Allahu i Madhëruar e ka përcaktuar misionin e muslimanit të vërtetë në një ajet të Librit të Tij dhe më pas ky mision është përmendur edhe në shumë ajete të tjera. Ajeti që përcakton misionin e muslimanëve në jetë, është Fjala e Allahut të Madhëruar: “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin! Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve muslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Prandaj faleni namazin, jepni zekatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai”.([1])
Këto fjalë janë të qarta dhe nuk kanë kuptime të dyfishta apo paqartësi. Betohem në Allahun se janë fjalë të ëmbla dhe janë në kulmin e bukurisë! Ato janë të qarta si agimi dhe të dukshme si drita. Ato e pushtojnë dëgjimin dhe depërtojnë në zemër, pa kërkuar leje. A nuk e kanë dëgjuar më parë muslimanët këtë ajet, apo e kanë dëgjuar, mirëpo në zemrat e tyre ka dryna, prandaj nuk kuptojnë dhe nuk meditojnë?! Allahu i Madhëruar i urdhëron muslimanët që të bien në ruku, në sexhde, të falin namazin – që është thelbi i adhurimit, shtylla e Islamit dhe shenja më e dukshme e tij – ashtu siç i urdhëron, që të adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i përshkruajnë asgjë Atij në adhurim. Ai i urdhëron, që të bëjnë punë të mira sa të munden dhe kur i Madhëruari i urdhëron të kryejnë të mirën, në të njëjtën kohë i ndalon që të kryejnë të keqen. Dije se e mira e parë është që të mos veprosh të keqen. Sa konçize dhe e arrirë është kjo porosi kuranore! Ai ka përcaktuar suksesin, shpëtimin dhe fitoren për cilindo që i zbaton këto urdhëresa dhe mësime. Ky është misioni individual i çdo muslimani, të cilin ai duhet ta zbatojë, si në jetën private ashtu edhe në atë publike.
Autor: Hasan El Benna
Përktheu: Rushit Musallari