Mposhtja e aktualitetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

“Ti o Muhamed po shkatërron veten tënde nga pikëllimi duke u shkuar pas atyre (duke i ftuar e ata largohen prej teje)…”[1]

 “Ti je duke e mbytur veten tënde nga pikëllimi dhe vuajtja,  se ata nuk bëhen besimtar”[2]

“Kur u thuhet atyre: “Ndiqni atë që ka zbritur Allahu” ata thonë: “Jo! Më mirë do të ndjekim çfarë gjetëm nga baballarët tanë”. (A do ta bëjnë këtë) Edhe pse baballarët e tyre nuk kuptonin gjë dhe nuk ishin të drejtuar”[3]

“Dhe mos u kënaqni dhe mos u rehatoni me të padrejtët që të mos ju prekë Zjarri. Ju nuk keni mbrojtës të tjerë përveç Allahut. Nëse do ta bëni nuk do të mund të mbroheni” Hud 113

“Në qoftë se ai (Muhamedi) do të kishte trilluar një thënie të gënjeshtërt për Ne, do ta kishim kapur për dorën e djathtë, dhe me të vërtetë që do tia kishim prerë damarin e jetës (aortën e zemrës) dhe askush prej jush nuk do të mundej të na ndalonte prej tij (që ne ta ndëshkonim)”[4]

Motiv…

Vetëm në aktualitet, veçanërisht në këtë tonin, por mbase edhe në shumë të tjerë, mund të kuptosh thellë thënien profetike: “Ai që përzihet me njerëzit dhe duron të ligat e tyre është më i mirë se ai që largohet nga njerëzit dhe nuk duron të ligat e tyre”

Këtu, në aktualitet, e kupton dhe e ndjen thellësisht, deri në skajin më të thellë të së përbrendëshmes, se pse të jetuarit në mes të ligave është afrim tek i Gjithëdijëshmi.

I tillë është ky aktualiteti ynë që me grishjen e tij këmbëngulëse e shumë dhelparake, të ndez dhe angazhon për rezistencë të gjithë arsenalin e brendshëm emocional.

Mbase e para ndjenjë e angazhuar, syçelur e vigjilente në llogoren e saj, që përjeton, është përçmimi i vetes kur e përfytyron atë t’i nënshtrohet kompromisit të shumëllojshëm me aktualitetin në kurriz të vetes tënde.

Keqardhja therëse, deri në palcë, që shkakton jo thjesht vdekja por normaliteti dhe rehatia, mbase edhe rutina, që  karakterizon turmat që vazhdimisht e përditë përcjellin kufoma për në Sharrë apo Tufinë, apo Sharra dhe Tufina të tjera. Kjo ndjenjë është një tjetër element i arsenalit të emocioneve të trazuara.

Pështjellimi trazues edhe i qelizave më të vogla të stomakut, i nxitur nga ngjyrat e thjeshta e të përziera…. që kanë pushtuar rrugët, motivon durim e rezistencë.

Zgjedhja e shpejtë dhe e ngutshme mes dy të këqijave të bën të përjetosh konfuzionin që ka të bëjë jo thjesht me dy alterantivat por me hatrin dhe nijetin. E kështu kjo betejë me veten në fushën e nijetit të mundëson të shkruhesh prej nijetmirëve, siç thonë të mençurit, duke pasur parasysh se përcaktimi definitiv i nijetit është vetëm në dijen e të Madhit Zot.

Kthjelltësia apo vigjilenca e brendshme për mos t’iu dorëzuar demoralizimit dhe pesimizmit që shkakton rruga e gjatë e përballjes me aktualitetin, të mundëson një vetvlerësim që mbase nuk do qe i mundur pa shijuar ca pikëza plogështie dhe tkurrje që shpejtë treten nga kthjelltësia dhe vigjilenca në betejën e tyre me demoralizimin dhe pesimizmin. E ti rrëmbimthi i thua vetes mos u dorëzo… .

Akrobacia që bën mbi telin e hollë e të tendosur mes vetes tënde dhe asaj jashtë teje, të bën që me ashk dhe përgjërim të lutesh, ashtu siç do lutesh mbi sirat: O Zot me selamet. Pavarësisht se ke dëgjuar imamin e madh, Ahmed bin Hanbel,  të thotë: T’i bësh qejfin të gjithë njerëzve është synim i pa arritshëm.

E kështu, këto ndjenja e shumë të tjera, të provokuara nga ky aktualitet, i bashkon  një fije e fuqishme nervi, apo thuaj karshillëku, qëndresa dhe përballja e mirëmotivuar. Sa më shumë që të grish, ky aktualitet, për tu mposhtur e dorëzuar, aq më shumë arsenali i kalitur i emocioneve të tua të angazhon e të mobilizon për ta mposhtur atë. E ashtu duke u kacafytur me aktualitetin tënd por njëkohësisht i izoluar prej tij, duke qenë vetja, ti vendos piketat e formësimit apo siç i thonë formatimit të aktualitetit tënd. Sakaq, e vetëm kështu, ti hedh dritë të vazhdueshme mbi: “Besimtari që përzihet me njerëzit dhe duron të ligat e tyre është më i mirë se ai që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk duron të ligat e tyre”

Motiv….

Duke u marrë vazhdimisht me të rinjtë, studentorë e poststudentorë, kontakti i shpeshtë me ta më mundëson të di e të marr vesh rreth tyre më shumë se sa: si je, si ia kalon e nga shtëpia si kanë qenë?! Pra, e kam fjalën se ky kontakt i vazhdueshëm më mundëson edhe një ndjekje apo, më drejtë, konstatim i ecurisë së tyre nga një etapë në tjetrën.

Thuajse për ditë, ky kontakt më bën të përjetoj gëzim e kënaqësi kur takohem me filanin e suksesshëm në fushën e biznesit, me filanin e suksesshëm në fushën e ndërtimit, me filanin e suksesshëm në fushën e mjekësisë… e shumë fusha të tjera të jetës, madje edhe atë politike. Pra ke të bësh me kuadro të rinj, të përkushtuar fetarisht e moralisht, që dalë nga dalë po konsolidohen si në aspektin profesional edhe në atë të karrierës.

Por, për të qenë më të drejtpërdrejtë, veç shumë gjërave të mira e arritjeve që merr vesh e kupton, në lidhje me ecurinë e jetës së tyre, jo rrallë herë të ndodh të dëgjosh rreth pozicionimeve jo të duhura ndaj aktualitetit.

Realisht, çdo aktualitet të fton të pozicionohesh ndaj tij me njërën nga format e mëposhtme të pozicionimit:

– Bashkëveprim pozitiv

– Asimilim në të apo dorëzim ndaj tij

– Kompromisi me të

– Izolim prej tij

Jo rrallë herë gjen të grupuar në kategorinë e dytë, të tretë dhe të katërt. Pra jo rrallë herë dëgjon të thuhet: ky është aktualiteti, duhet t’i përshtatemi, apo: si të jetë vendi bëhet kuvendi, apo: më mirë merr një tufë dele e rri në mal.

Por më e dhimbshme sesa të gjithë këto pozicionime konkrete të jashtme është ai i brendshmi. E kam fjalën për dorëzimin e brendshëm, asimilimin e brendshëm, inferioritetin e brendshëm që buron nga bindja e krijuar akumulativisht nga përballja me aktualitetin, bindja se vala apo rryma është shumë e fuqishme dhe e papërballueshme, sakaq nëse nuk ecën në të njëjtin drejtim me të, të flak e të përplas tutje.

Mposhtja e aktualitetit si mision…

Në kuadrin e këtij shqetësimi dhe nën efektin e reflektimit të këtij aktualiteti mbi dijet dhe konceptet, mendoj se misioni i Profetit Muhamed (a.s) mund të shprehet edhe me frazën se: “Ai (a.s) erdhi për të na mësuar se si mposhtet një aktualitet nëpërmjet bashkëveprimit pozitiv me të”.

Për fat të mirë, kjo shprehje gjen si referencë disa ajete kuranore shprehëse të misionit të profetit Muhamed (a.s): “Allahu i ka nderuar besimtarët duke dërguar në mesin e tyre një profet, prej tyre, që ua këndon argumentet e Tij, i pastron nga mëkatet, u mëson atyre librin dhe urtësinë edhe pse para kësaj ata kanë qenë në humbje”[5]

 Ky verset është pjesë e një sure medinase, Ali Imran. Pra zbret pasi misioni i Muhamedit (a.s) i kishte dhënë frytet e tij dhe kishte arritur të ndryshojë kahjen e një shoqërie nga humbja për në dritë. Tashmë Kurani bashkë me urtësinë hyjnore e dhënë Muhamedit (a.s), kishte arritur të vendosë besimin në Zotin, Një e të pashoq mbi bazën e dijes dhe të argumentit, duke e shkëputur përgjithmonë nga degjenerimi i imitimit të verbër e të errët të etërve e të parëve. Siç kishte arritur pastrimin e mbarë shoqërisë medinase, dhe më gjerë, nga sjelljet e denigruara, e kjo jo mekanikisht por në bazë të ndryshimit të koncepteve dhe bindjeve rreth këtyre sjelljeve shoqërore, duke e konsideruar këtë lloj ndryshimi si shprehjen më reale të devotshmërisë ndaj Allahut të Madhërishëm.

Po ashtu thotë i Gjithëdijëshmi: “Kapuni të gjithë pas litarit të Allahut e mos u përçani. Dhe kujtoni mirësinë e Zotit mbi ju, kur ju ishit armiq ndërsa Allahu jua bashkoi zemrat e me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. Ju, njëkohësisht, ishit në buzën e gropës së zjarrit dhe Allahu ju shpëtoi prej saj. Kështu Allahu ju sqaron argumentet e tij që ju të drejtoheni”[6]

Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e marrëdhënieve shoqërore, armiqësore të dy fiseve të mëdha medinase para se të vinte Profeti (a.s). Ndërsa pas ardhjes së Tij medinasit u kthyen jo vetëm në paqe por u bënë vëllezër. E këtu kemi të bëjmë me ndryshimin e skajshëm që realizoi Kurani në marrëdhëniet shoqërore: nga armiqësi në vëllazëri. Pikërisht këtë ndryshim rrënjësor, si efekt i ftesës së Muhamedit (a.s), Allahu e prezanton si argument të vërtetësisë së librit të Tij, Kuranit: “…kështu Allahu ju sqaron argumentet e Tij që ju të drejtoheni”

Mrekullia…

Me të drejtë, dijetarët mysliman, veçanërisht studiuesit e shkencave kuranore, kanë qasje të ndryshme rreth çështjes së mrekullisë kuranore. Pra, ku konsiston mrekullia e Kuranit?

Shumë prej tyre pohojnë se mrekullia e Kuranit qëndron tek aspekti gjuhësor. Domethënë se pavarësisht se është prej fjalëve që flasin vetë njerëzit, askush prej tyre nuk mund të sjellë qoftë edhe një shprehje si të tij. Dikush tjetër pohon se ai është mrekulli juridike, pra mrekullia e tij qëndron tek përsosmëria e ligjeve dhe normave të tij. Dikush tjetër pohon se ai është mrekulli letrare. E të tjerë e shohin mrekullinë e tij tek të vërtetat shkencore që ai përmban.

Por diçka është e qartë, Kurani nuk zbriti thjesht për të vërtetuar vërtetësinë e vetes së tij. Ai zbriti si libër me mision. Pikërisht tek misioni i tij qëndron vlera dhe identiteti i tij. “Elif, Lam, Mim. Ky është një libër që s’ka dyshim në të. Ai është orientues për të devotshmit”[7] Sakaq i bie, siç pohojnë shumë dijetarë, që të hidhet dritë mbi një mrekulli tjetër shumë prezantuese për madhështinë e Kuranit dhe vërtetësinë e tij, atë të gjurmëve dhe efekteve pozitive, gjithëdimensionale që la Kurani në jetën e njerëzve dhe çka rreth tyre.

Kur zbriti ajeti kuranor: “Sot plotësova për ju fenë tuaj, mirësitë e mia mbi ju i përsosa dhe Islamin e kam bërë fenë tuaj të pranuar”[8] hebrejtë e Medines u thanë myslimanëve: nëse do ta na kishte zbritur ne çifutëve ky ajet, do ta kishim bërë ditën e zbritjes së tij ditë feste të shënuar. Ky verset kuranor ka zbritur, në haxhin e lamtumirës së profetit Muhamed (a.s), ditën e xhumua, dy vjet para vdekjes së Profetit (a.s). Këtu kemi plotësim feje, përsosmëri mirësie dhe fe të vetme të pranume. Këtu edhe çifutët e kuptuan se mirësia kuranore, frytet e së cilës i shijonin jo vetëm myslimanët por edhe të tjerët, tashmë është plotësuar dhe ka arritur kulmin.

Fakte…..

Në këtë kontekst faktet nuk jepen thjesht për të vërtetuar llojin e mrekullisë, sepse dimensionet e mrekullisë kuranore nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, madje janë në shërbim të njëri-tjetrit. Por faktet sillen për të përforcuar idenë se misioni i Profetit (a.s), i realizuar me sukses, konsiston tek demonstrimi konkretisht se si mposhtet një aktualitet. Pra Profeti (a.s) mbylli sytë e tij të ndriçuara vetëm pasi la një model të mirërealizuar për synimin e lartpërmendur.

Një nga aspektet pozitive të metodologjisë së studimit të jetës së Profetit (a.s), është se studiuesit e parashtrojnë jetën e Profetit (a.s) me përshkrimin e gjendjes së gadishullit arabik, dhe shumë më gjerë, para se të shpallej Muhamedi (a.s) si profet i Zotit të gjithësisë. Natyrshëm kuptohet se kjo bëhet për të nxjerrë në pah ndryshimin që i ndodhi botës në krye të njëzetë e ca viteve të profetësisë së Muhamedit (a.s).

Mu këtu, pikërisht mu këtu, duhet me u ndal gjatë, veçanërisht ata që janë në ring me aktualitetin. Si është e mundur që gadishulli arabik të kthehet në qendër të vëmendjes botërore, ndërkohë që  më parë kishte mbetur edhe jashtë ambicieve të Aleksandrit të Madh…?! Si është e mundur që disa njerëz, fise beduine, barinj delesh e devesh, në hasmëri e armiqësi të vazhdueshme me njëri-tjetrin, të kthehen, pa ekzagjerim, në barinj popujsh?! Si është e mundur që një grumbull fisesh që komandoheshin si me katapultë, qoftë edhe me një ushtar të vetëm pers apo bizantin, të shndërrohen në sundues dhe përfshirës të civilizimeve më të mëdha të historisë?!

Si është e mundur që këto fise arritën të kthehen nga një shoqëri e sistemit të egër të kastave në një shoqëri të barazisë njerëzore, nga një sistem ekonomik kamator, i nxitur dhe motivuar nga grykësia, në një sistem ekonomik të drejtë e të mëshirshëm pa kamatë, nga një shoqëri i armiqësisë, urrejtjes dhe gjakmarrjes në një shoqëri të vëllazërisë, paqes dhe dashurisë?!

Si është e mundur që të transferohet njeriu nga një nën nivel i denigruar intelektual, ku zotin e tij e formësonte nga brumi i hurmave, në nivelin e ndritur e fisnik të çlirimit të mendjes nga çdo lloj përralle e verbërie, nga degjenerimi emocional ku babai me duart e tij varroste bijën e tij për shkak të turpit se ishte femër, në nivelin e mëshirës dhe dhembshurisë edhe për zogjtë e malit?!

E rëndësishme, në këtë kontekst nuk është përgjigja rreth mënyrës se si, por fakti se këto ndryshime ndodhën realisht. Pra realisht misioni i Muhamedit (a.s) u krye, aktualiteti u mposht.

Vështirësi…

Aktualiteti me të cilin u përball profeti Muhamed (a.s) karakterizohej nga disa çështje shumë të rëndësishme të cilat e vështirësonin seriozisht atë.

Trashëgimi shekullore, referencë….

Ky aktualitet në të cilin u shpall Muhamedi (a.s) si profet ishte trashëgimi e brezave dhe e shekujve të mëparshëm. Pra ishte aktualitet me rrënjë e me degë… . Sakaq kemi të bëjmë me zakone që tashmë janë kthyer apo shndërruar në natyrë njerëzore, siç thonë dijetarët: adeti është natyrë e dytë. Herë pas here Allahu i Madhëruar tërheq vëmendjen tek pesha e kësaj çështje tek aktualiteti politeist mekas: “E kur atyre u thuhet ndiqni atë që u është zbritur nga Allahu, thonë: ne po ndjekim atë që na kanë lënë baballarët tanë. Por edhe nëse baballarët e tyre kanë qenë prej atyre që nuk mendojnë e që nuk janë të drejtuar”[9] Pra besnikëria e verbër ndaj të parëve, sido të ishin ata, ishte një element vështirësues jo i vogël për aktualitetin e Muhamedit (a.s).

Infektim i tejskajshëm…

Kjo trashëgimi ishte i gjithë aktualiteti. Domethënë se s’kishte lënë sferë madje edhe qelizë të jetës pa prekur. Ky devijim gjithëpërfshirës, në mungesë të referencës së saktë, sa vinte e thellohej si në aspektin intelektual, emocional edhe atë të sjelljes. Ishte normale që zotrat të bëheshin jo vetëm nga gurë apo dru të gdhendur, por edhe nga një grumbull rëre i urinuar, apo nga një top brumi hurmash që më pas mund të hahej për shkak të urisë. Kamata, orgjia, vrasja e foshnjave, dhunimi i të dobëtit e jetimit, skllavërimi i gruas, ngrënia e cofëtinave, llojet e ndryshme të martesave të pahijshme, të gjitha këto ishin jo thjesht dukuri por edhe vetë jeta nuk mund të kuptohej pa to.

Sistem…

Ky aktualitet në vetvete ishte një sistem i ngritur mbi këto lloj vlerash dhe jo vetëm një zbatim i çrregullt i tyre. Kjo do të thotë se këto vlera përbënin në vetvete interesa të shtresave të caktuara të cilat intensivisht ishin të interesuar që të mbeteshin  dhe që me ndryshimin e tyre përfytyronin dhe parashikonin prishjen e sistemit të interesave të tyre. Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehli, që të dy politeistë të mëdhenj të Mekës, armiq të profetit Muhamed (a.s), e kapën në befasi njëri-tjetrin pas shtëpisë së Muhamedit (a.s) duke dëgjuar Profetin (a.s) të lexonte Kuran. Pyetjes së Ebu Sufjanit se: pse nuk bëhesh mysliman kur e di se Muhamedi (a.s) është profet i vërtetë, Ebu Xhehli i përgjigjet: nuk dua që të thonë se fisi i Muhamedit ka një privilegj që nuk e kam unë.” Pra politeistët e Mekës e kuptonin shumë mirë se dëshmia se nuk ka Zot tjetër të adhuruar me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, përmban në vetvete një sistem të ri gjithëpërfshirës vlerash.

Pra Muhamedi (a.s) nuk implementoi një sistem vlerash në një teren të hapur apo djerrë por zëvendësoi një sistem me një sistem, ku nga themelet, ku nga muret e ku duke restauruar apo edhe duke përforcuar të trashëguarën. E kjo vështirësi, pavarësisht se është e tillë, bën të mundur që modeli profetik i mposhtjes së një aktualiteti të rrezatojë akoma dhe më fuqishëm.

Autor: Sabaudin Jashari

[1] – Sure Kehf: 6.

[2] – Sure Shuara: 3.

[3] – Sure Bekare: 170.

[4] – Sure Hakkah: 44 – 46.

[5] – Sure Ali Imran: 113.

[6] – Sure Ali Imran

[7] – Sure Bekare: 1 – 2.

[8] – Sure Maide: 3.

[9] – Sure Bekare

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.