh, ne nuk do të ishim të udhëzuar, nuk do ta njihnim dhe as do ta adhuronim Atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ti nuk mund të udhëzosh kë të duash, por Allahu është Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.”[4] “Ti nuk e ke për detyrë t’i udhëzosh ata në rrugë të drejtë, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë në rrugë të drejtë.”[5] “Çdo mirësi që e keni është nga Allahu.”[6] “Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.”[7] Këtë lloj ndjesie e ka pasë përcjellur edhe Profeti (a.s) kur i lutej Allahut: “ O i Përjetshëm, Mbajtës i gjithçkaje, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë. Përmisoji të gjitha çështjet e mia dhe mos më bëj të mbështetem në veten time qoftë edhe sa pulitja e syve.” Transmetohet se profeti (a.s) e ka bërë këtë lutje menjëherë pasi u shpall ajeti kuranor: “Dhe sikur mos të të kishm forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.”[8]

Pavarësisht se çfarë cekëm më lart, ne duhet të dimë se duhet të përpiqemi të kërkojmë udhëzimin dhe për të qenë vazhdimisht të udhëzuar, ashtu sikur thotë Allahu në një hadith kudsij: “O robërit e Mi! Ju të gjithë jeni të humbur përveç atij që Unë e udhëzoj. Prandaj kërkoni prej Meje udhëzim që t’u udhëzoj!” E kur njeriu e bën këtë gjë, atëherë Allahu ia shton mirësinë. “Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje.”[9]

Dhe së fundmi themi se në Xhenet, banorët e tij e falenderojnë Allahun që i ka udhëzuar në rrugë të drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Qoftë lëvduar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim të udhëzuar, sikur mos të na udhëzonte Allahu. Padyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën. Dhe një zë do t’i thërrasë: Ky është Xheneti që ju keni merituar për atë që keni punuar.”[10]

Autor: Abdurrahman Zeki Hamd

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Bekare: 185.

[2] – Sure Bekare: 150.

[3] – Sure Fatiha: 6.

[4] – Sure Kasas: 56.

[5] – Sure Bekare: 272.

[6] – Sure Nahl: 53.

[7] – Sure Hud: 88.

[8] – Sure Isra: 74.

[9] – Sure Muhamed: 17.

[10] – Sure A’raf: 43.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *