Është më mirë për ty që t’i lësh trashigmtarët të pasur

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sa’d ibn ebi Uekas (r.a), – një prej 10 të përgëzuarve me Xhenet,- transmeton: “Në vitin e Haxhit të Lamtumirës, Profeti (a.s) erdhi tek unë për të më vizituar, për shkak të një sëmundjeje që më kishte rënduar së tepërmi. Unë iu drejtova Profetit (a.s) me këto fjalë: “O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe si trashëgimtare kam vetëm vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time?”“Jo”,– tha ai (a.s). “Po gjysmën, o i Dërguar i Allahut?”“Jo”,– tha ai (a.s). “Po 1/3 e saj, o i Dërguari i Allahut?”Ai (a.s) tha: “Jep 1/3, por edhe 1/3 është shumë. Është më mirë për ty, që t’i lësh trashëgimtarët të pasur, sesa t`i lësh të varfër, duke lypur tek njerëzit. Ti do të marrësh shpërblimin e çdo gjëje, që e shpenzon për hir të Allahut, madje (shpërblehesh)edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A do të qëndroj (jetoj) në Meke, pasi shokët e mi të largohen prej saj?”Ai (a.s) më tha: “Nëse do të qëndrosh, atëherë për çdo punë që e bën për hir të Allahut, do të ngrihesh në gradë dhe pozitë të lartë tek Allahu. Ka mundësi, që ti të jetosh aq gjatë,derisa një popull të ketë dobi prej teje, ndërsa një tjetër të dëmtohet. O Zot! Plotësoje Hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa. Fatkeq është Sa’d ibn Khauleh”.Profeti (a.s) akoma ndjente keqardhje për Sa`d ibn Kahuleh, ngaqë ai vdiq në Meke”[1].

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Ai është sahabiu i nderuar Sa’d ibn Ebi Uekas (r.a), gjeonalogjia e të cilit bashkohet me Profetin (a.s) tek Kilab ibn Murreh. Ai njihej ndryshe me epitetin Ebu Is’hak.

Ka qenë i shkurtër e i shëndoshë, me flokë të dendura, të cilat i ka lyer në ngjyrë të zezë.

Është prej besimtarëve të parë që ka pranuar fenë e Allahut të Lartësuar. Ai e pranoi Islamin në moshën 17-të vjeçare, përpara se namazi të bëhej obligim. Nëna e tij nuk ishte dakord me besimin e tij, prandaj i bëri shantazh, duke e kërcënuar se nëse ai nuk e mohonte fenë e re, ajo as nuk do t`i fliste, as nuk do të hante e as nuk do të pinte derisa të vdiste. Ajo qëndroi në këtë gjendjepër tre ditë, derisa i ra të fikët nga stërmundimi. Pas kësaj, njëri prej djemve të saj i quajtur Amare i dha për të pirë. Megjithatë, Sa`di nuk u lëkund në besimin e tij.

Sa’di ka transmetuar 271 hadithe nga Profeti (a.s).

Ai është një prej 10 personave,të cilët Profeti (a.s) i ka përgëzuar me Xhenet.

Ka emigruar në Medine, përpara se të emigronte Profeti (a.s). Ka marrë pjesë në të gjitha betejat që ka zhvilluar Profeti (a.s), madje ai e ka ruajtur dhe mbrojtur Profetin (a.s) gjatë luftërave. Aishja (r.a) tregon: “Një natë Profeti (a.s) tha: “Ah, sikur një prej shokëve të mi të mirë të më ruantesonte”! Pas pak dëgjuam vringëllimën e një shpate. Profeti (a.s) pyeti: “Kush është?” “Jam Sa’d ibnEbi Uekasi, erdha të të ruaj o i Dërguar i Allahut, sepse pata frikë për ty” – erdhi përgjigja. Profeti (a.s) e luti Allahun e Lartësuar dhe më pas ra në gjumë”[2].

Më vonë në kohën e hilafetit të Omerit, Sa’di ishte në krye të ushtrisë që luftoi kundër persëve, derisa me lejen e Allahut të Lartësuar çliroi Kadisijen e shumë vende të tjera.

Sa’di (r.a) njihej si një njeri,të cilit Allahu i Lartësuar ia pranonte lutjet, sepse vetëProfeti (a.s) e kishte lutur Allahun e Lartësuar për këtë gjë.

Ai nuk u përzie dhe nuk mori pjesë në trazirat e mëdha që ndodhën pas vrasjes së Othmanit (r.a).

Ndërroi jetë në Akik (një vend 10 milje larg Medines) dhe trupi u dërgua në Medine, për t’u varrosur në Bekia. Nuk dihet me saktësi se në çfarë moshe ka ndërruar jetë. Disa thonë se në atë kohëka qenë 73 vjeç, disa të tjerë thonë se ka qenë 83 vjeç.

Allahu qoftë i kënaqur me të.

Shpjegimi i hadithit:

Nga ky hadith profetik përfitojmë shumë mësime. Në këtë hadith vërejmë dialogun e zhvilluar ndërmjet Profetit (a.s) dheSa’ad ibn ebi Uekas (r.a) rreth një problemi social, që zë një vend të rëndësishëm në progresin e Umetit musliman. Bëhet fjalë për pasurinë, për mënyrën se si besimtari duhet ta fitojë atë dhe se si duhet ta administrojë atë. Profeti (a.s) jep zgjidhje për këtë problem social gjatë vizitës që i bën një të sëmuri, ç’ka dëshmon qartë universitalitetin e tij (a.s) në rolin e edukatorit, analistit dhe njeriut modest.

Prindi e ka për detyrë dhe obligim, që të kujdeset për fëmijët e tij. Ai duhet ta kërkojë riskun hallall, ç’ka do ta hijeshonte jetën në sytë e fëmijëve të tij. Kjo vlerë e lartë e qytetërimit duket qartë në këshillën e Profetit (a.s) gjatë dialogut që zhvillon me Sa’din (r.a). Në të njëjtën kohë ajo është një këshillë profetike, që i drejtohet çdo babai, që është përgjegjës për fëmijët e tij:“Është më mirë për ty, që trashëgimtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit”.Besimtari është krenar, prandaj është shumë e zorshme dhe e rëndë për të, që të bjerë në gradën e lypësit.

Mirëpo kjo këshillë nuk mbaron me kaq përkundrejt, Profeti (a.s) e nxit dhe e motivon besimtarin që përveç përgjegjësisë që prindi ka ndaj fëmijëve, ai duhet të japë edhe sadaka, në mënyrë që të mos jetë egoist vetëm ndaj vetes dhe familjes së tij, por t’i tejkalojë kufijtë e vetvetes për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët. Me anëtë kësaj këshille Profeti(a.s) dëshiron, që në mesin e shoqërisë islame të mbizotërojë fryma e bashkëpunimit dhe e solidaritetit.

Një vlerë e përmendur në këtë hadith,është sinqeriteti në kryerjen e veprave të mira. Profeti (a.s) i thotë Sa’adit (r.a): “Ti do të marrësh shpërblimin e çdo gjëje, që e shpenzon për hir të Allahut, madje (shpërblehesh) edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”.Kjo do të thotë, se çdolloj shpenzimi qëbesimtari e bën, duke qenë i sinqertë në nijetin e tij, Allahu i Lartësuar e shpërblen për këtë nijet. Nëse besimtari ëstë i sinqertë, Allahu i Lartësuar e shpërblen atë edhe për kafshatën e bukës që besimtari ia jep gruas, megjithëse burri e ka për detyrë që ta ushqejë gruan e tij. Allahu i Lartësuar e shpërblen besmtarin edhe në rastin, kur ai ushqen fëmijët apo prindërit e tij, duke e bërë këtë gjë me sinqeritet.

Një vlerë tjetër e përmendur në këtë hadith është dashuria, dhembshuria dhe qetësia ndërmjet burrit dhe gruas. Kjo vlerë që ka një dimension të gjerë social, qëpersonifikohet tek kujdesi dhe përgjegjësia në formën e tyre më të bukur. Nëse burri mundohet ta gëzojë sadopak gruan e tij, atëherë ai shpërblehet shumëfish. Nuk ka dyshim, se një veprim i tillë lë gjurmë të thella në shpirt,duke dëshmuar qartë për dashurinë ndërmjet dy bashkëshortëve. Prej shenjave të dashurisë mes bashkëshortëve është edhe të ushqyerit e saj, ngrohtësia që i dhuron dhe kujdesi për të ruajtur marrëdhëniet mes tyre.

Një vlerë tjetër, të cilën e përftojmë mga ky hadith profetik, është ndjenja e përgjegjësisë ndaj shoqërisë dhe individit. Sahabiu i nderuar, duke qenë i dergjurnë shtrat nga një sëmundje e pashërueshme, jo vetëm që nuk dëshpërohet ngaqë do ta braktisë pasurinë e as që ka frikë nga vdekja, por përkundrazi ai mendon për muslimanët. Ndërmjet tij dhe Profetit (a.s) zhvillohet një dialog: O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe si trashëgimtare kam vetëm vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time?” “Jo”, – tha ai (a.s). “Po gjysmën, o i Dërguar i Allahut?” “Jo”, – tha ai (a.s). “Po 1/3 e saj, o i Dërguari i Allahut?” Ai (a.s) tha: “Jep 1/3, por edhe 1/3 është shumë”Dëshira për të dhënë këtë shumë të madhe parash si sadaka – pra 2/3 apo gjysmën – dëshmon për forcën e besimit të këtij sahabiu të nderuar, i cili nuk lëkundet përpara mashtrimit të pasurisë. Ky është Sa’d ibn ebi Uekas (r.a), një njeri i devotshëm, i përkushtuar, i sinqertë, modest dhe shumë bujar, ç’ka dëshmon për besimin e fortë, që ishte rrënjosur në zemrën e tij.

Sa’di (r.a) e pyet Profetin (a.s), nëse do të vazhdojë të qëndrojë në Meke, pasi shokët e tij të largohen prej saj. Ai e bëri këtë pyetje Profetit (a.s), ngaqë dëshirontetë fitonte sa më shumë shpërblime, megjithëse sëmundja e rëndë që e kishte goditure pengote për të qenë me Profetin (a.s). Mirëpo Profeti (a.s) e qetëson,duke i thënë se nëse ai qëndron i sëmurë në Meke dhe nuk del prej saj, sa herë që të kryejë një punë të mirë për hir të Allahut të Lartësuar, do të shpërblehet duke u ngritur në gradë dhe në pozitë sa më të lartë, derisa të fitojë Xhenetin.

Profeti (a.s) e vizitoi Sa’din (r.a), i cili ishte sëmurë dheiu lut Allahu tëLartësuar që ai të shërohet. Jo vetëm kaq, por i dha edhe shpresë, se ai do të jetojë, duke iu drejtuar me fjalë të buta: “Ka mundësi, që ti të jetosh aq gjatë, derisa një popull të ketë dobi prej teje, ndërsa një tjetër të dëmtohet”.Me të vërtetë lutja dhe paralajmërimi i Profetit (a.s) u plotësua. Sa’di (r.a) jetoi shumë, duke qenë komandanti i ushtrisë muslimane në luftënqë u zhvillua kundër persëve. Ai arriti që me ushtrinë e tij të triumfonte ndaj persëve e të vriste komandantin e ushtrisë perse, Rustumin. Me çlirimin e teritorreve të Irakut nga perandoria perse, shumë njerëz e pranuan fenë e Allahut të Lartësuar dhe kjo gjë ishte e dobishme për ta si në çështjet e kësaj bote, ashtu dhe në ato të botës tjetër. Në të njëjtën kohë, persët që u përballën me ushtrinë e Sa’dit (r.a), vdiqën si jobesimtarë, ç’ka konsiderohet e dëmshme për ta si në këtë botë, ashtuedhe nëbotën tjetër. Kështu pra, premtimi i Profetit (a.s) u realizua.

Ky bashkëbisedim ndërmjet Profetit (a.s) dhe Sa’dit(r.a) përfundon me lutjen e Profetit (a.s) për shokët e tij: “O Zot! Plotësoje Hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa”.

[Profeti (a.s) iu lut Allahut tëLartësuar, që ta plotësojë Hixhretin e shokëve të tij me dy gjëra:

E Para: T`i bëjë të qëndrueshëm e të palëkundur në besimin e tyre, sepse nëse njeriu është i qëndrueshëm në besimin e tij, ka mundësi t’i bëjë ballë Hixhretit.

E Dyta:Që askush prej tyre të mos kthehet në Meke, pasi dolën prej saj duke emigruar për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse del nga një vend për të emigruar në një vend tjetër për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, është njëlloj sikur të nxjerrëshlekënga xhepi për t`i dhënësadaka. Vendi që ke lënëështë njëlloj si paraja qëe jep sadaka, tëcilën nuk mund ta kthesh mbrapa. Prandaj, çdo gjë që njeriu e lë për hir të Allahut, ajo nuk i kthehet mbrapsht.][3]

“Fatkeq është Sa’d ibn Khauleh” Sa’ad ibn Khauleh ishte prej muhaxhirëve të parë, i cili mori pjesë në betejën e Bedrit. Ai u martua me Seb’ije el Eslmije dhe vdiq në Meke në Haxhin e Lamtumirës. Pas vdekjes së tij, Seb’ija lindi fëmijën e tij. Profetit (a.s) i vinte shumë keq për të, ngaqë ai vdiq në Meke, ndërkohë që muhaxhirët nuk para preferonin të qëndronin në Meke, pasi kishin emigruar prej saj për në Medine vetëm nga dashuria që kishin për Allahun e Lartësuar. Duke qenë se Sa’d ibn Khauleh vdiq në Meke e jo në Medine, ata e konsideronin këtë gjë si fatkeqësi dhe gjëmë të madhe. Allahu i Lartësuar e mëshiroftëSa’d ibn Khauleh.

Rregulla dhe dispozita fetare:

Juristët muslimanë kanë dhënë mendime të ndryshmerreth vizitës së tësëmurit, por mendimi më i drejtë është, se vizita e të sëmurit është Sunet.

I sëmuri mund të tregojë se po vuan dhe kjo lejohet për disa arsye: për diagnostikimin e sëmundjes, lutjet që mund të bëhen për shërimin sa më të shpejtë të tij…etj. Mirëpo është e papëlqyeshme që i sëmuri tëankohet për sëmundjen.

Testamenti që lë ai person, i cili është në shtratin e vdekjes, konsiderohet i  pëlqyeshëm (mustehab). Duke u bazuar tek ky hadith, juristët kanë thënë, se njeriu që është në shtratin e vdekjes, nuk mund të dhurojë më tepër se 1/3/e pasurisë. Në të kundërt, pas vdekjes së tij nuk lejohet të jepetmë tepër se kjo sasi epërcaktuar (pra 1/3),përveç rastit kur pjesëtarët e ligjshëm të trashëgmisë së tij janë dakord për këtë gjë.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Vlera e vizitës që i bëhet të sëmurit.

2 – Haxhi i Lamtumirës.

3 – Konsultimi me dijetarët.

4 – Vlera e shpenzimit të pasurisëpër gruan dhe fëmijët.

5 – Vlera e nijetit të pastër e të sinqertë.

6 – Vlera e sadakasë.

7 – Frika e muhaxhirëve se mos vdisnin në Meke.

8 – Morali i mirë i Profetit (a.s).

9 – Dhembshuria dhe keqardhja për njerëzit.

10 – Paralajmërime profetike.

1 – Vlera e vizitës që i bëhet të sëmurit:

Profeti (a.s) e ka pasur zakon, që gjithmonë shkonte dhe i vizitonte të sëmurët. Në këtë rast,Profeti (a.s) shkon tek Sa’d ibn ebi Uekas (r.a), i cili ishte sëmurë. Kur muslimani shkon tek i sëmuri për ta vizituar, siai po ashtu edhe i sëmurikanë dobi nga kjo vizitë.

Përsa i përket vizitorit, në rradhë të parë ai ka kryer një obligim që ka ndaj vëllait të tij musliman, sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Muslimani ka pesë detyrime ndaj vëllait të tij musliman: t’ia kthejë përshëndetjen, ta vizitojë kur ai sëmuret, t’ia përcjellë xhenazen, t’i përgjigjet ftesës së tij dhe të lutet për të, kur ai teshtin”[4].

Vizitori vazhdon të shijojë frutat e Xhenetit, derisa ta përfundojë vizitën.

Kur dikush viziton një të sëmurë, kjo i kujton atij rëndësinë dhe vlerën e shëndetit. Kur njeriu shikon të sëmurin që vuan nga një sëmundje, çfarëdolloj sëmundje të jetë ajo, atëherë ai arrin të vlerësojë mirësinë e shëndetit, që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar.

Vizita e të sëmurit i forcon më shumë lidhjetmes njerëzve. Isëmuri nuk e harron asnjëherë vizitën që i bën dikush dhe kjo gjëi afron më tepër njerëzit me njëri-tjetrin. Lidhja forcohet akoma më tepër, pasi i sëmuri shërohet. Kështu sa herë që ata takohen me njëri-tjetrin, dashuria mes tyre rritet edhe më shumë.

Përsa i përket të sëmurit; atij i lehtësohen sadopak dhimbjet dhe vuajtjet e sëmundjes. Prandaj vizitori duhet të ketë parasysh, që t’i thotë atij vetëm fjalë të mira, si p.sh: “Ti sot qenke shumë më mirë se dje” apo fjalë të ngjashme me këto.

Vizitori mund të lutet për të sëmurin e të lexojë: “Allahume rab ben nas edh’hibil be’se ueshfi entesh shafi, la shifae il la shifauke, shifaen la jugadiru sekamen” që do të thotë: “O Allah, Zoti i njerëzve! Largoje këtë sëmundje, shëroje të sëmurin, sepse me të vërtetë Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd, shërim që e largon sëmundjen”.Gjithashtu ai mund të lexojë edhe suren El Fatiha

Në përgjithësi vizita duhet të jetë e shkurtër dhe në kohë të përshtatshme, në mënyrëqë i sëmuri të mos ndihet ngushtë dhe të mos vihet në siklet, por nëse vizitori e ndjen se i sëmuri dëshiron, që ai të qëndrojë sa më gjatë, atëherë le të qëndrojë. Vizitori duhet të mundohet, që të fusë sa më shumë gëzim tek i sëmuri, sepse ndoshta ky gëzim mund të ndikojë në anën e tij shpirtërore dhe si rrjedhojë ai shërohet më shpejt.

2 – Haxhi i Lamtumirës:

Quhet me këtë emër, sepse gjatë këtij haxhi Profeti (a.s) u dha lamtumirën njerëzve. Ai quhet ndryshe edhe “Haxhi i komunukimit”, sepse pas çdo fjale që Profeti (a.s) përmendte, thoshte: “A ua kam komunikuar mesazhin”? Ai quhet edhe “Haxhi i Islamit”, pasi ky është haxhi, ku për herë të parë, të gjithëata që e kryenin këtë Haxh, ishin muslimanë. Në të nuk morri pjesë asnjë idhujtar. Haxhi i Lamtumirës është një ngjarjee rëndësishme në historinë e ftesës islame. Ky është i vetmi haxh që ka kryer Profeti (a.s), pikërisht në vitin e 10-të të Hixhretit. Në këtë haxh morrën pjesë shumë muslimanë, për të kryer haxhin bashkë me Profetin (a.s). Haxhi i Lamtumirës ishte shumë domethënës për ftesën islame. Ai lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë jetën e Profetit (a.s). Ndoshta Allahu i Lartësuar po e sinjalizonte, se misioni i tij (a.s) në Tokë po përfundonte, prandaj dëshirae fundit e Profetit (a.s) ishte,që në këtë Haxh tëtë grumbulloheshin sa më shumëmuslimanë, për të dëgjuar normat dhe parimet islame të përmbledhura në fjalë konçize dhe këshilla të shkurtra.

Gjatë kryerjes së haxhit (Në Haxhin e lamtumirës) Profeti (a.s) mbajti një fjalim shumë domethënës. Në rreshtat që vijojnë, po e përmendim fjalimin madhështor të Profetit (a.s):

Ditën e tetë të muajit Dhul-hihxhe, në ditën e Tervijetit (dita në prag të Arafatit) Resulullahu (a.s) shkoi në Mina, ku fali të bashkuara Drekën me Ikindinë dhe pastaj Akshamin me Jacinë. Më pas ai (a.s) fjeti aty dhe pasi agoi fali edhe namazin e Sabahut (pra ai ka falur pesë namazenë Mina). Kur lindi dielli, u nis për në Arafat. Aty e gjeti çadrën e përgatitur. Ai (a.s)qëndroiaty dhe kur dielli ishte afër perëndimit, i hipi devesë së tij dhe u nis për nëqendrën e luginësë sëArafatit. Në Arafat ishin tubuar124mijë ose 144mijë haxhilerë. Resulullahu (a.s) mbajti një hutbe universale dhe kon­cize. Ndër të tjera ai (a.s) tha:

“O njerëz! Dëgjoni  çfarë  do  t’ju them,  sepse  nuk  e  di,  nëse  do  t’ju  takoj  më në  këtë  vend  pas  një viti.

Jeta dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu sic është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.Gjakmarrja është e ndaluar. Të gjitha akuzat e tilla që rrjedhin nga koha para Islamit anullohen. Akuza e parë që anullohet është gjakmarrja për xhaxhain tim, te cilin njerëzit e fisit Hudhejl e vranë pa faj. Kjo gjakmarrje le të harrohet dhe të gjitha të tjerat në të ardhmen le të falen.

Kamata paraislamike është anuluar. Kamata e parë që anulohet është kamata e Abbas b. Abdul-Muttalibit. E tëra është rrëzuar.

Kini frikë Allahun për sjelljet tuaja ndaj grave. Ju i keni marrë ato në besë të Allahut dhe me to keni marrëdhënie me lejen e Allahut. Ato janë të obliguara që në shtëpinë tuaj mos të lejojë të hyjë askush. Ju këtë e urreni, andaj keni të drejtë të kërkoni këtë prej tyre. Nëse këto nuk vep­rojnë kështu goditini me goditje e cila nuk është e fuqishme. Ato kanë të drejtë që ju t’i ushqeni dhe t’i vishni ashtu siç është e drejtë. Juve po ua lë Librin e All-llahut, dhe nëse i përmba­heni fuqishëm atij, nuk do të devijoni.

O njerëz, me të vërtetë, pas meje nuk do të ketë Pejgamberë, e as pas jush nuk do të ketë Ummet (popull) tjetër. Për këtë arsye besoni Krijuesin tuaj, falni pesë kohët e namazit, agjëroni gjatë muajit Ramazan, jepniZeka­tin e pasurisë tuaj. Kështu i pastroni shpirtrat tuaj dhe vizitoni (kryeni haxhxhin) shtëpinë e Krijuesit tuaj. Bëhuni të dëgjueshëm ndaj udhëhe­qësve tuaj të drejtë. Nëse i respektoni të gjitha këto, do të hyni në Xhennetin e Krijuesit tuaj”.

E nëse do të pyeteni për mua, çka do të thoni?” Ata u përgjigjën: “Do të dëshmojmë se na ke komunikuar dhe këshilluar dhe se e ke zbatuar misionin tënd”.

I Dërguari i Allahut (a.s) duke treguar me gisht kah qielli e pastaj kah popu­lli, tha: “O Zoti im, Ti je dëshmitar“. Këtë e përsëriti tri herë.

Njeriu,i cili kishte zërin më të lartëdhe që i përcillte fjalët e Resulullahut (a.s), ka qenë Rebiah b. Umejje b. Halefi (r.a). Pasi e kreu fjalimin e tij, Allahu (xh.sh) i zbriti Shpalljen: Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj“.[5]

Kur Umeri e dëgjoi këtë ajet, filloi të qante. Njerëzit e pyetën: “Çka të shtyri të vajtosh?” Ai u përgjigj: “Pas plotësimit dhe përsosjes nuk mund të ketë gjë tjetër, veçse mungesë dhe pakësim”.

3 – Konsultimi me dijetarët:

Allahu i Lartësuar thotë: Pyetini ata që dinë, nëse ju nuk jeni të informuar[6]. Sa’di (r.a) e pyeti Profetin (a.s),nëse mund të jepte 2/3 e pasurisë si sadaka. Kjo pyetje dëshmon qartë për dëshirën e tij për të mësuar rregullat dhe mësimet e fesë. Dijetarët kanë thënë: “Cilësia më e mirë e njeriut është, kur ai pyet për të mësuar”.Ata kanë thënëgjithashtu: “Dy persona nuk e mësojnë fenë: ai që ka turp dhe mburraveci”.

Njeriu duhet të konsultohet me dijetarëtpër një çështje që nuk e di. Nëse nuk ke dijenipër një çështje fetare, pyet dijetarët e fesë. Nëse dëshiron të blesh shtëpi, pyet sekserët. Nëse dëshiron të rregullosh një makinë, shko dhe pyet mekanikun e kështu me rradhë.

Njeriu nuk duhet të pretendojë se di gjithçka.Përkundrazi nuk është turp, që njeriu të thotë: “Nuk kam dijeni rreth kësaj gjëje”. Ai, i cili pretendon se di gjithçka, në të vërtetë është i mangët. Ndonjëherë njeriun e kap entuziazmi dhe emocioni për të bërë diçka, por rrethanat e detyrojnë që mos flasë apo tëmos e veprojë atë gjë. Profeti (a.s) nuk e ndërtoi Qaben në po ato themele që e ndërtoi Profeti Ibrahim (a.s), vetëm nga frika se mos ndodhtepërçarje ndërmjet njerëzve. Profeti (a.s) i drejtohet Aishes (r.a) me këto fjalë: “Nëse populli yt nuk do të ishte shumë pranë mosbesimit(njerëzit sapo kishin hyrë në Islam), atëherë do të urdhëroja që Qabja të ndërtohej në ato themeleqë e ka ngritur Ibrahimi (a.s). Do ta ndërtoja me dy dyer, që njerëzit të hyjnë nga njëra derë dhe të të dalin nga tjetra”.[7]

Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na ka ndaluar, që të shajmë e të ofendojmë idhujt, megjithëse ato e meritojnë, për arsye se si kundërpërgjigje e kësaj shahet Allahu i Lartësuar, prandaj është më mirë, që ato (idhujt) të mos shahen. Allahu i Lartësuar thotë: Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne ia paraqisim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë bërë[8].

Pra, ajo duam të themi se një gjë mund të jetë shumë e mirë për t’u vepruar, por në momente dhe rrethana të caktuara nuk është mençuri dhe zgjuarsi, që ajo gjë të veprohet. Prandaj në të tilla raste, njeriu duhet të konsultohet me dijetarët. Ka mundësi që njeriun ta rrëmbejnë emocionet dhe kryen një vepër, për të cilën më vonë do të paguajëfaturën e saj.

E thënë shkurt, ajo që arrijmë të kuptojmë nga ky hadith është fakti, se njeriu duhet të marrë mendim nga ai person, i cili është më i pjekur, më e mençur dhe që ka më tepër eksperiencënë fushën përkatëse.

4 – Vlera e shpenzimit të pasurisë për gruan dhe fëmijët:

Ky hadith profetik na fton që t’i mbajmë fort lidhjet farefisnore, të kemi marrëdhënie sa më të mira me të afërmit dhe të jemi sa më të dhembshur me trashëgimtarët. është shumë herë më mirë që trashëgimtarët e tu të jenë të pasur,sesa t’i lësh ata të varfër, gjithmonë nëse është e mundur. Nëse njeriu dëshiron të japë sadaka, në rradhë të parë duhet të fillojë me ata që i ka më pranë. Njeriu gjatë gjithë jetës së tij është munduar me mish e me shpirt për fëmijët e tij. Nëse ai lë diçka pas vdekjes së tij, – pak apo shumë qoftë ajo – atëherë kjo konsiderohet si një sakrficë e tij për pjesëtarët e familjes, sikur të ishte gjallë. Prandaj edhe Profeti (a.s) thotë: “Është më mirë për ty, që trashëgimtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit”.

5 – Vlera e nijetit të pastër e të sinqertë:

Njeriu shpërblehet në varësi të nijetit, se sa i pastër dhe i sinqertë është ai. Allahu i Lartësuar thotë: Ai që e jep pasurinë e tij, duke e pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm duke kërkuar kënaqësinë e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe, ai me siguri do të jetë i kënaqur[9].IbnHubejre thotë: “Ky hadith dëshmon, se besimtari që shpenzon për shtëpinë, familjen, gruan dhe fëmijët e tij, duhet të bëjë nijetin për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar”.

Është e vërtetë, që burri e ka për detyrë të shpenzojë për familjen e tij, por kur këtë detyrë ai e shoqëron me nijetin për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, nuk ka dyshim se ai shpërblehet. Sejid Sabik thotë: “Një vepër nuk merret për bazë dhe nuk konsiderohet e mirë, nëse nuk shoqërohet me nijet të pastër për të kërkuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, sepse synimi i njeriut është vetëm një”[10].

6 – Vlera e sadakasë:

Profeti (a.s) e miratoi fjalën e Sa’dit (r.a), kur ky i fundit tha, se 1/3 e pasurisë e linte si amanet, që të shpërndahej sadaka tek të varfërit. Ky miratim i Profetit (a.s) tregon qartë, se nëse njeriu e shikon të arsyeshme që pas vdekjes së tij,1/3 e pasurisë t’i shpërndahet dikujt tjetër përveç trashëgimtarëve të ligjshëm, atëherë ky veprim është i lejuar, sepse njeriu mund të njohë një person shumë më të varfër apo shumë më nevojtar se trashëgimtarët e ligjshëm. Sidoqoftë kjo sadaka ka një kufi dhe është e përcaktuar, sepse nëse njeriut do t’i lindte dëshira që gjithë pasurinë t’ia jepte dikujt tjetër përveç trashëgimtarëve të ligjshëm, atëherë kjo do të përbënte një dëm mjaft serioz për një nga trashëgimtarët e ligjshëm, ose për të gjithë ata. Prandaj nëse njeriu lë me testament, që pasuria t’i shpërndahet pas vdekjes, atëherë 1/3 e sajështë për të varfërit e nevojtarët, ndërsa 2/3 janë për trashëgimtarët e ligjshëm.

7 – Frika e muhaxhirëve se mos vdisnin në Meke:

Sa’di (r.a) i frikësuar e pyet Profetin (a.s): O i Dërguari i Allahut! A do të qëndroj (jetoj) në Meke, pasi shokët e mi të largohen prej saj?” Imam Neueuiu thotë: “Sa’di (r.a) ia drejtoi Pofetit (a.s) këtë pyetje,nga frika se mos ai vetë vdiste në Meke, ndërkohë që më parë kishte emigruar prej saj, osenga frika se nuk do të mund të largohej nga Meka për shkak të sëmundjes së rëndë, pasi Profeti (a.s) dhe sahabët të largoheshin prej saj”[11]. Mirëpo Profeti (a.s) e qetësoi Sa’din (r.a), duke e lutur Allahun e Lartësuar, që shpërblimi i Hixhretit të ishte i plotë për të dhe për shokët e tij.

8 – Morali i mirë i Profetit (a.s):

Profeti (a.s) shquhej për karakterin e tij fisnik dhe moralin e mirë. E si mos të ishte i tillë, kur atë e ka përzgjedhur Allahu i Lartësuar në mesin e të gjithë krijesave. Ja se si e përshkruan Allahu i Lartësuar moralin e Profetit (a.s):Me të vërtetë, ti ke një moral të lartë”[12]. Morali i lartë i Profetit (a.s) është argument për profetësinë e tij. Prandaj kur njerëzit e asaj kohe apo dhe të tjerët që erdhën pas tij e panë me sytë e tyre moralin e lartëtë Profetit (a.s), dëshmuan dhe besuan në profetësinë e tij.

Profeti (a.s) ka qenë modeli dhe shembulli më i mirë. Morali i tij ka qenë shembull për individin dhe shoqërinëdhe ky ka qenë njëkohësisht edhe argument i profetësisë së tij. Nëpërmjet mesazhit hyjnor, të cilin ia shpalli Allahu i Lartësuar,Profeti (a.s) ndërtoi qytetërimin model, që askush nuk e ka ndërtuar dhe as nuk ka për ta ndërtuar deri në Ditën e Kijametit. Shtylla mbështetëse e këtij qytetërimi ishte morali, për të cilin Profeti (a.s) tha: “Me të vërtetë, unë jam dërguar për të plotësuar moralet më të mira”.[13] Morali i Profetit (a.s) ka qenë i kompletuar dhe i pandryshueshëm. Durimi i tij ishte i njëllojtë me trimërinë e tij, amaneti i tij ishte i njëllojtë me fisnikërinë e tij, sinqeriteti i tij ishte i njëllojtë me butësinë e kështu me rradhë.

Morali i lartë i Profetit (a.s) shfaqet në fjalët dhe veprat e tij. Morali i tij është shfaqur tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai (a.s) gjithmonë shoqërohej me shokët e tij, ulej me të varfërit, shëtiste rrugëve të Medines me njerëzit që dëshironin të shëtisnin bashkë me të, i vizitonte të sëmurët, merrte pjesë në xhenaze, shkonte tek shtëpitë e shokëve të tij për vizitë, ashtu siç shkonin edhe ata tek ai. Në të gjitha këto raste ai (a.s) ishte i thjeshtë, i buzëqeshur, tolerant e i butë me të gjithë njerëzit.

9 – Dhembshuria dhe keqardhja për njerëzit:

Në një transmetim të imam Muslimit thuhet, se Profeti (a.s) e lut Allahun e Lartësuar, që Sa’di (r.a) të shërohet, duke thënëkëto fjalë: “O Zot, shëroje Sa’din! O Zot, shëroje Sa’din! O Zot, shëroje Sa’din!”[14] Po ashtu Profeti (a.s) i lutet Allahut të Lartësuar me këto fjalë: “O Zot! Plotësoje Hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa”. Profeti (a.s) gjithmonë e luste Allahun e Lartësuar për shokët e tij. Prandaj në këtë hadith vërejmë, se ai (a.s)dëshironte që Sa’di (r.a) të shërohej.Po ashtu, ai (a.s) e luti Allahun e Lartësuar, që atata merrnin të plotëshpërblimin e Hixhretitqë kishin bërëe të mos ktheheshin në mosbesim. Nuk ka dyshim, se lutjet e Profetit (a.s) për shokët e tij tregojnë dhembshuri dhe keqardhje për ta. Me këtë cilësi duhet të karakterizohen të gjithë ftuesit në rrugë të Allahut të Lartësuar, duke marrë si model të Dërguarin e Allahut (a.s).

10 – Paralajmërime profetike:

Në këtë hadith Profeti (a.s) e paralajmëroi Sa’din (r.a), se ai do të jetonte aq gjatë, sa të mirën e tij do ta përjetonin shokët e tij, ndërsa një popull tjetër do të dëmtohej prej tij. Me të vërtetë, Sa’di (r.a) jetoi shumë gjatë. Ai ishte komandanti i ushtrisë muslimane, që çliroi Irakun dhe shumë vende të tjera përreth saj. Me çlirimin e Irakut, njerëzit e pranuan fenë islame, ç’ka u bëri dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa jobesimtarët vdiqën si të tillë gjatë betejave të zhvilluara, ç’ka u solli atyre një dëm të madh si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër:dëmet në këtë botë ishin, ngaqë plaçka e luftës ra në dorë tëmuslimanëve, ndërsa në botën tjetër ata do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit për shkak të mosbesimit të tyre.

Dijetari i shquar Ibn Uthejmini thotë: [Ky hadith është një mrekulli profetike, sepse ndodhi tamam ashtu siç tha Profeti (a.s). Sa’di (r.a) jetoi deri në periudhën e hilafetit të Muauijes (r.a). Ky paralajmërim dëshmon për profetësinë e Muhamedit (a.s), i cili paralajmëroi se ç`do të ndodhte dhe ashtu ndodhi me të vërtetë. Ajo ç’ka Profeti (a.s) paralajmëroi, nuk ishte thjesht një lajm, por një ndodhi që u realizua, sepse ai tha: “Ndoshta ti do të jetosh aq gjatë…”. Pra ai (a.s) nuk foli në mënyrë të prerë, por megjithatë ndodhi ashtu siç profetizoi].[15]

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Modestia dhe thjeshtësia e Profetit (a.s).

2 – Morali i mirë dhe i lartë i Profetit (a.s) gjatëvizitës që u bënte shokëve të tij.

3 – Pjesë e udhëzimit tëProfetit (a.s) ka qenëedhe vizita e të sëmurëve.

4 – Lejohet që njeriu ta njoftojë të sëmurin për sëmundjen e rëndë që ai ka, përveç rasteve kur kjo mund të ndikojë negativisht tek gjendja emocionale e të sëmurit.

5 – I lejohet të sëmurit, që të përmendë llojin e sëmundjes, nëse ka për qëllim: që të gjejë ilaçin e duhur, apo që dikush të lutet për të. Mirëpo ndalohet, qëai tëshprehë pakënaqësi apo të ankohet për sëmundjen.

6 – Lejohet vendosja e dorës në ballin e të sëmurit dhe fshirja e fytyrës apo organit të sëmurë.

7 – Lejohet grumbullimi i pasurisë hallall. Një gjë e tillë nuk konsiderohet mëkat, përderisa zotëruesi i saj i kryen obligimet që ka ndaj kësaj pasurie.

8 – Legjitimiteti i lënies së testamentit.

9 – Nuk është e lejuar, që njeriu të lërë si testament më shumë se 1/3 e pasurisë.

10 – Testamenti më i mirëi një personi është, kur ai dhuronmë pak se 1/3 e pasurisë, megjithëse lejohet të dhurohet edhe 1/3 e pasurisë.

11 – Është e papëlqyeshme, që personi i varfër tëdhurojë diçka me testament, ndërkohë që pjesëtarët e familjes kanë nevojë për atë pasuri.

12 – Nëse njeriu nuk ka trashëgimtar legjitim, i lejohet qëtrashëgiminë t’ia lërë dikujt tjetër.

13 – Njeriu e ka për detyrë, që të mbrojë interesat e trashëgimtarëve të tij,si dhe të sillet drejt ndaj tyre.

14 – Nëse në Kuran hasim ndonjë dispozitë fetare përgjithësuese, ajo specifikohet nga tradita profetike. Në Kuran lexojmëPasi të kryhet testamenti i tyre dhe të lahet borxhi”[16], ndërsa në traditën profetike lexojmë: “1/3 dhe 1/3 është shumë”.

15 – Njeriu duhet të konsultohet me dijetarët dhe specialistët për ato çështje që nuk i di.

16 – Personi, i cili dëshiron të këshillohet me dikë, duhet ta formulojë problemin siçështë në realitet, në mënyrë që të marrë edhe përgjigjen e duhur.

17 – Personi, prej të cilit kërkohet konsulta, duhet të thotë të vërtetën, pavarësisht faktit nëse gëzohet apo nuk gëzohet ai që e ka pyetur.

18 – Nëse njeriu shpenzon për hir të Allahut të Lartësuar, ai do të shpërblehet për nijetin e tij, qoftë ky shpenzim edhe për gruan dhe fëmijët e tij.

19 – Njeriu duhet të bëjë nijet, që çdo punëtë mirë ta kryejë vetëm për hir të Allahut, pasi vetëm kështu shpërblehet.

20 – Ai, i cili e dhuron një gjë për hir të Allahut të Lartësuar, nuk ka të drejtë që ta kërkojë përsëri mbrapsht.

21 – Motivimi për të mbajtur fort lidhjet farefisnore. Mbajtja e lidhjeve farefisnore është më e mirë se mbajtja e lidhjeve me njerëzit e tjerë.

22 – Njeriu duhet të shpenzojë ndaj atyre që e ka për detyrë.

23 – Frika e sahabëve, se mos vdisnin në Meke.

24 – Muhaxhirët e ndjenin nevojën, që dikush të lutej për ta, në mënyrë që Hixhreti i tyre të ishte i plotë, pasi kështu fitonin kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

25 – Hadithi dëshmon për profetësinë e Muhamedit (a.s) i cili profetizoi se çfarë do të ndodhte në të ardhmen dhe ngjarjet ndodhën ashtu siç ai profetizoi.

Epilog:

Në epilogun e këtij hadithi po citojmë disa fjalë të urta të dijetarëve në lidhje me nijetin e pastër[17]:

Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Kam shumë dëshirë, që Allahu i Lartësuar të më shpërblejë, kur fle gjumë dhe po ashtu kur zgjohem”.

Njëherë imam Ahmedi e këshilloi djalin e tij me këto fjalë: “O djali im! Bëj nijet për të kryer një punë të mirë, sepse ti vazhdon të jesh në mirësi, përderisa e bën një nijet të tillë”.

Imam Ibn Kajimi thotë: “Për njohësit e Allahut të Lartësuar, gjërat e zakonshme janë adhurime, ndërsa për njerëzit e rëndomtë, adhurimet janë gjëra të zakonshme”.

Zejd Esh Shami ka thënë:“Dëshiroj qëçdo punë ta shoqëroj me nijet, madje edhe kur ha e pi”.

Disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Kush dëshiron që puna e tij të jetë e plotë, le të rregullojë nijetin e tij, sepse Allahu i Lartësuare shpërblen atë njeri, nijeti i të cilit është i mirë edhe kur fut kafshatën  në gojë”.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buhariu  (1295) me tekstin në fjalë, si dhe Muslimi (1628).

[2] – Muslimi (2410).

[3] -“Shpjegimi i Rijadus Salihin”i Muhamed ibn Uthejminit, fq:  1/46-47.

[4] –  Buhariu (1240) dhe Muslimi (2162).

[5] – Sure  Maide:3

[6]– Sure Nahl: 42.

[7]– Buhariu (126) dhe Muslimi (1333).

[8]– Sure En’am: 108.

[9]– Sure Lejl: 18-21.

[10]– “Islami ynë” i Sejid Sabikut, fq: 38.

[11] – “El Minhaxh” i Neueuit, fq: 11/113.

[12] – Sure Kalem: 4.

[13] – Hakimi (4221). Ai ka thënë: “Hadithi është i Sahih sipas kushteve të Muslimit”. Këtë hadith nuk e kanë transmetuar as Muslimi e as Buhariu. Imam Dhehebiu e ka miratuar këtë hadith.

[14] – Muslimi (1628).

[15]– “Shpjegimi i Rijadus Salihin”  i Muhamed ibn Uthejminit, fq: 1/58.

[16] – Sure Nisa: 12.

[17] -“Shpjegimi i Rijadus Salihin” i Sulejman ibn Muhamed Luhejmid, fq: 18.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *