Ndikimi i besimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kushdo që hedh një vështrim meditues mbi ata që kanë jetuar në kohën e injorancës paraislame, do të habitet se çfarë ndryshimi u ndodhi atyre (pasi hynë në Islam), aq sa njëri prej tyre tha: “Kemi ardhur për t`i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Allahut (vetëm për Të), nga padrejtësia e udhëheqësve në drejtësinë e Islamit, nga ngushtësia e jetës së kësaj bote në gjerësinë e jetës së kësaj bote dhe të Ahiretit”.([1])

Ne kërkojmë burra, të cilët e mbrojnë besimin dhe i thonë udhëheqësit: “Betohemi në Allahun se ne nuk do të të bindemi dhe nuk të dëgjojmë, pa na shpjeguar më parë, se ku e ke marrë këtë rrobë që mban veshur”([2]), apo kur i thonë: “Kije frikë Allahun, o Umer”, ai nuk zemërohet por ua kthen: “Nuk keni asnjë vlerë, nëse nuk e thoni fjalën e drejtë (para udhëheqësit), siç nuk ka asnjë vlerë për ne, nëse nuk e dëgjojmë atë”. ([3])

Themeli i të gjitha këtyre çështjeve është bindja dhe besimi që rrjedh në damarë. Shikoji magjistarët e Faraonit, sesi e kërkonin dhe rendnin pas pasurisë dhe pozitës – para se besimi të rridhte në dejet e tyre -, duke i thënë atij: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë”?([4]) Mirëpo ç`ndodhi më pas?! Kur besimi filloi të rridhte në damarë dhe zemrat e tyre u zgjeruan nga ky besim, Faraoni u tha: “Unë do t`jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t`ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim([5]), por ata: “U përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote! Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat na ke detyruar ti. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi”.([6])

Pra, uniteti i ndjenjave i paraprin unitetit të ligjeve, të cilat zbatohen në realitetin ku jetojmë, në mënyrë graduale.

Njësimi i Allahut, duke shqiptuar vetëm fjalën “Lâ ilâhe il-lAll-llâh, Muhamed Resûlull-llâh” nuk nënkupton se besimi është konsoliduar në zemra, pa kontribuar aspak në ndërtimin e shoqërisë, pasi po të ishte kështu, i Dërguari i Allahut (a.s) do të qëndronte në Meke dhe nuk do largohej prej saj. Islami nuk është vetëm një doktrinë që mbjell në zemra njësimin e Allahut të Madhëruar, por kërkon që kjo ndjenjë individuale të ketë ndikimin e saj në shoqëri. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s) emigroi në Medine, pasi Islami ka nevojë për një shoqëri, prandaj ai (a.s) i kushtoi rëndësi kësaj çështjeje, duke e edukuar dhe formuar atë (shoqërinë) në formën më të mirë.

Muslimani duhet patjetër të reformojë veten dhe të reformojë të tjerët. Ai duhet të përpiqet për instalimin e fesë së Allahut në tokë, mirëpo kjo do të ndodhë, vetëm kur mendjet njerëzore të formatohen sipas programit islam. Ky program e edukon njeriun me dy gjëra thelbësore:

Një: Islami nuk është vetëm një besim që fle në zemër apo një grumbull ritualesh që kryhen dhe me kaq mbaron çdo gjë, por Islami është metodologji jete, nëpërmjet së cilës instalohet feja e Allahut në tokë. Në mënyrë që të arrihet instalimi i Islamit me gjithëpërfshirjen dhe universalitetin e tij, ai duhet të paraprihet patjetër nga hapa që konkretizojnë rizgjimin e shpirtit dhe të besimit.

Para së gjithash, ne duhet të zgjojmë zemrën dhe mendjen e Umetit. Në lidhje me këtë, imam Hasan El-Bena thotë: “Ne nuk kërkojmë qeverisjen (pushtetin), por qeverisja do të na kërkojë ne”.([7]) Kjo do të ndodhë, vetëm pasi të konkretizojmë rizgjimin e besimit dhe dashurinë për fenë e Allahut. Vetëm atëherë njerëzit do ta kërkojnë Islamin. Sidoqoftë, realiteti i sotëm dhe gjendja aktuale e Umetit, nuk të krijojnë mundësi për instalimin e sistemit islam (Sheriatit).

Dy: Edukimi i individit musliman sipas konceptit të Islamit gjithëpërfshirës. Ne duhet të edukojmë individin me edukim islam, i cili ka në  themel besimin në Allahun dhe Teuhidin, i cili ia mbush zemrën, e bën të qëndrueshëm në rrugën e thirrjes dhe i jep bindjen e sigurtë në ndihmën e Allahut të Madhëruar. Një individ i tillë nuk i trembet qortimit të askujt, kur bëhet fjalë për Allahun e Madhëruar: “A nuk i mjafton Allahu robit të Tij?! Ata të frikësojnë ty (o Muhamed) me zota të tjerë, përveç Tij”.([8]) Një individ që merr edukim islam të ekuilibruar, bëhet i tillë: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin, pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre”.([9]) Ky individ do të jetë në gjendje të formojë familjen muslimane, që zbaton dispozitat e Allahut të Madhëruar: “Përzgjidh atë që ka fe, se kështu do të kesh begati([10]); “Kur ju vjen dikush që ju duket fetar i mirë (dhe kërkon dorën e vajzës tuaj), martojeni me vajzën tuaj, pasi nëse nuk e bëni, do të ketë sprova në tokë dhe shkatërrim të madh”.([11])

([1]) – Taberiu, “Târikhu`l-Umemi ue`l-Mulûk”, vëll. III, f. 518.

([2]) – Ibnul Xheuzi, “Menâkibu Emiri`l-Muminîn Umer ibnu`l-Khatâb”, f. 139.

([3]) – Ibnul Xheuzi, “Menâkibu Emiri`l-Muminîn Umer ibnu`l-Khatâb”, f. 148.

([4]) – Kurani: Araf, ajeti: 113.

([5]) – Kurani: Ta ha, ajeti: 71.

([6]) – Kurani: Ta ha, ajeti: 72-73.

([7]) – Revista “El-Musaver”, 1946.

([8]) – Kurani: Zumer, ajeti: 36.

([9]) – Kurani: Ahzab, ajeti: 23.

([10]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (5090) dhe Muslimi (1466).

([11]) – Hadith i pranuar. Tirmidhiu (1084) dhe Ibn Maxheh (1967).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.