Natyra e ligjvënies në periudhën mekase

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Omer El Eshkar

Dispozitat fetare në periudhën e Mekës[1] ishin të pakta, sepse asokohe muslimanët ishin të dobët dhe konnflikti që ata kishin me mosbesimtarët nuk ishte adekuat për të lejuar zbritjen e ligjeve dhe dispozitave fetare në mënyrë të detajuar.

Ajo që dallon në këtë periudhë është fakti se shpallja e revelatës është fokusuar në sqarimin e parimeve të besimit, si besimi tek Allahu,tek i Dërguari i Tij, tek Dita e Kijametit; në sqarimin e pajisjes me morale të larta siç janë: drejtësia, bamirësia, përmbushja e obligimeve dhe premtimeve, falja, frikë-respekti e falenderimi i Allahut, në sqarimin e largimit nga veset dhe moralet e këqija siç janë imoraliteti, vrasja, varrosja e vajzave për së gjalli, mashtrimi dhe hileja në tregti; në sqarimin e ndalimit të çdo gjëje që ka lidhje me mosbesimin. Madje edhe obligueshmëria e adhurimeve si namazi e zekati nuk janë shpjeguar me detaje, ashtu sikurse u shpjeguan (më vonë) në periudhën e Medinës. Madje, në periudhën e Mekës, zekati nënkuptonte lëmoshën e dhënë në rrugë të hajrit, sakaq ai (zekati)  nuk ishte përcaktuar se sa duhej të jepej dhe as kishte ndonjë rregull specifik.

Personi i cili analizon dispozitat fetare që janë shpallur në periudhën e Mekës do të vërejë – qartë – se ato kishin lidhje me parimet e besimit, si për shembull ndalimi i therrjes së kurbanit në emër të idhujve ose  kishin lidhje me luftimin e  veseve të këqija që janë të dëmshme për jetën e njeriut.

Nëse i kthehemi leximit të sures En’am – sure që është shpallur në Mekë – do të vërejmë natyrën e dispozitave fetare që është shpallur në Mekë. Si për shembull, ajetet që flasin për ndalimin  e ngrënies së mishit që është therur në emër të idhujve, apo që nuk është përmendur emri i Allahut gjatë therrjes së tyre, apo dhe ndalimin e kafshëve që nuk lejohet që të hahet mishi i tyre.  Allahu i Madhëruar thotë: “Mos hani nga ajo (kafsha e therur) që  nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat. Djajtë i nxisin miqtë e vet që t’ju polemizojnë. E nëse ju i bindeni atyre, atëherë ju jeni si ata (idhujtarë).”[2]

Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Ju hani nga ajo (që është therur dhe) është përmendur emri i Allahut, po qe se besoni në ajetet e Tij. Ç’keni që nuk hani nga ajo që është therur në emër të Allahut. Ai ju ka sqaruar se çfarë është e ndaluar për ju, përveç në rastin kur jeni të detyruar (atëherë harami është hallall)”[3]

E në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Në atë që më është shpallur mua, nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai është cofëtinë, gjak i derdhur, apo mish derri. Ai është i ndyrë dhe përveç asaj që është therrur jo në emër të Allahut (por në emër të ndonjë idhulli) e që është mëkat..”[4]

Është mëse i qartë fakti se këto dispozita fetare kanë lidhje të drejtpërdrejtë me besimin, sepse idhujtarët, asokohe i thernin kafshët kurban në emër të idhujve të tyre me qëllim që të afroheshin tek idhujt apo zotat e rremë.

Po ashtu, e parë në në një aspekt tjetër, veprimet e tyre – në vetvete –  ishin një lloj ligji të cilin Allahu nuk e pat legjimituar, sepse ata bënin të lejuar ose ndaluar  (nga kafshët) duke u bazuar tek egoja dhe nefsi i tyre. Prandaj në këtë aspekt, ata jetonin në anarki. Këtë anarki në legjislacion, që ekzistonte në mesin e arabëve para Islamit, Allahu i Madhëruar e ka përmendur në suren En’am. Madje jo rrallherë, ndodhte që ata të binin në kundërshtim dhe të jepnin vendime të kundërta për të njëjtat çështje. Allahu i Madhëruar thotë:“Dhe nga ajo që krijoi Ai prej të lashtave dhe prej kafshëve shtëpiakem ata (idhujtarët) ndanë një pjesë për Allahun dhe thanë: Kjo është për Allahun, sipa mendimit të tyre, e kjo është e idhujve tanë. Ajo që është për idhujt, nuk shkon tek Allahu, e ajo që është për Allahun, shkon te idhujt e tyre. Sa gjykim i shëmtuar është ai që gjykojnë…”[5] “Dhe sipas bindjes së tyre ata thoshin: Këto kafshë dhe këto bimë janë të ndaluara, nuk mund të ushqehet me to, përveç ata të cilëve ne ua lejojmë, këto janë kafshë që është e ndaluar që t’u hipet; këto janë kafshë që gjatë therrjes së tyre nuk përmendin emrin e Allahut, duke shpifur ndaj Tij. Ai do t’i ndëshkojë ata për shpifjet e tyre. Madje ata thoshin: Ç’ka është në barqet e këtyre kafshëve është vetëm për meshkujt tanë, e ndaluar për gratë tona. E nëse (ajo që ishte në bark) ishte e ngordhur ata (meshkujt dhe femrat) ishin të barabartë në të. Do ta ndëshkojë Ai cilësimin e tyre të rrejshëm. Ai është i përsosur në punët e Tij, i dijshëm për krijesat e Tij.”[6]

Kështu pra, në këtë periudhë dispozitat fetare kishin karakter besimi, një shkak tjetër ishte fakti se idhujtarët kishin vendosur ligje nga mendja e tyre duke qenë në antagonizëm me ligjet e Allahut të Madhëruar. E një shkak i tretë ishte se idhujtarët nuk kryenin thjesht vepra të ndaluara, por përtej kësaj, veprat e tyre ishin krejtësisht të shëmtuara dhe makabre, si në rastin kur vrisnin fëmijët, apo i varrosnin vajzat të gjalla.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan atyre mbytjen e fëmijëve të vet, për t’i shkatërruar (me mashtrime) dhe për t’ua ngatërruar fenë. Po sikur të donte Allahu, ata nuk do ta bënin atë, prandaj hiqu tyre dhe asaj që shpifin.”[7]

E në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që vranë fëmijët e tyre nga mëndjelehtësia e pa kurrfarë dije..”[8]

Në periudhën e Mekës, janë shpallur edhe ajete kuranore që kanë lidhje me adhurimet bazë, siç janë namazi dhe zekati. Megjithatë rreth mënyrës së kryerjes së tyre me detaje është folur më gjegjësisht në ajetet që janë shpalluar pas hixhretit.

Përshtati: Elton Harxhi

[1] – Nga koha e shpalljes së profetësisë deri para hixhretit të Profetit (a.s) në Medine konsiderohet periudha e Mekës. Kjo periudhë ka zgjatur 13 – të vjet. Sh.p.k.

[2] – Sure En’am: 121.

[3] – Sure En’am: 118 – 119.

[4] – Sure En;am 145.

[5] – Sure En’am: 136.

[6] – Sure En’am: 138-139.

[7] – Sure En’am: 137.

[8] – Sure En’am: 140.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.