Megjithëse kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga marrëveshja e shkëmbimit të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë, e nënshkruar në vitin 1924 (1344 hixhri), numri i myslimanëve në Greqi ka mbetur brenda kufijve të pakicave myslimane që u mungojnë shumë të drejta themelore. Marrëveshja e Lozanës ndërmjet Turqisë dhe Greqisë ishte pika e nisjes së dobësimit të pranisë myslimane në Greqi, pasi rreth 1 milion e 200 mijë myslimanë u detyruan të shpërngulen nga Greqia në Turqi, duke lënë pas vetëm rreth 200 mijë myslimanë në territorin grek.
Gjatë 100 viteve që pasuan, numri i myslimanëve në Greqi është rritur shumë pak, vetëm me rreth 50 mijë vetë, duke arritur sot në 250 mijë myslimanë gjithsej. Ndërkohë, në vitin 1913, myslimanët përbënin mbi 60% të popullsisë së përgjithshme së Greqisë, pra ishin shumicë dërrmuese.
Kjo ngre disa pyetje: A ishte “shkëmbimi i popullsisë” ndërmjet Greqisë dhe Turqisë shkaku kryesor i kësaj rënieje drastike në numrin e myslimanëve grekë? A kujdeset sot pakica myslimane për të ruajtur trashëgiminë që lanë paraardhësit e tyre? A janë në gjendje ta mbrojnë këtë pasuri të madhe të gjurmëve të rralla islame që ndodhen ende në Greqi?
Fakti është se numri i myslimanëve të dëbuar në Turqi përbënte rreth një të katërtën e popullsisë së Greqisë në atë kohë.
Greqia, një nga vendet e kontinentit evropian dhe pjesë e gadishullit të Ballkanit, ka një sipërfaqe prej 131,944 km² dhe një popullsi mbi 11 milionë banorë, nga të cilët rreth 250 mijë janë myslimanë. Kryeqyteti është Athina, monedha tradicionale ka qenë dhrahmia, tashmë euro dhe sistemi i qeverisjes është republikë. Greqia iu bashkua Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 25 tetor 1945.
Ajo kufizohet me Turqinë në verilindje, Bullgarinë dhe ish-Jugosllavinë në veri, Shqipërinë në veriperëndim, ndërsa nga jugu dhe perëndimi e rrethon Deti Mesdhe, dhe nga lindja Deti Egje.
Si u njoh Greqia me Islamin?
Greqia u njoh me Islamin që në gjysmën e parë të shekullit të parë hixhri, kur myslimanët çliruan disa ishuj grekë si Rodosin dhe Kretën në vitin 210 hixhri, nën udhëheqjen e Ebu Hafs Omer el-Endelusit. Prej andej Islami u përhap në shumicën e ishujve grekë dhe u rrënjos më thellë gjatë çlirimit islam të gadishullit të Ballkanit, kur u pushtua Maqedonia në vitin 782 hixhri (1380 e.s.) dhe më pas Islami u përhap në qendrën e Greqisë.
Nën sundimin islam, që zgjati disa shekuj, u ngrit një qytetërim i lulëzuar islam, u ndërtuan qindra xhami, shkolla dhe biblioteka islame, u zhvilluan shkencat dhe dijet, dhe Greqia u bë qendër e dijes dhe kërkimit islam. Deri në vitin 1913, myslimanët përbënin mbi 60% të popullsisë së vendit.
Marrëveshja e “shkëmbimit të popullsisë”
Pas pavarësisë nga Turqia, Greqia dhe Turqia nënshkruan Marrëveshjen e Lozanës (1924), që parashikonte shkëmbimin e popullsive. Sipas saj, 1.200.000 myslimanë u dëbuan nga Greqia për në Turqi, ndërsa në Greqi mbetën vetëm 200.000 myslimanë.
Në dekadat që pasuan, numri i myslimanëve vazhdoi të bjerë për shkak të emigrimeve drejt Shqipërisë, Bullgarisë, Australisë dhe disa vendeve arabe të Afrikës së Veriut. Vetëm në dekadën e fundit është vërejtur një ringjallje islame, ku numri i myslimanëve është rritur në mbi 250.000.
Rilindja islame bashkëkohore
Sot, myslimanët e Greqisë po përjetojnë një zgjim fetar, që përfshin:
Rihapjen e disa xhameve historike në ishujt grekë,
Hapjen e shkollave dhe instituteve islame për imamë dhe thirrës,
Themelimin e institucioneve fetare e arsimore islame,
Rikthimin e vakëfeve dhe përdorimin e të ardhurave të tyre për projekte islame,
Mësimin e fesë islame në shkollat publike ku ka nxënës myslimanë.
Ndër institucionet kryesore islame në Greqi janë:
Shoqata e Bashkimit Islam,
Shoqata e Zgjimit Islam,
Komiteti Islamik, si dhe zyrat e fetvave dhe gjykatat fetare.
Ndër shkollat më të njohura janë Shkolla “Rashadije” dhe Shkolla “Hajrijje”, krahas qindra shkollave fillore, të mesme dhe të larta islame që ndihmojnë në ruajtjen e identitetit fetar të brezit të ri mysliman.
Zonat myslimane në Greqi
Zona më e rëndësishme është Trakia Perëndimore, ku dikur myslimanët përbënin 60% të popullsisë prej 400.000 banorësh. Edhe pse Marrëveshja e Lozanës nuk përfshinte shkëmbimin e popullsisë për këtë zonë, shumë myslimanë zgjodhën të migrojnë. Sot kanë mbetur vetëm rreth 125.000 myslimanë dhe numri i fshatrave myslimane është reduktuar nga 300 në vetëm 42.
Në Maqedoninë greke ka rreth 15.000 myslimanë, shumica prej tyre shqiptarë. Po aq ka në zonën e Detit Egje dhe në rajone si Rodos, Epir dhe Athinë.
Xhamitë dhe institucionet e fetvave
Në Greqi ekzistojnë rreth 300 xhami historike, shumica në Trakinë Perëndimore. Autoritetet greke kanë lejuar restaurimin e disa prej tyre: 14 në qytetin Komotini, 5 në ishullin Rodos, dhe disa të tjera në ishujt e Egjeut.
Institucionet e fetvave dhe drejtësisë islame luajnë një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin fetar, administrimin e vakëfeve dhe mbikëqyrjen e çështjeve të drejtësisë islame.
Çështja e pakicës myslimane në Greqi ka zënë një vend të rëndësishëm në Organizatën e Konferencës Islame, e cila synon mbrojtjen e të drejtave të tyre, rikthimin e pronave fetare dhe lirinë e praktikimit të fesë.
Burimet islame në Greqi dëshmojnë se Islami është ende i pranishëm në shumicën e ishujve grekë, dhe se myslimanët po punojnë me përkushtim për ruajtjen e identitetit të tyre fetar dhe kulturor.
Burimi: dawa.center
Përktheu: Elton Harxhi



















